Zgjidhja e misterit të Ishullit të Pashkëve

Ishullorët adhuronin një perëndi të bardhë, Tiki dhe e konsideronin krijues të racës së tyre, ndërkohë që Inkasit flisnin për një perëndi të bardhë Kon-Tiki, të cilin të lashtët e tyre e kishin dëbuar nga Peruja për në Paqësor



Vështirë të gjesh ndonjë vend në Tokë që i afrohet Ishullit të Pashkëve për nga largësia. Amerika e Jugut është 4300 milje në lindje, Tahiti 2300 milje në perëndim. Por, ndonëse në dukje të izoluar nga qytetërimet më të përparuara teknologjikisht, banorët e ishullit kanë skalitur qindra statuja gjigante monolite në formën e burrave, shumë prej të cilave më të larta se një ndërtesë trekatëshe.

Po kështu, në një farë mënyre po këta ishullorë i transportuan nëpër ishull, i ngritën shumë prej tyre mbi platforma guri, si dhe u vunë në majë blloqe gjigantë gurësh të kuq.

Statujat ishin ende në këmbë në vitin 1722, kur eksploratori holandez Jacob Roggeveen e pikasi ishullin të Dielën e Pashkëve (prej nga buron edhe emri). Roggeveen shkruan: "Këto pamje gurësh të mëdhenj fillimisht na lanë pa gojë, sepse nuk mund ta kuptonim si ishte e mundur që këta njerëz... kishin qenë në gjendje të ngrinin statuja të tilla".

Vetëm 50 vjet më vonë, kapiteni James Cook u ndal për pak kohë në Ishullin e Pashkëve teksa ishte në kërkim të një kontinenti për të cilin flitej prej kohësh (por që nuk ekziston) në jug të Paqësorit. Edhe Cook mbeti i mrekulluar: "E kishim të pamundur të imagjinonim se si këta ishullorë, pa asnjë lloj fuqie mekanike, mund të ngrinin figura të tilla të jashtëzakonshme dhe më pas të vendosnin gurë cilindrikë mbi krerët e tyre".

Kush i ndërtoi statujat e Ishullit të Pashkëve dhe përse?

Shumë shkencëtarë supozojnë se mund të kenë qenë imigrantë polinezianë, të cilët mbërritën në brigjet e ishullit pas një udhëtimi të gjatë, por jo të pamundur nga ndonjë ishull në perëndim, ndoshta në Marquesas.

Shumë pak vetë e kanë marrë seriozisht Thor Heyerdahlin, një shkencëtar norvegjez që, në fundin e viteve '40 formuloi një teori që kishin qenë indianët e Amerikës së Jugut që kishin ngritur vendbanime në Ishullin e Pashkëve dhe kishin ngritur statujat.

Për të vërtetuar teorinë e tij, Heyerdahl vendosi të ndërtojë një trap primitiv dhe të përshkojë vetë Paqësorin. Heyerdahl mendoi fillimisht për teorinë e tij, pasi vërejti ngjashmëri mes legjendave të banorëve të Ishullit të Pashkëve dhe Inkasve të lashtë të Perusë.

Ishullorët adhuronin një perëndi të bardhë, Tiki dhe e konsideronin krijues të racës së tyre, ndërkohë që Inkasit flisnin për një perëndi të bardhë Kon-Tiki, të cilin të lashtët e tyre e kishin dëbuar nga Peruja për në Paqësor.

Heyerdahl theksonte se, europianët e parë që kishin vizituar ishullin në shekullin XVIII kishin mbetur të habitur nga prania e mistershme atje e disa banorëve lëkurëbardhë që dallonin nga polinezianët lëkurëerrët. Tiki dhe Kon-Tiki duhej të ishin e njëjta gjë dhe të bardhët e Ishullit të Pashkëve duhej të ishin pasardhësit e tij.

Të tjera legjenda gojore në ishull mbështesnin teorinë e Heyerdahl-it. Ishullorët flisnin për një racë "veshgjatësh" që i shponin veshët dhe varnin pesha të rënda në vrimat e veshëve deri kur këta zgjateshin artificialisht.

Veshgjatët sunduan ishullin deri kur, sipas legjendës, veshëshkurtërve u erdhi në majë të hundës me ta dhe i përmbysën. Përderisa statujat kishin veshë që u shkonin deri tek supet, Heyerdahl natyrshëm supozoi që ato ishin ndërtuar nga veshgjatët. Dhe nga vinin këta veshgjatë? Historitë e ishullorëve nuk linin dyshime: nga lindja, prej nga dukej vetëm oqean... dhe Amerika e Jugut.

Nëse veshgjatët dhe Tiki ose Kon-Tiki ishin në gjendje të përshkonin Paqësorin me një trap druri, mendoi Heyerdahl, po kështu mund të bënte edhe ai. Kështu që, ai u drejtua për në xhunglën ekuadoriane, atje ku ai dhe ekipi që e ndiqte prenë pemët më të mëdha që mund të gjenin.

Më pas, ndërtuan një trap, duke i bashkuar drurët vetëm me litarë kërpi, pa përdorur as gozhdë dhe asnjë lloj metali. Mbi të vendosën një kabinë të hapur të bërë me bambu, dy direkë dhe një velë katrore. Ia vunë emrin Kon-Tiki. Në prill të vitit 1947, bashkë me pesë burra dhe një papagall, Heyerdahl u nis në lundrim nga brigjet e Perusë.

Kjo e tija ishte një aventurë detare e denjë për të rivalizuar Moby Dickun. Vetëm me shtiza të sajuara, ekuipazhi i tij luftoi një peshkaqen kaq të madh saqë kur ai notonte poshtë trapit, koka ishte e dukshme në njërën anë, ndërkohë që i gjithë bishti dilte në anën tjetër. Uji i pijshëm u bë i ndenjur pas dy muajsh, por sidoqoftë shiu i rifurnizoi. Shpesh herë, mëngjesi konsistonte në bonitos dhe peshqit fluturues që kishin mbetur mbi trap gjatë natës.

Rrymat oqeanike dhe erërat e shtynin trapin gjithnjë e më në perëndim, në fakt shumë përtej Ishullit të Pashkëve. Pas 101 ditësh në det, trapi u ndal në një ishull të pabanuar të Detit të Jugut në lindje të Tahitit. Të gjashtë i kishin mbijetuar udhëtimit, ndonëse një dallgë e madhe kish rrëmbyer papagallin.

Heyerdahli nuk e fshihte dot entuziazmin: ekspedita Kon-Tiki vërtetoi se ishte e mundur që një trap i thjeshtë të përshkonte Paqësorin.

Por vetëm fakti që mund të ndodhte, nuk do të thoshte se kish ndodhur vërtetë. Për të vërtetuar që amerikano-jugorët kishin ngritur vendbanime në Ishullin e Pashkëve, Heyerdahl kish nevojë për më shumë prova.

Në 1955, ai u nis edhe një herë drejt Ishullit të Pashkëve, këtë herë në një varkë peshkimi dhe i shoqëruar nga një grup shkencëtarësh profesionistë. Ironikisht, po ata shkencëtarë që fillimisht mbrojtën Heyerdahlin, do të ishin në fund ata që do të diskreditonin historinë e tij.

Së pari, përcaktimi i kohës prej tyre me metodën e radiokarbonit i vendoste njerëzit në ishull në shekullin V para Krishtit, me statujën e parë të ngritur diku mes viteve 900 dhe 1000. Megjithatë, kultura Tiahuanaco në malet e Perusë dhe Bolivisë, ku Heyerdahl besonte se e kishin origjinën ishullorët, nuk kish patur ndikim në brigjet amerikano-jugore deri në vitin 1000 para Krishtit. Si mund të kishin përshkuar oqeanin këta amerikano-jugorë, ndërkohë që as nuk kishin zbritur nga mali?

Veç kësaj, ekspedita nuk gjeti gjurmë në Ishullin e Pashkëve të qeramikës apo tekstileve, dy prej produkteve më karakteristikë të kulturës peruane. Ndërkohë, arkeologë në Galapagos, një grup ishujsh të Paqësorit më pranë Amerikës së Jugut, gjetën shumë fragmente poçesh, të paktën disa prej të cilave ngjanin shumë me ato të bërë nga amerikano-jugorët e kohës përpara Inkasve.

Studime në disiplina të tjera vazhdonin të hidhnin poshtë teorinë e Heyerdahl. Botanistët përcaktuan se kallami "totora" i gjetur në ishull ishte ndryshe nga ai i gjetur në Peru. Patatet e ëmbla në ishull, të cilat Heyerdahl i përdori si provë lidhje me Amerikën e Jugut, mund të kishin ardhur nga vende të tjerë të Polinezisë. Edhe analizat linguistike të çonin në perëndim.

Shumë prej fjalëve të ishullorëve kishin më shumë ngjashmëri me ekuivalentet e tyre polinezianë dhe mospërputhjet mund të vinin për shkak të viteve të gjatë në izolim. Shkrimi "Rongorongo" i ishullit kishte gjithashtu më shumë ngjashmëri me shkrimet polinezianë se sa ata peruanë.

Edhe matjet e skeletëve tregonin se ishullorët kishin më shumë ngjashmëri me aziatikët juglindorë se sa me amerikano-jugorët dhe shumica e shkencëtarëve konkluduan se vizitorët e hershëm europianë kishin ekzagjeruar me përshkrimet e tyre për njerëz lëkurëbardhë.

Në fund të fundit, vetëm disa prej rrëfimeve të hershëm për Ishullin e Pashkëve flisnin për lëkurë të bardhë; të tjerë, si i famshmi Kapiten Cook shkruante se, "nga ngjyra, tiparet dhe gjuha ata kanë shumë ngjashmëri me njerëzit e ishujve më në perëndim, saqë nuk mund të dyshohet se kanë të njëjtën origjinë".

Sa për legjendat e vjetra të Tiki dhe Kon-Tikit, këto ishin thjeshtë përralla, sipas shumicës së shkencëtarëve.

Sipas Paul Bahn, të gjitha duhej të mos merreshin në konsideratë aq shumë. Bahn kritikoi Heyerdahlin për përdorimin selektiv që u kish bërë gojëdhënave, duke theksuar ato që mbështesnin teorinë e tij, ndërkohë që kish injoruar të tjerat - për shembull atë që Hotu Matua, mbreti i parë i ishullit, vinte nga një ishull i quajtur Hiva. Ky është një emër i zakonshëm në Marquesas, 2100 milje në veriperëndim të Ishullit të Pashkëve. Edhe udhëtimi dramatik i Kon-Tiki nuk u kursye nga sulmet e shkencës.

Indianët para inkasve kishin përdorur rrema dhe jo vela, thanë disa, dhe bregu i shkretë i Perusë nuk kish patur dru të lehtë të nevojshëm për trape apo kanoe. Veç kësaj, Kon-Tiki ishte rimorkuar deri 50 milje detare nga bregu, duke shmangur kështu rrymat që do ta kishin çuar Heyerdahl-in diku pranë Panamasë dhe jo në Polinezi.

Sulmet e analizave shkencore që nisin me ekspeditën e Heyerdahl-it në vitin 1955-'56 sollën një konsensus edhe më të gjerë se, banorët e parë të Ishullit të Pashkëve kishin qenë polinezianët. Ndryshe nga indianët amerikano-jugorë, polinezianët kishin përvojë të madhe në dete, pasi kishin kolonizuar ishuj të tjerë si Hauai dhe Zelanda e Re. Disa shkencëtarë shkuan aq larg sa të supozonin për një përzierje kulturash që mund të kish ndodhur, pasi detarë polinezianë mund të kishin shkuar deri në Botën e Re dhe ishin kthyer mbrapsht.

Kjo nuk e ngushëllonte aspak Heyerdahl-in, që vazhdoi të këmbëngulë se zbuluesit kishin lundruar drejt perëndimit dhe jo lindjes. Ai vazhdoi të kundërsulmojë valën historiografike, duke vizituar ishullin dhe mbrojtur tezën e tij edhe pse gjithnjë e më pak veshë e dëgjonin.

Megjithatë, kjo nuk i zbeh arritjet e tij. Ishte Heyerdahl-i që organizoi ekspeditën e parë në Ishullin e Pashkëve dhe që lejoi shkencëtarët që e shoqëronin që të kryenin në mënyrë të paanshme studimin. Dhe ishin ekspeditat e tij që frymëzuan shumë shkencëtarë të tjerë që të shkojnë vetë dhe të vazhdojnë kërkimet për skulptorët e statujave gjigante.

Pikëpamja e përhapur se polinezianët ishin të parët banorë të Ishullit të Pashkëve ofron një shpjegim të pjesshëm për statujat gjigante. Adhurimi në lashtësi ishte i zakonshëm nëpër Polinezi, kështu që statujat mund të kenë qenë një lloj monumenti i ngritur nga tributë e ishullit për të nderuar të vdekurit. Blloqet e gurëve të kuq të vendosur mbi krerët e tyre mund të kenë ardhur nga tradita Marquesas-e e vendosjes së një guri mbi imazhin e një të vdekuri si shenjë vajtimi.

Megjithatë, kishte edhe një tjetër mister që rrethonte këto statuja, që Cook e kish vënë re gjatë vizitës së parë. Shumë prej tyre ishin rrëzuar nga platformat dhe disave u ish-prerë qëllimisht koka. Përse një popull që ish lodhur aq shumë për t'i ndërtuar duhej t'i rrëzonte? Çfarë ndodhi në periudhën ndërmjet vizitës së Roggeveen në 1722 dhe mbërritjes së Cook në 1784?

Heyerdahl-i fajësoi imigrantët polinezianë, që ai thoshte se mbërritën përpara evropianëve në luftë kundër pasardhësve të banorëve të hershëm amerikano-jugorë. Ai iu rikthye edhe një herë legjendave të ishullit, që flasin për revoltën e veshëshkurtërve kundër sundimtarëve veshgjatë të ishullit. Ndoshta, veshëshkurtërit përmbysën veshgjatët dhe statujat e tyre, hamendësoi ai.

Por sërish, mungesa e provave arkeologjike ka dobësuar teorinë e Heyerdahl-it. Nuk ka gjurmë arkitekturore të një prurjeje të papritur të ndikimeve të reja kulturore në atë pikë të historisë së Ishullit të Pashkëve. Arkeologët kanë gjetur sasi të mëdha majash shtizash dhe kama që u përkasin periudhave para zbulimeve europiane, duke mbërritur në konkluzionin se luftërat kanë patur pjesën e tyre në shembjen e statujave dhe të kulturës që i adhuronte ato.

Shumica e shkencëtarëve besojnë se një krizë ekologjike i bëri ishullorët të luftojnë për burimet gjithnjë e më të pamjaftueshëm. Mbipopullimi dhe shpyllëzimi ishin probleme seriozë në shekullin XVI, kur u ngritën disa prej statujave më të mëdha.

Disa arkeologë kanë hedhur supozimin që furia e ndërtimeve mund të ketë ardhur për shkak të ndonjë dëshire të madhe për ndërhyrje hyjnore. Kur të lashtët nuk arritën të ndihmojnë, ishullorët mund të kenë humbur besimin tek ata dhe të zemëruar mund të kenë shembur statujat.

Në vend të të lashtëve apo zotave të ishullorëve, ishin europianët që ndërhynë. Deri në shekullin XIX, misionarë dhe tregtarë skllevërish kishin fshirë atë që kish mbetur nga kultura dhe feja origjinale e Ishullit të Pashkëve.

Megjithatë, europianëve dhe amerikanëve u duhet njohur merita për përpjekjet e tyre, ndonëse të vonuara, për të ruajtur kulturën origjinale të Ishullit të Pashkëve. Në vitet '60, shkencëtarët duke përfshirë disa pjesëtarë të ekspeditës së Heyerdahl, rikthyen në vendin e dikurshëm shumë statuja gjigante. Ato vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë dhe përtej tyre, si gjithmonë, ndodhet Oqeani Paqësor.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers