Gratë e pushtetshme të teknologjisë së lartë

Po diplomohen në shkenca dhe emërohen gjithmonë e më shumë si menaxhere në kompanitë e mëdha teknologjike. Në Amerikë po rritet me ritme të shpejta prezenca e grave në sektorët kyç, edhe pse stereotipat janë ende të pranishëm



"Kur flitet për gratë dhe teknologjinë, Amerikën apo Europën, stereotipat janë gjithmonë të njëjtë: maskiliste". Është shumë e prerë Cindy Tetro, drejtoresha e "Women in technology", dhe me mendimin e saj bashkohet pjesa më e mirë e grave që kanë bërë karrierë në këtë fushë. Megjithatë, prania e femrave në sektorët teknologjikë është gjithmonë e më e madhe dhe njëkohësisht po aq është numri i atyre që studiojnë për shkenca. Sipas një kërkimi të bërë nga "Columbia University", është në pikun më të lartë numri i femrave që diplomohen në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Femrat në Amerikë përbëjnë sot 50 për qind të të diplomuarve në mjekësi, 75 për qind në veterinari dhe 67 për qind në shkencat natyrale dhe biologjike. Edhe në PHD, niveli më i lartë i edukimit për Amerikën, numri i tyre është në rritje: rreth 40 për qind në fushën e inxhinierisë (në 1966 ishin 8 për qind), më shumë se 30 në matematikë, 44 në biologji dhe 22 në shkencat informatike. Sipas vlerësimeve të Maria Klawe, presidente e "Harvey Mudd College" (një ndër kampuset kryesore hi-tech të SHBA) në vitin 2011, numri i femrave të laureuara aty do të jetë 37 për qind; në "Princeton", 40 për qind e të diplomuarave në inxhinieri do të jenë vajza; në "Mit" rreth 46 për qind. "Realiteti është në lëvizje të vazhdueshme", pranon Danah Boyd, kërkuese e "Microsoft research" në Universitetin e Harvardit. "Nga nanoteknologjitë tek ajo kompjuterike, gratë po ndryshojnë imazhin e industrisë high-tech dhe të shoqërisë sonë". Sipas institutit të kërkimit, "Anita Borg" në SHBA, sot ka më shumë se 3 mijë grupe që luftojnë për rritjen e numrit të grave në pozicione shumë të mira në teknologjinë e lartë; institute si "Borg", që u dorëzon çmimin "Women of Vision award" grave që kanë influencuar në sektorin teknologjik atje ku ato punojnë, por edhe grupe shkollore, konkurse me çmime dhe iniciativa për të përfshirë gratë në rrugën teknologjike të kombit. Kur flitet për të rinjtë, është interneti ai që po ndërton imazhin e tyre. Aftësia e grave në kreativitet dhe dije teknologjike duket se i ka çmenduar fare meshkujt. I tillë është rasti i Janet McGonigal, një doktorante e re e Universitetit të Berklit, e konsideruar si guru-ja planetare e dizajnuesve të videolojërave, dhe themeluese e kërkimit për t‘i bërë përdoruesit më të lumtur. "Realiteti është i gjithi i gabuar. Përse dizajnuesit e videolojërave nuk përpiqen që duke zhvilluar lojëra, t‘i bëjnë përdoruesit më të lumtur?", tha para pak ditësh ajo në një konferencë në San Francisko. Vala e gjatë e pushtetit femëror ndihet edhe në kufirin më të largët të internetit. Te "Google" është Marissa Mayer, që për revistën "Time" është mishërimi i thjeshtësisë dhe aftësisë së jashtëzakonshme: nga ajo dalin të gjitha iniciativat e reja. Në "Facebook" shefe është Sheryl Sanderbg, që më parë ka kaluar nga Banka Botërore dhe "Google", ku prezantoi "AdWords", sistemin publicitar të motorit të kërkimit. Klasifikimi i grave në botën e teknologjisë sapo ka nisur. Ja disa prej protagonisteve:

Sophie Vandebroek, drejtoreshë e "Xerox Corp"

