"Brigadierja" e mafies vetëvritet në prag të bashkëpunimit

Janë hedhur poshtë të gjitha kërkesat për lirim nga problemet psikike. Hapet dosje kundër Ignotit



ROMË - Diana Blefari Melazzi ishte e gatshme të bashkëpunonte me drejtësinë. Ky është fakti që del nga disa burime jo zyrtare, sipas së cilave "brigadierja", e cila të shtunën në darkë ka kryer vetvrasje në burgun Roman të Rebibbias, kishte bërë në të njëjtën ditë një bisedë me investigatorët, bisedë e cila nuk do të ishte e vetmja në ditët e ardhshme. Të burgosurës Blefari Melazzi i ishte konfirmuar definitivisht dënimi me burgim të përjetshëm për pjesëmarrje në vrasjen e punëtorit të drejtësisë Marco Biagi.

"VETËVRASJE E SHPALLUR" - Ajo qëndronte në një qeli teke dhe vrau veten duke u varur me disa çarçafë të lidhur me njëri-tjetrin. "Një vetvrasje e shpallur", tha menjëherë presidenti i shoqërisë Antigone, Patrizio Gonnella, i cili lufton për të drejtat e të burgosurve. "A kishte kuptim që të mbahej në burg një person në gjendjen e saj të keqe?". Është fakt që prej kohësh Blefari, "skizofrene dhe e paaftë psikologjikisht", i kalonte ditët e saj, ashtu siç deklaron përgjegjësi i të burgosurve të Lazios, Angiolo Marroni, "në izolim total, në një qeli teke, në pjesën më të madhe të kohësh në shtrat dhe errësirë duke refuzuar shpeshherë ushqimin dhe ilaçet", pa asnjë kontakt me të burgosurat e tjera apo me punëtoret vullnetare.

ARDHJA NGA FIRENCE - Që nga 21 tetori, Blefari kishte ardhur nga burgu fiorentin i Solliccianos, pasi kishte kaluar edhe nga spitali psikiatrik Montelupo Fiorentino dhe nga burgu Aquilla. "Jemi tërësisht të shokuar, kemi bërë shumë beteja, jemi munduar në të gjitha mënyrat që ta bëjmë të ditur gjendjen e rëndë të Blefarit. Tashmë është tepër vonë", ka thënë avokatja e saj mbrojtëse Caterina Calia bashkë me avokatin Valerio Spigarelli. Legali kujton këshillimet dhe vizitat e shpeshta psikiatrike, të cilave u ishte nënshtruar terroristja për të vërtetuar paaftësinë e saj për të qenë e pranishme në gjyq. Sipas palës mbrojtëse, Blefari vuante nga një patologji shumë e rëndë psikike dhe shumë herë avokatët e saj kishin kërkuar pranimin e kësaj gjendjeje të rëndë në të cilën gjendej klientja e tyre. Kohët e fundit, si Gjykata e Lartë po ashtu edhe Gjykata e Romës, kishin refuzuar të gjitha provat e tyre. Në vitin 2008, në një moment me tension të lartë emotiv, "brigadierja" kishte sulmuar një agjent policie në burg dhe më 23 nëntor do të fillonte procesiiI saj gjyqësor.

HETIMI DHE AUTOPSIA - Vdekja e Blefarit ka ardhur në momentin kur ndoshta terroristja kishte vendosur të zbulonte elementet e rëndësishme për investiguesit për të zbardhur vrasjet e D'Antona dhe Biagit dhe për të arritur në identifikimin e personazheve të tjerët të përfshirë në Brigadat e Reja të Kuqe. Mund të kishte zbuluar shumë pika të errëta të organizatës, duke filluar nga armët deri tek vendi i fshehtë ku mbaheshin ato, duke përfshirë këtu edhe pistoletën e përdorur për vrasjen e Biagit dhe D'Antona. Prokurorja, Maria Cristina Palaia, ka hapur një dosje pa patur persona të dyshuar dhe ka vendosur t'i bëhet autopsia. Prokuroria e Romës mund të ekzaminojë edhe të gjithë procesin gjyqësor të Blefarit, duke konsideruar më me vëmendje patologjinë e saj të mundshme psikike, siç është folur gjatë kërkesave të shumta për këshillim të këtyre viteve. Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Angelino Alfano, ka shpallur se ka "nisur që tani një hetim të detajuar administrativ, i cili do të shoqërojë atë gjyqësor", duke bërë kështu "që të hidhet dritë menjëherë mbi atë që ka ndodhur".

ÇËSHTJA PANINI - Brigadierja duhej t'u përgjigjej në ditët e ardhshme, veçanërisht pyetjeve të prokurorit Erminio Amelio, rreth Massimo Paninit, i arrestuar më 2 tetor nga Digo. Panini, 34 vjeç, roman, ishte arrestuar me akuzën e pjesëmarrjes në banda të armatosura komuniste. Për investiguesit, ai ishte i lidhur me Blefarin dhe e kishte shoqëruar atë në qendrën e internetit ku gruaja kreu vrasjen e Biagit. Ministri i Drejtësisë, Angelino Alfano ka nisur hetimin administrativ, duke nënvijëzuar se Blefari ishte "në një situatë burgosjeje të drejtë për gjendjen e saj psikofizike". Edhe shefi i departamentit të administrimit të burgut, Franco Ionta, i cili i është drejtuar Rebibbias, ka thënë se "sistemimi" i terroristes ishte "korrekt".

DHEMBSHURI DHE INAT- "Ndiej dhembshuri, pasi sidoqoftë një person ka vrarë veten - ka qenë komenti i Franco Gabriellit, prefekt i Aquillas dhe ish-kreu i Digos në Romë në kohën e arrestimit të 'brigadieres' - por në të njëjtën kohë më vjen edhe inat, pasi vdekja e Blefarit, 'brigadieres' Blefari, e cila ishte në dijeni të vendndodhjes së armëve që nuk u gjetën në rrugën Montecuccoli, sigurisht që zhduket edhe një mundësi për të gjetur përgjigje dhe për të zbardhur këtë çështje". "Nëse është e mundur të përkufizosh një person me një term të vetëm - kujton më pas Gabrielli - do të thoja se Blefari ishte problematike. E gjithë historia e saj e kaluar familjare dhe më pas të gjitha ndodhitë e mëpasshme, pozicioni i saj në fazat gjyqësore, të bëjnë të mendosh për një gjendje të pandryshueshme problematike, por nuk mund të mendohej se gjendja e saj mund të përfundonte me një epilog të tillë".

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers