C.I.A./Ende heshtje për misterin e Lee Oswald

SCOTT SHANE

A është duke ruajtur një sekret të errët CIA në lidhje me vrasjen e John F. Kennedy? Ndoshta jo. Por, sido që të jetë, nga sjellja që kanë agjentët nuk mund të merret vesh.

Për gjashtë vjet, agjencia ka luftuar në gjykatat federale për të ruajtur sekretin për qindra dokumente nga viti 1963, koha kur një grup kuban anti-Kastro u përplas publikisht me vrasësin e ardhshëm të Presidentit Kennedy, Lee Harvey Oswald. CIA thotë se është thjeshtë duke mbrojtur sekrete legjitimë. Por për shkak të historisë së agjencisë në murosjen e hetimeve për vrasje, edhe kërkuesit që nuk janë të mësuar me mënyrat konspirative të të menduarit ngrejnë dyshimet e tyre.

Dosjet në fjalë, disa prej të cilave janë nxjerrë me urdhër të gjykatës dhe qindra të tjera që vazhdojnë të mbeten sekret, përfshijnë karrierën e çuditshme të George E. Joannides, oficeri i çështjesh, i cili mbikëqyri disidentët kubanë në vitin 1963. Në vitin 1978, agjencia e caktoi Joannidesin si përfaqësues të saj dhe mbajtës kontaktesh në Komisionin e Kongresit për Vrasjet - por nuk i rrëfeu asnjëherë komisionit në lidhje me rolin e tij të mëparshëm.

Fshehja e një fakti të tillë ka ndezur edhe më shumë dyshimet se detyra e vërtetë e Joannidesit ishte që të limitonte sa më shumë atë që Komisioni i Kongresit mund të mësonte në lidhje me veprimtarinë e CIA-s. Një veprim i tillë nga ana e kompanisë u raportua fillimisht në vitin 2001 nga Jefferson Morley, i cili ka vazhduar të studiojë këto dosje me këmbëngulje të madhe që nga ajo kohë, përfaqësuar nga James H. Lesar, një avokat nga Uashingtoni që është i specializuar në paditë për shkeljen e Ligjit të së Drejtës së Informimit.

"Sjellja e CIA-s është marrosëse", thotë Morley, 51 vjeç, i cili ka qenë gazetar i "Washington Post" dhe njëkohësisht autor i një libri biografik të shkruajtur në vitin 2008 për një ish-shef të zyrës së CIA-s në Meksikë. Pas vitesh të tërë raportimesh tepër të përpikta për Joannidesin, i cili vdiq në vitin 1990 në moshën 68-vjeçare, ai është i bindur se ka shumë më tepër për të mësuar. "E di që këtu ka një lajm", thotë Morley. "Konfirmimi vjen nga fakti që CIA i trajton këto dokumente si jashtëzakonisht shumë sensitivë".

Përpjekjet e Morley kanë afruar shumë mbështetës të njohur, duke përfshirë John R. Tunheim, një gjykatës federal në Minnesota, i cili ka shërbyer në periudhën mes 1994 dhe 1995 si kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes së të Dhënave mbi Vrasjet, krijuar nga Kongresi për të zbuluar dokumentet në lidhje me këtë çështje. "Unë mendoj se ndoshta ne jemi gënjyer prej agjencisë", ka thënë gjykatësi Tunheim, duke iu referuar të dhënave të Joannidesit. "Ky material duhet që të nxirret".

Gerald Posner, autor i rrëfimit antikonspirativ mbi vrasjen e Presidentit Kennedy "Çështja është mbyllur", ka deklaruar se fakti që CIA po mban të padeklasifikuar dokumente të tillë kaq të vjetër është "shembulli i përsosur përse askush nuk ka besim tek kjo agjenci. Kjo gjë ushqen ata që mbështesin teoritë konspirative dhe që thonë: Ju jeni duke fshehur diçka", thotë Posner.

Pasi humbi çështjen në Gjykatën e Apelit në padinë e Morleyt, CIA nxorri disa materiale vitin që kaloi, në të cilat konfirmohej përfshirja e thellë e Joannidesit me kubanët anti-Kastro, të cilët u përleshën me Oswaldin. Por ndërkohë, agjencia është duke mbajtur të padeklasifikuar 295 dokumente specifikë nga vitet '60 dhe '70, ndërkohë që ka refuzuar të konfirmojë apo të hedhë poshtë ekzistencën e shumë të tjerëve, duke deklaruar se lëshimi i tyre do të shkaktonte "dëm të rëndë" për sigurinë kombëtare.

"Metodat e mposhtjes apo pengimit të veprimeve të fshehtë në vitet '60 dhe '70 mund të jenë edhe sot udhëzuese për armiqtë e sotshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", shkruante një zyrtar i lartë i CIA-s gjatë një kundërpadie në gjykatë.

Një zëdhënës i agjencisë, Paul Gimigliano, tha se CIA kishte hapur para bordit të gjykatësit Tunheim të gjitha dosjet që lidheshin me vrasjen dhe hodhën poshtë zërat se janë duke u përpjekur që të shmangin telashet. "Të dhënat nuk mbështesin aspak këtë gjë, aq më tepër të mbështesin teoritë e komplotit, sipas të cilave, CIA ka patur gisht në vrasjen e Presidentit Kennedy", thotë Gimigliano.

Fshehtësia e CIA ka qenë një objekt i një debati shumë të nxehtë këtë vit, teksa zyrtarë të agjencisë kanë protestuar ndaj vendimit të Presidentit Obama për të nxjerrë opinione ligjore që përshkruajnë metodat brutale të marrjes në pyetje gjatë hetimeve. Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi u ndodh në një rebesh kritikash dhe sulmesh prej republikanëve, pasi ajo akuzoi CIA-n se ka mashtruar Kongresin në lidhje me torturën e quajtur "waterboarding", duke shtuar se "ata na gënjejnë gjatë të gjithë kohës". Në lidhje me vrasjen e Kennedy, mashtrimet nisën në vitin 1964, me Komisionin Warren. CIA kishte skemat e saj për të vrarë Fidel Castron si dhe lidhjet e saj me anti-Castro Directorio Revolucionario Estudantil, ose Direktoratin e Studentëve Kubanë, që vetëm gjatë vitit 1963 mori 50 mijë dollarë ndihmë nga ana e CIA-s.

Në vitin 1963, Oswald vizitoi një dyqan në New Orleans, i cili ishte në pronësi të një zyrtari të direktoratit, duke u shtirur sikur mbështeste dhe simpatizonte qëllimin e grupit për të rrëzuar nga pushteti Castron. Disa ditë më vonë, pjesëtarë të direktoratit gjetën Oswaldin që shpërndante pamflete pro Fidel Castros dhe u futën në një zënkë me të. Më vonë, atë muaj, ai debatoi ashpër me kubanë anti-Castro në një stacion lokal radiofonik.

Në vitet që kur Oswald u fajësua si vrasës i Presidentit, spekulimet se kush mund të ketë qenë prapa tij për ta mbështetur nuk kanë marrë fund asnjëherë, me teori të shumëllojshme që përqendrohen tek Castro, mafia, agjentë të korruptuar të qeverisë, apo një sërë kombinimesh të varianteve të sipërpërmendur. Morley, një prej shumë shkrimtarëve që i hyri kësaj historie, këmbëngul se ai nuk ka asnjë teori të tijën dhe se është thjeshtë në kërkim të fakteve.

Padia e tij ka zbuluar rolin qendror në mbikëqyrjen e veprimtarive në direktorat të Joannidesit, zëvendësdrejtori i luftës psikologjike në stacionin e CIA në Miami, me emrin e koduar JM/WAVE. Ai ka punuar ngushtësisht me liderë të direktoratit, sipas dokumenteve, duke patur korrespondencë me ta me pseudonime, duke paguar shpenzimet e udhëtimeve të tyre dhe duke arritur një "shkallë të madhe kontrolli" mbi grupin, siç thuhet në një raport të agjencisë në vitin 1963.

Pesëmbëdhjetë vite më vonë, Joannides u shfaq sërish si përfaqësues i agjencisë në Komisionin e Vrasjeve në Kongres. Dan Hardway, atëherë një student për juridik që punonte në Komision, e kujton Joannidesin "si një peshk të ftohtë", i cili me vendosmëri limitonte aksesin e kujtdo në dokumente. Një herë, kujton Hardway, "ai më dha mua në dorë një dosje të hollë dhe thjeshtë qëndroi aty në këmbë. Unë iu ktheva dhe ai më tha: Vetëm kaq do të marrësh".

Por as Hardway dhe as drejtori i stafit në Komision, G. Robert Blakey nuk e kishin idenë se Joannides kishte luajtur një rol në veprimtarinë anti-Castro që nga viti 1963, pikërisht ato që po shqyrtonte me shumë vëmendje paneli. Kur Morley e informoi fillimisht në lidhje me këtë çështje një dekadë më parë, Blakey mbeti pa gojë. "Nëse unë do të kisha dijeni për rolin e tij në vitin 1963, do ta kisha detyruar Joannidesin që të bënte betim - ai do të kish qenë një dëshmitar dhe jo një ndihmës", thotë Blakey, profesor i Juridikut në Universitetin e Notre Dame. "Si mund ta dimë atë që ai nuk na ka dhënë?"

Pas filmit të Oliver Stene të vitit 1991 "JFK", i cili ushqeu shumë spekulime në lidhje me vrasjen e Presidentit Kennedy, Kongresi krijoi Bordin e Mbikëqyrjes së të Dhënave të Vrasjeve për të nxjerrë dokumentet. Por për arsye se edhe bordi nuk kish patur dijeni në lidhje me punën e Joannidesit në vitin 1963, as ai nuk i shqyrtoi dokumentet dhe të dhënat e tij, ka deklaruar gjykatësi Tunheim, kryetar i bordit. "Nëse ne do të kishim patur dijeni në lidhje me rolin e tij në Miami në vitin 1963, atëherë do të kishim kërkuar me ngulm të gjithë të dhënat e tij", tha ai.

Pavarësisht se cili do të jetë rezultati i padisë së Morleyt në Gjykatën Federale në Uashington, Tunheim deklaroi se ai mund t'i kërkojë drejtorit të CIA-s, Leon E. Panetta që të nxjerrë të dhënat, edhe nëse ato përmbajnë emra të njerëzve që janë ende gjallë dhe që duhet të redaktohen për të ruajtur privacinë. Çfarë motivi mund të kenë zyrtarët e CIA që të varrosin detajet e punës së Joannidesit për një kohë kaq të gjatë? A dinin më shumë oficerët e CIA apo kontaktet e tyre kubanë në lidhje me Oswaldin, nga çfarë është bërë e ditur deri sot? Apo agjencia ishte thjesht e sikletosur dhe e turpëruar nga përplasjet me vrasësin e ardhshëm - ashtu si zyrtarët e FBI në Dallas që, pas vrasjes, grisën dhe asgjësuan një shënim me shkrim dore që Oswald kish lënë më herët për një agjent të FBI? Apo mos vallë Morley ka kaluar një dekadë duke qëlluar më kot në tym? Max Holland, i cili është duke shkruajtur një histori në lidhje me Komisionin Warren, ka thënë se agjencia mund të jetë duke u përpjekur që të ruajë parimin e fshehtësisë. "Nëse fillon t'i hysh dosjeve të çdo oficeri të CIA-s që ka patur të bëjë me çfarëdolloj gjëje që prekte temën e vrasjes, atëherë ky proces nuk do të kish fund", tha Holland. Posner, autori i antikomplotit, ka thënë se nëse ka patur vërtetë diçka eksplozive që përfshin CIA-n dhe Presidentin Kennedy, atëherë kjo nuk do të ishte në dosjet - as edhe në dokumentet që CIA ka luftuar aq shumë për t'i mbajtur të fshehtë. "Shumica e atyre që mbështesin teoritë konspirative nuk e kuptojnë këtë", ttotë Posner. "Por nëse ka patur vërtet një komplot të CIA-s, atëherë nuk do të ekzistonte kurrfarë dokumenti".

Google+ Followers