"Al Jazeera", modeli që duhet kopjuar

Për disa është televizioni i terroristëve, për të tjerë një model gazetarie për t‘u ndjekur. Sot televizioni i Katarit zbarkon në SHBA dhe prezanton një sfidë ndaj informacionit amerikan

Një gazetar arab thoshte se bota rrotullohet rreth tri gjërave: parave, grave dhe gazetarisë. Teksa përmendte këto fjalë kishte parasysh Katarin. Emirati i vendosur në shkretëtirë ka një milion e gjysmë banorë, i rrethuar me ndërtesa magjepsëse dhe tabela të vendosura gjithandej, që i paralajmëron shoferët të drejtojnë me kujdes automjetet në rrugët vetëm njëkalimshe. Në dhjetë vitet e fundit, Katari është afirmuar në skenën botërore falë investimeve në fushën e gazetarisë: që prej vitit 1996 Emiri i Katarit financon "Al Jazeera"-n, televizioni që ka revolucionarizuar informacionin në botën arabe dhe është duke bërë të njëjtën gjë edhe në atë anglishtfolëse. Në hyrjen e selisë kryesore të "Al Jazeera English", kanali i informacionit ndërkombëtar i prezantuar më 2006-n, gjithçka duket perfekte. Brenda studiot e prodhimit janë të teknologjisë së fundit. Telekamerat inkuadrojnë një prezantues australian, që jep një kronikë mbi zgjedhjet në Afrikën e Jugut dhe pastaj ua kalon linjën kolegëve të tij në selitë e tjera: në Uashington, Londër dhe Kuala Lampur. Drejtori ekzekutiv i këtij projekti ambicioz e ka zyrën në katin e parë. Quhet Tony Burman, dhe është ish-drejtori i informacionit të rrjetit "CBC news" në Kanada. Një gazetar i zoti dhe me vizion. Në vitin 2007 ai u largua nga CBC pas 35 vjetësh aty. Vetëm një vit pas largimit u transferua në pjesën tjetër të botës, për të bërë një nga eksperimentet më magjepsëse dhe më të pazakonta të gazetarisë botërore. Në më pak se tre vjet, "Al Jazeera English" është bërë burimi kryesor i informacionit në botën e vendeve në zhvillim. Është i pari kanal ndërkombëtar që e ka selinë qendrore në "jug të botës", i cili ka marrë përsipër një mision ambicioz: të ndryshojë fluksin e informacioneve, që tradicionalisht shkon nga vendet e pasura të veriut, tek ata më të varfrit në jug të ekuatorit dhe të jetë "zëdhënësi i atyre që s‘kanë zë, në rajonet e harruara të planetit.

Në një film të mafies

"Al Jazeera English" ka më shumë se 70 studio korrespondence në thuajse 50 vende. Shkon në më tepër se 150 milionë shtëpi dhe është i pranishëm në më shumë se 100 vende, ku përjashtim të paktën deri tani bën Amerika e Veriut. Pikërisht këtu "hyn" sërish në lojë Burman. Ky ishte përgjegjës informacioni në "CBC news" ku gazetarët ishin të kënaqur që kishin një shef që mbante anën e tyre. "Toni duket protagonisti perfekt i një filmi mafioz", thotë një redaktor i ri i "Al Jazeera"-s teksa tymos një puro. Në CBC, Burman kishte famën se i mbronte shumë gazetarët kur kronikat e tyre i shkaktonin shqetësime ndonjërit. Transferimi i tij në Doha ndodhi në një moment kur mjetet perëndimore të informacionit po kalonin një krizë të paprecedentë që nga lindja e tyre. Prej vitesh gjigantët e informacionit po sakrifikojnë grupe të tërë profesionistësh të kualifikuar në emër të interesave dhe po e zëvendësojnë gazetarinë e kushtueshme të investigimit me komunikatat dhe konferencat për shtyp. Zyrat e korrespondencës jashtë vendit janë më të prekurat nga shkurtimi i shpenzimeve të gazetave dhe televizioneve. Sipas një raporti vjetor mbi gjendjen e mjeteve të informacionit të "Pew research center", në vitin 2008 mbulimi i ngjarjeve ndërkombëtare në Amerikë u shkurtua me 40 për qind. Situata është paradoksale: në epokën e ndërlidhjeve globale, informacioni i plotë dhe i zgjedhur mbi atë çka ndodh në botë po zhduket bashkë me opinionin publik të informuar. "Rrjetet e mëdha amerikane kanë reduktuar në maksimum zyrat e tyre të korrespondencës", thotë Burman. "Të njëjtin problem po e vuan edhe gjiganti amerikan CNN. Në vitet ‘80, për të mbuluar ngjarjet e rëndësishme dërgoheshin ‘ushtri‘ të tëra gazetarësh. Sot, stafi i ‘Al Jazeera‘-s i mund të gjithë", tregon ai. Brenda 2010-s, "Al Jazeera" synon të hapë edhe dhjetë zyra të tjera, nga të cilat një edhe në Kanada. "Mund t‘ju duken shumë, por në mungesë të alternativave ‘Al Jazeera" mund të mbushë boshllëqet, sepse ne po ecim në drejtimin e kundërt". Sot Burman feston një fitore të madhe. "Al Jazeera English" më në fund do të mund të transmetohet edhe në SHBA. "Mhz networks", një rrjet edukativ "non profit", ka pranuar ta transmetojë kanalin në Uashington dhe në 20 qytete të tjera në vend. Është një kthesë epokale për televizionin e Katarit, që për vite të tëra është parë vetëm nga vartësit e Pentagonit e të departamentit të shtetit dhe nga përdoruesit e "Youtube" e "livestation.com" ku mund ta shohësh falas. "Al Jazeera" është bërë e famshme duke shkuar kundër rrymës. Kanali i parë i lajmeve në gjuhën arabe u prezantua nga Emiri i Katarit, Hamad bin Khalifa al Thani në vitin 1996, qw një vit më parë, kishte zhvendosur nga froni të atin që po kalonte pushimet në Zvicër. "Grushti" që çoi në inaugurimin e një sezoni me më shumë liri në Emirat, nuk mund të krahasohet me revolucionin e bërë nga televizioni i ri. Efekti i "Al Jazeera"-s në botën arabe është i ngjashëm me atë të prodhuar nga 95 tezat e Martin Luterit në Europën e krishterë të atyre viteve. Ai episod shënoi fillimin e reformës protestante dhe pati sukses falë një teknologjie të re: shtypit. Në rastin e "Al Jazeera"-s merita është e antenës satelitore. Me televizionin e Katarit për herë të parë në historinë moderne, debati në botën arabe i ka dhënë hapësirë një pluralizmi opinionesh, duke ngjallur reagime në Lindje dhe në Perëndim. Duke treguar opinionet e të gjithëve, përmes edicioneve të lajmeve dhe "talk-show" me pjesëmarrjen e publikut, televizioni u ka dhënë "zë" komentatorëve australianë dhe amerikanë, ateistëve dhe fondamentalistëve islamikë, aktivistëve për të drejtat e grave dhe disidentëve politikë. Për këtë arsye, vërshuan akuzat nga të gjitha anët: sipas disave, "Al Jazeera" ishte e manipuluar nga Mossad, sipas të tjerëve nga CIA dhe natyrisht nga "Al Qaeda". Sipas Marc Lynch, autor i "Voices of the news arab public: Iraq, Al Jazeera, and Middle East politics today", kanali ka prodhuar "një kritikë të vazhdueshme të situatës politike, represionit dhe stanjacionit ekonomik në Lindjen e Mesme". Selia qendrore e televizionit, ndryshe nga studiot moderne të "Al Jazeera English", është shumë e thjeshtë. Është e përbërë nga një seri parafabrikatesh. Sot grupi i "Al Jazeera"-s përfshin një kanal në arabisht, një në anglisht, një dedikuar dokumentarëve dhe disa kanale sportive me pagesë që janë edhe burimi kryesor i fitimeve, duke qenë se reklamuesit arabë vazhdojnë të bojkotojnë internetin. Televizioni është i ndaluar në shumë vende arabe: ndalohet në Irak, Tunizi dhe Algjeri, madje deri verën e shkuar ndalohej edhe në Arabinë Saudite. SHBA-ja që në fillim e vlerësonte, sot është armiku më i ashpër. Para 11 shtatorit, televizioni ishte pritur si një lajm i mirë për demokracinë arabe. Gjithçka ndryshoi në tetor të vitit 2001, kur televizioni transmetoi videomesazhin e parë të Osama bin Ladenit, pas atentateve të Nju Jorkut dhe kur nisi të fliste për viktima civile gjatë pushtimit amerikan në Afganistan. Por frika e Amerikës për "Al Jazeera"-n nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka shtuar më shumë popullaritetin. Versioni në anglisht i saj ka investuar shumë në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine pikërisht në momentin e krizës për këdo. Lufta në Rripin e Gazën në vitin 2008-2009 ka përfaqësuar "Al Jazeera English" atë çka lufta e parë e Gjirit ka prezantuar për CNN dikur.

Google+ Followers