Ajo është 40 vjeçe, një femër elegante dhe plot dinamizëm. Presidente edhe e "Xeox innovaion grup", Sophie Vandebroek kontrollon gjithçka dhe drejton pa problem një kompani gjigande me 57 mijë punëtorë në gjithë botën dhe një xhiro vjetore prej 17 miliardë dollarësh drejt një të ardhmeje të sigurt. Laboratorët e saj sot "nxjerrin" nga "furra" produkte të tilla si letra e ristampueshme, impiante të veçanta për filtrimin e ujit të pijshëm dhe metoda për të treguar praninë e substancave helmuese në ambient. "Sot nuk ka rëndësi nëse je femër apo mashkull. Për të bërë një punë mjafton të jesh i zoti. Sipas të dhënave, e ardhmja teknologjike u përket grave". Edhe pse mban mbi shpinë një ngjarje dramatike në jetën e saj, si vdekja e bashkëshortit, Sophi nuk e ka dhënë veten për asnjë moment. Belge, me tre fëmijë adoleshentë, më i vogli vetëm 13 vjeç, me asnjë të afërm në Amerikë. Për këdo tjetër, një detyrë e tillë do të kishte qenë e vështirë. Por, si numri një i "Xerox", vështirësitë janë akoma më të mëdha. "I kam shtuar orët e punës sime dhe u kam kërkuar fëmijëve që të studiojnë shumë. Të marrim maksimumin nga çdo burim, këto janë fjalët e mia". E diplomuar në inxhinieri, me doktoraturë në mikroelekronikë dhe master në biznes në "Cornell University", ajo e shfrytëzon deri në fund njohjen e saj për teknologjinë.

Kim Polese, "Spike Source"

Është një nga femrat që ka bashkëpunuar për krijimin e software-it Java dhe themelimin e Marimbas. Për më tepër u ka dhënë jetë eksperimenteve të para të Webcasting. Sot është anëtare e komitetit shkencor të "Carnegie Mellon University" dhe presidente e "Spike Source". "Gratë ende lodhen për të bërë karrierë. E para sepse numri i atyre që diplomohen në biznes, fizikë, matematikë dhe kimi mbetet ende i ulët. Nga ana tjetër, për shkak të punëve të bëra tradicionalisht nga gratë për vendet ku njerëzit jetojnë në kushte ndryshe nga tonat, kanë më pak të drejta dhe më pak mundësi. Duhet të ketë bursa të veçanta studimi për femrat, sepse kanë një vizion më të qartë për realitetin". Në Silicon Valley gjërat po ndryshojnë, tregon ajo. "Facebook", "Google", "Youtube", "Flicker" po shprehin një stil pune më bashkëpunues dhe po mendojnë më shumë për gratë. Kompanitë nuk kanë më justifikime për të mos punësuar programuese, shkencëtare, biologe: të rritësh fëmijët sot, është bërë një detyrë parësore për funksionimin e shoqërisë amerikane.

Anna Gatti, zëvendëspresidente e "Youtube"

Milaneze, pak më shumë se 30 vjeçe, është një ndër gratë me të fuqishme në botë në fushën e teknologjisë së lartë. I takojnë asaj ndryshimet globale të "Youtube" dhe përgjegjësia e shitjeve publicitare në nivel ndërkombëtar. "Çfarë ka ndikuar më shumë në rrugën time? Së pari studimi në "Standford University". E kuptova se përkushtimi ndaj studimeve duhej të ishte maksimal. Së dyti, mësimi që mora nga paraqitja ime e parë te "Google" ("Youtube" është blerë nga "Google"), ku kuptova se koha është një e mirë shumë e çmuar. Shpejt kuptova se vëmendja ndaj detajeve është shumë thelbësore. Duhet të studiojmë shumë dhe të jemi besnike ndaj angazhimeve që kemi. Zakonisht ne gratë marrim shumë gjëra përsipër, ndaj e ndiejmë veten të papërgatitur". Sekreti i suksesit? "Në jetë duhen bërë ato gjëra të cilave mund t‘u dedikohesh me shpirt".

Google+ Followers