Intelektualët e famshëm që mbështetën masakrat staliniane

Për shumë dhjetëvjeçarë, ekzaltimi i pakushtëzuar i mitit të Revolucionit Rus të vitit 1917, ai i Bashkimit Sovjetik dhe i sistemeve komuniste janë bërë pjesë e vetëdijes kolektive të miliona individëve



Për shumë e shumë dhjetëvjeçarë, ekzaltimi i pakushtëzuar i mitit të Revolucionit Rus të vitit 1917, ai i Bashkimit Sovjetik dhe i sistemeve komuniste në përgjithësi kanë hyrë dhe janë bërë pjesë, nëqoftëse mund të themi kështu, e vetëdijes kolektive të "mirë" të miliona individëve të bindur në drejtësinë e "luftës së klasave" marksiste dhe të metodave të adoptuara në shumë vende për ta zbatuar. Kjo ethe masive që për rreth 70 vjet, nga 1917 deri më 1989, ka gëluar në Europë dhe në botë është favorizuar dhe rënduar nga qëndrimi i një mase të gjerë intelektualësh që nëpërmjet veprave dhe daljeve të tyre kanë kontribuar që të mbahet në jetë miti i eksperimentit kulturor, politik dhe socio-ekonomik më dramatik dhe më dështak të epokës bashkëkohore.

Në largësinë e viteve duket interesante që të shkohet e të rilexohet ajo që njerëz të njohur të mendimit shkruan apo deklaruan në mbështetje dhe në adhurim të sistemeve marksiste, parasëgjithash atij moskovit.

Qysh në vitin 1919, historiani i Revolucionit Francez Albert Mathiez e justifikoi regjimin e terrorit të vendosur në Rusi, duke arritur që ta krahasojë (mos vallë do të ishte kompliment? - shënimi im.) Leninin me Robespierin. Në vitin 1931, një tjetër francez, poeti Louis Aragon (1897-1982) tek Prélude au temps des cerises i tij, arriti deri aty sa t'i kushtojë një himn djallëzor dhe grotesk të famshmes GPU (policia politike bolshevike mizore e kohës): "Kërkoj një GPU për të përgatitur fundin e një bote / Rroftë GPU-ja kundër Papës dhe morrave. / Rroftë GPU-ja kundër nënshtrimit ndaj bankave / Rroftë GPU-ja kundër familjes" dhe vazhdon më tej me këtë hap.

Përtej oqeanit, nuk qe më i pakët romancieri Upton Sinclair, i cili lidhur me kolektivizimin rus të bujqësisë, shkroi: "Në Rusi, bolshevikët përzënë fshatarët e pasur nga toka dhe i dënojnë me punë të detyruar... E gjitha kjo ndoshta do të kushtojë një milion jetë, ndoshta pesë milionë... Ama, në fund të fundit, në historinë njerëzore nuk është verifikuar asnjëherë ndonjë ndryshim social domethënës pa u shoqëruar me të vdekur".

Ndjeshmëri dhe shpirt humanitar të konsiderueshëm i demonstroi edhe shkrimtari i famshëm Maksim Gorki (1868-1936), i cili nuk pati fare skrupull kur lëshoi apelin e tij të famshëm patriotik ("Shfaroseni armikun pa pasur as mëshirë, as dhembshuri"); proklamim që në fakt do të mbështesë "spastrimet" staliniane.

Lista e apologjetëve të mëdhenj dhe të kulturuar të komunizmit vazhdon me filozofin Maurice Merleau-Ponty, i cili në vitin 1947, duke polemizuar me shkrimtarin Arthur Koestler, e justifikoi Terrorin e Madh stalinian si "premisë të nevojshme për ndërtimin e një shoqërie të re proletare". Por duhet arritur tek Bertolt Brecht (1898-1956) për ta parë të shprehur në mënyrën ndoshta më të arrirë esprit politique, që ushqeu intelektualët marksistë apo filomarksistë perëndimorë. Kështu, regjisori i famshëm e qau në marsin e vitit 1953 vdekjen e Stalinit: "Të shtypurit e të pesë kontinenteve kanë provuar një therje në zemër kur kanë mësuar lajmin e vdekjes së Stalinit. Ai ishte mishërimi i shpresave të tyre dhe i shpresave tona". Por nuk është e gjitha. Në qershor të vitit 1953, me rastin e revoltës punëtore të Berlinit të shtypur nga tanket sovjetike, Brecht i shkroi Presidentit të Gjermanisë Lindore, Walter Ulbricht, për ta falënderuar dhe për t'i rinovuar vlerësimin e tij ndaj regjimit komunist gjermano-lindor. "Elementë fashistë të nxitur nga Perëndimi - nënvizoi intelektuali - kanë kërkuar që të shfrytëzojnë pakënaqësinë e popullit (lapsus që do të shtynte të mendoje se pikërisht populli gjermanolindor nuk duhet t'ia kalonte mirë nën regjimin komunist) për të arritur qëllimet e tyre të pista dhe gjakatare... Por falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të saktë të trupave sovjetike, kjo tentativë është shfryrë... Natyrisht, forcat e armatosura ruse nuk janë marrë me punëtorët, por janë ndeshur me turmën fashiste dhe luftënxitëse të përbërë nga të rinj rrënjëshkulur të çdo lloji që kish pushtuar Berlinin".

Nga deliret tragjikomike brehtiane, kalojmë në "qyfyret" e prodhuara nga një tjetër personazh i famshëm i plejadës intelektuale marksiste, hungarezi György Lukacs (1885-1971). Në një intervistë për revistën "New Left Review" të korrik-gushtit të vitit 1971, Lukacs në të vërtetë nuk pati kurrfarë mëdyshjeje (dhe ndjenjë turpi) kur deklamoi se: "më i keqi i regjimeve komuniste është gjithmonë më i mirë se më i miri i regjimeve kapitaliste". Nuk i shpëtoi groteskut as komediografi irlandez George Bernard Shaw (1856 -1950), i cili në vitin 1931, gjatë një udhëtimi në Bashkimin Sovjetik, "admiroi realizmin e Stalinit", duke pohuar se "Rusia nuk kishte asnjë problem ushqimor... dhe se dispononte një sistem burgjesh model". Duke shtuar më tej: "në Angli një kriminel futet në burg si njeri normal dhe del prej tij si kriminel, ndërsa në Rusi hyn në burg si kriminel dhe del prej tij i rigjeneruar... Është në këtë pikë që shumë të burgosur, për ta përmirësuar vetveten, e zgjasin në mënyrë spontane masën e dënimit". Jo i kënaqur nga e gjitha kjo, Shaw konkludonte kështu: "Stalini i ka mbajtur të gjithë premtimet; ka krijuar një shoqëri të drejtë dhe, për pasojë, e heq kapelen me respekt përpara tij".

Më të kuptimta rezultuan në fakt vërejtjet lidhur me "parajsën e punëtorëve" të bëra nga romancieri H. G. Wells, i cili në vitin 1934, pas një takimi me Stalinin, arriti që të pranojë me një shqetësim të caktuar "mungesën substanciale të lirisë që ekziston në Bashkimin Sovjetik", ama duke e justifikuar me "përpjekjen e ndërmarrë nga sovjetët për të krijuar një shoqëri racionale".

Në vitin 1935, filozofi dhe matematikani Ludwig Wittgenstein mbeti edhe ai i shokuar nga marksizmi. Vizitoi Bashkimin Sovjetik dhe për disa vjet kultivoi deri dhe idenë për t'u transferuar atje për të jetuar, i bindur se ky vend përfaqësonte një alternativë të vlefshme dhe të nevojshme ndaj dekadencës së Perëndimit. "Tirania komuniste - thekson ai me sinteticitet aritmetik - nuk më indinjon... Bashkimi Sovjetik është një vend i ashpër, por i drejtë". Në fillimin e viteve '30, ekonomisti John Maynard Keynes studioi sistemin bujqësor sovjetik, duke e kuptuar pa dëshirën e vet zitë e frikshme të bukës të shkaktuara nga planet pesëvjeçare. Gjithsesi, ai preferoi të heshtë prej dashurisë ndaj idealit.

Një kapitull më vete meritojnë deklarimet dhe shkrimet e filozofit ekzistencialist të mbivlerësuar Jean-Paul Sartre (1905-1980), i cili, pas kish punuar në mënyrë të qetë dhe kish fituar në mënyrë të konsiderueshme, në periudhën midis viteve 1940 dhe 1944, në regjimin kolaboracionist të Vichy, u hodh kokë e këmbë në kauzën komuniste. Në fakt, në periudhën midis viteve 1947 dhe 1951, ai u bë një stalinist i zjarrtë, deri në atë pikë sa të prishte marrëdhëniet e tij me më kritikët dhe më të kthjelltit Raymond Aron, Arthur Koestler dhe Maurice Merleau-Ponty. "Nuk pranoj - polemizoi i indinjuar Sartre - "që të ndjek ish-miqtë e mi në dënimin e stalinizmit". Në vitin 1952, Sartre i prishi marrëdhëniet edhe me Albert Camus, i cili sulmonte metodat shtrënguese dhe gjakësore të Stalinit ("Duke mos qenë ne anëtarë të Partisë, nuk ishte aspak detyra jonë që të prononcoheshim lidhur me kampet e punës sovjetikë", shpjegoi babai i trishtuar i ekzistencializmit, duke dhënë provë dhuntish të konsiderueshme dialektiko-akrobatike). Në vitin 1952, filozofi mori pjesë në Konferencën e Lëvizjes për Paqen e organizuar nga komunistët në Vjenë dhe në vitin 1954, pas një udhëtimi në Bashkimin Sovjetik, me një seri "articolesse" për të përditshmen "Libération", i thuri elozhe pa mëdyshje dhe në total sistemit marksist: "Në Bashkimin Sovjetik- guxoi Sartre - liria e kritikës është totale… Qytetarët sovjetikë e kritikojnë qeverinë e tyre në mënyrë shumë më të hapur dhe shumë më efikase nga sa bëjmë ne… Gjendja socio-ekonomike e popullit sovjetik është në përmirësim të vazhdueshëm… Të gjithë janë në mënyrë të admirueshme të ushqyer dhe të strehuar… Dhe nuk dalin jashtë vendit jo pse qeveria ua pengon, por sepse nuk kanë asnjë dëshirë që ta bëjnë një gjë të tillë… Në sistemin sovjetik interesi i individit dhe ai i kolektivit janë të përputhshëm në mënyrë të përkryer… Bashkimi Sovjetik marshon drejt së ardhmes". Në vitin 1956, filozofi transalpin arriti deri aty sa të refuzojë raportin sekret të Hrushovit lidhur me masakrat e Stalinit, duke deklaruar: "E gjej të papranueshme ekzistencën e kampeve të përqendrimit sovjetike, por e gjej po njëlloj të papranueshme përdorimin e përditshëm që i bën atyre shtypi borgjez…Hrushovi - u ankua filozofi - e ka denoncuar Stalinin pa dhënë shpjegime të mjaftueshme, pa përdorur një analizë historike, pa maturi".

Lidhur me proceset e shumta gjyqësore të Moskës dhe për torturat e kryera mbi të arrestuarit, shkrimtari francez André Malraux (1901-1976) luajti mbi analogjitë historike brilante, por shumë pak të pranueshme: "Pikërisht si Inkuizicioni nuk e shkatërroi dinjitetin themelor të kristianizmit, ashtu dhe proceset e Moskës nuk e kanë reduktuar dinjitetin themelor të komunizmit".

Edhe denoncimet e përsëritura rreth ekzistencës së gulagëve nuk e prekën aspak besimin e shumë intelektualëve perëndimorë "progresistë". Përjashtimi i vetëm është André Gide, i cili në vitin 1936 vizitoi Bashkimin Sovjetik, duke u ndjerë i revoltuar. Me kthimin e tij në Francë, Gide guxoi të flasë për represionin stalinian në veprim, por menjëherë u izolua. Nga ana e tij, filozofi Roger Garaudy i përqeshi "zërat lidhur me gulagët" dhe shkencëtari fitues i Çmimit Nobel, Frédéric Joliot-Curie, dëshmoi "se rusët janë një popull i lumtur që e mbështet regjimin e tij".

Por sërish nuk është gjithçka. Akoma në vitin 1972, poeti Pablo Neruda (1904-1973) - i cili në vitin 1971 fitoi Çmimin Nobel për Letërsinë, por edhe çmimin grotesk "Lenin" për Paqen - i gjykoi "probleme absolutisht personale" ato të ndeshura nga Aleksandr Solzenitsyn dhe nga intelektualë të tjerë të shquar rusë të mbyllur në gulagë, duke shpjeguar se "nuk kishte kurrfarë dëshire për t'u bërë një instrument i propagandës antisovjetike".

Në vitet '70, u ribë i gjallë i pamposhturi Sartre, që pasi kish bekuar lëvizjet studentore të vitit '68, u kthye në skenë, duke i ekzaltuar gjestet e grupeve terroriste italiane, gjermane dhe ato palestineze. "Terrorizmi është arma e ligjshme e të varfrit", dha verdiktin ai, duke e justifikuar masakrën e Mynihut të kryer nga terroristët palestinezët me rastin e Lojërave Olimpike. Gjithsesi, asgjë për t'u habitur. Qysh në vitet '60, ai kish shqiptuar më shumë se një apologji të rregullit të dhunshëm "antiborgjez dhe antiimperialist".

Në parathënien e Të dënuarve të tokës (1961) të Franz Fanon, filozofi ekzistencialist kish nënvizuar: "të vrasësh një evropian perëndimor është të arrish njëherazi dy qëllime: të eliminosh shtypësin dhe njeriun që i kësaj shtypjeje është fruti". Kurse në vitin 1968, nga mikrofonët e Radio Luksemburgut, Sartre e kish justifikuar kështu revoltën studentore dhe dhunën si praktikë reaguese të drejtë: "Dhuna është gjë e vetme që u mbetet studentëve që nuk kanë hyrë akoma në sistemin e krijuar nga baballarët e tyre …Në vendet tona perëndimore të dobësuara, forca e vetme e kontestimit të majtë përbëhet në fakt nga studentët …Përsosmëria qëndron në të vërtetë në vendet marksiste dhe në mënyrë të veçantë në Kinë dhe në Kubë". Në pranverën e vitit 1970, Sartre do të pranojë të bëhet pjesë e grupit maoist e Majta Proletare, duke u bërë edhe drejtori përgjegjës i gazetës La Cause du Peuple (organ nga faqet e së cilës nxiteshin militantët që të sekuestronin dhe të mbyllnin në "burgjet e popullit" drejtorët e fabrikave dhe të linçoheshin deputetë e ministra).

E konkludojmë paradën e intelektualëve perëndimorë të magjepsur nga sistemet komuniste me Noam Chomsky, i cili në gjysmën e dytë të viteve '70, përveç thurjeve të elozheve për sistemin maoist, mbështeti në mënyrë entuziaste kauzën e khmerëve të kuq kamboxhianë, duke mohuar masakrat e fikshme të mirënjohura të kryera nga lideri i tyre Pol Pot ndal miliona njerëzve.

Në vitin 1977, gjuhëtari amerikan i gjykoi "histori të shpikura nga perëndimorët reaksionarë" mizoritë e kryera nga khmerët dhe nga vietkongët dhe "absolutisht të pabazuara" rrëfimet dhe dëshmitë e refugjatëve kamboxhianë dhe vietnamezë (të ashtuquajturit boat people) të shpëtuar nga persekutimet e "xhaxha" Ho Chi Minh.

Po e mbyllim këtë përmbledhje tronditëse me liderin e vjetër radikal amerikan Scott Nearing (ish-apologjet e Bashkimit Sovjetik në vitet '30) që në vitin 1982, në moshën 99-vjeçare, i thuri edhe ai lëvdata të "ndritshmit" Pol Pot dhe satrapit tonë Enver Hoxha: "Bëhet fjalë për dy gjeni të vërtetë të politikës revolucionare; dy njerëz që kanë bërë gjithçka kanë mundur për t'i bërë të lumtur popujt e tyre". No comment...

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers