Pikaso, piktori që lakuriqësinë e vishte me ndjenja

Më i famshëm se çdo artist tjetër i të gjitha kohërave, ai ka qenë një pionier, një mjeshtër dhe gjithashtu, një njeri i paqendrueshëm. Dora e tij ka shkundur lëvizjen botërore të artit të shek. XX



Të thuash se Pablo Pikaso i ka falur shekullit XX, art perëndimor është deri tani gjëja më e natyrshme. Para 50-vjetorit të tij, spanjolli i vogël nga Malaga ishte bërë prototipi kryesor i artistëve modernë si figurë publike. Asnjë piktor para tij nuk ka patur kurrë atë masë audience gjatë gjithë jetës së tij. I gjithë publiku i Titianit në shek XVI apo Valazquez në shek XVII, është i përbërë nga jo më shumë se disa mijëra njerëz, edhe pse bëhej fjalë për njerëz me pozitë dhe më inteligjentët e Europës. Audienca e Pikasos, d.m.th. njerëzit që kanë dëgjuar për të apo kanë parë punën e tij, së paku riprodhimet nëse jo ato origjinalet, përbëhej nga dhjetëra, ndoshta qindra miliona njerëz. Ai dhe puna e tij kanë qenë tema e analizave të pafundme, thashethemeve, urrejtjes, adhurimit dhe zhurmës.

Ai ishte një njeri supersticioz dhe sarkastik, baba i keq për fëmijët dhe shpesh një kafshë për gruan e tij. Ai kishte përbuzje të neveritshme për artistet femra. Komentet e tij të famshme për gratë, nëse ishin "perëndesha apo këmbësore", e kanë bërë atë të urryer nga feministet, edhe pse gratë kishin tendencën t'i luanin për të, të dyja rolet, pasi sharmi dhe joshja e tij ka qenë legjendare. Industri të tëra kulturore u derivuan nga viriliteti i tij mitologjik. Ai ishte minatori i labirinteve të ndërtuara nga vetë ai.

Pikaso ishte politikisht me fat gjithashtu. Edhe pse për nazistët puna e tij ishte mishërimi i "artit të degjeneruar", fama e tij e mbrojti gjatë pushtimit gjerman të Parisit, ku jetonte. Pas luftës, kur artistët shiheshin me sy të keq për shkak të mospajtimit të tyre me regjimin nazist apo komunist, Pikaso shfaqi miratimin e tij entuziast për Joseph Stalinin, shkaktarin e vrasjeve masive në një shkallë shumë herë më të lartë se sa Adolf Hitleri dhe çuditërisht nuk mori kritika për këtë qëndrim as gjatë Luftës së Ftohtë në Amerikë.

Asnjë piktor apo skulptor, madje as Mikelanxhelo nuk ka qenë kurrë kaq i famshëm sa ai gjatë gjithë jetës së tij. Madje, është shumë e mundur që asnjeri tjetër nuk do të jetë më në kohët e sotme kur madati për të patur domethënie sociale, për të artikuluar mite dhe për të gjeneruar imazhe sa madhështore, i ka kaluar fotografisë, filmave dhe televizionit. Edhe pse Marcel Duchamp, dhelpra e vjetër dinake e ironisë konceptuale, ka qenë disi më i famshën se spanjolli në fjalë gjatë 30 viteve të fundit, Pikaso ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë pionieri i bindjes së asaj kohe, që gjuha e pikturës dhe skulpturës kishte për njerëzit rëndësi më të madhe se vetë artisti që i krijonte. Ai ishte artisti i parë që u kënaq me vëmendjen obsesive të masmedias. Pikaso qëndroi në vijën kur takoheshin këto dy botë. Nëse ai nuk do të kishte qenë ashtu, ndryshimi i tij i paqendrueshëm i stilit dhe çmenduria e tij nuk do të kishte krijuar aq shumë polemika dhe natyrisht as famë.

Në botën e sotme të artit, një vend pa heronj kulturorë, nuk do të ishte kurrë e imagjinueshme të ekzistonte një "mostër" i tillë despotik. Gama e tij e prodhimeve ishte shumë e gjerë. Ky, faktikisht nuk është një virtyt në vetvete. Nga pikturat e Vermeerit apo të vëllezërve Van Eyck, kanë mbijetuar shumë pak, por ato janë të rrënjosura në histori shumë më tepër seç ka qenë apo do të jetë ndonjëherë Pikaso. Megjithatë, manovrat e Pikasos kanë pushtuar botën dhe lanë një shenjë të përhershme në çdo disiplinë ku ai i fuste hundët. Puna e tij u përhap masivisht me imazhe që ndiqnin njëra-tjetrën pa pushim pas vdekjes së tij.

