Tjetërsimi i historisë mbi dëmet e luftës në Shqipëri (1939-1945)


Nga Dr. Teodor Kareco

Lihen jashtë vëmendjes dëmet e Luftës nga Lufta Civile


Një propagandë marramendëse bëhet në ditët e sotme nga ata që ende nuk janë shkëputur nga mendësitë komuniste të trajtimit të historisë. Shumë herë në mënyrë të hapur, herë të tjera në mënyrë të kamufluar, madje të veshur edhe me petkun “shkencor”, përpiqen të argumentojnë “drejtësinë” e të “pagabueshmëve” komunistë, përpiqen të mbulojnë “diellin me shoshë” për krimet monstruoze të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke na dhënë vetëm anën e “lavdishme” të saj, gjë e pamohueshme, atë çlirimtare, dhe duke anashkaluar luftën civile, vëllavrasjen, gjakderdhjen.

Jam i një mendimi me Profesor Doktor Muharrem Dezhgiun, kur thotë se, në grupin e atyre që shtrembërojnë historinë, “bëjnë pjesë për fat të keq edhe historianë, të cilët përpiqen të monopolizojnë dhe ta glorifikojnë rezistencën antifashiste të shqiptarëve, duke ia atribuuar vetëm një force politike shqiptare. Qëllimi është i qartë: duke e konsideruar si të vetmin aset dhe trashëgimi të tyre, kërkojnë t’i japin legjitimitet pushtetit politik në të kaluarën, në të sotmen dhe në të ardhmen. Nisur nga ky qëllim grupe sociale e politike në Shqipëri, të mbështetur nga historiografia komuniste, u përpoqën të legjitimojnë pushtetin e tyre për më shumë se 50 vjet, duke mohuar faktin historik se pushtetin e tyre e vendosën me dhunë e gjak, nëpërmjet zhvillimit të luftës civile, kundër të gjithë kundërshtarëve politikë, të cilëve u atribuon tradhtinë e bashkëpunimin me okupatorin. Ky është një shtrembërim i historisë.”1

Këtë shtrembërim të hapur të historisë të “veshur” me teza të quajtura “shkencore”, me aparatin dokumentar e arkivor, me një gjuhë të lavdërueshme, na e sjell në një botim “limonadë” Prof. Dr. Ksenofon Krisafi me titull “Diplomaci paslufte. Negociatat me Italinë dhe Gjermaninë për dëmet e luftës në Shqipëri”2. Natyrisht, për kohën kur u shkrua, për qëllimin që shërbeu për të marrë gradën shkencore “Doktor i Shkencave” në shoqërinë komuniste, është plotësisht i justifikueshëm. Ndryshe vështirë se bëhej. Madje edhe sot, nëse e ka parë të arsyeshme që të merrte “viston” nga ajo që në popullin shqiptar quhet “Zonja e Zezë”, e veja e diktatorit Hoxha, gjen “justifikim”. Por, të dalësh si një historian i pavarur i shoqërisë postkomuniste, në mbrojtje të hapur të krimeve të komunizmit, kjo mendoj se nuk lejohet. Sado i inkriminuar të jetë njeriu, përsëri në ditët e sotme do të duhet të ruhet objektiviteti shkencor, e vërteta.

E vërteta në ditët e sotme është se Dëmet e Luftës së Dytë Botërore janë shkaktuar nga:

Fashistët italianë, për periudhën prill 1939 deri në shtator 1943;

Nazistët gjermanë, për periudhën shtator 1943 deri në nëntor 1944;

Lufta civile e ideuar dhe drejtuar nga komunistët, gusht 1943 deri në fund të vitit 1945.

Historiografia komuniste dhe ndjekësit e saj në shoqërinë postkomuniste, “pranojnë” si dëme lufte vetëm ato që erdhën nga okupatorët italianë dhe gjermanë. Ata bëjnë përpjekje të stërmundimshme të “injorojnë” dëmet e shkaktuara nga lufta vëllavrasëse civile që u vërtetua në Shqipëri. Madje, si falsifikatorë të historisë, duke përdorur instrumente të sofistikuara “shkencore”, përpiqen me gjithë arsenalin e tyre të “argumentojnë” se edhe dëmet nga lufta civile i kanë bërë okupatorët gjermanë. Ata gjithë dëmet e asaj periudhe ua “faturojnë” nazistëve gjermanë. Ata nuk mjaftohen me fryrjen e pajustifikuar të dëmeve të okupatorëve gjermanë, por, njëherësh përpiqen të mbulojnë ato që i shkaktuan vetë, si të paqena. Detyra e historiografisë së sotme është evidentimi dhe bërja e njohur e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës civile. Në Arkivin Qendror Shtetëror, në dosjet e Komisionit të Planit të Shtetit, ende ruhet një material shumë i pasur që do të lejojë studiuesit të paraqesin me vërtetësi dëmet njerëzore e materiale të luftës monstruoze e të paprecedent që bënë komunistët shqiptarë ndaj kundërshtareve politikë nacionalistë e demokratë për të marrë pushtetin dhe vendosur diktaturën e proletariatit.

Këtë e bën, jo vetëm fondamentalisti komunist Krisafi, por edhe një ndër drejtuesit e një sektori të rëndësishëm në Institutin e Historisë, zoti Hamit Kaba. Unë e kuptoj diversitetin e mendimit, por një institucion prestigjioz si Instituti i Historisë, ka për detyrë që disa probleme madhore të trajtimit të historisë t’i unifikojë në përputhje me objektivitetin e ngjarjeve, të paktën kur për to shkruajnë kuadro e profesorë të inkuadruar në atë institut.

Dëmet nga Lufta Civile në Shqipëri zënë një “kapitull” më vete në kuadrin e gjithë dëmeve të luftës, si dhe në historinë e Shqipërisë. Ato duhen pasqyruar me vërtetësi, pavarësisht shkallës së egërsisë që përdorën komunistët për të marrë pushtetin. Këtu nuk pranohen ndarjet aritmetike, sikundër veprohet rëndom nga historiografia komuniste. Dokumentet ekzistojnë. Përpjesëtimet janë të tilla që pjesa më e madhe e dëmeve të luftës për vetë jetëgjatësinë e pushtuesit është bërë nga fashistët italianë.

Vetë zoti Krisafi e ndjen pozitën në të cilën ndodhet, kur thotë se është “i vetëdijshëm se nuk ka qenë e lehtë për t’iu shpëtuar ndikimeve të rrënjosura prej dekadash, gjithsesi ka tentuar.”3 Pra, pranon vetë me ndërgjegje, se nuk i ka “shpëtuar ndikimeve të rrënjosura prej dekadash”, çka do të thotë ndjekjes së rrugës së historiografisë komuniste në trajtimin e çështjeve kaq delikate si marrëdhëniet e forcave të kundërta në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, dëmet që rrodhën nga kjo luftë, përmasat e tyre, shkaktarët, glorifikimin e një pale e të tjera të kësaj natyre.

Por në ditët e sotme janë të paktë ata shqiptarë që të pranojnë konkluzione të tilla për një libër të indoktrinuar me pikëpamje të kthjellëta komuniste, kur thotë se “autori është përpjekur të trajtojë dhe të pasqyrojë me sa më shumë objektivitet disa prej të vërtetave të munguara apo të pa treguara.”4 Të “vërtetat e munguara apo të pa treguara” janë ato që sot rëndom në mediet e ideologjizuara të majta, të mbarsura me nostalgjinë komuniste, i sheh për jetën e diktatorit Hoxha, për korrespondencën me mbesën, për gjendjen shëndetësore të tij, kuriozitete për mbledhjet e ish-Byrosë Politike e të tjera të kësaj natyre, pa u ndalur në shkrimet e paprecedent e që nuk duhen lejuar të Zonjës së Zezë. Pra, edhe ato të zotit Krisafi nuk kanë ndonjë vlerë tjetër, qoftë të nxjerra nga arkivat, veç shuarjen e kuriozitetit të kureshtarëve të shumtë.


“Diplomacia pas lufte” - mashtrim i historiografisë komuniste


Problemi i parë që bie në sy në këtë libër është qëndrimi i hapur dhe i njëanshëm me këndvështrimin e historiografisë komuniste të zhvillimeve në teatrin e Luftës së Dytë Botërore të zhvilluar në Shqipëri. Pa asnjë mëdyshje, me mënyrën e trajtuar, autori, Prof. Krisafi, është konsekuent në gjithë librin se, luftën për çlirim kundër okupatorëve fashistë italianë dhe nazistë gjermanë e kryen vetëm forcat nën drejtimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, të grupuara në të quajturën Lëvizje Nacionalçlirimtare. Ato forca bënë sakrifica, treguan lavdinë, heroizmin. Asnjë fjalë për forcat e tjera nacionaliste që e nisën luftën çlirimtare dhe aq më tepër asnjë fjalë për luftën civile të organizuar e drejtuar nga komunistët, asgjë për ato vrasje e masakra që u bënë, jo vetëm nga hordhitë gjermane, por edhe ato komuniste, që e quanin veten shqiptarë, kundër vëllezërve të tyre.

Mbarë bota e civilizuar, organizmat ndërkombëtare, i kanë dënuar dhe vazhdojnë t’i dënojnë krimet e komunizmit. Madje është shfaqur bindja se krimet e komunizmit janë për nga egërsia të njëjta me krimet e fashizmit e të nazizmit. Në këto rrethana, a është e drejtë që në një punim që konsiderohet “shkencor” të trajtohen problemet e luftës që bënë komunistët vetëm e thjesht si “heroike”, duke lënë mënjanë anën kriminale? Natyrisht që jo. Padrejtësia thellohet veçanërisht kur gjithë ngjarjet e afro pesë dekadave të regjimit komunist dhe të asaj që u quajt me cinizëm diktatura e proletariatit, trajtohen si në “vaj”, krejt “normale”. Në gjithë librin, me ndonjë përjashtim, dhe këtë për interesa më shumë vetjake, jepen “sukseset” e diplomacisë komuniste dhe të shtetit që ajo përfaqësonte për reparacionet, veçanërisht të atyre me Italinë.

Të quash suksese qëndrimet monstruoze të diplomacisë shqiptare dhe të shtetit shqiptar të diktaturës komuniste të proletariatit - nuk mund të jetë veç miopi. Shteti komunist ishte një shtet kriminel, si të tilla për mendimin tim do të duhet të trajtohen edhe veprimet apo mosveprimet e tij. Në krye të diplomacisë shqiptare kanë qenë Hysni Kapo dhe ustai i tij Hoxha, si dhe të tjerë të përmasave e kallëpeve të ndryshme. Ata që në fillim donin që nëpërmjet mashtrimeve, që janë natyrë e dytë e komunistëve, nëpërmjet gënjeshtrave, sajesave të gjenin rrugë e mundësi ekonomiko-financiare për të hedhur bazat e atij rendi që nuk e di përse e quanin “socialist”. Të njëjtën gjë bënë, kur ai rend ishte në “grahmat” e fundit, pas prishjes me shokët e armëve, jugosllavë, sovjetikë dhe kinezë, pas “gllabërimit” të ndihmave që ata dhanë për marksistë-leninistët shqiptarë. Për të gjetur burime financiare e teknike për të zgjatur sadopak regjimin amalgamë në afrimin e momentit të shpërbërjes, shthurjes e të atrofizimit të atij rendi që nuk mund të quhet as mish dhe as peshk u rishfaq edhe një herë, por pa ruajtur asnjë skrupull, qoftë diplomatik, kërkesa për reparacione të stër-stërzmadhuara nga Gjermania. Këtë dukuri, një ndër ish-funksionarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ish-ambasadori dhe zv/ministri, Sokrat Plaka, e emërton “Aventura për t’u zhvatur gjermanëve 4 miliardë dollarë”.5 Ndërsa autori i një libri “shkencor” nuk gjen vend, jo vetëm për demaskim, por as për kritikë.

Më falni. Diku nga fundi bën sikur bën ndonjë kritikë, por me marifet. Ai e quan “shans të humbur” që Gjermanët, veç qëndrimit parimor në përputhje me legjislacionin, nuk i “pranuan” kërkesat e paskrupullta dhe të paprecedent për shumëfishet e dëmeve. Dhe kur është rasti të demaskojë udhëheqjen e lartë komuniste, nisur nga Hoxha e deri tek Alia dhe t’i bëjë përgjegjës të drejtpërdrejtë për qëndrimin ndaj asaj pjese të reparacioneve që ishin të drejta, e hedh fajin në nivele shumë të ulëta. Ai përmend përveç qëndrimeve dogmatike edhe atë të “... injorancës së individëve të ndodhur në poste të rëndësishme”. Që kishte injorantë në hallkat e diplomacisë, është dukuri e njohur. Besimi politik ishte i pari dhe jo profesionalizmi. Por kjo injorancë masive vinte në mënyrë të shkallëzuar nga maja e piramidës Hoxha, në Byronë Politike e më poshtë. Më shumë në këtë “kritikë” ka ndonjë qejfmbetje nga hallkat e së kaluarës në institucionin e diplomacisë ku autori ishte pjesë e atij mishmashi të krijuar dhe pse jo edhe të krimit të kryer.

Problemin e shtroj se si nuk gjendet vendi për një demaskim të hapur e të drejtpërdrejtë të atyre që ishin shkaktarët e vërtetë të asaj gjendjeje. Vetë Asistent Profesori Hamit Kaba, që i bën elozhe këtij libri të inkriminuar në pjesën e “Parathënies”, thotë hapur se vërtet kishin përgjegjësinë e tyre diplomatët e teknicienët, por “përgjegjësitë më të mëdha “për shanset e humbura” i kishin sipas opinionit tim, drejtuesit më të lartë të partisë dhe të shtetit shqiptar, të cilët ideonin proceset dhe kishin kompetencat dhe statusin e duhur për të ndryshuar normat e kalcifikuara dhe për të pranuar disa zgjidhje të ofruara në kohën e negociatave.”6

Është fakt i mirënjohur se rendi që u quajt “socialist”, ishte një rend anormal, amalgamë, pa faktorë, jo vetëm objektivë, por edhe subjektivë për të zgjatur pafundimisht, pale për t’u bërë mbisundues në gjithë botën sikundër pretendohej. Pjesa dërmuese e komunistëve që dora-dorës u shndërruan në bashkëvuajtës, u bënë të ndërgjegjshëm se ajo shoqëri nuk mund të mbahej më me “paterica”, nuk kishte më asnjë burim ekonomik që të çelte sado pak një drite jeshile. Këtu nuk hynte më në punë as dogma enveriste kriminale se “bar do të hamë dhe nuk do të dorëzohemi”. Vetë komunistët, të ndihmuar nga udhëheqja e atrofizuar e tyre, i dhanë dorën e fundit përmbysjes së rendit komunist. Tani nuk e kuptoj se pse kjo përpjekje fanatike për të mbrojtur pa asnjë precedent atë që vetë e përmbysën, atë rend që nuk kishte dhe as nuk ka asnjë justifikim shoqëror, atë rend që mori me mijëra e mijëra jetë, që mbajti të shtypur një popull të tërë për dekada, pas kaq e kaq vuajtjesh që kishte kaluar në shekuj pushtimesh.

Bindjet janë njëra anë e problemit, diversiteti i mendimit gjithashtu. Por ka disa të vërteta, mos themi absolute, por që mund të konsiderohen si të vërteta të pranuara nga shumica e popullit. Përmend këtu luftën civile në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, raportin e forcave në këtë luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë, faktorët që çuan në kapitullimin e Italisë fashiste e të tjera të kësaj natyre. Në këto rrethana, të bësh devijime thelbësore në këto që i quajmë “të vërteta”, do të thotë të bëhesh, sikundër i themi, “më katolik se Papa”, apo në ditët e sotme “më komunist se komunistët”.

Të marrim një moment nga libri. Autori përmend se “pas një lufte të gjatë çetat, batalionet e brigadat partizane, njësitë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, mposhtën ushtrinë italiane, që kishte marrë grushte edhe në frontet e tjera të Luftës së Dytë Botërore dhe e detyruan të kapitullonte”.7 Me gjithë zellin për të glorifikuar luftën e udhëhequr nga komunistët, duhet të jeni jo krejt pa skrupull, ju përmend se jetojmë në një shoqëri demokratike. Sa e njoh unë problemin nuk është thënë se lufta çlirimtare e shqiptarëve çoi në kapitullimin e Italisë fashiste.

Në librin “Historia e Popullit Shqiptar”, vëllimi i katërt, botim i vitit 2008, një ndër historianët e mirënjohur të periudhës, Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi, që ende i mbahet me konsekuencë shkrimit të problemeve sipas pikëpamjeve të historiografisë komuniste, e shtron krejt ndryshe problemin. Ai nënvizon se “më 8 shtator u shpall kapitullimi i Italisë fashiste. Kapitullimi i Italisë erdhi si pasojë e disfatave që pësuan armatat gjermane e italiane në frontet kryesore të Luftës së Dytë Botërore dhe e krizës në të cilën ishte zhytur Italia, për shkak të angazhimit në një luftë të padrejtë. Pas disfatës që Gjermania hitleriane dhe aleatët e saj pësuan në Stalingrad, Italia humbi çdo shpresë për të fituar luftën. Në korrik forcat anglo-amerikane zbarkuan në Sicili dhe në gusht në Gadishullin e Apenineve duke e rënduar më tej pozitën e Boshtit Fashist. Në rrethana të tilla, qeveria e Badolios, e cila kishte ardhur në fuqi pas rënies së Musolinit, u detyrua të shpallë kapitullimin e Italisë dhe të fillonte bisedimet me aleatët për daljen nga lufta.”8

Gabimi i parë shkencor është atributi që i jepet njësive të ushtrisë çlirimtare për kapitullimin e Italisë fashiste, kur ishte fakt i njohur botërisht se ushtria u krijua më 10 korrik 1943. Çdo mbivlerësim ka një kufi. Kjo të kujton filmat e parë të kinematografisë shqiptare komuniste që fashistët italianë vriteshin nga fëmijët me gurë duke përdorur “llastiqet e zogjve”. Kështu, në vend që të vlerësohet, zhvlerësohet ajo luftë e lavdishme që është bërë jo thjesht dhe vetëm nga forcat partizane, por edhe nga forcat e tjera nacionaliste të Ballit, Legalitetit e të tjera. Këtu qëndron edhe gabimi i dytë shkencor i librit që diskutojmë. Deri afër kapitullimit të Italisë fashiste, që nënkupton deri në Konferencën e Mukjes, forcat partizane të lëvizjes Nacionalçlirimtare ishin të barabarta me ato të Ballit Kombëtar, me një anim pozitiv në këto të fundit. Si të barabartë në luftë u takuan në këtë konferencë historike që u prish për shkaqe që dihen. Duke qenë të barabartë, kuptohet që ndikimi në shpartallimin e Italisë fashiste është i njëjtë, nuk mund t’iu atribuohet vetëm partizanëve të udhëhequr nga komunistët. Në “Historia e Popullit Shqiptar” me gjithë shtrembërimet që bën Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi nuk mund të mos përmendë se “disa çeta balliste, si në Kolonjë, në Berat, në Vlorë etj., nisën të lëviznin, duke ndërmarrë, madje së bashku edhe me forcat partizane, disa aksione të rëndësishme kundër armikut, si në Gjorm, në Selenicë, në Mallakastër etj.”9

Kjo frymë e trajtimit të librit bën që një vepër me elemente shkencorë në fushën që trajton për reparacionet e luftës, me gjithë shumë pasaktësi e gabime, të jetë tejet i ideologjizuar sipas kërkesave rigoroze, do të thosha fanatike e fondamentaliste, të historiografisë komuniste.




Shënime


1. Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, “Pasqyrimi i luftës civile në librin e z. Uran Butka”. Fjala në pallatin “Labëria” në Vlorë, me rastin e promovimit të librit të studiuesit Uran Butka “Lufta Civile në Shqipëri 1943-1945”

2. Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, “Diplomaci paslufte. Negociatat me Italinë dhe Gjermaninë për dëmet e luftës në Shqipëri”, Tiranë 2009, Shtypur në shtypshkronjën “DITA 2000”.

3. Po aty, faqe 19.

4. Po aty, faqe 19.

5. Sokrat Plaka, Aventura për t’u zhvatur gjermanëve 4 miliardë dollarë, Kujtime ekskluzive të ish-zëvendësministrit të Jashtëm: Bisedimet sekrete për dëmshpërblimet e luftës nga Gjermania. Gazeta “Ballkan”, 31 mars 2005.

6. Prof. As. Dr. Hamit Kaba, Drejtues i Departamentit të Studimeve Bashkëkohore, Instituti i Historisë, Tiranë. Në librin e cituar të K. Krisafit, “Diplomaci pas lufte…”, faqe 12.

7. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 60.

8. Historia e popullit shqiptar, IV, Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj 1939-1990, Botimet “Toena”, Tiranë 2008, faqe 74. (Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi, Kreu II, Pushtimi gjerman (shtator 1943-nëntor 1944).

9. Historia e popullit shqiptar, libër i cituar, faqe 63.


Lajthitje, lapsus apo dezinformim


Jam i një mendimi me Profesor Krisafin, kur shprehet se “janë të papranueshëm, si zmadhimi, ashtu edhe injorimi apo minimizimi i shifrave. Përpjekjet për ndryshime, të motivuara nga konjuktura të caktuara apo të iniciuara nga aktorë interesi, do të bënin të kundërtën. Historia e luftës së popullit shqiptar është më shumë se e lavdishme dhe nuk ka nevojë për kozmetikë”.1 Natyrisht, pajtohem me atë pjesë që nuk duhet të pranojmë shifra joreale për të treguar të vërtetat, luftërat kundër okupatorit, lavdinë. Por, kuptohet, nuk mund të bie dakord me atë që rëndom në libër gjithë “lavdinë”, “sakrificat” ia atribuon forcave të drejtuara nga komunistët jo gjithë aktorëve realë të luftës.

Megjithatë konstatoj se në gjithë argumentet e tij mbështetet në falsifikimin dhe keqinterpretimin e të dhënave për dëmet, me gjithë një lloj hezitimi në dukje. Por ajo që prish gjithë balancën e librit, që shpresoj të jetë lajthitje apo lapsus, është shuma marramendëse, jashtë çdo logjike të kohës që jepet në libër. Kjo është “kozmetikë” jashtë kornizës së logjikës më elementare, “kozmetikë” që nuk është e imagjinueshme apo e pranueshme për një “shkencëtar”. Në libër thuhet se “këto janë në vija të përgjithshme, sipas autoriteteve shqiptare të kohës, dëmet dhe humbjet që rezultojnë nga okupacioni fashist italian. Shuma e tyre është vlerësuar në 36.394.921.626 franga ari shqiptare”.2

Profesor, nuk besoj që të ketë shqiptar që të mohojë “lavdinë” e forcave të udhëhequra nga komunistët kundër pushtuesve fashisë e nazistë, ashtu sikundër nuk mohohen krimet e tyre në luftën civile e më pas. Por të “argumentohet” kjo “lavdi” me shifrat e dëmeve në luftë vetëm nga fashistët italiane (pa përmendur dëmet nga nazistët gjermanë), me shumën prej rreth 36.4 miliardë franga ari apo të kthyera në dollarë amerikanë në 12.13 miliardë dollarë është jashtë çdo ëndërrimi fantastik.

Sqarim për lexuesin. Në Konferencën e Jaltës që i zhvilloi punimet nga data 4 deri më 12 shkurt 1945, qeveria sovjetike, e përkrahur edhe nga ajo amerikane, propozoi një shumë që do kërkohej si reparacione lufte prej 20 miliardë dollarësh, nga të cilat 10 miliardë do t’i kalonin Bashkimit Sovjetik, 8 miliardë dollarë do t’i kalonin SHBA dhe Britanisë së Madhe, ndërsa 2 miliardë për vendet e tjera.3 Këto vetëm për reparacionet nga Gjermania. Nga Italia vetëm Bashkimi Sovjetik, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme, do të merrte 100 milionë dollarë.4 Kjo ndodhte, kur humbjet në Luftën e Dytë Botërore vetëm në BS arrinin në 20-30 milionë njerëz, nga 50 milionë vetë që llogariten të vrarët në këtë luftë në rreth 40 shtete. Me sa duket, Stalini rastësisht do të ketë patur informacion për pretendime të tilla të komunistëve shqiptarë, kur u shpreh në mënyre cinike për një moment se “doni që Shqipëria të ketë të njëjtin status me SHBA? Ç’bëri Shqipëria në këtë luftë për të merituar një vend të tillë”5 Shqipëria, në kushtet që përjetonte, me raportin ekzistues të forcave, pozicionin gjeografik e të tjera të kësaj natyre, po të abstragojmë për një moment nga lufta civile vëllavrasëse, ndaj armikut bëri shumë, pati humbje të konsiderueshme materiale e njerëzore. Por çdo gjë ka një masë. Dhe tejkalimin e kësaj mase e kuptoi në kohë Stalini, njeriu që përgjëroheshin komunistët shqiptarë, ai në emrin e të cilit u bë gjithë ajo luftë e egër klasash për rreth pesë dekada, për të cilën Shqipëria e kuqe u prish me ata që i quajti revizionistë, social-imperialistë hrushovianë, kinezë e të tjera. Pra, sozia e Hoxhës - Stalini - e kuptoi me kohë se “çiraku po e kalonte me shpejtësi ustanë” dhe bënte thirrje për vetëpërmbajtje.

I solla këto shembuj për të treguar se ku vemi. Mund të shtrohet pyetja se kjo shifër e dhënë është lajthitje, lapsus, gabim në shtyp. Edhe unë gjykoj se është ashtu. Në gjithë dokumentacionin arkivor që kam mundur të konsultohem gjatë shumë viteve pune, nuk më ka dalë një shifër e tillë.

Unë kam një shqetësim tjetër, e shkruar shifra në një libër “shkencor”, në ditët e sotme, nga një Profesor e Doktor në shkencë, nga një jurist e diplomat, nga një njeri me pozicione të larta në hierarkinë shtetërore - mbetet si një postulat, një e vërtetë, që merr natyrën e të vërtetave absolute. Kështu dashur padashur falsifikohet historia, glorifikohet lufta që u bë nën drejtimin e komunistëve, megjithëse me shifra të tilla që në opinion të bëjnë qesharak. Mos shkojmë më larg. Sa doli libri, lexoj një artikull të z. Ferdinand Dervishi në gazetën “Panorama” me titull “Reparacionet, dueli i panjohur i shqiptarëve me italianët pas Luftës”, ku, pasi rendit listën e gjatë të dëmeve, thotë se “përfund fletës vunë një vizë ndarëse, shuma e përgjithshme e dëmeve e përllogaritur nga autoritetet shqiptare ndalte në vlerën e 36,4 miliardë frangave të arta shqiptare”6. Deri sot nuk kam parë ndonjë “korrigjim” në shtyp të kësaj shume marramendëse që e turpëron autorin e origjinës.

Nëse shifra është lapsus, autori ishte i obliguar të bënte korrigjimin e menjëhershëm. Madje, për t’i shpëtuar epitetit si “mashtrues i historisë”, duhej të gjurmonte e të gjente të gjitha kopjet e shitura për të bërë ndreqjet përkatëse, madje deri në Shtetet e Bashkuara, ku unë jetoj e punoj. Nuk është thjesht problemi tek unë si person. Unë sa përmend rrezikshmërinë historike të këtyre shifrave, qoftë dhe të gabuara. Në logjikën time, të mbështetur në dokumentacionin arkivor, as që mund të mendohet për ta pranuar e përdorur në shkrime të mëtejshme. Madje unë e quaj të domosdoshme të informoj se edhe shifrat më minimale që janë dhënë nga qeveria komuniste janë të manipuluara dhe të falsifikuara. I ruaj të drejtën vetes që, kur të krijohen mundësitë, të shkruaj një analizë kritike për këtë problem madhor të historiografisë shqiptare.


Shifra të padokumentuara për dëmet e luftës. Manipulime nga literatura komuniste


Paradokset në këtë libër neokomunist dhe me nivel tepër të ulët shkencor për nga thelbi dhe vërtetësia e këtij problemi nuk kanë të mbaruar. Autori pretendon se ka përdorur dokumentacionin autentik arkivor, kur bën krejt të kundërtën, jep dokumentacion mashtrues për të dalë te qëllimi. Për problemet themelore që përbëjnë thelbin e çështjes së dëmeve të luftës e respektivisht reparacioneve që kërkohen nga ish-pushtuesit italiano-gjermanë, jo vetëm nuk bën kërkim, nuk përdor dokumentet përkatëse të kohës, por me sofizma, manipulime, përdor herë njërin autor, qoftë krye-komunistin Hoxha, herë autor tjetër. Kujton se duke vënë ndonjë rresht, se nuk pretendon vërtetësinë e tyre, të lërë një tymnajë dhe një informacion fals për brezat që vijnë për çështjen që analizojmë.

Të shqyrtojmë pretendimet e autorit dhe me sa mundemi t’i hedhim poshtë si një ndër mashtrimet më monstruoze që i bëhet historisë së popullit shqiptar, me vepra të tilla të “sheqerosura” me terminologji e aparat “shkencor”. Autori nënvizon në libër se “hartimi i pjesës për dëmet dhe humbjet e shkaktuara në Shqipëri nga okupatorët nazifashistë italo-gjermanë, shifrat e të cilave janë vënë hera-herës në dyshim, është bërë përmbledhtas duke u mbështetur në dokumentacionin dhe në materialet informative e përshkruese të prodhuara prej organeve kompetente shqiptare, që ishin ngarkuar me evidentimin dhe përllogaritjen e tyre. Autori nuk pretendon vërtetësinë e tyre, të cilën e ka konsideruar jashtë objektit të këtij libri. Ai është kufizuar vetëm në përmbledhjen, redaktimin dhe paraqitjen skematike të shifrave dhe të përshkrimeve, sipas dokumenteve, që disponohen në arkivat zyrtare shqiptare.”7

Këtu kemi të bëjmë me disa të pavërteta. Këto qëndrojnë edhe për një studiues tjetër që është marrë me dëmet e luftës së pushtuesve italianë e gjermanë, duke shkruar dy artikuj që pretendojnë të jenë shkencorë në revistën “Studime Historike”. Është fjala për Asistent Profesor, Doktorin Hamit Kaba. Të dy mashtrojnë me shifrat, qoftë edhe duke cituar sipas dëshirës - i fryjnë ato.

Së pari, në gjithë librin voluminoz prej 362 faqesh8 të mbushur me detaje pa interes, si dhe në dy artikujt9 e përmendur të zotit Kaba, nuk gjejmë asnjë referim nga organizmi shtetëror i origjinës i ngarkuar me dëmet e luftës dhe reparacionet përkatëse. Sikundër do të shikojmë bëhen sofizma me dokumentacionin përkatës duke i dyfishuar me qëllim dëmet e luftës (nuk përmendim këtu manipulimet e mëtejshme komuniste për shumëfishimin e tyre 30 vjet më vonë). Dihet se organi shtetëror që u ngarkua me përmbledhjen e dëmeve sipas një hierarkie të caktuar e të “dokumentuar” ishte Drejtoria e Statistikave pranë Komisionit të Planit të Shtetit. Aty dhe vetëm aty do të duhet të kërkohet vendi i origjinës për llogaritjen e dëmeve. Autorët e përmendur bëjnë të kundërtën, i referohen në mënyrë të dyshimtë herë ndonjë materiali me gabime të Ministrisë së Punëve të Jashtme e herë tjetër, për paradoks, veprave të Hoxhës, ndonjëherë gjejnë ndonjë stalinist të tërbuar nëpër botë, mik besnik i Hoxhës.

T’i referohemi dokumentit të origjinës. Në dokumentin përmbledhës gjejmë këto të dhëna:


Përmbledhje e dëmeve të shkaktuara prej okupatorëve italianë dhe gjermanë në Shqipëri10


Degët e ekonomisë Franga ari

1-Industri, miniera11 1.482.096.600

2-Bujqësi, blegtori, pyje 720.428.000

3-Tregti 53.325.000

4-Transport, PTT etj. 181.179.000

5-Mobilie dhe sende personale 140.585.000

6-Dëme në fushën monetare 140.809.499

7-Shpenzime buxhetore dhe pensione. 1.808.976.000

Gjithsej (pas korrigjimeve)12 në franga ari 4.146.659.21113


Një studiues serioz dhe i paanshëm do të duhet t’i referohet këtyre dokumenteve të rëndësishme të origjinës, qofshin në Arkivin Qendror Shtetëror apo në atë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në fakt, edhe këto të dhëna janë shumë të fryra - falsifikimi, mashtrimi, manipulimi janë ndër cilësitë e pakontestueshme të organizmave të shtetit komunist. Për vërtetësinë e tyre, sikundër përmenda, për të hedhur poshtë edhe këto pretendime të pabaza, do të gjej një kohë tjetër. Megjithatë, si pikë referimi për historianët dhe gjithë studiuesit e tjerë është fakti i dokumentuar në të gjitha hallkat e strukturave shtetërore, nga fshati, qyteti, prefektura e për vendin në tërësi se dëmet e luftës të shkaktuara nga okupatorët italianë e gjermanë, e përsëris, nga dy forcat okupuese, ishin diçka më shumë se 4.1 miliardë franga ari, të pretenduara të vitit 1938 apo 1.38 miliardë dollarë.

Sot shtroj problemin se, si është e mundur që shkencëtarë që përpiqen të trajtojnë këtë problem kaq të rëndësishëm e delikat nuk e gjejnë të arsyeshme të konsultohen me dokumentet e origjinës, por hallakaten nëpër literaturë duke na dhënë në mënyrë mashtruese jo të vërteta që e çorodisin dhe e shtrembërojnë historinë? Këtu ka vetëm një dhe vetëm një qëllim - duke u dukur si “shkencorë” të shumëfishojnë dëmet që u sollën nga okupatoret ndaj “heroizmave” vetëm të beniaminëve të tyre partizanë në organizmin e Luftës Nacionalçlirimtare. Duke vepruar kështu zotërinjtë nuk kuptojnë që me të vërtetë nënvlerësojnë gjithë ato sakrifica, vështirësi, dëme, pse jo dhe heroizma të mbarë popullit shqiptar, duke përfshirë edhe atë pjesë që u drejtua apo u gënjye nga komunistët. Pyetjes se ndoshta autorët nuk kishin dijeni se ku ndodheshin dokumentet origjinale, i përgjigjemi në mënyrë negative. Ata kishin dijeni të plotë. Madje Profesor Krisafi citon se në materialin “Sqarime plotësuese mbi studimin dhe nxjerrjen e të dhënave mbi dëmet e shkaktuara nga okupacioni gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore”, përgatitur nga Ministria e Financave në vitin 1977 “thuhet se materiali dokumentar mbi vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga pushtuesit gjermanë, ndodhej në Komisionin e Planit të Shtetit”14

Së dyti, për ta ngatërruar lexuesin në labirintin e shifrave e ndajnë shumën e dëmeve, veç ato të shkaktuara nga okupatorët italianë dhe veç ato të shkaktuara nga okupatorët gjermanë. Që të jepen të ndara këto dëme nuk ka gjë të keqe, në të kundërt. Problemi qëndron se duke i dhënë në mënyrë të stër-ngatërruar, përpiqen që dëmet të paktën t’i dyfishojnë nga ato që realisht janë evidentuar. Se vetë komunistët me vonë i kanë shumëfishuar.

Të marrim Prof. Dok. Krisafin. Dëmet nga Italia fashiste na i paraqet herë në shumën 3.544.232.626 franga ari15 të cituara nga veprat e E. Hoxhës (dihet që numrat, emrat dhe problemet në veprat e Hoxhës ndërronin sipas situatave, dukuri mjaft e njohur për shqiptarët), herë në shumën 3.639.491.626 franga ari16, pa asnjë referim dokumentar. Cilën shifër të besojmë? Natyrisht këtu nuk përmend edhe një herë dezinformimin trashanik për dëmet e deklaruara prej tij për Italinë fashiste prej mbi 36 miliardë franga ari, shifër që e konsideroj lapsus.

Ende me shqetëson fakti pse bëhet kjo, pse nuk ka asnjë referim origjinal për dëmet, kur pretendon për një punim serioz të mbështetur në dokumentacionin e kohës. Në fakt, në libër kemi një dokumentacion të bollshëm. Por, kur vjen puna pikërisht për thelbin e thelbeve të problemit që shtrohet, nuk ka referim origjinal, i referohet mashtrimeve të Hoxhës që ishte në majën e piramidës së mashtruesve apo thënë ndryshe krye-mashtruesi.

Asistent Profesori Kaba ndjek një rrugë tjetër, më “origjinale”, për të mbështetur këtë mashtrim të madh - ai i referohet, jo vetë Hoxhës, por adhuruesit stalinist të tij - W. Bland. Për W. Bland, Enver Hoxha ishte një stalinist i madh, i vetmi marksist-leninist pas Stalinit. Në biografinë e komunistit stalinist anglez thuhet se “ai nuk e ndërpreu për asnjë çast mbështetjen ndaj Enver Hoxhës që e konsideronte si një ndjekës besnik i Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit”.17 Është i njëjti W. Bland që e etiketon si “tradhtar” Ramiz Alinë për ndryshimet që rrodhën në Shqipëri, i njëjti që ndihmonte “Komunistët Shqiptarë” në vitet e demokracisë “për të rindërtuar socializmin nëpërmjet rrugës ilegale e të fshehtë në kushtet e reja.”18

E vërteta është se nuk i kam kuptuar dhe as që i kuptoj sot e kësaj dite disa shkencëtarë që preferojnë të citojnë çfarëdo dokumenti, shifre, ngjarjeje, nga literatura e huaj sesa dokumentet origjinale të kohës apo literaturën shkencore të vendit. Iu duket se kjo e rrit vlerën shkencore. Për mua është tregues i uljes së kësaj vlere.

Të vijmë konkretisht te problemi. Edhe z. Kaba jep një ndër tri shifrat e z. Krisafi për të njëjtin problem, atë të cituar nga E. Hoxha, d.m.th., dëmet e luftës nga Italia i paraqit me shumën prej 3.544.332 franga ari,19 apo 1.161.000.000 dollarë amerikanë.

Të dy autorët, megjithëse në kohë të ndryshme, nuk na japin një shifër origjinale të paraqitur në mënyrë autentike në Konferencën e Paqes në Paris. Edhe nëse nuk gjendet në dokumentacionin shqiptar të kohës, megjithëse e vërteta është se vështirë se ndodh një dukuri e tillë, pse nuk i drejtohen dokumentacionit të ruajtur me skrupulozitet shkencor në arkivat e organizmave ndërkombëtare? Këtu kemi të bëjmë me mungesën e dëshirës dhe me vullnetin e ndërgjegjshëm për të fryrë dëmet apo për të mbuluar e mbajtur në errësirë të vërtetën.

Së treti, me gjithë inkonveniencat e theksuara në shifrat që jep z. Krisafi për dëmet e Italisë fashiste, të pranojmë për një moment shifrën e njëjtë që paraqesin të dy autorët, d.m.th., 3.544.332.000 franga ari. Sikundër përmendëm, dëmet e shkaktuara nga okupatorët italianë dhe gjermanë së bashku, sipas dokumenteve origjinale të Komisionit të Planit të Shtetit, ishin 4.146.659.211 franga ari. Logjika e do që po të bëhet diferenca midis shumës së përbashkët italo-gjermane të dëmeve me shumën që iu kërkua vetëm Italisë, atëherë si rregull do të duhej të pretendohej si shumë e dëmeve të shkaktuara nga okupatori gjerman 602.327.211 franga ari.

Autorët e përmendur e mënjanojnë këtë logjikë, këtë e bëjnë thjesht dhe vetëm për spekulim.

Natyrshëm lind pyetja: Enver Hoxha në Konferencën e Paqes në Paris ka folur dy herë dhe rrjedhimisht ka paraqitur veçmas dëmet dhe kërkesat për reparacione të shkaktuara nga fashistët italianë dhe veçmas për ato të shkaktuara nga nazistët gjermanë? Nuk më duket kështu. Ai ka paraqitur vetëm një herë dëmet e luftës në atë Konferencë. Po të ishte ndryshe, të jepen dokumente.

Që këtu lindin pikëpyetjet, por edhe përpjekjet për të mashtruar, manipuluar opinionin. Nuk përdoren dokumente origjinale të Konferencës së Paqes, por citime të nxjerra në mënyrë të dyshimtë nga burime të ndryshme. Që ka mashtrim nga të dy palët, është problem që nuk mund të vihet në dyshim. Çështja është të bëhen sqarime se që në atë kohë komunistët e rritën shkallën e mashtrimit dhe të gënjeshtrave duke dyfishuar shumën reale të dëmeve apo lanë një tymnajë. Kjo nuk i përjashton nga përgjegjësia autoret e mësipërm, të cilët ishin të obliguar ta nxirrnin këtë mashtrim. Nëse i kanë “qepur” vetë letrat për shkaqe që dihen, atëherë përgjegjësia bëhet edhe më e madhe.

Zoti Krisafi ndjek një logjikë krejt absurde dhe jashtë çdo gjykimi normal për të justifikuar shifrat që do të japë. Ai pretendon se “në evidencën e parë, atë të vitit 1945, shifrat janë relativisht modeste, në krahasim me ato të viteve të mëvonshme, të viteve 1947 dhe 1975. Kjo, me sa duket, duhet të ketë qenë një ndër arsyet e rishikimit të tyre, por shkalla e korrigjimit është bërë me koeficient zmadhues, aq sa është vënë në dyshim objektiviteti dhe vërtetësia e tyre.”20 Pra, megjithëse për të larë gojën si Pons Pilati shpall me plot gojën se “nuk pretendon vërtetësinë e tyre”21 dhe se shifrat janë “jashtë objektit të këtij libri”,22 përsëri i jep ato për të çorientuar lexuesin, për të kamufluar historinë.

Megjithatë unë e kam një dyshim të drejtpërdrejtë. Vetë Profesori na jep një citim ku thuhet shprehimisht se të dhënat konkrete për dëmet e paraqitura në vitin 1975 nuk dallojnë nga të dhënat në vitet 1945-1946, atëherë pse jep shifra çorientuese? Konkretisht ai citon një material të përgatitur nga Ministria e Financave të shkurtit 1977, ku “Pohohet gjithashtu se shifrat për të vrarët, të plagosurit, të internuarit, të detyruarit për të kryer punë të rënda, që përmbahen në aneksin e Memorandumit të qershorit 1975, “janë fare afër shifrave që figurojnë në dokumentet e viteve 1945-1946””

Duke qenë i ndërgjegjshëm që dëmet materiale e njerëzore janë ato që u evidentuan në vitet e para të pasluftës, sikundër dhe na e argumentoni me dokumentet që paraqisni, atëherë ç’ndryshime pati? Pse u bënë ato? Kush i bëri? Çfarë manipulimesh u kryen? Këto dhe pyetje të tjera e duan një përgjigje. Ky është në esencë edhe objekti i librit që do sqaruar me përparësi. Kam edhe një pyetje - me cilët numra për dëmet e shkaktuara nga okupatorët gjermanë jeni? Si rregull me ato që janë paraqitur në Konferencën e Parisit. Është kjo arsyeja që, në mënyrë tangjente, kalimthi, duke hedhur gurin e fshehur dorën, në formë shënimi shkruani: “Në Konferencën e Parisit, përfaqësuesi ynë paraqiti listën e dëmeve të shkaktuara nga okupatorët nazistë gjermanë për një shumë prej afro 4 miliardë franga ari ose 1.260.954.096 dollarë USA të 1938”. Në këtë shumë nuk përfshiheshin shpërblimet me karakter humanitar (për të vrarët, të plagosurit, të burgosurit etj.)”23

Para se të vijmë te një llogari apo bilanc i thjeshtë përsëri më shqetëson pyetja: “Pse zihet veshi i djathtë me dorën e majtë?” Thënë ndryshe, pse nuk citohen direkt dokumentet e kohës, nëse kish të tilla, megjithëse unë dyshoj. Këto janë manipulime të regjimit komunist, të organizmave të kalbura të diplomacisë. Janë njëherësh akraballëqe dhe tymnaja që bëjnë pasuesit e tyre në shoqërinë postkomuniste.

Tani të bëjmë një aritmetikë elementare:


Shumat e dëmeve të okupatorëve italianë dhe gjermanë të paraqitura në literaturën shqiptare


Dëme të shkaktuara nga: Shuma në franga ari Shuma në US dollarë

a-Okupatorët italianë 3.544.332.000 1.161.000.000

b-Okupatorët gjermanë 4.000.000.000 1.260.954.096

c-Gjithsej dëmet nga okupatorët italianë dhe gjermanë (a+b) 7.544.332.000 2.421.954.096

d-Dëmet gjithsej sipas dokumenteve të Komisionit të Planit të Shtetit të shkaktuara nga okupatorët italianë dhe gjermanë. 4.146.659.211 1.382.219.737

e-Diferenca e shtuar nga shkencëtarët e historiografisë komuniste (c-d) 3.397.672.789 1.039.734.359


Profesor Krisafi, megjithëse “nuk pretendon vërtetësinë” e shifrave, meqë për mashtrim i ke “konsideruar jashtë objektit të këtij libri”, përsëri po lëshon disa tullumbace me gaz me hidrogjen që helmojnë ndërgjegjen shoqërore të shqiptarëve, jo vetëm në brezat e sotëm, por veçanërisht për ato që vijnë. Nuk ka mashtrim, manipulim, gënjeshtër më të madhe se sa të japësh në mënyrë të stërholluar, me “shkencë”, dëmet e luftës nga okupatorët italianë e gjermanë në shifrat astronomike prej mbi 7.5 miliardë frangash ari apo 2.4 miliardë dollarësh. As komunistët në fuqi në kohën e tyre nuk guxuan ta japin hapur këtë shifër marramendëse. Me këto shifra vështirë se diskutohet në ditët e sotme në Shqipëri, jo më për vitet 1939-1944, që ekonomia ishte e sfilitur, pasuria kombëtare e papërfillshme. Nuk e kuptoj, ju jeni në profesion jurist, por, kur jepen shifra, të paktën do mbajtur një përgjegjësi morale. Nuk mjafton të thuhet se është përdorur “koeficient zmadhues”. Kjo është bërë tri dekada më vonë nga komunistët. Dyfishimin e dëmeve në rastin tonë e keni bërë ju, me ndërgjegje apo jo, nga shkalla e njohjes, impenjimi ideologjik, nuk di ta përcaktoj. Si ekonomist mund të them se “mjaft, është mjaft”. Me këtë kuptoj që çdo gjë, madje edhe çdo qëllim, ka një kufi. Sot nuk mund të pranohen thëniet se “qëllimi justifikon mjetin”. Këtu kemi të bëjmë me historinë e vendit tonë, të Shqipërisë, që nuk i takon vetëm një grupi, por të gjithëve.

Ndryshe vepron z. Kaba. Edhe duke mos qenë në gjendje të sjellë dokumente autentike nga Konferenca e Paqes ne Paris, nuk i duket e drejtë të përdorë shifra nga manipulimet e dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Jashtme që në total dyfishojnë dëmet e luftës. Të paktën përdor një politikë racionale, megjithëse joshkencore. Për t’i kompensuar apo zbutur këto shifra krejt të papranueshme dhe alogjike, bën kërkime. Në fund na “zbulon” një broshurë të hartuar për qëllime propagandistike nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë aty nga viti 1948. Se çfarë përfaqëson shifra e dhënë në të, asnjë nuk është në gjendje tani për tani të shfaqë ndonjë mendim. Kjo derisa të gjenden dokumente autentike dhe të ballafaqohen ato me shifrat shtetërore të llogaritura nga Drejtoria e Statistikave në Komisionin e Planit të Shtetit. Një gjë është fakt, ato nuk janë kaq të fryra sa ato që paraqet me papërgjegjësi Profesor Krisafi. Z. Kaba citon: “Dëmet e shkaktuara nga pushtimi gjerman në Shqipëri llogariteshin në 1.329.997.567 franga ari ose 437.499.211.88 dollarë amerikanë.”24 Gjithsesi këto janë zgjidhje amatoreske që kryhen nga intelektualë që merren me shkencë. Në fund të fundit edhe këto shifra të dëmeve nga okupatorët gjermanë, të mbledhura me dëmet e luftës që i janë faturuar okupatorëve italianë, duke cituar W. Blande, janë shumë më të mëdha se ato që janë llogaritur dhe janë në arkivat e Komisionit të Planit të Shtetit pranë Arkivit Qendror Shtetëror. Ato në total na çojnë në shumën e humbjeve nga okupatorët italianë dhe gjermanë prej afro 4,8 miliardë franga ari apo 1,6 miliardë dollarë. Edhe këto shifra, megjithëse disi më të vogla, nuk të çojnë në konkluzion tjetër, veç në atë se, historia po falsifikohet me “shkencë”. Ndryshe ndershmëria shkencore do të detyronte të kërkoheshin rrugë për zvogëlimin e vlerave të humbjeve të luftës të paraqitura në organizmat ndërkombëtare për reparacionet nga Italia. Natyrisht, jo për të ndryshuar shifrat e dhëna, por të paraqisnin në mënyrë reale e të dokumentuar përmasat e atyre dëmeve.


Vijon numrin e nesërm


__________


1. Prof. Dr. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 74-75.

2. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 69. Autori citon një dokument të: Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të RSH, F. Traktati i Paqes me Italinë. D. A/II/30. V. 1948.

3. Alec Cairncross, The price of war, British Policy of German Reparations, 1941-1949, Basil Blackwell, Ltd, New York, 1986, faqe 70-71.

4. Gazeta “Bashkimi”, 6 korrik 1946.

5. Prof. Dok. K.Krisafi, libër i cituar, faqe 106. (Sipas Artur Conte, Jalta dhe ndarja e Botës, Albin, 1994, f. 123).

6. Ferdinand Dervishi, “Reparacionet, dueli i panjohur i shqiptarëve me italianët pas Luftës, Gazeta “Panorama”, datë 15-7-2009.

7. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 63-64.

8. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar.

9. Hamit Kaba, a- Dëmshpërblimet italiane të luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë (1945-1960), botuar në revistën “Studime Historike”, Nr. 1-2, viti 2003, faqe 95-105; b- Dëmshpërblimet gjermane të Luftës së Dytë Botërore ndaj Shqipërisë, botuar në revistën “Studime Historike”, Nr. 3-4, viti 2001, faqe 163-174.

10. AQSH, Dosja A. “Komisioni i Planit të Shtetit. Drejtoria e Statistikës, Dosja Nr. 1: Pasqyrat përmbledhëse të dëmeve të luftës të bëra nga okupatorët gjatë viteve 1939-1944 në pasuri të tundshme dhe të patundshme, sipas prefekturave, si Republikë në vleftë dhe në njësi matje të ndryshme dhe sipas fuqive shkatërruese, të përpunuara nga Drejtoria e Statistikave”, faqe 26.

11. Shënim: Në pasqyrë për të mënjanuar shifra të hollësishme dëmet për degët e industri-miniera, bujqësi-blegtori dhe transport janë përmbledhur nga dokumenti origjinal.

12. Shënim: në dokumente nga Komisioni i Planit të Shtetit janë bërë disa korrigjime me që shifrat ishin të fryra. Është kjo arsyeja që shuma e dëmeve në total nuk përputhet me dëmet po të mblidhen sipas llojit të dhëna në pasqyrë nga numri 1 deri në numrin 7.

13. AQSH, Dosja A, dokument i cituar i Komisionit të Planit të Shtetit. (Është shifra origjinale e paraqitur në dokumentin autentik për reparacionet, pasi janë zbritur korrigjimet që janë konsideruar të domosdoshme nga zyrtarët e kohës.

14. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 70; cituar: AMPJ, F. Reparacione nga Gjermania, D. Nr. 17, v. 1977.

15. E. Hoxha, Fjalim i mbajtur në seancën plenare të Konferencës së Paqes në Paris, më 21 gusht 1946, Vepra, vol. 3, f. 422.

16. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 142.

17. http://www.oneparty.co.uk/compass..

18. Po aty- http://www.revolucionarydemocracy.org/

19. Hamit Kaba, Dëmshpërblimet italiane të Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë (1945-1960), në “Studime Historike”, Nr. 1-2, 2003, faqe 97. Autori i referohet: E.Bland - J.Price, A tangled Web. A history of Anglo-American Relations with Albania, 1912-1955, London, 1986, f. 210.

20. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 69-70.

21. Po aty, faqe 64.

22. Po aty.

23. Po aty, faqe 64. Citohet: AMPJ, F. Reparacionet nga Gjermania, D. Nr. 17, v 1977.

24. Hamit Kaba, Dëmshpërblimet gjermane të Luftës së Dytë Botërore ndaj Shqipërisë (1945-1990), në “Studime Historike”, Nr. 3-4, 2001, faqe 168. Autori i referohet: Damages de guerre causes par l”Allemagne nazie a l’Albanie (Dëmet e luftës të shkaktuara nga Gjermania naziste në Shqipëri), Tiranë, 1948 - Broshurë e përgatitur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.


Pirateri dhe “zhvatje” para kolapsit dhe atrofizimit të shtetit komunist


Autorët mbajnë në njëfarë mënyre qëndrim zbutës, justifikues, anashkalues e të tjera të kësaj natyre ndaj piraterisë së shtetit komunist për reparacionet që rridhnin nga dëmet e luftës së nazistëve gjermanë. Ndërsa funksionari i lartë i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, sikundër përmendëm, e cilëson “Aventura për t’u zhvatur gjermanëve 4 miliardë dollarë”, autorët tanë i konsiderojnë shifrat të “avancuara” , shifra “që janë vënë hera-herës në dyshim” , “shkalla e korrigjimit është bërë me koeficient zmadhues, aq sa është vënë në dyshim objektiviteti dhe vërtetësia e tyre,” “kërkesa tejet e fryrë dhe aspak realiste e qeverisë shqiptare për dëmshpërblime nga Gjermania” e të tjera të kësaj natyre.

Nuk mund ta kuptoj se përse mbahet një qëndrim kaq i zbutur e tolerant ndaj një akti “piratesk” të kryer nga një shtet komunist në fuqi. Dhe kjo bëhet nëpërmjet kanaleve diplomatike, në organizmat më autoritare ndërkombëtare, si Asambleja e Kombeve të Bashkuara, duke e paraqitur këtë “zhvatje” si diçka normale, të ligjshme, si një pretendim të mohuar në dekada. Natyrisht kjo bëhet për të mbuluar me “gjethe fiku” atë mal me mashtrime të bërë nga rendi komunist. Ajo që unë nuk imagjinoj është se si mund të luhet me “shkencën” në këtë mënyrë. Objektiviteti shkencor diktonte që dëmet që pretendohej se ishin kryer nga okupatorët gjermanë të përpjesëtoheshin me dëmet e shkaktuara nga Lufta Civile, pra të zvogëloheshin. Por, ndodhi e kundërta - ato u paraqitën të shumëfishuara në vlerë.

Ky akt i paprecedent banditesk e piratesk ndodhi aty nga mesi i viteve ’70. Në atë kohë Shqipëria “socialiste” po i prishte marrëdhëniet me “vëllanë e madh” - Kinën komuniste. Kjo do të thoshte që shteti shqiptar të mbetej pa ndihma “internacionaliste”, që ishte praktikuar në dekada, pa kredi, pa rezerva. Komunistët shqiptarë u ndodhën në pragun e një momenti të tillë, që mund të krahasohet me një bishë në lëngim, pa ushqim, në mes të acarit të dimrit e të dëborës, në një moment kur rezervat po shternin, ekonomia bënte tatëpjetë. Po ndihej se diktaturës komuniste po i vinte “laku në fyt”, vitet po rrokulliseshin drejt atrofizimit dhe përmbysjes së madhe. Në këto rrethana, për të zgjatur sado pak jetën, komunistët në pushtet në Shqipëri filluan të përdornin rrugën e mirënjohur të mashtrimit, gënjeshtrave, manipulimit e të tjera të kësaj natyre për të “zhvatur” ku të mundnin e sa të mundnin nëpër botë, qoftë duke u kapur edhe si i mbyturi në ujë pas “fijes së kashtës”, duke përdorur pa skrupull edhe dëmet që populli shqiptar pati nga vrasjet, dhunimet e shkatërrimet e nazizmit gjerman.

Profesor Krisafi e “justifikon” këtë banditizëm shtetëror komunist si “rrugëzgjidhje” për të kapërcyer “krizën”, gjë që nënkupton kolapsin e pashmangshëm të rendit të përgjakshëm komunist. Ai thotë se “ftohja politike e Shqipërisë me Kinën, e cila u shoqërua me prishjen apo ngrirjen e shumë marrëveshjeve ekonomiko-tregtare, anulimin e asistencës ekonomike e financiare, teknike e shkencore etj., do të përshpejtonte krijimin në vend të një gjendjeje të vështirë ekonomike. Ajo nuk mund të kapërcehej nëpërmjet zbatimit të të famshmit slogan enverist “të mbështetjes në forcat e veta”. Udhëheqja shqiptare ishte në kërkim të rrugëzgjidhjeve, sepse realisht situata kishte marrë tiparet e qarta të një krize.”

Duhet të jesh tejet i indoktrinuar të pretendosh në ditët e sotme se ishte “rrugëzgjidhje” veprimi i paskrupullt e i paprecedent i kërkesës shqiptare për shumën e dëmeve të luftës prej okupatorëve gjermanë. Vetëm një “çmenduri” kolektive apo një gjendje katastrofike e pashpresë mund të “fabrikonte” shifra të tilla. Le të citojmë autorin: “Në memorandumin e 28 qershorit (të vitit 1975, shënimi im T. K.), vlera e reparacioneve gjermane ndaj Shqipërisë ishte fiksuar në shumën e 2.006.500.000 dollarëve amerikanë. Asaj i shtoheshin edhe interesat që rridhnin nga mos-shlyerja në kohë e reparacioneve, të cilat ishin llogaritur në 2.559.554.000 dollarë amerikanë të vitit 1938.”

I vetmi moment që do përshëndetur këtu është fakti se autori më në fund jep një shifër të cituar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga dokumentacioni diplomatik i kohës, nga memorandumi përkatës. Por çfarë përfaqësojnë ato shifra, autori bën rolin e të “verbrit”, në të shumtën e herës duke gjetur justifikime, zbutje, anashkalime.

Të bëjmë një llogari përmbledhëse si shkallëzohet mashtrimi në vitin 1975.

Shumat e dëmeve të okupatorëve italianë dhe gjermanë të paraqitura në literaturën shqiptare, përfshirë edhe ato të kryera nga qeveria komuniste me operacionin “zhvatja” në vitin 1975


Dëme të shkaktuara nga: Shuma në franga ari


a-Dëmet gjithsej sipas dokumenteve të Komisionit të Planit të Shtetit të shkaktuara nga okupatorët italianë dhe gjermanë. 4.146.659.211

b-Gjithsej dëmet nga okupatorët italianë dhe gjermanë (të falsifikuara nga Prof. Krisafi) 7.544.332.000

c-Dëmet e shkaktuara nga okupatorët gjermanë me rishikimin piratesk të qeverisë

komuniste në vitin 1975

13.698.162.000

d- Dëmet e shkaktuara nga okupatorët gjermanë me rishikimin piratesk të qeverisë

komuniste në vitin 1975, plus dëmet e fashistëve italiane. (Sipas llogarive të falsifikuara nga Prof. Krisafi)

17.242.494.000

e-Diferenca e shtuar nga ish shteti komunist dhe shkencëtarët e historiografisë komuniste (d-a) 13.095.834.789


Në mënyrë grafike zmadhimin e paprecedent të dëmeve të luftës nga okupatorët italianë dhe gjermanë, pa veçuar ato të luftës civile, e shohim në grafikun që vijon:


Paraqitja grafike e falsifikimit të dëmeve të luftës nga shteti komunist dhe Profesor Krisafi nga vitet 1945-1947 në vitin 1975 (në miliarda franga ari të vitit 1938)


Shifra marramendëse: kërkesë për të “zhvatur” 17 miliardë dollarë amerikanë apo 41,74 miliardë marka gjermane


Sikundër shihet komunistët në pushtet në Shqipëri duket sikur gjetën rastin e zbuluan “lopën” Gjermani, për ta “mjelë” sipas oreksit të tyre. As më shumë e as më pak kërkuan si reparacione së bashku me interesat një shumë marramendëse prej afro 4,6 miliardë dollarësh apo e thënë ndryshe 13,7 miliardë franga ari. Jo vetëm kaq, si më të “zgjuarit” e globit, vunë një prapashtesë se ato ishin dollarë me vlerën që kishin në vitin 1938. Kjo do të thotë që të kthyera me një llogaritje të thjeshtë, me vlerën e dollarit në vitin 1975, arrinin një shumë prej mbi 17 miliardë dollarësh. Nuk mund të bëj më komente për këtë shifër “astronomike” që ndoshta as sot nuk barazohet me vlerën e gjithë aseteve që ka Shqipëria. Kërkesa të tilla, jo vetëm që e bënin, por, duke i përsëritur në vepra shkencore, bëjnë edhe sot qesharak popullin shqiptar për vuajtjen e dëmet reale që ka patur. Ato njëherësh nuk linin asnjë shteg për të përfituar në rrugë ligjore për dëmet vërtet të mëdha, por nënfishin e atyre të paraqitura, kaq të nevojshme për Shqipërinë.

Shifra të tilla do të çorientonin çdo njeri normal, do ta detyronin atë që të mbante qëndrim kritik, pse jo edhe mohues. Por jo, nuk ndodh kjo me Profesor Krisafin. Për të “edhe sikur të ishte e vërtetë”, duhej gjetur një mënyrë “diplomatike” për të kërkuar. Pra, atë e shqetëson forma, jo përmbajtja, pra ai në një mënyrë apo në një tjetër e justifikon shumën duke gjetur frazën “edhe sikur të ishte e vërtetë”. Kështu ai nënvizon se “shuma e avancuar ndaj RF të Gjermanisë ishte në proporcione të ekzagjeruara. Edhe sikur të ishte e vërtetë (theksimi im, TK), ajo nuk linte hapësirë, nuk krijonte terren të përshtatshëm për ulje në tryezën e bisedimeve”.

Jo z. Krisafi, nuk është thjeshtë forma, ajo njihej tashmë se si vepronin diktaturat komuniste. Rëndësi të veçantë kishte përmbajtja, shuma marramendëse e kërkuar si reparacion. Ajo shumë nuk ishte e vërtetë, ishte gënjeshtër. Kjo do denoncuar, jo sikundër veproni ju duke e “kritikuar”, si nën zë. Puna e parë, ju vetë pohoni se dëmet që ishin shkaktuar në natyrë, nuk paraqesin ndonjë ndryshim në vitin 1975 me ato të “dokumentuara” në vitet 1946-1947: “Aneksi i Memorandumit sqaronte se kërkesat shqiptare ishin ato që përmbante Memorandumi i vitit 1947, me disa plotësime të bëra më vonë nga ri-studimi i dokumenteve...”

Por, ndërsa pranon se nuk kishte ndryshime në dëmet e vërtetuara realisht, ke qenë pjesëtar i atij mashtrimi të madh për ri-llogaritjen e dëmeve në vlerë. Dhe, sinqerisht e them, nuk ka rëndësi se çfarë ke qenë, kushdo ndoshta do bëhej pjesëtar. Ajo që më shqetëson është fakti se edhe sot e kësaj dite po e glorifikon atë “zhvatje” të madhe pirateske të shtetit komunist duke u justifikuar, madje me “shkencë”, për “gjoja” përshtatjen me çmimet ndërkombëtare. Nuk kuptoj se ç’do të thuash me këtë. Kjo është vetëm një tymnajë. Dëmet gjithmonë komunistët janë përpjekur t’i paraqesin me vlerën e frangut ar të vitit 1938. Kjo do të thotë që janë përdorur çmimet e vitit 1938, të cilat nuk mund të ndryshonin sipas dëshirës në vitin 1975, me që ju e shokët tuaj ishit në grupin e “ekspertëve” të këtij mashtrimi monstruoz.

Kam përmendur se me të vërtetat e dëmeve të luftës do të merrem një herë tjetër. Por nuk mund të lë pa i dhënë lexuesit shqiptar, pse jo dhe atij të huaj, si qëndron e vërteta me çmimet. Komunistët mashtrimet i nisën që pas ikjes së okupatorëve gjermanë dhe fitores së diktaturës pas Luftës Civile. Ata i frynë e stër-frynë dëmet e luftës, për të përfituar më shumë “lëmosha” në formën e reparacioneve të padrejta, duke shumëfishuar, ndër të tjera, çmimet. Në këtë mënyrë, nuk mbetet më vend për të “rishikuar”, “përshtatur” me çmimet ndërkombëtare sikundër pretendon Krisafi: “përshtatja, më e mirë me çmimet ndërkombëtare të asaj periudhe.” Është absurditet të paraqesësh para opinionit publik “justifikime” të tilla me një absurditet të shkallës më të lartë. Çmimet që pretendojnë komunistët për vitin 1938 ishin stër-zmadhuara. Ja disa shifra për bujqësinë e blegtorinë:


Zmadhimi i çmimeve të vitit 1938 të paraqitura

për dëmet e luftës për të kërkuar reparacione


Lloji


Njësia Çmimet sipas dokumentacionit të kohës për vitin 1938, franga ari Çmimet e paraqitura në dokumentet e

dëmeve të luftës për reparacionet (1938) në franga ari Rritja

herë

(B:A)

A B C

Drithëra ton 129,51 2.000,00 15,44

Dhen e dhi krerë 8,00 15,00 1,87

Lopë krerë 50,00 150,00 3,00

Qe krerë 70,00 150,00 2,14

Kuaj krerë 86,00 300,00 3,49

Mushka krerë 120,00 300,00 2,50

Gomerë krerë 25,00 80,00 3,20


Nuk mund të mbrohet akti banditesk komunist me argumente shumë të konsumuara. Çmimet e vitit 1938 të përdorura për të llogaritur dëmet e luftës ishin zmadhuar disa herë në vitet 1945-1947. Sot, çdo qytetar, veçanërisht ai që e rendit veten ndër radhët e shkencës, është i obliguar moralisht, pavarësisht nga përkatësia ideologjike e partiake, të demaskojë atë akt të paprecedent në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe jo të gjejë “absurditete” për justifikim. Shqipëria dhe shqiptarët kanë luftuar dhe do të luftojnë deri më një për të drejtat e tyre të mohuara. Por rruga nuk është pirateria dhe as zhvatja.

Opinioni gjerman, dhe pse jo dhe më gjerë, e quajti sensacionin e ditës kërkesën e komunistëve shqiptarë. Gazeta austriake “Courier”, e datës 26 gusht 1975 shkroi artikullin me titull “Tirana do dhjetë miliardë marka” . Gazeta “Frankfurter Rundshau”, shkroi një artikull që autori Kristafi me mungesën e skrupullit të një komunisti të pandreqshëm e quan “titull sensacional” “Shqipëria kërkon miliarda.” Në të gazeta shkruan “se sa jorealiste është kërkesa shqiptare”. Kështu vepruan shumë gazeta të tjera.

Shumë me kulturë u treguan gazetat gjermane dhe ato të vendeve të tjera. Ato ende nuk kishin në atë kohë as informacionin e plotë dhe as “truket” e komunistëve shqiptarë, që dëmet i llogarisnin me dollarët e vitit 1938, duke kërkuar edhe interesat e munguara. Nga një llogaritje që kam kryer, mbështetur në çmimin e një dollari amerikan në marka gjermane të vitit 1975, del as më shumë e as më pak se kërkesa e komunistëve shqiptarë ishte për 41,74 miliardë marka gjermane. Çmenduri më të madhe nga një shtet në fuqi, qoftë edhe komunist, nuk shpresoj të ketë. Pra, kërkoheshin praktikisht 17 miliardë dollarë apo 41,74 miliardë marka gjermane. Këto shifra ishin të barabarta me produktin shoqëror të Shqipërisë për 10 vjet apo më të ardhurat kombëtare për 22 vjet me nivelin e vitit 1970.


Mbrojtje e dështuar e avokatit komunist për skandalin me shifrat


Kur do të duhet të trajtohen në libra “shkencorë” apo në shtyp këto “bëma” apo veprime “monstruoze” të regjimit komunist, duhet të jemi të përmbajtur, mos bëhemi qesharakë edhe në ditët e sotme. Por krimbi komunist, shumë vetë, edhe “shkencëtarë” nuk i lë. S’mund ta imagjinoj që edhe në këto kushte “skandaloze” të kritikohet shtypi gjerman, sikundër bën z. Krisafi, kur thotë se “ato kishin të njëjtën linjë, mbanin qëndrim identik, merrnin në mbrojtje idenë së kërkesa e qeverisë shqiptare ishte e ekzagjeruar, jo realiste dhe e padrejtë.” Jo zotëri “komunisto-shkencëtar”, kjo nuk ishte as “ide” dhe as thjesht e “ekzagjeruar”, ju si jurist i marrëdhënieve ndërkombëtare duhet të gjeni termin përkatës, për mua është pirateri shtetërore. Kaq më tepër që i kundërvihet me shumë naivitet qëndrimit negativ gjerman, kur thoni se komentet e “shtypit ishin... pretendimet e avancuara nga ana e qeverisë së Bonit, e cila nuk përjashtohej, ta kishte nxitur vetë këtë fushatë, me qëllim që të përgatiste opinionin publik për përgjigjen negative që do të kthente. Përgjigjja e qeverisë gjermane, që mbërriti më vonë, mbështetej pikërisht në të njëjtat arsyetime, veçse të formuluara jo në stilin publicistik, por me gjuhën e zgjedhur e të kujdesshme diplomatike.”

Për mendimin tim gjermanët janë treguar shumë të përmbajtur ndaj qëndrimeve të tilla pa sensin e masës. Kuptohet që ata nuk mund të pranonin që taksapaguesit gjermanë të mbanin për shumë e shumë vjet në kurrizin e tyre pushtetin kriminel komunist shqiptar. Për më tepër nuk mund të paguanin për krimet e kryera nga nazistët gjermanë për të përjetësuar pushtetin e të njëjtëve kriminelë, por të emërtuar komunistë.

Diku në subkoshiencën e një njeriu që i thotë vetes se merret me “shkencë” z. Krisafi e kupton që ato shifra nuk qëndrojnë, me zë të ulët edhe e pranon. Por ndërgjegjja e një komunisti fanatik të mbushur me dogma fondamentaliste të ideologjisë komuniste e pa parimet e një shoqërie civile, nuk e lejojnë të ecë më tej, ta denoncojë atë veprim që mbetet një njollë për kombin shqiptar. Ndoshta këtu ndikon dhe shkalla shumë e ulët apo injoranca, do të thosha, në perceptimin e shifrave. Profesori kujton se duke deklaruar se shifrat “nuk janë objekt” i studimit, i lan duart. Në të kundërtën, ndërsa qeveria komuniste ishte fajtore për atë krim në kohën kur u krye, ndoshta e detyruar për mbijetesë, z. Krisafi është fajtor sot kur e njeh, e propagandon dhe nuk e denoncon me të gjitha atributet e një krimi.

Duke iu drejtuar subkoshiencës ai duke folur për shtypin përmend se “gazeta pohon një të vërtetë të pamohueshme, e cila ka të bëjë me zmadhimin e shifrave të dëmeve të shkaktuara nga pushtuesit nazistë. Ajo ka të drejtë gjithashtu, kur pohon se ushtritë italiane qëndruan më gjatë në Shqipëri dhe kryen dëme të mëdha në njerëz e materiale.” Nuk duhen vetëm konstatime. Duhet shpjeguar qartë si qëndron problemi. Dhe kur merr përsipër një çështje kaq delikate, sikundër janë dëmet e luftës dhe reparacionet përkatëse, këto nuk bëhen pa shifra, pa numra, pa u mbështetur në dokumentet e origjinës. Madje duke mbajtur qëndrim kritik e logjik, duhen bërë rillogaritje. Në të kundërtën, një autor i një vepre të tillë bëhet bashkëpunëtor në krim, bashkë-falsifikator i historisë.


Kërcënime prej “kauboji” në mbrojtje të “zhvatjes” së shtetit komunist


Qeveria komuniste shqiptare, e mbërthyer me “lakun në fyt” që e çonte ekonominë e quajtur socialiste drejt kolapsit dhe atrofizimit, në situatën e një organizmi që po jepte shpirt, kishte dalë në botë si një “kauboj me kobure në dorë”, por me barut të lagur, duke kërcënuar për të marrë ato që “nuk i takonin”. Ministri Nesti Naste deklaronte: “Ashtu si ju nuk pranoni kushte, dhe ne nuk pranojmë kushte.” Të njëjtën gjë bënte ambasada e Shqipërisë në Beograd, në përgjigjen e notës gjermane të 27 tetorit 1975, ku shkruante se “qeveria e RF të Gjermanisë të mos mendojë që, meqenëse Shqipëria është një vend i vogël, ajo mund t’ia mohojë asaj këto të drejta. Ajo duhet të rishikojë qëndrimin e saj dhe të marrë sa më parë masat përkatëse për t’i shlyer RPSH reparacionet e luftës.” Pra, ose 41,74 miliardë marka gjermane dëmshpërblim ose...??? Me gjithë këto kërcënime të hapura për kërkesa, pjesa dërmuese e të cilave ishte “vjedhje” apo pirateri, Profesor Krisafi gjen vend për t’i justifikuar komunistët tanë. Ai thotë: “Ky fjalor, edhe pse mund të justifikohet nga nevojat e konsumit të brendshëm, si arsenal propagandistik drejtuar një populli të lodhur, të varfëruar e të pashpresë, siç ishte populli shqiptar në atë kohë, tingëllonte sidoqoftë i papranueshëm dhe larg parametrave të etikës diplomatike në marrëdhëniet me një shtet tjetër.”

Profesor, si mund ta justifikosh me “konsumin e brendshëm” këtë qëndrim, pa demaskuar thelbin e piraterisë? Nga ana tjetër keni të drejtë kur thoni se ato i drejtoheshin “një populli të lodhur, të varfëruar e të pashpresë”, por në atë gjendje në vitin 1975 popullin shqiptar nuk e çoi populli demokratik gjerman, por, sikundër e dimë të gjithë, e çoi regjimi komunist, krimet që po kryheshin çdo ditë e më shumë, lufta e klasave, kolektivizimi në formën e “gulagëve” rusë, tufëzimi i bagëtisë, deri shpendëve, politika e mbështetjes “tërësisht në forcat e veta”, pa përmendur “bëmat” e tjera. Pra, pse përpiqesh që atë gjendje të mjeruar t’ia faturosh të tjerëve dhe jo vetë rendit komunist? Pse na flet për parametra të “etikës diplomatike”, kur vetë thelbi i kërkesave ishte jashtë çdo logjike më minimale e normale, ishte kërkesë e tipit të “zhvatjes”? Pse, kështu do të mbahej në këmbë ai rend, për të cilin përgjëroheni dhe përqendroni të gjithë arsenalin tuaj “shkencor” për ta mbrojtur?

Për nga profesioni ju jeni jurist, përse nuk shpjegoni në libër se pse nuk mund të hidhej në Hagë kërkesa prej disa miliardash e Shqipërisë, kërkesë e paargumentuar, kërkesë e tipit “zhvatës” prej 17 miliardë dollarësh amerikanë apo 41,74 miliardë markash gjermane? Në libër na përmend pyetjen që bën diktatori Hoxha “nëse ishte e mundur që zgjidhja të realizohej duke iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë (GJND)”. Gjetët vetëm shkaqe procedurale që e bënin të pamundur këtë kërkesë? Po a ishte e drejtë një kërkesë e përmasave të tilla? Dhe, nëse ndodhte, kush do të ishte në bankën e të akuzuarve? Unë mendoj se jo Gjermania. Në bankën e të akuzuarve do të duhej të vihej regjimi totalitar komunist shqiptar për ato kërkesa jashtë standardeve më minimale në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kështu do të skualifikoheshin, ashtu sikundër i skualifikoi koha, edhe kërkesat e drejta për reparacione të shtetit fitimtar shqiptar ndaj dëmeve të nazistëve gjermanë.


Komunistët nuk kanë parime, vetëm slogane. Mashtrimi i madh


Kur komunistët diktuan se shifrat marramendëse të kërkuara nuk kishin asnjë shans për “dritë jeshile”, gjë që ishte krejt e natyrshme, ndërruan taktikë. Kërkesa e tyre shoqëruar me kërcënime prej “tigri letre”, për të ruajtur “parimet” e sanksionuara në Kushtetutën e vitit 1976 për të mos marrë ndihma e kredi e të tjera mashtrime të këtij lloji, u kthye në një politikë “lajkash” e mashtrimi të një lloji tjetër. Këtë radhë duke mashtruar jo gjermanët, por vetveten dhe popullin shqiptar që kishin nën thundër.

Enver Hoxha porosiste se gjermanëve “mund t’iu bëhej edhe një kompliment, duke u thëne së “ne kemi besim te populli gjerman, pavarësisht se na ka bërë të këqija, madje shumë të rënda, por ata gjermanë që na i kanë bërë këto ishin hitlerianë.”

Një grupim kriminel, siç ishin komunistët në pushtet, nuk kishin dhe nuk kish se si të kishin parime, ato ishin krejt formale dhe për qëllime të caktuara propagandistike.

Kjo u duk qartë edhe në problemin e reparacioneve të luftës. Jo vetëm u reduktua e u cungua shifra që ishte menduar për të “zhvatur” nga gjermanët, por po projektoheshin manovra të tilla që të garantonin gjithsesi “një grusht me pará”, qoftë për të shtyrë disi kolapsin e pashmangshëm ekonomik e mandej politik e ideologjik.

Krisafit i vjen “keq”, sa nuk do t’i përpijë ata që u përpoqën pa i marrë mendimin “Profesorit” të mos zbatonin “porositë” e “udhëheqësit të madh” Hoxha. Në libër ai pa iu vrarë ndërgjegjja shkruan se “krejtësisht i pakuptueshëm, i pashpjegueshëm dhe njëkohësisht i papranueshëm ishte refuzimi për të vepruar sipas sugjerimit të atij që e kishte projektuar gjithë korpusin politik e juridik të pengesave të zgjidhjes së çështjes, Enver Hoxhës... ai duket e kuptoi se strategjia e zgjedhur prej tij, nuk kishte shanse për rezultate pozitive. Prandaj e rishikoi...”

Cila ishte zgjidhja e “re” që propozonte Hoxha? E njëjta vjedhje, veçse me mashtrime të natyrës tjetër. Le të na i japin ndihmat, ne i quajmë ato reparacione, pala gjermane le t’i quajë ndihma. Mashtrimet vijnë në mënyrë të shkallëzuar dhe dora-dorës kalojnë nga mashtrimi i popullit gjerman në mashtrimin e popullit shqiptar dhe të opinionit botëror. Profesor Krisafit i pëlqen të përmendë porosinë e Hoxhës: “Ju (gjermanët, shënim i Krisafit), në arkivat tuaja shkruani si të doni, shkruani që i dhatë ndihmë Shqipërisë. Neve kjo s’na hyn në punë, sepse ndonjë firmë të ndonjë përfaqësuesi të shtetit shqiptar nuk ka, që të vërtetojë se Shqipëria ka marrë ndihmë nga Gjermania... Pra, për veten tuaj ju thoni po të doni se i keni dhënë Shqipërisë një kredi prej kaq qindra miliona markash në një datë të papërcaktuar, futeni një dokument të tillë në arkivat tuaja...”

Nuk di, nëse mund të ketë në ditët e sotme diplomat, jurist apo qoftë edhe “shkencëtar” tjetër si puna e z Krisafi që të përgjërohet për zgjidhje të tilla mashtruese. Ai pa skrupull shkruan se “porosia” e Hoxhës “ishte një visto e mjaftueshme për të ecur në këtë rrugë... Pala shqiptare do t’i konsideronte reparacione shumat që pala gjermane mund të jepte në formë kredish, ndihmash apo formash të tjera, kurse ajo vetë mund t’iu vinte çfarëdo emërtimi.”


“Shans i fituar” jo “shans i humbur”


Profesor Krisafi dhe Asistent Profesori Kaba i quajnë “shanse të humbura” mundësitë që kishte shteti shqiptar për të përfituar nga reparacionet për dëmet e luftës së shkaktuara nga okupatori gjerman. Mendimi im është i kundërt. Shqipëria nuk humbi asnjë shans. Në të kundërtën. Me qëndrimet jo thjesht megalomane, por pirateske, duke pretenduar shifra astronomike reparacionesh, opinioni botëror e pa me lente të zmadhuar natyrën kriminele të rendit komunist. Kjo i detyroi gjermanët, jo vetëm të shikonin me mos përfillje kërkesat me natyrë “zhvatëse”, por, duke përfituar nga rasti, mënjanuan edhe ato kërkesa që në thelb ishin të drejta.

Kjo ishte ndër faktorët themelorë që nuk ndikoi në zgjatjen e rendit komunist në Shqipëri - pra ishte një “shans i fituar” për popullin shqiptar. Me bindje them se përjashtimi i Shqipërisë nga “reparacionet” në ato vite të krizës dhe kolapsit, shpejtoi ditët e përmbysjes së madhe dhe fitoren e rendit demokratik.

Ende Profesori nuk e kupton këtë ogur të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ende në veprën që citojmë ai ngre pyetjen: “Përse u harxhuan gjithë këto vite, kur rezultati në çështjen e reparacioneve, një e drejtë e pamohueshme e popullit shqiptar, u reduktua pothuajse në asgjë?” Vetë ai i përgjigjet pyetjes që shtroi: “Vështirë të identifikosh një përgjigje të saktë. Por mund të thuhet se, përveç shkaqeve të natyrës politike që buronin nga qëndrimet standarde, dogmatike, të ideologjizuara deri në ekstrem të udhëheqjes shqiptare të asaj kohe, kanë ndikuar pa tjetër edhe paaftësia profesionale dhe një ndjenjë e dukshme fodullëku dhe megalomanie e individëve të caktuar në delegacionin shqiptar.”

Si gjithmonë përgjigje e gabuar dhe megalomane. Shkak për gjithë dështimet ishin kërkesat pirateske të shtetit kriminel komunist shqiptar. Të tjerat janë anësore, plotësuese. Përgjegjësia binte mbi atë rend të kalbur me ditë të numëruara.

Për qëndrimin monstruoz të shtetit komunist më është dashur dhe mua të bëj autokritikë në një moment të caktuar. Të them të vërtetën nuk e kam ndjerë veten më ngushtë se sa në takimin me të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri. Ishte viti 1991. Me propozimin e zotit Sabri Godo, në atë kohë kryetar i Partisë Republikane, kryeministri i Qeverisë së Stabilitetit, z. Ylli Bufi, vendosi që vizitën e parë jashtë vendit ta bënte në Gjermani. Nuk di arsyen, por duke kapërcyer organet që merreshin me marrëdhëniet me jashtë, sikundër ishte Ministria e Jashtme, ndoshta për të shmangur ndikimin e Ramiz Alisë, në atë kohë ende president i vendit dhe me ndikim në Partinë Socialiste, më ngarkoi mua për t’u marrë vesh me palën gjermane. Në atë kohë rasti e solli që unë të isha në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave në Qeverinë e Stabilitetit.

Duke i shpjeguar të ngarkuarit më punë të ambasadës gjermane arsyet pse kryetari i qeverisë së një vendi në tranzicion demokratik kërkonte që vizitën e parë jashtë Shqipërisë mos ta bënte në vendet fqinje, për shkak të moskuptimeve eventuale, i kërkova që ta bënte në Gjermani. Nuk është rasti të përmend një varg arsyesh. Por, gjithsesi u ndjeva në vështirësi të mëdha, me një ndjenje turpi për refuzimin e dorës miqësore të popullit gjerman nëpërmjet zotit Shtraus. Njëherësh kërkova të falur për kërkesat jashtë çdo standardi dhe logjike ekonomike të shtetit të përmbysur komunist për reparacionet dhe lojën e fjalëve që u përdor në këtë rast.

Me gjithë dashamirësinë e qeverisë federale gjermane, përsëri u ndje ende “ndikimi” i marrëdhënieve të periudhës së viteve ’70-‘80. I ngarkuari me pune i ambasadës së Republikës Federale Gjermane, sa hyri në derën e zyrës, jashtë çdo qëndrimi protokollar tha me dashamirësi dhe entuziazëm: “Përgjigjja është më shumë pozitive se negative”. Me këtë nënkuptova se do të rridhte ende shumë ujë që marrëdhëniet mos kishin shijen e hidhur të shtetit komunist. U pranua në parim, por me disa kushte të “vogla”. Kushte që kërkonin kohë që pala shqiptare nuk e kishte, sepse duheshin krijuar kontakte me botën.


Fund

Troy, Michigan, 10 shtator, 2009


1. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 268.

2. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 63.

3. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 69-70.

4. Hamit Kaba, Dëmshpërblimet gjermane të Luftës së Dytë Botërore ndaj Shqipërisë (1945-1990), në “Studime Historike”, Nr. 3-4, 2001, faqe 173.

5. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 267.

6. Po aty, faqe 268. Cituar: AMPJ, F.IARA, D. Nr. 17, v. 1975, Memorandumi i qeverisë shqiptare, datë 28 qershor 1975, drejtuar qeverisë gjermane mbi reparacionet e luftës.

7. Në vitin 1975 “fuqia blerëse” ishte 3,82 dollarë të vitit 1975 në krahasim me 1 dollar të vitit 1938. Sipas “Measuring Worth”, 2009, të autorëve Lawrence H. Officer dhe Samuel H. Williamson me titull “Purchasing Power of Money in the Unitet States from 1774 to 2008”

8. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 268.

9. Po aty, faqe 243.

10. Po aty.

11. AQSH, F. 898, v. 1945, D. 20, faqe 6

12. AQH, Dosja A, dokument i cituar i Komisionit të Planit të Shtetit, faqe 29.

13. Statistika e prodhimeve bujqësore në vitin 1938-XVI, Shtypshkronja “Shkodra” - Tiranë, 1939, faqe 6.

14. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 244, cituar: Gazeta austriake “Courier”, e datës 26 gusht 1975, kupyrë shtypi e depozituar në AMPJ, EIARA, D, Nr. 17, v. 1975.

15. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 268, Gazeta Frankfurter Rundshau, gusht 1975, kupyrë shtypi e depozituar në AMPJ, EIARA, D, Nr. 17, v. 1975.

16. Po aty

17. Ne vitin 1975 “fuqia blerëse” apo koeficienti i këmbimit ishte 2,455 Deutsche mark të vitit 1975 në krahasim me 1 dollar amerikan po të vitit 1975. Sipas “Measuring Worth”, 2009, të autorëve Lawrence H. Officer dhe Samuel H. Williamson me titull “Exchange Rates Between the United States Dollar and Forty-one Currencies”.

18. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 244.

19. Po aty.

20. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 246.

21. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 284.

22. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 270.

23. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 270-271.

24. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 274. Citohet: Enver Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare (1978), vëllimi 11, Tiranë 1984, ff. 305-306.

25. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 300. Citohet: AMPJ, F. Reparacionet gjermane, D. 17, viti 1984, informacioni “Mbi përgatitjet për bisedimet zyrtare me Republikën Federale të Gjermanisë lidhur me marrëdhëniet midis dy vendeve tona”.

26. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 346.

27. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 346. Citohet: AMPJ, F. Reparacionet gjermane, D. 17, viti 1984, informacioni “Mbi përgatitjet për bisedimet zyrtare me Republikën Federale të Gjermanisë lidhur me marrëdhëniet midis dy vendeve tona”.

28. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 346-347.

29. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 347.

30. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 347-348.

Google+ Followers