Albert Einstein: Një vizitor i fshehtë në Shqipëri?

Prej pak ditësh ka dalë në qarkullim studimi monografik "Hebrenjtë në Shqipëri- prania dhe shpëtimi", me autor Shaban Sinanin. Botimi, i cili mban vulën e shtëpisë botuese "Naimi", zbulon dokumente dhe dëshmi të cilat publiku i zbulon për herë të parë

Prej vitesh, Shaban Sinani ka kërkuar e studiuar në lidhje me çështjen e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Studimin e ka kurorëzuar me monografinë shkencore të titulluar "Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi", vëllim që është botuar prej shtëpisë botuese "Naimi". Shumica e dokumenteve dhe dëshmive të përdorura për këtë monografi zbulohen për publikun për herë të parë, ashtu siç shqiptohen për herë të parë fakte, qëndrime dhe këndvështrime krejt të reja për praninë dhe shpëtimin e hebrenjve në trojet shqiptare. Ndryshe nga sa është shkruar dhe komentuar deri më sot lidhur me qëndrimin unik të shqiptarëve si mikpritës dhe mbrojtës të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, sjellje që habiti botën, duke u shpjeguar kryesisht nga pozicione romantike (besa, nderi, kulti i mikut etj.), folklorike, diletante, deri te shtrembërimet dhe frika për të thënë të vërtetën, Shaban Sinani ia ka dalë mbanë të realizojë një monografi shkencore, pothuaj shteruese për këtë argument. "Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi" është e ndarë në 11 kapituj, ku përfshihen referenca të autorëve vendas dhe të huaj që janë marrë me këtë temë. "Qëndrimi ndaj hebrenjve para Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë periudhës fashiste", "Politika italiane dhe pranimi i hebrenjve në Shqipëri", "Intelektualët shqiptarë kundër judeofobisë dhe fundi i hidhur i Norbert Joklit", "Hebrenjtë në Shqipëri dhe shpëtimi i tyre në periudhën naziste", "Etnotipi shqiptar dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës", "Divizioni SS", "Skanderbeg dhe fati i hebrenjve në Kosovë në periudhën naziste", "Shqiptarët dhe Shoah në kontekst ndërkombëtar". Autori zbulon fakte të pashqiptuara apo të keqshqiptuara më parë, si për shembull për rolin e ambasadorit të parë amerikan, Herman Bernstein (me kombësi hebreje) në Shqipëri në vitet 1930; për një përpjekje ndërkombëtare nën emrin e Lidhjes së Kombeve (OKB e sotme) për ta parë vendin tonë si "një atdhe të mundshëm të hebrenjve" të rrezikuar në Europë; për të vërtetën historike që edhe qeveritë kuislinge kanë pasur një rol vendimtar pozitiv në shpëtimin e hebrenjve.

Po ashtu, një ndër temat të cilat prek dhe rreket të hedhë dritë në këtë monografi studiuesi Shaban Sinani, është edhe ardhja apo jo e shkencëtarit të njohur gjerman, Albert Einstein (Ajnshtajn) në Shqipëri. Sipas të dhënave me të cilat na njeh monografia, bëhet e ditur se në vitin 1931, Albert Einstein mund të ketë zhvilluar një udhëtim në Shqipëri, por pa rënë në sy, thuajse fshehurazi. Dokumentet provojnë se në fillimin e atij viti ai ka pasur një kontakt shkresor me konsullatën shqiptare në Leipzig. Po ashtu, kohët e fundit është shërbyer një burim shkresor nga Bashkia e Pogradecit, i pacertifikuar ende (sepse nuk është lëshuar nga shërbimi arkivor), sipas të cilit, në vitin 1931 kjo bashki ka lëshuar një certifikatë qytetarie (pasaportë) në emër të A.Einstein-it. Megjithatë, kaq duket se nuk është mjaftueshëm për të vërtetuar këtë vizitë të mundshme, ndaj edhe autori ngre pyetjen: A e ka vizituar Shqipërinë në fillimin e viteve 1930 shkencëtari nobelist me prejardhje herreje, Albert Einstein?

Kjo çështje është trajtuar disa herë në shtypin shqiptar, popullor e shkencor. Studimi më i plotë për këtë argument mbetet ai i dr.Jovan Bashos, në të cilin janë sistemuar të dhëna të karakterit dokumentar dhe të tjera të karakterit memoaristik. Kërkimi i burimeve provuese autentike ka ndeshur në vështirësi. Përgjithësisht, kërkimi i është përmbajtur tezës së një udhëtimi të fshehtë të Einstein-it në Shqipëri. Po të ndiqej një tezë tjetër, e një udhëtimi zyrtar, gjurma e kësaj vizite do të gjendej si në shtypin e kohës, ashtu dhe në burimet arkivore. Edhe për sa i përket mundësisë së pajisjes me pasaportë shqiptare nga qeveria mbretërore është ndjekur i njëjti arsyetim: kjo pasaportë mund t‘i jetë lëshuar në një emër tjetër. Në fakt, në kronografinë zyrtare të jetës së Einstein-it nuk gjendet asnjë e dhënë për një udhëtim të mundshëm të tij në Shqipëri dhe për zotërimin e një pasaporte shqiptare. Të gjitha këto të panjohura e vështirësojnë kërkimin, por nuk e pamundësojnë.

Burimet e tërthorta, të ndërlidhura me ato memoaristike dhe të arsyetuara në një disiplinë të fortë mendimi, mund të çojnë në përfundime bindëse rreth kësaj enigme të madhe. Marrin rëndësi në mënyrë të veçantë disa burime që përshkruhen në "Guide to the Papers of Herman Bernstein (1876-1935) 1899-1935", RG 713 (Regest nr. 713). Sipas këtyre të dhënave, në arkivat e ministrit të atëhershëm fuqiplotë të SHBA në Tiranë, pikërisht në vitet 1930-1933, gjenden dokumente që përmbajnë nota diplomatike për veprime rutinore konsullore, ose për dhënie vizash apo lehtësim procedurash vistimi. Por, mbi të gjitha, e përforcon argumentin e mundësisë së një vizite të fshehtë të Einstein-it në Shqipëri letërkëmbimi i ambasadorit Bernstein personalisht me të dhe interesimi i shprehur zyrtarisht prej këtij të fundit për ardhjen e tij në Shqipëri, interesim i shprehur edhe për një tjetër personalitet amerikan me një rol historik në fushën e edukimit, Charles Telford Erickson. Së fundmi, fakti që Herman Bernstein dhe Albert Einstein dëshmohen në foto të përbashkëta prej vitit 1928 deri në vitin 1933, sipas të gjitha gjasave në Tiranë, merr një rëndësi parësore logjike dhe burimologjike. Sidoqoftë, për studiuesit seriozë, kjo çështje mbetet e hapur për kërkime jo vetëm në arkivat e ambasadorit Bernstein, por sidomos në burimet shqiptare, në ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme (shërbimi konsullor në Leipzig dhe në Vjenë), në arkivat administrative dhe financiare të Bankës së Shqipërisë, në arkivat e portit detar të Durrësit dhe në arkiva të tjera. Marrin një rëndësi parësore edhe disa fakte të tjera, që zbulohen pikërisht përmes arkivave të H.Bernstein. Në koleksionin e fotove të periudhës së shërbimit të tij diplomatik në Shqipëri gjendet, krahas A. Enistein-it, ndër të tjera edhe një prej dy miqve të tij të tjerë shumë të rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e hebrenjve para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe në themelimin e shtetit të Izraelit: Judah Leon (Leib) Magnes dhe Chaim Weizmann.

Në nënserinë 16, që përmban foto, me vit më të hershëm 1928 dhe me vijueshmëri të papërcaktuar (por jo më vonë se viti 1934, kur Herman Bernstein ndahet nga jeta, pra pikërisht në periudhën kur ai shërbeu në Shqipëri si ambasador i SHBA), emri i Albert Einstein-it është i pari. "Hebrenjtë në Shqipëri- Prania dhe shpëtimi" i Shaban Sinanit, është studimi i parë ku burimet nuk janë të njëanshme: vetëm shqiptare, vetëm italiane, vetëm britanike e amerikane, apo vetëm gjermane.

Autori ka siguruar bashkëpunimin e institucioneve dhe kolegëve kudo që ruhen burime për argumentin e tij dhe në këtë studim këto burime verifikohen e certifikohen përmes njëri-tjetrit.

Google+ Followers