Psikologjia, përse na duhet shkenca e sjelljes

ENIDA BOGDANI ROOSEVELT ACADEMY



Mendja njerëzore është unike. Njeriu vepron dhe sillet në bazë të aktivitetit të tij mendor. Në një fjalor ne mund të gjejmë përkufizimin e fjalës sjellje, por kjo nuk do të na ndihmonte të kuptonim sjelljet e njerëzve që hasim në të përditshmen tonë. Në “Një fjalor psikologjie”, nga autori Derver më 1956 sjellja përkufizohet si një shumë e përgjigjeve biologjike dhe psikologjike që jep organizmi ndaj ngacmueseve që ndeshen në situata të ndryshme. Shkenca që merret me studimin e të gjitha sjelljeve njerëzore, është psikologjia, ndryshe e cilësuar si “shkenca e sjelljes”. Psikologjia përbëhet nga shumë nënndarje që përfaqësojnë fusha të caktuar të specializuara për të studiuar sa më në brendësi sjelljen njerëzore. Sjellja jonë është shumë e ndërlikuar, në varësi të situatës në të cilën ndodhemi dhe të personalitetit tonë. Prandaj, pa nënndarje të psikologjisë do të ishte e vështirë të trajtonim të gjitha llojet e sjelljeve. Kështu, kemi psikologji për fëmijë, psikologji klinike, psikologji e zhvillimit njerëzor jetësor, psikologji sociale, psikologjia e shëndetit, psikologji juridike e shumë nënndarje të tjera.

Në të përditshmen tonë psikologjia është një nga shkencat më të keqkuptuara. Në mendimet e shumë njerëzve psikologu është personi që merret me “të çmendurit”, edhe pse shumë lëvizje ndërgjegjësuese kanë dashur ta zhveshin këtë mit, është ende i pranishëm në bisedat tona. Së pari, le të vëmë re që psikologjia nuk merret vetëm me probleme të shëndetit mendor. Psikiatria është fusha që merret kryesisht dhe veçanërisht me sëmundjet mendore. Nënndarjet e psikologjisë kanë karakter të ndryshëm nga njëra-tjetra. Për shembull, psikologjia sociale trajton sjelljen e njeriut në grup, në shoqëri apo më gjerë. Temat kryesore të psikologjisë sociale trajtojnë: organizimin e drejtë në një grup pune apo trysninë midis bashkëmoshatarëve ose dashurinë dhe të tilla shqetësime me karakter social si këto. Ndërkohë, psikologjia e zhvillimit jetësor ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në një drejtim tjetër, duke bërë për herë të parë ndarjen e fazave të jetës, duke u bazuar në karakteristikat biologjike dhe psikologjike të njeriut. Në kohën e Mesjetës fëmijëria nuk ekzistonte si fazë e zhvillimit të procesit jetësor të njeriut. Fëmijët konsideroheshin si të rritur ta pa formuar mirë, gati si një barrë e shoqërisë. Psikologjia e zhvillimit jetësor kontribuoi në përmbysjen e këtyre paragjykimeve dhe në integrimin e adoleshencës, të moshës së mesme, dhe madhore si pjesë natyrale të zhvillimit jetësor.

Ka një arsye të fortë pse shkenca e psikologjisë identifikohet shpesh vetëm me problemet mendore, që trajtohen nga psikologjia klinike. Kjo nënndarje e psikologjisë trajton problemet dhe sëmundjet mendore që pasqyrohen dhe në sjelljen e njeriut. Psikologjia klinike ka marrë më shumë famë në krahasim me nënndarjet e tjera të psikologjisë sepse njerëzit që nuk kanë një sjellje normale janë më të pakët në numër, janë problematikë në përshtatje me shoqërinë dhe për pasojë më pak të pranuar në të. Psikologjia klinike është një ndihmë e madhe për shpjegimin dhe kuptimin e njerëzve me shqetësime mendore, prandaj dhe gjerësisht është më e pranueshme dhe më e njohur. Rasti më i vjetër i një sjelljeje jonormale është i Mbretit të Persisë, Cambyses, që kishte krijuar varësi ndaj substancave alkoolike. Në atë kohë sjellja e tij përshkruhej si anormale dhe mbretin nën zë e quanin “të çmendur”.

Me lindjen dhe zhvillimin e fushës së psikologjisë dhe veçanërisht të asaj klinike, sjellja e Mbretit Cambyses do të kishte një shpjegim dhe një trajtim. Ndërmjet normales dhe anormales nuk ka gjithmonë një vijë të qartë ndarëse. Anormale në fjalë të thjeshta do të thotë larg normës, pra ndryshe nga normalja. Normalja nuk është një gjendje e përcaktuar mirëfillti, në fakt me raste të gjithë mund të jemi nga pak anormalë. Psikologu i famshëm Maslow e përcaktonte normalen në bazë të këtyre kritereve: përgjegjësisë, pavarësisë, kreativitetit, një kuptim të drejtë të realitetit, pranim të vetvetes dhe të tjerëve dhe spontanitet. Në furtunat dhe dallgët e jetës çdokush mund të devijojë nga pak jashtë këtyre kritereve, por kjo nuk na bën “të çmendur”. Njerëzit mund të vuajnë nga një patologji apo kanë një gjendje të veçantë të shëndetit mendor, por me trajtimin e duhur mund të ekzistojnë normalisht brenda mundësive të tyre dhe të jenë të lumtur e të jetojnë në harmoni me veten e tyre. Një nga detyrat më të rëndësishme të psikologjisë klinike ka qenë dhe është hedhja poshtë e miteve të kalbura për përçmimin apo mëshirimin e pacientëve që vuajnë nga patologjitë mendore.

Të marrësh rrugën për tek psikologu nuk do të thotë patjetër që ke një problem mendor. Problemet e këshillimit që do të trajtohen nga një psikolog, variojnë nga natyra e shqetësimit që mund të keni.

Psikologjia është shkenca që studion sjelljen njerëzore në të gjithë komponentët e saj, jo vetëm sjelljen problematike. Studimi bëhet në radhë të parë për të kuptuar sjelljen njerëzore dhe për të ndihmuar sa më mirë në mbarëvajtjen e saj.

Google+ Followers