E V O L U C I O N I/ Sikur të kemi dalë nga Hiçi

Trishtili bengalez është një zog kafazi i ushqyer prej shekujsh për shkak të pendëve të tij shumë tërheqëse. Ai vjen në kombinime të ndryshëm të të bardhës, të zezës dhe kafes. Një version veçanërisht i bukur është ai i argjendtë. Ai vlerësohet gjithashtu për natyrën e shoqërueshme si dhe të cicërimës, gjë që është e çuditshme, pasi "kushëriri" i tij i egër më i afërt është munia, që ka një këngë shumë të parashikueshme dhe njihet si krijesë shumë e turpshme dhe që zemërohet lehtësisht. Si ka mundësi që trishtili ka zhvilluar edhe ato tipare të tjera?

Zgjidhja e gjëzës së trishtilit bengalez premton të hedhë dritë në një pikëpyetje shumë më të madhe të biologjisë - si i krijon natyra gjërat komplekse. Ne kemi prirjen ta mendojmë evolucionin si një garë brutale dhe kompleksitetin e sjelljes si një strategji brilante që ngrihet prej konkurrencës. Në garë e sipër, garuesit përpiqen të lënë pas klimën e tmerrshme, virusët mizorë dhe predatorët e uritur.

Në prapaskenë, ADN përsëritet dhe hedh në qarkullim mutacione dhe përgjatë rrugës, disa prej këtyre u japin jetë aftësive të spikatura, të cilat nga ana e tyre, u japin një avantazh krahasues garuesve. Por po sikur biologjia të mos funksionojë gjithmonë kështu? Po sikur krijesat më të ndërlikuara të natyrës nuk janë bërë bashkë nga një koleksionues i kujdesshëm, por janë zhvilluar në mënyrë rastësore?

Sipas Terry Deacon, kompleksiteti nuk është përherë një dhuratë për të aftët e të shëndetshmit, por më shpesh për dembelët dhe fatlumët. Deacon, një profesor i njohur i antropologjisë biologjike dhe linguistikës në Universitetin e Kalifornisë, është i interesuar në përzgjedhjen natyrore, jo aq shumë për çfarë ajo bën, por se çfarë ndodh me speciet po të mos ishte. Ai argumenton se mungesa e përzgjedhjes natyrore është një forcë e rëndësishme dhe e panjohur në evolucion. Në fakt, thotë ai, kur rritet trysnia e përzgjedhjes, gjenomët nisin "bredhjen" dhe që këtu lind një seri efektesh të papritura, plot ngjyra dhe sinergjikë. Ai beson se kjo përfshin jo vetëm këngën e trishtilit bengalez, por edhe disa prej cilësive të jashtëzakonshme fizike dhe mendore që ne njerëzit kemi, duke përfshirë brilancën tonë teknologjike dhe talentin tonë për gjuhët. Nëse është kështu, atëherë do të na duhet të ndryshojmë këndvështrimin tonë mbi speciet: Deacon na sheh ne jo si majë të evolucionit, por më shumë si "majmunë të degjeneruar".

Përzgjedhja natyrore, e identifikuar fillimisht nga Charles Darwin tek "Origjina e Specieve", ndodh kur mutacionet gjenetikë shkaktojnë ndryshime në trup dhe në sjelljen e një kafshe, ndryshime që ndikojnë në aftësinë e saj për të mbijetuar dhe trashëguar gjenet e veta. Disa mutacione kanë efekte pozitivë, të tjerë mund ta vrasin menjëherë një kafshë apo të dëmtojnë aftësinë e pasardhësit për të mbijetuar dhe për t'u riprodhuar. Klima e ashpër, mangësia e ushqimit dhe predatorët e pamëshirshëm shkatërrojnë shumë individë, duke lënë vetëm ata që mbijetojnë në kushte më të reja, pikërisht në mesin e gjithë këtyre trysnive. Si rezultat, sa më e madhe të jetë trysnia e përzgjedhjes natyrore, aq më e madhe është lidhja mes një specieje dhe "qoshes së saj të ngrohtë".

Atëherë, çfarë ndodh kur trysnia mungon? Do të mendonit se do të kish shumë pak shtysë për t'u përshtatur, kështu që speciet do të qëndronin pak a shumë njësoj. Nuk ndodh kështu, thotë Deacon. Kafshët sërish ndryshojnë, sepse gjenet pësojnë mutacion gjatë të gjithë kohës. Rishkrimi i vazhdueshëm i ADN ofron lëndën e parë prej ku përzgjedhja natyrore merr fituesit dhe humbësit, dhe kur përzgjedhja pushon disi, procesi i zhdukjes së më të dobëtit është më pak mizor. Në vend të tij, nis një proces që quhet lëvizje gjenetike ku mutacionet shumohen dhe ku kafshët me një shumëllojshmëri më të madhe tiparesh janë në gjendje të mbijetojnë dhe riprodhohen. Disa prej tipareve klasikë të një specieje mund të humbasin, ndërkohë që mund të shfaqen të tjerë pa patur asnjë arsye tjetër përveçse, thjesht, nuk ka fare rëndësi që shfaqen. Një proces i tillë, thotë Deacon, shpjegon këngën e trishtilit bengalez. Kur zogu u rrit në një mjedis njerëzor, trysnia që kishte mbajtur të paprekur cicërimën e thjeshtë të munias së egër - si nevoja për t'u çiftuar, ushqyer dhe gjetur strehim - u largua prej tij. Kur mutacionet e pashmangshëm që prekën këngën e zogut u shfaqën, ata vazhduan të kenë ndikim për arsye se nuk rrezikonin mbijetesën e tij. Si rezultat, kënga e trishtilit ka tani më shumë nota se ajo e munias, është më pak e parashikueshme dhe ka një lloj sintakse. Për më tepër, ndërkohë që kënga e munias është e trashëguar, trishtili duhet ta mësojë këngën e tij dhe të përdorë trurin për të krijuar dhe kontrolluar. Duke zgjeruar "grykëshishen" për mbijetesën, zbutja e kafshëve mund të ndihmojë për të shpjeguar përse kënga e trishtilit ndryshoi, por edhe pse u bë më komplekse dhe jo më e thjeshtë? Në kursin normal të zhvillimit të një kafshe, thotë Deacon, udhëtimi nga foshnjëria në fazën e rritur mund të mendohet si një akumulim përmbajtjesh. Gjenet shprehen, ndërtohet trupi, truri mëson dhe përshtatet, dhe të gjithë këto sinkronizohen bashkë për të krijuar kafshën e rritur. Teksa gjithnjë e më shumë gjene gjejnë shprehje, dhe pasojat e tyre mbivendosen, një individ bëhet i "diferencuar". Duke u zhvilluar në një krijesë më speciale, thotë ai. Por përzgjedhja e relaksua degradon procesin e diferencimit. "Ajo lejon mutacionet që të modifikojnë disa gjene dhe të bëjnë inaktivë të tjerët, me qëllim që ata të mos kenë një funksion specifik". Është e rëndësishme të thuhet se kur gjenet e një kafshe bëhen të diferencuar, po kështu ndodh edhe me tiparet që lidhen me ato gjene - që nga aspektet e drejtpërdrejtë të trupit e deri tek funksionet më të ndërlikuar që lidhen me trurin.

"Do të ketë më shumë fleksibilitet", thotë Deacon. "Ose ta themi ndryshe, do të ketë më pak specifikim".

Siç e sheh Deacon, kur fenomeni i përzgjedhjes tek munia u lirua disi, ai ndërpreu kontrollin e fortë që disa gjene kishin mbi zhvillimin e trurit dhe kontrolli nervor mbi strukturën e këngës u lirua dhe ai. Kur kjo ndodhi, pjesë të tjera të trurit ishin në gjendje të ndikonin në zhvillimin dhe praktikimin e cicërimës.

Kjo, në këmbim e bëri cicërimën të prekshme nga ndikimet që filtrohen nëpër tru, si përjetimi i zogut në ambientin që e rrethon. Rezultati është një cicërimë që është më fleksibël, më kompleks dhe që më shumë mësohet se sa është e lindur.

Kjo analizë "diçka për asgjë" mund të tingëllojë kundër-intuitave, por mënyra e të menduarit e Deaconit merr krahë edhe nga një stimulim kompjuterik i kohëve të fundit i kryer nga Graham Ritchie dhe Simon Kirby në Universitetin e Edinburgut, Mbretëria e Bashkuar. Ata treguan se në një popullsi, në të cilën mbijetesa varej nga agjentë programesh që njihnin këngën e njëri-tjetrit, rezultati ishte këngë të thjeshta e pa variacion. Në një tjetër model që synonte të riprodhonte atë që ndodh me kafshët e zbutura, eksperimentuesit liruan disi përzgjedhjen duke lejuar agjentë që të zgjidhnin në mënyrë rastësore partnerin pavarësisht nga cicërima. Si rezultat, agjentët zhvilluan cicërima më komplekse e me variacion, të cilat me kalimin e brezave sollën risi dhe ndryshime.

"Një prej gjërave interesante të përzgjedhjes së zbutur ndaj të cilës njerëzit nuk kushtojnë vëmendje është se është vërtetë e lehtë të akumulosh zhurmë që i thyen gjërat", thotë Deacon. "Përzgjedhja e lirshme mund të prodhojë ndryshim të shpejtë. Nga ana tjetër, është vërtetë e vështirë të akumulosh një ndryshim të caktuar përmes përzgjedhjes natyrore që prodhon një funksion specifik më të mirë". Zbutja e kafshëve nuk është rruga e vetme drejt përzgjedhjes së butë. Ajo mund të ndodhë gjithashtu për arsye të ndryshimeve të klimës, ndryshimeve në dietën e kafshëve dhe ndryshimeve në predatorët konkurrues. Më pas, të gjithë individët mund të riprodhohen dhe lëvizja gjenetike luan një rol shumë më të madh në formësimin e pishinës së gjeneve për speciet.

"Një prej shembujve më të spikatur të këtij fenomeni", thotë Deacon, "është përhapja e shpejtë e hominidëve në Botën e Vjetër, fillimisht me Homo Erectus në 1.7 milionë vite dhe më pas me Homo Sapiens midis 80 000 dhe 60 000 vjet më parë". Në terma të evolucionit njerëzor, kjo mund të ketë qenë një fazë shumë e rëndësishme në një proces dediferencimi që nisi gjenomin tonë dhe lejoi kompleksitetin tonë mbresëlënës në sjellje. Forma më intriguese e përzgjedhjes së butë, ndodh kur një kafshë krijon në mënyrë aktive një mburojë kundër përzgjedhjes natyrore. Ky evolucion i ashtuquajtur Baldwinian ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në evolucionin e specieve tona. Për shembull, risitë teknologjike të prodhimit të veglave të gurit dhe gatimi nënkuptonin që paraardhësve tanë nuk u duhej më të përtypnin ushqim të fortë dhe mish të gjallë. Kjo gjë riformësoi mënyrën si ne dukemi.

"Pati një reduktim radikal të dhëmballëve të mëdha, smaltit të trashë, fytyrës së rrumbullakosur dhe strukturës së nofullës si dhe muskujve të fuqishëm të nofullës", thotë Deacon. Më pas erdhi bujqësia, që i bëri ushqimet më të pëlqyeshëm, duke lehtësuar disi trysnitë e përzgjedhjes në sistemin tonë të tretjes. Dhe teksa tretja u bë më e lehtë, kishte më shumë energji në dispozicion për qëllime të tjerë, sidomos për zhvillimin e një truri më të madh.

Paraardhësit tanë do të kishin përdorur këtë kapacitet konjitiv të rritur për të projektuar risi teknologjike dhe kulturore për t'i mbrojtur edhe më tej nga trysnitë e përzgjedhjes natyrore. Sipas kësaj mënyre të menduari, përzgjedhja e butë është pjesë e një dinamike më të madhe evolucionare që përfshin gjithashtu efektet e përzgjedhjes natyrore.

Përzgjedhja e butë lejon një specie të gjenerojë tipare të ndryshëm dhe përzgjedhja natyrore mund të jetë më vonë instrumentale në formësimin e mëtejshëm të atyre tipareve apo të tjerë që bëhen të rëndësishëm në qoshen e re evolucionare.

Deacon beson se çdo risi në teknologjinë e veglave, për shembull, do të kish sjellë një lehtësim më të madh të trysnisë tek disa tipare bashkë me përzgjedhje të paprecedentë tek të tjerë.

Sipas Deacon, gjuha e njeriut është produkti më kompleks i kësaj dinamike evolucionare. Ashtu si kënga e trishtilit bengalez, gjuha është komplekse, ajo mësohet, ka shumëllojshmëri në përdorimin e saj mes individëve dhe kulturave dhe ajo ka gjithashtu një shpërndarje masive nëpër trurin e njeriut: shumë komponentë nervorë duhet të punojnë së bashku kur ne flasim.

Deacon beson se gjuha ishte në gjendje të shfaqej për arsye se risitë kulturore dhe teknologjike liruan disi trysnitë e përzgjedhjes që kishin paraardhësit tanë, në po atë mënyrë që zbutja lehtësoi përzgjedhjen tek trishtili. Deacon thotë se ashtu si kënga e trishtilit, thirrjet e të lashtëve u shkëputën nga kontrolli i fortë gjenetik, duke i hapur kështu rrugë influencave të shtresëzuara nga sisteme të tjerë nervorë.

Belbëzimi tek fëmijët tek njeriu është një shembull i kësaj. Bebet që belbëzojnë prodhojnë tinguj që shtrihen nëpër tingujt e të gjithë gjuhëve, pavarësisht nga gjuha që flasin prindërit. Ndryshe nga kafshët e tjera që zakonisht thërrasin kur nxiten emocionalisht, bebet belbëzojnë kur janë të relaksuar.

Vokalizimi i pafrenuar, thotë Deacon, është pjesë e një historie më të madhe në të gjithë kompleksitetin e vet që dalin për shkak se gjenet humbasin funksionet specifikë si rezultat i përzgjedhjes së butë.

Të tjerë nuk janë aq të prirur të largojnë vëmendjen nga përzgjedhja natyrore. "Deacon mund të ketë të drejtë që përzgjedhja e butë luante një rol të rëndësishëm në evolucionin njerëzor, por është e vështirë të imagjinojmë se çfarë provash mund të sjellim ne për këtë", thotë antropologu Richard Klein nga Universiteti i Stanfordit. "Unë mendoj se përzgjedhja pozitive për disa aspekte të komunikimit qëndron si arsye për ekspansionin jashtë Afrikës", shton ai.

Eksperti i gjuhëve Philip Lieberman nga Brown University në Providence, Rhode Island mendon se nuk ka fare nevojë për një shpjegim të përzgjedhjes së butë. "Faktorët që përmend Deacon që strukturojnë inteligjencën njerëzore mund të përzgjidhen të gjitha përmes përzgjedhjes normale natyrore të Darwinit", thotë ai.

Duke parë këndvështrimin radikal të Deacon kundrejt evolucionit në veçanti, nuk është habi që idetë e tij po shkaktojnë një furtunë. Ai jo vetëm që përmbys kuptimin që ne kemi për kompleksitetin, por ai ngre në këmbë disa prej pohimeve më themelorë që ne kemi për vetveten.

Në vend që të jemi "majmunë të rritur gjenetikisht", ai propozon që ne duhet të mendojmë për vetveten si specie të degjeneruara; në vend që të jemi formësuar në betejën për të mbijetuar, shumë prej atributeve tanë më krenarë janë shfaqur ndërkohë që ne rrinim si përtacë në një cul-de-sac evolucionar.

Google+ Followers