Dialog për futbollin dhe për luftën

Argjentina e Mario Kempes dhe ajo e Diego Armando Maradona, Anglia dhe Ishujt Malvine. Botërori i saj dhe skandalet e saj. Dy shkrimtarë, përpara një shishe vere, bukës dhe djathit flasin për spektaklin më të madh të botës



Prapaskenat e futbollit

Ora 12.00. Një kuzhinë e madhe me një tavolinë me sipërfaqe prej mermeri. Në tavolinë dy pjata dhe dy gota; një dërrasë prerëse dhe bukë; një copë e mirë shpatulle dhe një thikë. Nga dera hyjnë dy njerëz: njëri, N., është i gjatë, i lidhur, flokë shpupurisur dhe ka në dorë një shishe Faugère të vitit 2002 nga cila përgatitet t'i nxjerrë grykën; tjetri, V., është edhe ai i gjatë, por më i brishtë dhe mban nën sqetull tri copa të mira djathi.

N. Çfarë duhet bërë?

V. Duhet arsyetuar rreth futbollit jugamerikan, rreth Argjentinës, por pastaj shkohet përtej.

N. (Tregon djathin e dhisë të mbuluar me hi) Hahet edhe hiri?

V. Sigurisht.

Tok! Kërcet tapa e shishes.

V. (Hedh verën nëpër gota) [...] Zemra ime prej tifozi ka rrahur gjithmonë nga ana e gabuar respektivisht të gjitha arsyeve që një si unë duhet të ketë për të zgjedhur nga cila anë të qëndroke. Për shembull, në vitin 1978 bëja tifozllëk për Argjentinën. Me mish e me shpirt. Ama ishte Argjentina e kolonelëve! Megjithatë, mallëngjehem vetëm kur i mendoj ata lojtarë atëhere: Kempes, Luque, Tarantini, Olguin.

N. Galvàn.

V. Galvàn. Kurse në vitin 1986 bëja tifozllëk kundër Argjentinës dhe kur Maradona bëri atë gol me dorë u indinjova, sepse për mua ajo ndeshje ju vodh një skuadre që duhej të fitonte Botërorin dhe ishte një skuadër shumë, shumë e bukur Anglia e atëhershme, pavarësisht se anglezët nuk mund t'i shoh me sy. Kam bërë tifozllëk kundër Argjentinës në vitin 1986 dhe e kam përsëritur më 1990 kur luajti me Gjermaninë, pasi bëja tifozllëk kundër Maradonës. Megjithatë, zemra ime rreh për të, më kupton? Unë jam tifoz i Juve, por teorikisht nuk duhet të jem tifoz i saj, duhet të qëndroj prapa të gjitha retorikave te Torino, te Fiorentina... Pse vallë, e pyes veten, e gjej të drejtë këtë kontradiktë?

N. Dëgjo: unë mund të them pse bëja tifozllëk për Argjentinën në vitin 1978 dhe pse më dukej ajo një skuadër e jashtëzakonshme. Sepse lojtarët, pamja e tyre dhe mënyra sesi luanin në fushë qenë gjëja më e largët nga kolonelët që mund të ekzistonte: flokët e gjata të mbajtura në atë mënyrë dhe dukshëm pak të lara; mustaqet, kaçurrelat e Tarantini; flokët e gjata mbi shpatullat e Kempes e të Luque. Thelbi i asaj skuadre më dukej, në mënyrë absolute, forma e vërtetë e protestës kundër Argjentinës së atyre kohërave. Për këtë më pëlqente.

V. Të pëlqente, sepse ishte pak luftarake. [... ]

N. Kundër Maradona, ti ke thënë gjëra impenjuese, por unë nuk i kam gjykuar kurrë, pasi jam pranuar gjithmonë i verbuar nga dashuria e madhe për të. Dhe [...] mua ajo prekje e topit me dorë m'u duk gjeniale dhe m'u duk hakmarrja për Ishujt Malvine, pasi, në fund të fundit, çdo ndeshje Argjentinë - Angli është lufta e Malvineve. Në fund ia kam falur atë gjest Maradonës, pasi nuk ua kam falur kurrë anglezëve që kanë mbytur "General Belgrano", ndoshta kryqëzorin e vetëm argjentinas, dhe kanë vrarë gjithë ata njerëz. [...] (Kafshon një copë djathtë). Çfarë është kjo?

V. Djathë dhie pikant.

N. (Pasi ka gëlltitur një kafshatë) I mirë!

V. Por unë besoj se Maradona e ka bërë atë gol me dorë, sepse nga ana tjetër qenë anglezët. [...] (Ngre gotën dhe pi një gllënkë) Qenka shumë e mirë kjo vera.

N. Është biodinamike.

V. Që do të thotë?

N. Do të thotë pa kimikate, asnjë herbicide, gjithçka që i është bërë i është bërë me dorë, në kantinë e kanë lënë të qëndrojë. [...]

V. Por mua, ndershmërisht, atë gjënë e golit me dorë nuk e kapërdij dot. [... ]

N. Shiko se përpara golit me dorë ai kish bërë atë gol të pabesueshëm.

V. Jo! E ka bërë prapa.

N. I sigurtë? [...] Gjithsesi, unë të them se kur më 1990 qe Botërori, gjatë asaj ndeshjeje në Milano kur i gjithë publiku fishkëlleu himnin argjentinas dhe Maradona tha: "Hijos de puta!", unë e gjykova një gjest me të vërtetë heroik dhe mendova: "Sikur të isha argjentinas, këtij njeriu do t'i jepja gjithçka". Sepse në momentin në të cilin ti fyen një komb dhe lojtarët e tjerë argjentinas qëndrojnë gojëmbyllur, ai, delja e zezë, ka bërë një gjest të madh në transmetim të drejtpërdrejtë botëror. [...]

V. (Pret një fetë djathë) Djathë valdaostan.

N. Të dëgjoj.

V. Kurse unë t'i gëzohem një goli të Maradonës ? kurrë.

N. Vërtet?

V. Nuk isha unë ai që vendosja në fushën e futbollit, por zemra ime. Ndoshta isha thjesht kundër diktaturës së një gjeniu dhe të një talenti kaq arrogant sa që në fushën e lojës i lejohej gjithçka. [...]

N. Megjithatë, Maradona duhej fort nga shokët e tij, pasi i bënte të gjithë të luanin mirë. Të kujtohet Kareka? E lëshonte në diagonale dhe ai shënonte golin në cepin e kundërt të portës. Giordano, Carnevale... Mendo se i bënte ato gjëra dhe një natë më parë ndoshta kish thithur kokainë.. [...] Mendo sesi do të kish luajtur sikur të mos e kish marrë kokainën. [...]

V. Më shumë se kaq çfarë duhej të bënte?

N. Unë shpresoj që të mos vdesë, pasi nëqoftëse vdes nga droga është një tragjedi për fëmijët. Që zemra mos ta lëshojë!

V. Nëqoftëse nuk vdes Keith Richards, pse duhet ta lëshojë zemra Maradonën?

N. Keith Richards duhet ta vrasësh. Kurse Maradona duhet të jetojë, të plaket dhe të bëhet i mençur.

V. (I mbush sërish gotat)... [...]

N. Dëgjo, në fund argjentinasit janë kushërinjtë tanë dhe kushërinj të vërtetë. Edhe emrat (ngrihet në këmbë dhe me ton solemn): Mario Alberto Kempes, Leopoldo Luque. Po t'i shikosh duken se dy motoçiklistë të pafat dhe në fakt luajnë futboll, bile edhe mirë. [...] (Ngre gotën) Mua do të më pëlqente të tregohej futbolli i madh i pafat i Amerikës së Jugut.

V. A e mban mend Botërorin e Francës? Gjatë gjithë ndeshjes së Paraguay, në turin pas grupeve - kundër francezëve, portieri Chilavert qetësonte dhjetë shokët e tij inferiorë të skuadrës, pasi nuk vlenin asgjë shokët e tij.

N. Ishte Gamarra kuqalashi.

V. Chilavert e dinte se nëqoftëse shkohej tek penalltitë, fitonte ai. Pasi ai i priste të gjitha.

N. Dhe bile i gjuante mirë ato.

V. Dhe këta humbën në kohën shtesë, fanellat djersë.

N. Të bardha e të kuqe me mbathjet blu: një veshje e tmerrshme, prej amatorësh. Si ato skuadra të shtrënguara që të veshi bluzat me mbathjet rezervë...

V. Ama i ka të tri ngjyrat e flamurit të tyre në trup. Por e kujtoj Chilavert, që në vend të egërsohej ndaj shokëve kur mbrojtësi Blanc shënoi 10 minuta përpara mbarimit të kohë shtesë, ai, Chilavert, i ngushëlloi. Nuk i dërgoi në botën tjetër siç veprojnë portierët, me të drejtë, të gjitha herët që vihen në gjendje rrethimi për shkak të mbrojtësave. I ngushëlloi. Humbi dhe dukej se kish fituar ai. Kjo do të thotë të jesh i madh. [...] por a duam t'i rendisim apo jo këta heronj latinoamerikanë të palarë dhe shumë të zot për të luajtur futboll?

N. Teófilo Cubillas; Marco Etcheverry, boliviani, përpunim topi, shpejtësi bazë të çmendur, flokë shumë të gjatë, i shkurtër.

V. I shkurtër, ama nuk e hidhje dot kurrë përtokë.

N. Ishte i fortë si gur.

V. Po Ayala? Ndoshta ishte akoma më i shkurtër se Etcheverry.

N. Si e kishte emrin?

V. Guillermo.

N. Mua më vjen në mendje Tony Ayala, i quajtur El Torito, boksier i pamposhtur që kur i hidhte në tokë kundërshtarët i pështynte. Përgatitej të bënte Botërorin, të cilin me siguri do ta fitonte, por përdhunoi një femër dhe përfundoi në burg. Ka ndenjur brenda për 20 vjet, ka dalë pak kohë më parë dhe ka rifilluar.

V. Kurse Meksika ka qenë gjithmonë paksa zhgënjyese. Vendi i vetëm i Amerikës Latinës që e ka bërë dy herë Botërorin në shtëpi dhe nuk e ka fituar asnjëherë.

N. Ama kishin stadiumin "Azteca".

V. Hugo Sànchez që bënte gola me kokë dhe me këmbë.

N. Portierin Campos.

V. Po, por pikërisht pse ka pasur gjithmonë lojtarë të mirë, si ka mundësi vallë që nuk e ka pasur asnjëherë një çast lavdie të vërtetë? Kishte gjithçka dhe i kishte botërorët në shtëpi.

N. I mungonte teknologjia.

V. Ç'hyn këtu teknologjia? Shiko se këta meksikanë kanë shpikur ola-n, ta themi apo jo? Në vitin 1986, përpara nuk ekzistonte ola. [...] Larg teknologjisë.

N. Them teknologji, pasi që të fitoje një botëror, për një komb është një çikë si të bëje një anije hapësinore: është një diçka me vështirësi të tmerrshme. [...]

V. Ik tutje!

N. Në Botërorin e fundit, Senegali pothuajse arriti në fund - tani nuk e di nëse është e vërtetë, por më vjen qejf të mendoj se ka ndodhur kështu - por më pas mbaruan paratë!

V. Ah ah ah! [...]

N. Prit, më fal një çikë, po Peruja? Po Ramon Quiroga? Po historia e Ramon Quiroga?

V. Por... a e shiti vërtet ndeshjen me Argjentinën?

N. Po, po. Dhe e tha vetë. Bile e shkroi: bëri një letër të hapur tek "Clarin".

V. (I trishtuar) Hëngri gjashtë gola.

N. (Qesh) Gjashtë gola!

V. Edhe ishte një portier aq i fortë sa që ndershmërisht nuk besoja se ishte shitur... Më kujtohet se mbeta shumë keq. (Përkul kokën) Dhe mbetëm keq akoma edhe tani. [... ]

N. Pastaj është edhe Uruguaji, i cili ka një histori shumë të bukur.

V. Unë në Uruguaj kam qenë dhe po të them të vërtetën: e di gjënë më të bukur që ka bërë Zidane në jetën e tij? Po flasim për Zidane, e di se cila ka qenë kryevepra e Zidane?

N. (Ngre vetulla si për të pyetur)...

V. Që i ka vënë emrin Enzo djalit të tij.

N. Ah, po.

V. Në nderim të Enzo Francescoli, i cili ishte më pak i famshëm se ai. Ishte tashmë më pak i famshëm se ai kur i lindi djali. Ishte i famshëm tek Torino dhe tek Cagliari, sidomos tek Cagliari, pasi ai kishte atë prokurorin, si e kishte emrin?

N. Casal.

V. Paco Casal, po. Gjithmonë me pantallona lëkure. Megjithatë, sipas meje, Enzo Francescoli është lojtari më i bukur, më i bukur, që Amerika Latine ka pasur ndonjëherë. [...] E kam parë Francescoli ta ngrejë Kupën e Amerikës me një krah të thyer alla Beckenbauer, sepse luajti finalen, e mbytën, por luajti në shtëpinë e tij në Montevideo. Ishte sikur të shikoje botën të rregullohej, nuk di sesi ta them ndryshe. Ai shënoi penalltinë vendimtare. [... ]

N. Pastaj janë brazilianët. Ama për të qenë një Botëror latinoamerikan duhet që të luhet atje dhe jo në Brazil. Brazili është një botë më vete.

V. Brazili është kontinent tjetër. Nëse tek të gjithë flitet një gjuhë dhe në Brazil jo, një arsye duhet të jetë. Brazili në futboll nuk është Amerikë Latine.

N. Sepse për brazilianët nuk flitet.

V. Për brazilianët, jo. Unë në Uruguaj kam qenë. Gjithmonë e kanë flamurin dhe himin kombëtar e këndojnë të gjithë. Himni i Uruguajit është një gjë mallëngjyese, zgjat 8 minuta. Nuk mbaron kurrë. Mua më mallëngjejnë të gjitha himnet kombëtare: por ato latinoamerikane kanë një melodramë të thatë të dorës së dytë. Siç i kanë të dorës së dytë të gjitha monumentet: Kapitoli është i kopjuar nga Kapitoli amerikanm që është kopjuar nga Panteoni i Parisitm që është i kopjuar nga Shën Pjetri i Romës. Porm himnet janë romanca dashurie, që duket se nuk kanë të bëjnë me atdheun, por në fakt kanë të bëjnë me të dhe janë aq solemnë sa të bëjnë të ndjehesh i mallëngjyer. [...]

V. e N. takohen nga ora e drekës tek Sporting në Prato. Vera ka mbaruar, Italia ka fituar Botërorin, Juventus është në Serie B. Vendosin të bëjnë një sauna. Bile më përpara një banjë turke. Brenda nuk ka asnjeri dhe temperatura lëviz rreth 60 gradëve. Por zërat jehojnë dhe diskutimi nuk është gjithmonë i kuptueshëm.

N. Lidhur me Botërorin, do të doja të thoja një gjë. Le të kthehemi pak prapa, në minutat finale të Itali - Australi. Ne jemi me 10 lojtarë, Totti është duke çaluar, pyka jonë e vetme është Iaquinta. Ka mbaruar. Botërori për ne ka mbaruar, jemi eliminuar. Ai inkursion i Grosso, i cili ka qëndruar në mbrojtje gjatë të gjithë ndeshjes, nga ku dreqin vjen? Ky dreq Grosso bën një sllallom të jashtëzakonshëm, pastaj pengimi i mbrojtësit australian...

V. ... e ha karremin sigurisht. Ama nëqoftëse të kujtohet, nuk shkakton faull. Nuk ishte penallti, por përpara një gjesti të kësaj natyre, pas driblimit në zonë në minutën e fundit dhe pastaj poshtë përtokë, edhe arbitri e ha karremin me zor.

N. [...] Atëhere më është dukur si një shenjë e fatit... që tek italianët dallohet përpara se tek të tjerët.

V. Ja, diskutimi është ky: ne, dua të them, jo unë, por ata, besonin, sepse, nëqoftëse nuk besonin, Grosso nuk do ta kishte bërë atë gjë atje. Ata janë përgatitur për ta fituar Botërorin. Kanë qenë si inspektori Clouseau: sepse do ta kapë hajdutin, ai beson gjithmonë dhe në fund arrin ta kapë. Kaltëroshët kanë kështu. Si është e mundur? [... ]

Është nxehtë. Padiskutim shumë nxehtë. Avulli ngjitet me gulfa të mëdha ku ndërthuren fjalë të tëra.

N. Pastaj në konferencën e shtypit thonin se nuk e ndjenin...

V. Donin t'i nxirrnin jashtë më përpara akoma se të fillonin: Cannavaro, Buffon, të gjithë donin që t'i largonin prej andej. Këta jo vetëm që kanë rezistuar, por edhe kanë fituar.

N. Pa e merituar.

V. Jo. Duke e merituar, por duke mos luajtur mirë. Ik andej! [...]

Kalohet nga banja turke tek sauna finlandeze, i nxehti është më i thatë dhe zërat nuk jehojnë.

N. Po ti, tani a ndjen për shembull këtë fitore tënden apo jo?

V. Tani jo. Në të vërtetë nuk e kam ndjerë asnjëherë timen, pasi ndodhesha në Los Roques, e kam parë atje. [...] Kur jam kthyer, Lippi nuk ishte më dhe vërtet gjithçka kish përfunduar. Kështu që qysh ndeshjen e parë të kombëtares - të mundur 2 me 0 në shtëpi me Kroacinë - i kam thënë vetes: ore, paskam ëndërruar apo jo? Ndoshta jam plakur, i kam thënë vetes. Sepse në vitin 1982 u gëzova një vit. [...]

N. Po pra, pse nuk ka zgjatur? Është faji ynë apo është edhe për faj të tjerëve?

V. Sipas meje është një gjë kolektiv. Në Federatë kanë harruar që ta vënë yllin e vogël në daljen e parë. Ik! Shkon të bësh pasarelën në Livorno dhe harron që të vendosësh yllin e katërt? [...] Ne kemi qenë për dy muaj e gjysëm përpara Botërorit të gjitha ditët të përqendruar mbi atë rrëmujën tjetër.

N. Në lavatriçe, duke rrotulluar...

V. Të tërhequr nga një gjë tjetër që ishte skandali. Kështu, Botërori ndërkohë ka qenë një rastësi. Mendonim të gjithë të shkonim e të bënim një figurë të keqe dhe pastaj gjëja e rëndësishme ishte Juventus në B, Milan në B apo në A. [...] Dëgjo, lidhur me Milan, a të duket e drejtë që Juve është në B dhe të tjerët jo?

N. Unë besoj se është e drejtë që Juventus është më B, por sesi ia kanë bërë Lazio dhe Fiorentina që nuk kanë përfunduar edhe ato atje, kjo është krejtësisht e pakuptueshme. [...] Por për Juventus është një pastrim i mrekullueshëm. [...]

V. Është e habitshme, por tani futbolli, i gjithi, më intereson më pak. Pse? Ndoshta prej punës së skandalit?

N. Ajo ngjarje ka qenë shkatërrimtare. [...] Pastaj të gjithë ata të tjerët, gazetarët, telekronistët dhe ata që qëndronin prapa. Por nuk u besoj shumë këtyre pastruesve. Më vjen keq për të gjithë ata të procesit. Unë e shikoja shpesh atë emision. Doktor Aldo Biscardi, tifozët me parrulla që qeshnin me të... rrëmuja fenomenale... [...]

N. Por tani që praktikisht jam i dehidratuar, dua të them: nuk bëhet kështu. Nëqoftëse ke bindjen se një ndeshje është e trukuar, prishet gjithçka. (I pezmatuar) Nuk bëhet kështu. Si i thuhet fëmijës që thotë gënjeshtra. (Akoma më shumë i pezmatuar) Nuk bëhet kështu dhe futbollin nuk e shikon më asnjeri.

Marrë nga libri La matematica del gol, © 2007 Fandango Libri

Përgatiti:

ARMIN TIRANA

Google+ Followers