ESHTE MARREZI/2012 s'është fundi i botës

MARK STEVENSON

Apolinario Chile Pixtun është i lodhur nga bombardimi me pyetje të furishme në lidhje me kalendarin e Majave, që sipas shumëkujt do të "përfundojë" në 21 dhjetor të vitit 2012. Në fund të fundit, ai nuk është fundi i botës.

Apo është? Absoultisht jo, këmbëngul plaku i mençëm indian me prejardhje nga Majat. "Unë u ktheva nga Anglia vitin që kaloi, dhe po ju them që ma kanë sjellë në majë të hundës me gjithë këto lloj historirash".

Për të, gjërat vetëm mund të përkeqësohen. Muajin tjetër, filmi i Hollywood "2012" do të nisë të shfaqet në kinematë në Amerikë dhe Europë, dhe ai do të jetë i mbushur me tërmete, reshje meteorësh dhe një tsunam, i cili merr përpara një aeroplanmbajtëse të madhe amerikane dhe e përplas atë m'u në ... Shtëpinë e Bardhë.

Në Universitetin Cornell, Ann Martin, e cila është menaxhere e faqes së internetit "Jeni kuriozë? Pyesni një astronom", thotë se njerëzit janë shumë të frikësuar. "Eshtë gjë shumë e keqe që ne na mbërrijnë emaile nga nxënës të klasës së katërt që thonë se janë shumë të vegjël për të vdekur", thotë Martin. "Patëm madje një mesazh nga një nënë me dy fëmijë të vegjël, e cila kishte frikë se nuk do të jetë aty për t'i parë, duke u rritur".

Chile Pixtun, që është nga Guatemala, thotë se teoritë për ditën e fundit të botës burojnë nga Perëndimi, dhe nuk janë aspak ide të Majave. Një periudhë kohe shumë e rëndësishme për Majat përfundon vërtetë në atë datë, dhe entuziastët kanë gjetur një seri renditjesh astronomike që koincidojnë pikërisht në vitin 2012, duke përfshirë një lloj renditje yjore, e cila ndodh një herë në çdo 25 mijë e tetëqind vite.

Por shumica e arkeologëve, astronomëve dhe pasardhësve të Majave thonë, se e vetmja gjë që me shumë gjasa do të godasë Tokën do të jetë një shi meteorësh nga filozofia e Epokës së Re, astronomia popullore, thashethemesh interneti për fundin e botës dhe dokumentarësh televizivë si ai i History Channel-it, i cili përzien "parashikimet" e Nostradamusit dhe majave dhe në fund ngre pyetjen: "A është viti 2012 koha kur ora kozmike shkon drejt zeros, drejt shpresës zero?"

E gjithë kjo mund të tingëllojë pak a shumë si gjithë ata skenarë të ditës së fundit të botës, që kemi dëguar gjatë dekadave të fundit - Konvergjenca Harmonike e vitit 1987, Efekti Jupiter apo "Planeti X". Por këtë herë kjo teori ka disa copëza bazash arkeologjike.

Një prej tyre është Monumenti Gjashtë. I gjetur në një rrënojë të padukshme në jug të Meksikos gjatë ndërtimit të një autostrade në vitet gjashtëdhjetë, pllaka e gurtë pothuajse nuk arriti të mbijetojë; vendi ku ajo ndodhej u shtrua përsipër dhe një pjesë e saj u grabit. Ajo që e bën unike është se pjesët e mbetura përmbajnë ekuivalentin e datës 2012. Shkrimi mbi gur përrshkruan diçka që supozohet se do të ndodhë në vitin 2012 e që ka të bëjë me Bolon Yokte, një perëndi misterioze e majave që është e lidhur si me luftën, ashtu edhe me krijimin.

Megjithatë - hijet e Indiana Jones - erozioni dhe të çarat e gurit e bëjnë pasazhin pothuajse të palexueshëm. Arkeologu Guillermo Bernal i Universitetit Kombëtar Autonom të Meksikës i interpreton hieroglifet e fundit si: "Ai do të zbresë nga qielli". Ndoshta është drithëruese, por Bernal thotë se, ka mbishkrime të tjerë në vendet ku dikur kanë jetuar Majat për data që shkojnë shumë përtej 2012-ës, duke përfshirë një e cila përkthehet si 4772. Dhe sido që të jetë puna, Majat në gadishullin Jukatan ku ka pllakosur thatësira kanë telashe shumë më të madha se sa viti 2012. "Nëse unë do të shkoja në ndonjë komunitet që flet gjuhën maja dhe do të pyesja njerëzit se çfarë do të ndodhë në vitin 2012, ata as që do të kishin idenë", thotë Jose Huchim, një arkeolog i Majave në Jukatan. "Që bota do të marrë fund? Ata nuk do të më besonin po t'ua thosha. Ne kemi shqetësime realë këto kohë, si për shembull mungesa e shiut".

Qytetërimi i Majave, i cili e arriti kulmin e vet që nga viti 300 pas Krishtit deri në vitin 900 pas Krishtit, kishte një talent të spikatur për astronominë. Kalendari i tyre i Numërimit të Gjatë nis në vitin 3114 para Krishtit, duke e shenjuar kohën në periudha 394-vjeçare të njohura si Baktuns. Për majat, trembëdhjeta ishte një numër i rëndësishëm e i shenjtë, dhe baktuni i 13 përfundon në 21 dhjetor 2012.

"Eshtë një përvjetor i veçantë i krijimit", thotë David Stuart, një specialist i epigrafisë së Majave në Universitetin e Teksasit në Austin. "Majat nuk kanë thënë asnjëherë se bota do të marrë fund, ata nuk kanë thënë asnjëherë se do të ndodhë domosdoshmërisht diçka e keqe, ata thjeshtë kanë rregjistruar këtë përvjetor të ardhshëm në Monumentin Gjashtë".

Bernal thotë se, apokalipsi është një koncept "shumë perëndimor, kristian" i projektuar në kulturën e Majave, ndoshta për arsye se, legjendat dhe mitet perëndimore janë harxhuar. Dhe nëse është e gjitha mitologji, ndoshta është koha të hidhet poshtë.

Por disa thonë se, majat dinin edhe një tjetër sekret: boshti i Tokës pëson lëkundje, duke e ndryshuar pakëz renditjen e yjeve për çdo vit. Një herë në çdo 25800 vite, dielli vendoset në qendër të Galaksisë sonë Rruga e Qumështit gjatë solsticit të dimrit, që është pozicioni më i ulët i diellit në horizont. Kjo do të ndodhë në 21 dhjetor 2012, atëherë kur dielli do të jetë në të njëjtën qoshe me qendrën e shndritshme të galaksisë.

Një tjetër koincidencë e frikshme.

"Pyetja që unë dua t'u bëj këtyre njerëzve është, e çfarë pastaj?" thotë Phil Plait, një astronom që ka hapur edhe një blog, "Bad Astronomy". Ai thotë se, reshtimi nuk ndodh saktësisht në 2012, dhe yjet e largët nuk ushtrojnë asnjë lloj force që do të mund të dëmtonte Tokën. "Të gjithë janë vënë në lëvizje të gjejnë gjithfarësoj ngjarjesh astronomike që t'ia përshtasin profecisë për 2012-ën", thotë Plait.

Por autori John Major Jenkins thotë se, studimi i tij dy dekadësh mbi rrënojat e Majave tregon që këta ishin shumë të vetëdijshëm për reshtimin dhe i vinin atij një rëndësi shumë të madhe. "Nëse duam të respektojmë mënyrën se si Majat mendojnë për këtë gjë, atëherë duhet të themi se, Majat e shihnin vitin 2012, si fund të të gjithë cikleve, si një kohë transformimesh dhe ripërtëritjesh", thotë Jenkins.

Teksa Interneti fitoi shumë popullaritet në vitet nëntëdhjetë si një përcjellës i përsosur i informacionit, e njëjta gjë ndodhi edhe me "datën e qametit"

Shkrimtari Lawrence Joseph thotë se një kulm shpërthimesh diellore në sipërfaqen e diellit do të shkaktonte një dëmtim për vite të tërë të rrjetit të energjisë elektrike në Amerikën e Veriut, duke shkaktuar mangësi në ushqime, mangësi në furnizimin me ujë - praktikisht një kolaps të qytetërimit. Kulmet diellorë ndodhin një herë në njëmbëdhjetë vite, por Joseph thotë se ka prova që kulmi i vitit 2012 të jetë një "lul e vërtetë".

Ndërkohë që u bën thirrje qeverive që të instalojnë mjete mbrojtëse për rrjetet e energjisë elektrike, Jozef këshillon lexuesit që të mos e përdorin "2012-ën si një justifikim për të mos jetuar në një mënyrë të shëndetshme dhe të përgjegjshme. Dua të them, mos lejoni që të shkojnë në maksimum vlerat e kartave të kreditit".

Një tjetër program i transmetuar tek The History Channel: "Dekodimi i të Kaluarës: 2012 fundi i Botës", thotë se një reshtim galaktik ose trazirat magnetike mund të shkaktojnë një "zhvendosje të poleve".

"E gjithë mbështjellja e Tokës do të zhvendosej brenda vetëm disa ditëve, ndoshta orëve, duke ndryshuar kështu pozicionin e poleve të veriut dhe të jugut, duke shaktuar kështu një fatkeqësi natyrore mbarëbotërore me përmasa të paprecedenta", thotë narratori i dokumentarit. "Tërmetet do të shkundnin çdo kontinent, cunamë masivë do të përmbytnin të gjithë qytetet bregdetarë. Do të ishte katastrofa e fundme planetare".

Ideja buron nga një francez i shekullit të nëntëmbëdhjetë, Charles Etienne Brasseur de Bourbourg, një prift që më vonë u bë arkeolog, dhe i cili e hodhi këtë ide, pasi lexoi tekstet e Majave dhe Aztekëve. Shkencëtarët thonë se, më e shumta që mund të ndodhë është që polet të ndryshojnë vendndodhjen me një gradë në disa miliona vite, dhe nuk ka asnjë shenjë që një gjë e tillë do të nisë në vitin 2012.

Ndërkohë, që idetë e tij janë hedhur poshtë prej kohësh, Charles Etienne Brasseur de Bourbourg vërteton një gjë: Perëndimorët janë përpjekur për më shumë se një shekull që t'ua ngjeshin Majave skenarët e ditës së fundit të botës. Dhe ndërkohë, që janë të magjepsur prej dijeve të të lashtëve, mbrojtësit e këtyre ideve apokaliptike rrallë herë i hedhin sytë që të ekzaminojnë përvojat e kohëve të fundit me parashikime për fundin e botës.

"Askush nga ata që shkruajnë kësi gjërash tani nuk e kujton se herën e fundit që ne menduam se bota do të merrte fund, kjo gjë nuk ndodhi", thotë Martin, menaxheri i faqes së internetit mbi astronominë. "Duket se shumëkush nuk e kujton që gjërat shkonin shumë mirë herën e fundit që menduam se erdhi fundi".

Google+ Followers