Fundi i "Rrugës 66"

Që nga krijimi i saj në vitin 1926, të shumtë kanë qenë ata që kanë ngritur pyetjen mbi fundin e rrugës më të famshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo nis nga brigjet e akullta të liqenit Miçigan dhe merr për nga jugperëndimi, duke kaluar nëpër 8 shtete, tri zona kohe dhe 2500 milje nëpër Amerikën Qendrore, për të përfunduar në palmat e bregut plot diell të Kalifornisë. Që prej 83 vjetësh, "Route 66" është tashmë pjesë e psikikës kombëtare dhe e kulturës së saj me himne të thurura nga poetët, por edhe nga këngëtarët. Nga i famshmi Steinbeck, ajo është quajtur "Udha mëmë", dhe për dhjetëvjeçarë të tërë është memorizuar në filmat e Hollivudit, shfaqjet e ndryshme dhe dokumentarët. E njohur ndryshe si "Autostrada më e madhe e Shteteve të Bashkuara", imazhi i saj pasqyrohet edhe në veprat e artit, në veshjet dhe bluzat ku qëndron stampuar në dyqanet e suvenireve të të gjitha shteteve. Pa dyshim që është një ndër udhët më të famshme dhe më të përmendura të shekullit të kaluar dhe jo vetëm në Amerikë. E megjithatë, kjo rrugë e famshme që kalon nëpër dhjetëra komunitete të ndryshme, ka të mangët një tipar shumë të rëndësishëm, madje thelbësor: pikën e finishit. Për miliona njerëz që e kanë përshkruar nga fillimi deri në fund, ka ekzistuar gjithmonë problemi i fundit të kësaj rruge, që praktikisht nuk ekziston. Disa thonë se vija e finishit është në Rrugën 7 në qendër të Los Anxhelosit, aty ku janë grumbulluar qiellgërvishtësit më të lartë të qytetit. Të paktën këtu ndalej rrugëtimi i 66-ës, sipas ligjit të miratuar nga Kongresi në 11 nëntor të vitit 1926. Të tjerë pretendojnë se fundi mund të jetë zgjatimi që iu bë rrugës në vitin 1930 e që shkon deri në bulevardin "Linkoln" në Santa Monikas. Por sot, ky vend është një zonë jashtëzakonisht e mbushur me ndërtime, sa parkimi është krejtësisht i pamundur. Ndërsa një pjesë e madhe e njerëzve kanë vendosur me një marrëveshje "të heshtur" që fundi i rrugës duhet të jetë diku nga moli 100-vjeçar i Santa Monikës, që duket se ofron edhe pamjen më të bukur për fundin e rrugës më të famshme në Shtetet e Bashkuara. Duket se të një mendjeje me shumicën e udhëtarëve janë edhe vetë autoritetet, pasi një javë më parë pikërisht ky vend është njohur si vija e finishit e udhës. Kështu, zyrtarisht është vendosur në këtë vend edhe tabela që shënon fundin. Kjo shenjë simbolike e fundit të udhëtimit 66-të pritet që të shndërrohet menjëherë në një pikë turistike që do t‘i sjellë përfitim të madh gjithë zonës përreth dhe më në fund do të shënohet edhe në hartë. Ky vendim zyrtar nuk kaloi pa kundërshtime, sepse në njëfarë mënyre është një "rishkrim" i historisë. Por mbrojtësit e kësaj vije finishi thonë se qëllimi më në fund i zyrtarizimit të saj nuk është ndryshimi i së shkuarës, por vështrimi drejt së ardhmes dhe synimi për t‘u dhënë njerëzve një pikë turistike më shumë. "Rruga 66" është shndërruar në një mit. Përgjatë viteve ka qarkulluar ideja se në fakt ekzistojnë dy versione të "Route 66". Versioni i parë është vetë rruga, zgjatimi i saj i pafund që kalon përmes një peizazhi të jashtëzakonshëm e një relievi të shumëllojshëm. Versioni i dytë është rruga që qëndron brenda imagjinatës popullore: një simbol nostalgjik i shpresës dhe lirisë, i ngulur thellë në mendjen e vendasve, por edhe të brezave të emigrantëve të shekullit të kaluar, që zgjodhën Kaliforninë si "shtëpinë" e tyre të re, të Tokës së Premtuar.
Rruga u krijua në vitin 1926, si një nga të parat që do të ndihmonte qytete të ndryshme të vendit të lidheshin njëri me tjetrin. Deri në atë kohë, pjesa më e madhe e rrugëve të mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhnin Veriun me Jugun, apo Lindjen me Perëndimin, ndërsa "Route 66" kalonte diagonalisht nga Çikago drejt Los Anxhelosit, dhe prekte qindra qytete dhe fshatra, të cilat buzë saj nisën që të ngrinin hotele, motele dhe restorante të pafund. Gjatë viteve ‘20 dhe ‘30, "Route 66" u shndërrua në rrugën e migrimit të banorëve të varfër të Oklahomës dhe Arkansasit drejt perëndimit, për t‘i ikur varfërisë të shkaktuar nga Depresioni i Madh. Një pjesë e madhe e të zhvendosurve përfunduan në fermat e luginës kaliforniane të San Joaquin. Në vitin 1938 ajo u shndërrua në rrugën e parë të shtruar me bitum në Shtetet e Bashkuara dhe në rrugën e vetme të madhe që mund t‘i çonte amerikanët nga veriperëndimi në perëndim gjatë stinës së ftohtë të dimrit, kur rrugët e tjera zakonisht ziheshin nga dëbora. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, përmes "Route 66" transportoheshin mallrat dhe armatimet për në Paqësor dhe në shkretëtirën Mojave, ku gjenerali Patton trajnonte ushtrinë e tij. Fundi i viteve ‘40 dhe ‘50, ndërkohë e shndërroi në rrugëkalimin e qindra mijëra emigrantëve të tjerë që synonin diellin dhe mundësitë e pafund të Kalifornisë. Në vitet ‘60 ajo mori edhe vlerën e një rruge turistike nëpër të cilën rrugëtonin familjet që donin të vizitonin Kanionin e Madh dhe të sapoçelurin "Disneyland". Përgjatë dhjetëvjeçarëve në vijim, "Route 66" u shndërrua në një institucion kulturor, jo vetëm përmes romanit të famshëm "Vilet e zemërimit", që më pas u bë edhe film, por edhe falë dokumentarëve të pafund dhe librave, si dhe një seriali televiziv komik, "Route 66", që në vitin 1950 u shfaq me 150 seri. Ishte një rrugë që frymëzoi shumë këngë dhe shfaqje. Edhe pse popullariteti i rrugës te motoristët ra ndjeshëm në vitet ‘80 me ndërtimin e rrugëve të tjera, një pjesë e segmenteve të saj ende shfrytëzohet për gara. Ajo është një rrugë e vjetër, në kurrizin e së cilës ka kaluar historia; një rrugë që pavarësisht dhjetëvjeçarëve të gjatë, refuzon "të vdesë". Më në fund, pas shumë e shumë vitesh, është bërë edhe me linjën përmbyllëse. Ajo është një vend me një tabelë përbri së cilës mund të bësh foto dhe të kesh kujtime. Dhe kur bëhet fjalë për kujtime, zor se mund të gjesh rrugë tjetër në Shtetet e Bashkuara veç "Route 66".




"Route 66" në muzikë dhe letërsi

"Vilet e zemërimit" është kryevepra e mjeshtrit të letërsisë amerikane, John Steinbeck. Në të, familja Joad ikën nga qyteti i pluhurt dhe i varfër i Oklahomës, për të ndërtuar një jetë të re në Kaliforninë e dielltë dhe këtë ndryshim e bën përmes udhëtimit në "Route 66". Në libër, ky rrugëtim merr një dimension simbolik, duke u shfaqur si rruga e çlirimit dhe e shpengimit. Në këtë libër, Steinbeck shkruan: "Route 66 është rruga e njerëzve në fluturim; refugjatëve që i ikin pluhurit dhe tokës së rrëshqitshme, nga thundrat e traktorëve; atyre që i ikin shkretëtirës… 66 është rruga mëmë, rruga e fluturimit". Sigurisht që asnjë vepër tjetër veç asaj të Steinbeck-ut nuk arrin që ta japë më të plotë funksionin dhe simbolizmin e kësaj rruge të famshme, por Boby Troup në këngën e tij të famshme, "Route 66", ka bërë diçka të ngjashme, vetëm se këtë herë i përket muzikës. Kënga e tij shumë e famshme në Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë fillon me fjalët: "Nëse ndonjëherë ndani mendjen që të udhëtoni në Perëndim, bjerini nga rruga më e mirë, niseni rrugëtimin me Route 66". Më pas edhe të famshmit "Rolling Stones" shkruan një këngë të ngjashme. Rruga ndodhet në imagjinatën amerikane, e skalitur aty prej dhjetëvjeçarësh dhe është shndërruar në një simbol të vendit dhe jashtë tij. Këtë imazh e forcoi edhe shfaqja e dokumentarëve televizivë, të cilët kanë shfaqur anën e panjohur të rrugës përmes udhëtimit të një regjisori dhe gazetari në të gjithë segmentet e saj. Me kalimin
e viteve, këto 50 vitet e fundit kjo rrugë ka ndryshuar imazhin nga ai i shpresës dhe lirisë, në imazhin e nostalgjisë dhe humbjes. Karizma e kësaj arterieje të rëndësishme të Amerikës duket edhe në deklaratën që i famshmi Tom Waits evokoi në një intervistë të fundit: "Route 66 është një poçe me kafe, një kitarë druri e lirë, një motel buzë autostradës, një makinë e parkuar në një restorant...".

Google+ Followers