Ai ishte artisti me të cilin çdo artist tjetër duhej që virtualisht të krahasohej dhe nuk ka patur gati asnjë lëvizje të shek. XX që mos të ketë qenë e frymëzuar nga ai, për të cilën të mos ketë kontribuar apo që të mos ketë qenë e shpikur nga vetë ai. Për shembull, kubizmin, i cili është një nga bashkëpunimet më të mëdha të artit, Pikaso e shpiku bashkë me Georges Braque. I vetmi përjashtim, për shkak se Pikaso nuk ka pikturuar kurrë ndonjë pikturë abstrakte në jetën e tij, ka qenë pikërisht art abstrakt. E megjithatë, ka lënë edhe aty shenjat e tij të gishtërinjve dhe shembull për këtë është që ai ka patur një ndikim shumë të madh tek piktorët e artit abstraksionist në Amerikë si: Arshile Gorky, Jackson Pollock, Willem de Kooning dhe shumë të tjerë.

Pjesa më e madhe e historisë së skulpturës moderne është e lidhur ngushtë me mbledhjen e shkrirjen e imazheve nga fletët e metalit dhe jo me modelimin e argjileve, derdhjen e bronxit apo me gdhendjen e drurit. Kjo traditë e formave të hapura të ndërtuara në vend të shformimit të masave të ngurta, lindi nga një kitarë e vogël, të cilën Pikaso e bëri copa-copa dhe e riformoi përsëri me teneqe në vitin 1912. Kolazhi, ngjitja e copave dhe imazheve që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën në një sipërfaqe të sheshtë, u bë metoda kryesore e artit modern që ishte gjithashtu meritë e bashkëpunimit kubist të Pikasos me Braque. Ai nuk ka qenë kurrë pjesëtar i grupit surrealist, por gjatë viteve '20 dhe '30 ai prodhoi disa nga deformimet më të frikshme të trupit të njeriut dhe imazhet më të dhunshme, iracionale dhe erotike të Erosit dhe Thanatosit. Ai nuk ishte një piktor realist dhe as muralist i askujt, por megjithatë Guernica vazhdon të jetë një nga imazhet më të fuqishme politike të artit modern dhe i vetmi rival i denjë që është përballur me të ka qenë puna Meksikane e Diego Rivera.

Pikaso njihej si djali gjenial, por nëse do të kishte vdekur para vitit 1906, viti i tij i 25-të, shenja e tij në artin e shek. XX do të kishte qenë më e lehtë.

Pikaso nuk ka qenë një filozof apo matematikan (kubizmi nuk ka lidhje me gjeometrinë), por puna që ai bashkë me Braque bënë gjatë viteve '11 dhe '18, kanë qenë të lidhura ngushtë intuitivisht me perceptimet e mendimtarëve si Ajnshtajni dhe Alfred North Whitehead. Ata thoshin se realiteti nuk është një figurë apo një hapësirë boshe, është një marrëdhënie, një fushë vezulluese eventesh që i kundërpërgjigjen njëra-tjetrës. Kubizmi ishte i vështirë të kuptohej, qëllimisht konfuz, megjithatë edhe shumë pupullor. Sot e kësaj dite vazhdon të jetë dialekti artistik më me influencë, ashtu siç ishte gjatë viteve '20. Si për ta distancuar veten nga imitatorët e tij, Pikaso kaloi në ekstremitetin tjetër të artit të vjetër klasik, me pikturat e tij të grave të shëndosha që shihnin ëndrra mesdhetare si homazh ndaj Cort dhe Ingres.

Metoda e tij "klasike", të cilës iu rikthye disa dekada më pas mund të perceptohet edhe si një gjest pavarësie. Pasi bashkëpunimi i tij me Braque përfundoi si pasojë e komentit "Brauqe është gruaja ime", fjalë që ishin ofenduese si për gratë ashtu edhe për Braque, Pikaso u kthye në një njeri të vetmuar përgjatë gjithë karrierës së tij. Ai nuk formoi as një miqësi me Matisse-n deri sa të dy artistët u plakën. Marrëdhëniet e tij të ngushta zakonisht ishin me shkrimtarët apo me poetët.

Edhe pse publiku e shikonte atë si prototip modernist, Pikaso ishte shumë i shkëputur nga arti modern. Disa nga artistët më të famshëm modernistë si Kandinsky ose Mondrian, e konsideronin punën e tyre si një instrument evolucioni apo zhvillimi njerëzor por, Pikaso kishte shumë më tepër damarë utope se sa idhudhi i tij spanjoll, Goya. Ideja se arti evolohej, ose se kishte ndonjë lloj misioni historik, atij i dukej qesharake. "Ajo çfarë kam bërë", tha ai dikur, "është bërë për të tashmen dhe me shpresën se gjithmonë do të mbesë në të tashmen. Kur kam gjetur diçka për të shprehur, e kam bërë pa menduar për të shkuarën apo për të ardhmen". Çuditërisht, ai ishte gjithashtu kundër besimeve të ekspresionistëve, të cilët mendonin se arti merr vlera të mëdha kur afron të vërtetën, qenien e brendshme të autorit të tij. "Si mundet që ndonjë njeri të hyjë në ëndrrat, instiktet, dëshirat dhe mendimet e mia… dhe kundër çdo logjike të kuptojë se çfarë dua të bëj, ndoshta edhe kundër vullnetit tim?", shpjegonte ai.

Të bësh art, për të ishte njëlloj sikur të fitoje një lloj lirie tirane nga vetësqarimi. Piktura për të ishte një çështje spirituale. "Piktura është më e fortë se unë, më detyron të bëj atë çfarë do ajo", thoshte Pikaso. Për të, ideja që piktura bënte atë çfarë donte nëpërmjet tij, do të thoshte që nuk ishte subjekt i etikës kulturore. Asnjë nga baballarët e tjerë të modernizmit nuk e ndiente aq fuqishëm artin, as Matisse, as Mondrian dhe padyshim as Braque.

Në punën e tij, çdo gjë përqendrohej tek ndjeshmëria, tek dëshira. Qëllimi i Pikasos nuk ishte të argumentonte koherencën, por që të arrinte të ndiente nivelin më të lartë të ndjeshmërisë. Ai e përforconte këtë ide me një forcë të madhe plastike, duke të bërë që të ndjesh peshën e formave dhe tensionin e marrëdhënieve të tyre, duke vizatuar ose me anë të toneve të strukturës. Ai nuk ka qenë kurrë një kolorist i mirë si Matisse apo Pierre Bonnard por, me anë të metaforës, ai përcillte shtresa të shumta kuptimore së bashku. Gjatë këtij procesi, ai ndryshoi një nga rrymat e artit modern. Modernizmi e la mënjanë procesin e tregimit të historive dhe filluan të kishin më tepër rëndësi marrëdhëniet formale. Por, Pikaso e riktheu përsëri në një formë të kamufluar, si një rrëfyes psikik, të shprehur me anë të metaforave, lojërave të fjalëve dhe ekuivalencave.

Elementi më i fuqishëm në histori, të paktën pas kubizmit, ishte seksi. Femrat lakuriq ishin subjekti i tij obsesiv. Çdo gjë në universin e tij piktoresk, sidomos pas vitit 1920, dukej i lidhur ngushtë me trupat lakuriq të femrave. Pikaso i veshi femrat e tij vetëm me ndjenja që fillonin nga ëndrrat erotike (si p.sh. në pikturën e Marie Therese Walter të viteve '30) deri tek arroganca e tërbuar dhe e hidhur, ashtu si asnjë artist tjetër perëndimor nuk kishte arritur kurrë t'i vishte. Ai e bënte këtë me anë të metamorfozës, duke e rikompozuar trupin sipas formës së fantazisë së tij të posedimit dhe sipas terroreve të tij seksuale. Tashmë, ai i kishte nxjerrë format e fshehura dhe krahasuese të lojërave të kubizmit (vrimat e zërit të një mandoline, për shembull, i kthente në maskën e një Pierroti) jashtë sirtarit të tij. "Të zhvendosësh", ashtu siç e quante Pikaso këtë proces, ishte "të vendosje sy në mes të këmbëve, ose organe seksuale në fytyrë". Të kundërshtosh, siç thonte ai: "natyra bën shumë gjëra sipas mënyrës sime, por i fsheh ato!"

Gjatë viteve të tij të fundit, prodhimet e tij morën një cilësi maniake dhe obsesive sikur për të, akti krijues (edhe pse i përsëritur) mund të parandalonte vdekjen. Natyrisht që nuk ishte i aftë ta bënte. Vdekja e tij i la publikut një nostalgji për gjenialitet, të cilin asnjë talent i sotëm, asnjë fushë e pikturës, nuk e ngop dot.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers