Francisco Franco dhe guri filozofik

Leshko dhe supersticioz, gjatë luftës civile dhe pas fitimit të pushtetit diktatori spanjoll u rrethua me alkimistë, pseudoshkencëtarë, sharlatanë të ndryshëm…shpresonte të arrinte ta shtypte republikën dhe t'i jepte frymë ekonomisë së vendit falë formulave sekrete



Leshko dhe supersticioz, gjatë luftës civile dhe pas fitimit të pushtetit diktatori spanjoll u rrethua me alkimistë, pseudoshkencëtarë, sharlatanë të ndryshëm…

...shpresonte që të arrinte ta shtypte republikën dhe t'i jepte frymë ekonomisë së vendit falë formulave sekrete për të prodhuar flori dhe naftë. Por këto qenë vetëm disa prej çudive të shumta pas të cilave Caudillo u kap me naivitet të habitshëm…

Lufta civile spanjolle kishte shpërthyer prej pak muajsh kur në vjeshtën e vitit 1936 bëri shfaqjen e tij në Salamanca një personazh misterioz me origjinë hindù. Me lëkurë ngjyrë ulliri, fizik i thatë, me profesion alkimist, u deklarua simpatizant i revolucionit frankist i ardhur deri atje për t'i vënë virtytet e tij magjike në shërbim të kauzës. Sëbashku me Burgos, Zamora, Segovia dhe Avila, Salamanca kish qenë një prej lokaliteteve të para që kish rënë në duart e rebelëve. Nga ana tjetër, bëhej fjalë për një qytet me një prani të fortë konservatore dhe të dominuar nga kisha. Pak kohë pas kryengritjes ushtarake, Peshkopi Enrique Plá y Deniel e kish quajtur luftën civile një "kryqëzatë" midis qytetit qiellor, Spanjës së dominuar nga nacionalistët, Mbretëri e Zotit dhe e dashurisë, dhe qytetit tokësor, Spanjës republikane, Mbretëri e Urrejtjes dhe e komunizmit. Kalorësi i parë i kësaj reconquista kristiane të re ishte natyrisht Gjeneralisimi, i cili e dinte sesa ishte e rëndësishme në nivel imazhi prezantimi në sytë e Europës më shumë se një oficer puçist me simpati fashiste të spikatura si një luftëtar për kristianizmin. Tashmë lider i padiskutueshëm i fraksionit nacionalist, Franco e kish ngritur shtabin qendror të tij në qytetin e vjetër, i ndodhur në ngrehinat e buta të Meseta. Peshkopi i kish lejuar përdorimin e pallatit ipeshkëvor, që u bë selia e qeverisë deri në mesin e vitit të ardhshëm kur, në vijim të kundërshtive të konfliktit, "oborri" frankist do të spostohej në Burgos. Pavarësisht klimës së luftës, jeta në Salamanca zhvillohej sipas rregullave të etiketës më rigoroze. Rojet maore, të veshura me uniforma parakalimi, rrethonin pallatin. Kushdo që kërkonte audiencë me Gjeneralin duhej të paraqitej patjetër me veshje ceremoniale, përfshi anullimin e takimit. Qe në këtë qytet që Franco, deri në atë moment i mësuar me një jetë spartane ushtarake, filloi që të përshtatej si drejtues dhe "monark" i Spanjës nacionaliste. Në qytet mblidheshin njerëzit më të afërt të Franco-s. Këtu kishte selinë e saj zyra e propagandës e drejtuar nga Millán Astray, një lloj Goebels në version iberik. Këtu gjendeshin personazhe ekstravagante si surrealisti i çmendur Ernesto Giménez Caballero dhe Kapiteni Gonzalo Aguilera y Yeles, një aristokrat i moshuar që i atribuonte të gjithë problemet e Spanjës, nga dekadenca e filluar me Filipin e II-të në kohërat më të fundit, me ndërtimin e kanaleve të ujërave të zeza. Nuk është e qartë se nga erdhi alkimisti misterioz hindù, por një gjë është e qartë: arriti me lehtësi të konsiderueshme të vihej në kontakt me vëllain e Caudillo, Nicolás Franco, të cilin e siguroi se ishte në posedim të formulës mitike që mundësonte të prodhohej flori. Për të bindur vëllain e Franco, tha se formula sekrete do të mund të përdorej vetëm nëqoftëse floriri i krijuar ishte i destinuar për një kauzë të mirë. Natyrisht, kauza nacionaliste ishte e mirë dhe fisnike deri në atë pikë sa të mund të garantonte një sukses të paprecedent. Ideja e transformimit të metaleve jo të çmuar në flori ishte e vjetër sa bota. E kishin provuar Ptolemejtë më Egjipt, duke krijuar nocione trë kimisë metalurgjike, astrologji dhe supersticione. Midis shekullit të IX-të dhe të X-të mendimtarët arabë kishin vazhduan dhe zgjeruar kërkimet, duke i shtrirë nga guri filozofik (domethënë ai që duhej të shërbente për të prodhuar flori) tek panacea, mjekësia që do duhej të shëronte të gjitha sëmundjet dhe garantonte jetën e përjetshme. Por apogjeu i shkencës magjiko - eksperimentale ishte arritur në Katërqindën dhe Pesëqindën me botimin e traktateve të shumtë në të cilat gurët dhe metalet viheshin në korrespondencë me yjet. Ishte epoka në të cilën sovranët europianë konkurronin njëri më tjetrin për mjekë - magjistarë fantazmagorikë për të kryer eksperimente jo të qartë. Mjafton të mendohet, sa për të përmendur shembullin më tipik, Perandori Rudolf i II-të i Habsburgëve, i cili në Pragë, në kështjellën Hrádcany, ishte bërë mecenat shkencëtarësh, astrologësh, alkimistësh dhe sharlatanësh. Pesë shekuj më vonë hindùja Hammaralt e gjeti Rodolfin e tij tek Caudillo. Në fakt, Nicolás Franco arriti që taq bindë të vëllain për zbatueshmërinë e projektit. Falë Hammaralt, shpjegoi ai, do të mund të sigurohej i gjithë floriri i nevojshëm për të mbështetur kauzën nacionaliste dhe të fitohej lufta kundër republikës. Francisco Franco, pragmatizmi i i të cilit shpesh ishte vetëm fasade, e pranoi me dëshirë të madhe, duke i vënë në dispozicion një pjesë të laboratorëve kimikë të Universitetit të Salamanca, në pallatin e vjetër të Istituto Anaya. Universiteti historik, i themeluar më 1218, kish parë të kalonin nëpër sallat e tij personazhe të shquar të historisë e të letërsisë spanjolle: Juan Ruiz de Alarcón, Hernán Cortés, Fernando de Rojas, Calderón de la Barca, Góngora, Torres Villarroel dhe Diego de Covarrubias. Cristoforo Colombo aty kish diskutuar projektin për të arritur Inditë nga perëndimi. Shkencëtarë si Vesali dhe Koperniku i bënë këtu disa prej zbulimeve të tyre. Por me qeverinë nacionaliste në qytet, edhe vendstrehimi ekstrem i kulturës u konvertua në nevojat e konfliktit. Në laboratorët universitarë disa shkencëtarë qenë tashmë në punë për t'u dhënë trupave frankiste produkte më pak të çmuar se florir, por sigurisht më efikasë për të bërë një luftë të ndyrë si ajo civile: gazet helmuese. Nuk është e qartë nëse Hammaralt ka punuar gju më gju me shkencëtarët, domethënë nëse ka dhënë ndihmë në përgatitjen e gazeve apo nëse është kufizuar me detyrën e paracaktuar të prodhimit të metalit të çmuar. Ajo që është e sigurtë është se nuk duhej të ishte vetëm mburravec, se arriti që japë zyrës së censurës, edhe ajo e ndodhur në ndërtesën e Istituto Anaya, sasira të mëdha produktesh kimike për të lexuar letrat e shkruara me bojëra të padukshme nga agjentët sekretë italiane e gjermanë. Duket se Hammaralt ka kryer edhe eksperimente të paqarta mbi kufomat. Lajmi i turbulloi ambientet ekleziaste, të cilat kërkuan shpjegime. Por gjithçka mbeti në heshtje duke shpjeguar se nuk bëhej fjalë për trupa "kristianësh", por ushtarësh marokenë të mbledhur tashmë të dëmtuar në fushat e betejave.

Megjithatë, nga floriri i premtuar askush nuk pa kurrë as shenjën dhe, ndërsa dendësoheshin dyshimet nëse alkimisti hindù në realitet ishte spiun anglez, Sarvapoldi Hammaralt u arratis, duke i lënë të gjithë me gisht në gojë. Në mënyrë të veçantë Caudillo-n, që për të fituar luftën duhej të mbështetej më shumë mbi ndihmën e Hitler dhe Mussolini sesa mbi gurin filozofik. Siç ka shkruar historiani Paul Preston, ekzistonte një kontradiktë e thellë midis "cinizmit të thellë dhe të kënduar me të cilin [Franco] manipulonte aleatë e kundërshtarë politikë dhe naivitetin e opinioneve të tij lidhur me shumë argumenta". Mbrojtësi i Spanjës katolike dhe tradicionaliste, luftëtari konsekuent antikomunist, luftëtari që do t'u rezistonte lajkave të Mussolini dhe të Hitler, "kishte një besim naiv dhe pothuajse mallëngjyes në "truket" magjike që do të mund trë zgjidhnin një problem të veçantë". Pas alkimistit hindù, Franco do të vazhdonte të vendoste besimin e tij në personazhe të tjerë ekuivokë ose të besonte pa asnjë hije dyshimi në gjërat më të habitshme. Në vitin 1939, floriri u kthye në aktualitet, por kësaj radhe jo nëpërmjet procedimesh magjike. Disa gjeologë, të shtyrë më shumë nga një dëshirë kënaqësie sesa nga studime të thelluara, i zbuluan Franco se në nëntokën e Spanjës fshiheshin vendburime të pamata të metalit të çmuar. Vështirësitë ekonomike të vendit, i dalë i cfilituar nga lufta vëllavrasëse dhe sidomos i qeverisur nga një diktator absolutisht i paaftë në fushën e financave dhe të ekonomisë, e bënë lajmin në mos të vërtetë, të paktën goxha të besueshëm. Franco nxitoi që të autorizojë hapjen e minierave në Estremadura, duke e kontrolluar personalisht ecurinë e punimeve. Naiviteti ishte i tillë që, më parë akoma se të ishte nxjerrë qoftë dhe një gram flori, në mesazhin radiofonik të fundvitit Caudillo i deklaroi kombit se brenda një kohe të shkurtër floriri do t'i garantonte një të ardhme të begatë Spanjës. Por ashtu siç kishte ndodhur me floririn e premtuar nga sharlatani hindù, edhe Eldorado e fshehur nën këmbët e spanjollëve rezultoi bllof.

Aspak i tronditur (përtej një vetvlerësimi të madh për veten, Franco kishte një optimizëm të hekurt dhe ngjitës), diktatori e spostoi vëmendjen e tij në një tjetër lloj floriri, po aq të çmuar. Në muajt e parë të 1940 shpalli në fakt se Spanja do ta arrinte brenda pak kohe vetëfurnizimin në fushën e naftës. Por jo vetëm. Në harkun e pak viteve do të pasurohej jashtëzakonisht shumë me eksportimin e arit të zi. Qenë vitet në të cilat edhe nazistët punonin për prodhimin e benzinës sintetike dhe Franco ishte bindur se kish arritur t'ia "zhvaste" një shkencëtar mikut/rivalit të tij Hitler. Albert Elder von Filek, ky emri i të "famshmit", në realitet ishte një mashtrues i aftë me origjinë austriake. Por ndoshta për prej fisnikes "von" të mbiemrit apo për shkak të paraardhësve austriakë si Hitler, Filek arriti që të fitojë besimin e Franco. I tha se ishte një admirues i zjarrtë i revolucionit nacionalist dhe se kish vuajtur burgun në burgjet republikane. Caudillo i shpjegoi se me një likuid me bazë uji dhe barëra misterioze të pluhurizuara do të arrinte të prodhonte një benzinë sintetike me karakteristika krejtësisht të ngjashme me atë të siguruar nga rafinimi i naftës. Shtoi se kompanitë botërore të naftës kishin kërkuar që ta fusnin në dorë sekretin e mahnitshëm të tij duke i premtuar në shkëmbim shifra marramendëse. Por ai, idhtar i zjarrtë i Franco, kishte preferuar që t'ia jepte falas popullit spanjoll formulën sekrete. Aspak i pandjeshëm ndaj lëvdatave, Franco i akordoi përdorimin e ujërave të lumit Jarama dhe të një cope trualli në brigjet e tij. Aty duhej të ndërtohej impianti për prodhimin e benzinës sintetike dhe magazinat e ruajtjes. Nuk është e qartë sesi "shkencëtari" shpresonte që t'i rezistonte farsës. Një gjë është e qartë: nuk veproi i vetëm. Në kombinacion mori pjesë në mënyrë të pabesueshme edhe shoferi personal i Franco. Qe ai që e siguroi diktatorin - pa pasur as fijen më të vogël të cipës - se edhe makina e tij ceremoniale ecte me benzinën sintetike të von Filek; qe ai që i tregoi se kamionët që sillnin peshkun e freskët në Madrid nga bregu verior i vendit lëviznin me të njëjtin karburant. Por mashtrimi pati jetë të shkurtër. Me provën e fakteve, benzinës së siguruar nga uji i distiluar dhe nga barërat nuk ju pa pika. Mashtruesi austriak dhe shoferi i demaskuan dhe u burgosën. Të njëjtës periudhë i përket një shembull i mëtejshëm i naivitetit të diktatorit spanjoll. Gjatë krizës ushqimore që pasoi luftën civile, Franco i dha besim për një kohë të shkurtër një projekti të propozuar nga Guvernatori i Malaga, José Luis de Arrese y Magra, personazh jo më pak i çuditshëm se ata të parë deri më tani. Në mungesë të grurit, Arrese sugjeroi në fakt që të ngopej popullsia spanjolle me bukën e siguruar nga mielli i peshkut dhe me mishin e delfinit. Projekti mbeti i tillë , në kuptimin se për të shpëtuar jetën e delfinëve të shkretë mbrriten ndihmat hyjnore të Kryqit të Kuq. Por për sa ekscentrike, gjetja nuk e pengoi Arrese që të fitonte besimin e Caudillo dhe të bëhej në vitet e mëpasme një personazh i spikatur i falangave dhe më pas edhe ministër.

Besimi i Franco në cilësitë mrekulluese të pluhurave, pijeve apo objekteve përfshinte edhe sferën fetare dhe besimin e shpejtë tek reliket. Gjatë marrjes së Malaga në vitin nel 1937 ishte gjetur një mbetje makabër: krahu i djathtë i Santa Teresa d'Avila, i mbyllur në një valixhe të harruar në një hotel në momentet e vështira të tërheqjes. Duket se i kish shpëtuar një koloneli nga kuvendi i afërt karmelitan i Ronda në Andaluzi, gjatë një prej plaçkitjeve dhe përdhosjeve të shumta të vendeve të shenjta të kryera nga forcat republikane dhe komuniste. Kurse policia, në vend që ta kthente në kuvend, vendosi që t'ia dërgojë si homazh Gjeneralisimit, i cili e vlerësoi shumë mendimin. Në pikën që nuk u nda më prej saj deri sa vdiq. Peshkopi i Malaga dha miratimin që Franco ta ruante pjesën e trupit të shenjtores, pavarësisht se motrat karmelitane kish kërkuar që t'u kthehej. Nga ana e tij, diktatori ruajti gjithmonë një besim total në cilësitë magjike dhe mrekulluese të krahut të shenjtores, që qysh atëhere filloi ta ndjekë në spostime pronarin e ri, të besuar kujdeseve të një mbikëqyrësi të emëruar kinse në ruajtje të saj. Me lëvizje të aftë, propaganda përditoi për të transformuar Santa Teresa në kalorëse të reconquista dhe të luftës kundër të "kuqve". Shtypi katolik dhe nacionalist vendosi krahasime kurajoye midis rolit hyjnor të luajtur në jetë nga Santa Teresa dhe ai i Francisco Franco, kryqtar i ri i fesë kundër veseve dhe ateizmit. Ngjitja pothuajse obsesive pas relikes u duk në sytë e Kishës spanjolle një demonstrim i besimit fetar të zjarrtë që kishte Caudillo. Ethja fetare e Franco në të vërtetë ishte në fakt e vonshme, i lidhur siç ishte më shumë me nevoja oportunizmi politik sesa me bindje të vërtetë. Qysh nga muajt e parë të luftës propaganda nacionaliste ishte mobilizuar për të krijuar lidhje të mahnitshme midis Franco dhe historisë shekullare të vendit. Për shembuj, thuhej se Franco ishte imitues i gjesteve heroike të Cid-it dhe i mbretërve të lashtë katolikë asturianë, caudill-ët mesjetarë, nga të cilit edhe nofka Caudillo që do ta shoqërojë për të gjithë jetën. Kështu Franco filloi menjëherë që t'i shkëmbejë simpatitë e ngjallura në kishën spanjolle duke demonstruar një zell fetar deri pak vite më parë absolutisht i pa rënë në sy. I shoqëruar nga bashkëshortja Carmen, duke filluar nga viti 1936 filloi që të ndjekë meshën çdo ditë. Funksionet fetare e mërzisnin tejmase, por nevoja politika dhe influenca e së shoqes, e cila besonte sinqerisht në misionin hyjnor të të shoqit kundër të "pabesëve" republikanë, e shtynë që të bëjë figurë të mirë. "Zbulimi i fesë, shkruan historiani Paul Preston, përtej ngushëllimit shpirtëror që mund t'i ofronte, ishte shenjë e realizmit të tij, e vetëdijes se drita jeshile e kishës katolike mund të përbënte një garanci të çmuar për fitimin e ndihmave kombëtare dhe ndërkombëtare. Për një që, ashtu si Franco, kishte një konceptim kaq të lartë të vlerës së vetes, miratimi dhe bekimi zyrtar i kishës qenë të domosdoshëm, jo dhe aq për të fituar me kauzën nacionaliste mbëhstetjen e bazës së madhe katolike, sesa për të qenë i njohur zyrtarisht si përfaqësues universal i katolicizmit".

Apoteoza në identifikimin me mbretërit katolikë të historisë së Spanjës ndodhi në vitin 1939 me pushtimin e Madridit. Rruga kryesore u quaj me ngut të madh "Avenida del Generalísimo Franco" dhe për paradën zyrtare Franco deshi që koreografia dhe ceremoniali të frymëzoheshin shprehimisht nga hyrja e Alfonsit të VI-të dhe të Cid-it në Toledo pas mundjes së arabëve. I ndezën zjarre në majat e maleve, ndërsa një kortezh 25 kilometra i gjatë doli në parakalim nëpër rrugët e kryeqytetit. I pasionuar pas relikeve të shenjta dhe historike, Franco ofroi "shpatën e fitores së tij me qëllim që të ekspozohej sëbashku me flamurin e mbijetuar nga beteja e Las Navas de Tolosa kundër arabëve në vitin 1212 dhe me anijen që Xhovani i Austrisë kishte me vete në betejën e Lepanto të vitit 1571. Kështu, identifikimi midis Caudillo dhe luftëtarëve të mëdhenj të Mesjetës tashmë ishte kompletuar. Ashtu si ta, Franco kish kontribuar që të çlirohej vendi nga ateizmi dhe nga doktrinat e kundërta me kishën. Kardinali Gomá, primati i Spanjës, tha se "Zoti ka gjetur tek Shkëlqesia juaj instrumentin e denjë të planeve hyjnore të tij", ndërsa Piu i XII-të lavdëroi "ndjenjat shumë fisnike dhe thellësisht kristiane të kreut të shtetit". I ulur përfundimisht në Madrid në pallatin Pardo, Franco filloi gjithnjë e më shumë që të sillej si mbret i Spanjës së re dhe me të e shoqja, Carmen, e ngritur gjatë ceremonive në rangun e mbretëreshës. Ashtu siç ndodhte për zonjat e aristokracisë, Franco pretendoi që së shoqes t'i drejtoheshin me emrin señora. Gjatë festimeve zyrtare, me shfaqjen e señora fillonte luhej marshi mbretëror. Tamam si monark absolut, gjatë mbretërimit të tij të gjatë Franco do të akumulojë 18 vila, dhurata me vlerë 4 milionj pesetas dhe qindra medalje floriri përkujtuese të dhëna nga qytete dhe ente. E shoqja do t'i shkrijë këto në kallëpë. Në thelb, guri filozofik kaq i dëshiruar nga Caudillo nuk ishte gjë tjetër veçse pushteti.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers