Dita e fundit e komunizmit

Intervistë me Lech Walesa. "Komunizmi nuk ra në vitin 1989 në Berlin, por në vitin 1980 në Gdansk, kur për herë të parë mosmiratimi përmbyti sheshet e regjimit"



Në gushtin e vitit 1980 bënë xhiron e botës pamjet e Lech Walesa i cili, me një stemë të Maries së Czestochowa-s të ngjitur në gjoks, ngrihej në krahë nga punëtorët e kantiereve detare të Gdanskut pas nënshkrimit të marrëveshjeve me qeverinë polake, marrëveshje që i jepnin fund grevës së zgjatur pothuajse një muaj, e para në një vend të bllokut komunist. Me qindra gazetarëve të ardhur nga e gjithë bota për të asistuar në ngjarjen historike u lodhën që t'i kuptonin punëtorët e gjunjëzuar për t'u lutur dhe pamjet e Maries dhe të Papës polak të varura në muret e fabrikave. Në Perëndim kjo ishte një botë gjysmë e panjohur, që deri më atëhere kish qenë e fshehur nga një perde prej hekuri dhe prej propagande. I panjohur ishte akoma Walesa, i cili në kantieret detare të Gdanskut kish punuar dhe në vitin 1970 kish drejtuar grevat e mbytura në gjak nga regjimi komunist. Ishte pushuar nga puna pse kish kritikuar sindikatat zyrtare dhe drejtuesit, por kur më 14 gusht të vitit 1980 punëtorët kishin shpallur grevën e re, ishte vënë menjëherë në krye të tyre dhe, kur në fund të muajit, qeveria i pranoi 21 kërkesat e punëtorëve, Walesa u zgjodh President i sindikatës së lirë autonome Solidarnosc. U bë armiku, por edhe bashkëbiseduesi numër një i një regjimi që po fillonte ta humbiste përfundimisht kontrollin e situatës. Në dhjetor të vitit 1981, me hyrjen në fuqi të ligjit të gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e Gjeneralit Jaruzelski, Walesa u arrestua. Por procesi tashmë ishte bërë i pakthyeshëm, derikur, në vitin 1989, rëndimi i mëtejshëm i tensioneve sociale e detyroi qeverinë që të kërkonte ndërhyrjen e tij. U çelën punimet e Tryezës së Rrumbullakët, që do të çojnë në ligjërimin e Solidarnosc dhe, në muajin qershor, në zgjedhjet e para gjysmë të lira të pandodhura ndonjëherë në një vend komunist, që në fakt sanksionuan fundin e regjimit polak. Nga viti 1990 deri më 1995, Walesa ka qenë President i Republikës së Polonisë. Me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, ja rrëfimi i njeriut që, me dhe kundër Jaruzelski, i hapi dritën jeshile fundit të komunizmit në Europë.

- Presidenti Walesa, në Poloni binjakët Kaczynski kanë iniciuar një furi drejtësie që iu ka përfshirë edhe ju, i akuzuar se keni qenë në borderotë e shërbimit të sigurimit si "agjenti Bolek", pavarësisht se Gjykata Speciale e Verifikimit ka sqaruar faktin e mosqenies tuaj të përfshirë në asnjë provë kolaboracionizmi. Duket se ka një tërbim të veçantë kundër Gjeneralit Jaruzelski, që aktualisht u nënshtrohet dy proceseve. Ju keni ndërhyrë në gjykatës si dëshmitar për mbrojtjen. Pse?

Sot në shoqërinë polake ka shumë pakënaqësi, sidomos prej efekteve të krizës, dhe binjakët Kaczynski, duke e hedhur baltën mbi të tjerët, kërkojnë të mbledhin çdo lloj pakënaqësie për të mbijetuar. Uroj që të vijë dita në të cilën edhe të duhet të përballen me gjithë këtë baltë, pasi e vërteta me siguri do të fitojë. Dhe atëhere nuk do të doja të isha në vendin e tyre, pasi gjykimin mbi atë që kanë bërë dhe mbi njerëzit e tyre do të jetë i tmerrshëm. Për sa i përket Gjeneralit Jaruzelski, e kam thënë gjithmonë se i përket brezit të "kohërave tragjike", siç i quaj unë. Një brez i trishtuar dhe tragjik njerëzish të rritur në kohëra dramatike, njerëz që kanë tradhtuar, por që sidomos janë tradhtuar. Nuk e dimë sesi do të kishin qenë sikur të kishin jetuar në kushte të ndryshme. Nga ky këndvështrim, provoj deri simpati, dhembshuri për të. Për këtë arsye kam pranuar që të shkoj në gjykatë.

- Këtë vit është edhe përvjetori i 20-të i rënies së komunizmit.

Jo, nuk jam dakord. Komunizmi ka rënë në vitin 1980, kur për herë të parë i kemi marrë propagandën nga dora regjimit. Deri në atë moment të gjitha herët që popujt kanë kërkuar të çlirohen (le të kujtojmë revolucionin hungarez të vitit 1956, Pranverën e Pragës të vitit 1968, revoltat në Poloni të vitit 1956, të vitit 1968, të vitit 1970 dhe të vitit 1976), pushteti, pasi është përgjigjur më të shumtën e herëve me dhunë, ka kërkuar gjithmonë të na shkatërrojë, shpesh me sukses, duke përdorur propagandën: duke organizuar antimanifestime të orkestruara nga lart në mënyrë që ta quante opozitën një minorancë të papërfillshme. Arrinin gjithmonë të na gjunjëzonin. Në vitin 1980, për herë të parë, i kemi demonstruar kombit dhe botës se qemë më të shumtë në numër se ta, se ata nuk na kishin përfaqësuar kurrë dhe kurrë nuk do të na përfaqësonin. Regjimi nuk qe në gjendje të organizonte asnjë kundërmanifestim apo kundërinformim. Kjo ka qenë humbja e parë e komunizmit. Pastaj ka qenë e dyta: për herë të parë në një vend komunist kish lindur një organizatë e ligjshme e pavarur nga partia. Më pas vendet e tjera na kanë ndjekur dhe e kanë hedhur poshtë Murin, por vetëm pasi polakët kanë shtrënguar dhëmbët, qoftë edhe në momentet më të vështira, dhe nuk kanë ceduar në këto dy pika.

- Më pas, më 13 dhjetor të vitit 1981, u vendos gjendja e jashtëzakonshme. Jaruzelski e justifikon këtë vendim me rrezikun e afërt të një ndërhyrjeje të armatosur nga ana e sovjetikëve.

Gjenerali nuk ka shpjegim tjetër, nuk mund të thotë asgjë tjetër. Unë mund të them se në atë situatë gjithçka ishte e mundur. Sovjetikët as nuk kishin bile nevojë që të kalonin kufijtë: ndodheshin tashmë në Poloni. Kishin në duart e tyre qytete të tëra, në vend ndodheshin më shumë se 200 mijë ushtarakë sovjetikë. Unë, në vend të Gjeneralit, ka mundësi, do të kisha ndjekur një rrugë tjetër: do të isha vënë përkrah kombit dhe do të kisha kërkuar kështu t'i bëja unë presion Moskës.

- Pse i famshmi Takim i Treshes i nëntorit 1981 midis jush, Jaruzelski dhe Kardinalit Glemp dështoi? Pse nuk u gjet një rrugëdalje nga kriza në të cilën dergjej vendi?

Në parti kishte njerëz që nuk donin të arrihej një marrëveshje, kështu që u vendosën kushte të papranueshme. Solidarnosc ishte një forcë e madhe, nuk mund të pranonte diktate.

- Sipas jush, për këtë dështim janë përgjegjës edhe njerëz të Solidarnosc?

Sigurisht. Për të dyja palët bëhej fjalë për një provë force. Ata kërkonin të demonstronin se nuk qemë të gatshëm për një ndarje të përbashkët të pushtetit, disa prej nesh kërkonin të demonstronin se ata nuk kishin pasur synim që ta cedonin pushtetin. Unë kisha një propozim zgjidhjeje: doja që të ishte ngritur një grup pune i përzier me kompetencat dhe delegimet për të përballuar të gjitha problemet që paraqiteshin dora dorës, por nuk e pranuan dhe nga ana e Solidarnosc u radikalizuan grupet që nuk donin të shikonin asnjë mundësi kompromisi.

- Atë 13 dhjetor të vitit 1981 qeshë në Poloni…

… dhe nuk iu futën brenda?

- Jo, u largova me shpejtësi. Ama qe një goditje e tmerrshme. Ju nuk menduat asnjëherë se ishte fundi?

Në momentin në të cilin kanë ardhur të më marrin dhe të më çonin në kampin e internimit kam menduar: "Jam unë ai që kam fituar. I ke vënë vërtet gozhdën e fundit kapakut të arkivolit të komunizmit". Shtova në zemrën time: "Një ditë do të bini në gjunjë për të më kërkuar që t'ju nxjerr jashtë këtij arkivoli". Kështu ka ndodhur. Nuk kam pasur kurrë, absolutisht kurrë, dyshime.

- Si u arrit në vitin 1989, në Tryezën e Rrumbullakët?

Shumë përfaqësues të qeverisë donin që të na merrnin gjithçka dhe e përgatitën fitoren në mënyrë dinake: organizuan një tryezë në të cilën ulën edhe anëtarët më intransigjentë të sindikatës për të vepruar në mënyrë që t'i përzinim ne. Donin që ta bënim ne punën e pisët, për të vepruar në mënyrë të tillë që shoqëria të na refuzonte, që të na konsideronte tradhtarë. Nuk kishte dialog. Pastaj gjërat kanë ndryshuar, Tryeza e Rrumbullakët ka marrë një drejtim tjetër, sidomos prej ndjenjës së përgjegjësisë të shumë prej nesh dhe prej rolit si garant të Kishës.

- Si e gjykoni punën e Gorbaçiov?

Gorbaçiov e kuptoi se perandoria po shkërmoqej. Kishte pasur manifestime në Lituani dhe në Letoni, që kishte kërkuat t'i mbyste me forcë, duke siguruar efektin e kundërt. Atëhere kërkoi që të ribëjë trukun e komunizmit me perestrojkën dhe me gllaznostin, por edhe këtu dështoi. Nuk i mbetej gjë tjetër vetëm se kërkonte të shpëtonte jo komunizmin, por Rusinë, të sakrifikojë komunizmin për të shpëtuar Rusinë. Nëqoftëse do të kish vazhduar me dhunën, do të rrezikonte që ta bënte të shpërthente. Rusia është e përbërë nga rreth 80 grupe kombëtare të ndryshme: nëqoftëse gjërat do të kishin ecur ndryshe, ka mundësi që sot do të ishte një shtetuc me 20 milionë banorë, ndoshta edhe më pak. Me "shkëputjen përpara" të tij, Gorbaçiov shpëtoi Rusinë e Madhe. Në thelb, na ka tërhequr të gjithëve prej hunde.

- Si e gjykoni Rusinë sot?

Është sikur të jenë dy Rusi. Është Rusia numër një, ajo e tregut, e kapitalistëve, e kantiereve të mëdha. Pastaj është Rusia numër dy, ajo që i mban frerët e tërhequra për të shmangur që ato 80 kombësi të shpërthejnë, duke thënë mes vetes: "Ne do të ringrihemi, do ta rindërtojmë Bashkimin Sovjetik, do ta rimarrim perandorinë". Ajo që i ka ndodhur Anna Politkovskaja dhe gazetarëve të tjerë të vrarë është pjesë e kësaj Rusie numër dy. Ne duhet të mbështesim Rusinë numër një dhe të mos i lejojmë numrit dy që të rindërtohet.

- Si e keni jetuar 9 nëntorin 1989, rënien e Murit?

Nuk ka qenë aspak një moment i bukur. Për ne ka qenë momenti me rrezikun më të madh. Gjermanët e Lindjes, duke parë se Polonia vazhdonte në rrugën e saj, filluan që të largohen në Perëndim nëpërmjet Hungarisë, duke e lënë Gjermaninë Lindore pre të Bashkimit Sovjetik. Qe një dezertim masiv dhe një rrezik i jashtëzakonshëm për procesin tonë të rinovimit. Gjermanët kanë pasur fat që nuk isha unë në vendin e Gorbaçiov. Unë do t'u kisha thënë: "Po deshët largohuni të gjithë, por më parë më nënshkruani një deklaratë në të cilën betoheni se nuk do të ktheheshit më prapa dhe më thoni nëse doni në shtëpinë tuaj, në shtretërit tuaj ukrainas apo aziatikë. Unë nuk do t'ju lejoj ta destabilizoni Traktatin e Varshavës. Largohuni të gjithë dhe unë do t'i kërkoj Bashkimit Europian që të mund të mbajë një referendum dhe të mos ktheheni më kurrë prapa". Për fat, Gorbaçiov nuk e ka kuptuar … Rënia e Murit është një pamje e bukur, një skenë mbresëlënëse, por nuk është një moment lavdie kombëtare gjermane, pasi ka vënë në rrezik fitoren e të gjithëve.

- Raporti me Gjon Palin II ka qenë themelor në jetën tuaj. Si e kujtoni këtë miqësi?

Jemi rritur duke ngrënë të njëjtën bukë. Shpesh as nuk duhej të flisnim për t'u kuptuar. Nga pikëpamja politike, të gjitha takimet me të kanë qenë shumë të rëndësishëm, shpesh i kanë treguar të gjithë botës se Lech Walesa ishte akoma gjallë. Nga pikëpamja personale, çdo takim ka qenë i një lumturie të pamat, edhe pse nganjëherë ndërgjegjja më ngacmonte: e dija se kishte njerëz të tjerë shumë më të rëndësishëm se unë që kishin nevojë për të dhe prisnin. Më dukej se i harxhoja kohë të çmuar. Bisedat tona nuk kanë qenë kurrë të tipit strategjiko - politik, nuk kemi bërë asnjëherë programe lidhur me atë që donim të arrinim. Zakonisht, pas një përshëndetjeje shumë të përzemërt, i thoja gjërat që kisha për zemër dhe që mendoja se ai do të donte t'i dinte dhe, kur e shikoja që të lëvizte në karrige, e kuptoja se ishte ngopur me to. Edhe ai bënte të njëjtën gjë me mua. Qenë të çuditshme ato biseda. Ama, kanë qenë gjithmonë dialogu i një biri me babain. Qenë takime mes dy njerëzish që kishin besim total tek njëri tjetri dhe sidomos ndanin të njëjtën fe. Nuk ka pasur asnjëherë udhëzime, direktiva. Ati i Shenjtë e dinte mirë atë që duhej të bënte dhe mua më linte përgjegjësinë totale të detyrës time.

- Sot shumë të rinj nuk dinë asgjë për evenimentet e viteve '80. Çfarë do do t'u thonit atyre?

Ne jemi brezi i fundit i epokës së vjetër dhe shumë prej nesh qëndrojnë të mbyllur në epokën e vjetër. Të rinjtë nuk na kuptojnë, nuk kuptojnë pse vazhdojmë të ndërtojmë monumente, sidomos nuk kuptojnë pse ne kemi shpenzuar të paktën 50 përqind të energjive tona për të bërë luftëra, për t'u shkatërruar. Është e rëndësishme që t'u edukojmë të rinjve një mentalitet të vërtetë antitotalitar. Besoj që ky Solidarnosc, solidariteti, të jetë edhe në epokën e globalizimit një mënyrë për të ndërtuar një jetë të lumtur. Kemi të bëjmë me dy imazhe të botës: njëri, të cilin e quaj të majtë, na thotë se duhet të nxjerrim gjithçka nga liria, se nuk duhet të ekzistojnë kufizime. Kohët e fundit, në mentalitetin evropian, është ka imazhi që ka qenë dominues, por jo gjithmonë është i përshtatshëm, boll të shikosh nga kërcënimet ndaj qytetërimit tonë, të shikosh terrorizmin. Imazhi tjetër, të cilin për komoditet e quaj të djathtë, na thotë se duhet ta mbështesim qytetërimin mbi vlerat dhe mbi traditën. Këtë të dytin e kam më të afërt. Të gjitha minorancat, përfshi minorancat seksuale, kanë të drejtat e tyre: ka të drejtën e pensionit, të drejtën që të kenë organizatat e tyre. Ama nuk kanë të drejtën që të shkatërrojnë të drejtat tona, si e drejta e familjes. Shekulli XX është shekulli i një turpi të madh për njerëzimin: luftëra, përleshje, diskriminime dhe masakra. Tani ka nevojë parasëgjithash që secili të ndjehet i nevojshëm. Për shekullin XXI është e nevojshme një filozofi e re, që të mos harrojë mushkërinë shpirtërore të Europës tonë.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers