Pabarazi e institucionalizuar

MICHAEL ZüRN
Në mënyrë të diskutueshme, nuk ka qenë rënia e Murit të Berlinit ajo që nxiti ndryshimet strukturore epokale të kohëve të fundit në politikën ndërkombëtare, por më shumë implikimet e paparashikueshme të globalizimit. Asnjë sistem ekonomik sot nuk mund të injorojë arritjet në efikasitet të sjella nga tregtia mbarëbotërore në mallra dhe kapital pa humbur kompetitivitet. Interneti dhe media globale kanë çuar në një situatë në të cilën nuk është më e mundur fshihen disavantazhet e pastra ekonomike, siç qe e mundur në të kaluarën. Në një erë denacionalizimi social vetëm shtetet e hapura mund të mbijetojnë, por këto shtete të hapura gjithashtu e kanë humbur domethënien e tyre të mëparshme. Ndërsa globalizimi dobëson efektivitetin politik të shteteve kombe, ai minon gjithashtu domethënien e komunitetit ndërkombëtar të shteteve. Shoqëria civile e ka uzurpuar gjithnjë e më shumë fuqinë e shtetit. Me fjalë të tjera, sistemi shtetëror ndërkombëtar tani ka shoqëri. Aktorët e rinj politikë janë të mirënjohur: korporata multikombëtare, organizata joqeveritare multikombëtare, trupa private arbitrazhi, lëvizje proteste transkombëtare. Këto specie të reja në politikën botërore përgjithësisht përmenden si “rrjete publike globale”. Si një e tërë, ata funksionojnë si një formë kontrolli politik nga lart dhe përtej shteteve kombe. Korporatat transkombëtare (TNCs) bashkëpunojnë brenda regjimeve private ekonomike, duke përdorur kode sjelljeje që zbatohen nëpërmjet krahëve; aktorë ekonomikë privatë bashkohen së bashku në rrjete me aktorë të shoqërisë civile. Shembuj të kësaj lloj qeverisjeje private transkombëtare janë International Chamber of Commerce, the International Accounting Standards Board dhe kode të ndryshme sjelljeje dhe sisteme certifikimi (Forest Stewardship Council, Rugmark, etj.). Një formë tjetër e kompensimit për joefektivitetin në rritje të shteteve është sigurimi i përbashkët i qeverisjes nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë nëpërmjet partneriteteve publik – privat. Shembuj modelesh të tilla publik – privat janë Global Fund to Fight HIV, Tuberculosis, and Malaria, Global Compact dhe Kimberley Process. Në të gjitha këto raste, aktorët socialë krijojnë rregullime ose prodhojnë të mira publike në nivel transkombëtar që shtetet kombe nuk mund ti krijonin vetë. Këto forma të reja qeverisjeje janë aq të fuqishme sa që aktualisht ka diskutime rreth faktit nëse influenca politike nuk është më mirë e ushtruar nëpërmjet tregut sesa nëpërmjet proceseve demokratike. Në dritën e këtyre zhvillimeve, një opsion për sistemin ndërkombëtar është një shoqëri civile globale e çliruar nga dominimi i shteteve, me fjalë të tjera, një “ligj i bërë vetë i shoqërisë civile globale” që përfshin “autoritete private, jo të kapshme në komandimin ... e shtetit”. Megjithatë, emergjenca e mekanizmave efektive kontrolluese në nivel transkombëtar rëndohet shumë nga një grumbull i tërë parakushtesh të komplikuara. Në shumë raste, praktikat dhe rregullimet nga këto aktorë të shoqërisë civile marrin një karakter voluntarist. Kur korporata të caktuara ia nënshtrojnë veten rregullimeve të tilla, ekziston gjithmonë problemi i sjelljes së korporatave të tjera, ndërsa asnjë korporatë aktor nuk mund të jetë i sigurt se të gjithë konkurrentët e tjerë po adoptojnë dhe aderojnë ndaj detyrimesh të njëjta. Tregut nuk mund të sanksionojë në mënyrë të qëndrueshme shkeljen e kodeve të tillë; monitorimi i plotë efektiv nga ana e autoriteteve private është jorealist. Për shembull, vetëm 5 për qind e korporatave shumëkombëshe janë të përfshira në Global Compact, një iniciativë e Kombeve të Bashkuara që kërkon të promovojë qytetari korporatave të përgjegjshme. Klaus Dieter Wolf konkludon se “Kontributet private ndaj qeverisjes përtej shtetit komb mund ti shtohen qeverisjes publike, por nuk do ta zëvendësojnë atë”. Nga ana tjetër, efektiviteti i skemave rregullatore transkombëtare varet në marrëveshjet midis shteteve. Kështu që është e nevojshme që ta kthejmë vëmendjen tonë ndaj sistemit shtetëror ndërkombëtar. Çfarë drejtimi po merr ai? Dy shkollat më të rëndësishme teorike në disiplinën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare sot, realizmi dhe institucionalizimi, arrijnë konkluzione shumë të ndryshme. Në balancën realiste të sistemit të fuqisë, hegjemonia është vetëm një kusht i përkohshëm sepse të gjitha shtetet duhet të interesohen në bashkimin e forcave kundër shtetit më të fuqishëm me qëllim që të formojnë një kundërpeshë. Megjithatë, superioriteti i Shteteve të Bashkuara sot në botë është jashtëzakonisht i pakontestuar. Shpenzimet ushtarake amerikane kanë arritur një nivel të paprecedent, me shpenzimet e Shteteve të Bashkuara që përbëjnë më shumë se ato të shpenzimeve të 18 vendeve me shpenzime më të larta prapa tyre të marra së bashku. Sistemi aktual ndërkombëtar mund të përshkruhet me të drejtë kështu si unipolar. Megjithatë, sidomos në Azi, rezistenca ndaj dominimit amerikan po rritet. Mbi të gjithë Kina, por edhe India dhe, mundësisht, bile edhe Rusia, mund ti sfidojnë Shtetet e Bashkuara në një shkallë të tillë që mund të shikonim sërish një sistem multipolar. Sidoqoftë, koeficientet e rritjes, treguesit teknologjikë dhe kapacitetet ushtarake tregojnë se për të ardhmen e parashikueshme pozicioni special i Amerikës do të mbesë thellësisht i pandryshueshëm. Një rikthim në një sistem multipolar fuqie është i mundur, por jo në 10 – 15 vitet e ardhshme. Në qoftë se kjo shpërndarje unipolare e fuqisë zgjat, atëherë sovraniteti i shteteve më të dobët nuk mund të ruhet më. Një sistem unipolar, siç e ka shpjeguar shkencëtari politik Robert Kagan, “kishte një pasojë tërësisht natyrore dhe të parashikueshme: I bëri Shtetet e Bashkuara më të predispozuara për ta përdorur forcën jashtë vendit... një fakt që u reflektua në proliferimin e ndërhyrjeve ushtarake përtejdetit”. Një shtet me resurse shumë më superiore fuqie të alternuara midis, nga njëra anë, krijimit të rregullave dhe të institucioneve që çimentojnë statuskuonë e dominimit dhe, nga ana tjetër, përdorimin e drejtpërdrejtë të fuqisë së tij superiore për të vendosur ligjin e më të fortit. Si rezultat, ai minon parimin e sovranitetit shtetëror dhe barazisë shtetërore në masën që një aktor i centralizuar perandorak kontrollon shtete periferike dhe ndërhyn në punët e brendshme të tyre. Për pasojë, ne flasim për perandori, një sistem hierarkik në të cilin shteti perandorak posedon autoritetin final. Institutionalistët tregojnë një proces tjetër që shpesh etiketohet “konstitucionalizëm” përtej shtetit kombit. Por çfarë do të thotë kjo? Në këtë skenar, gjithashtu autoriteti final i shtetit komb minohet. Megjithatë, këtu problemi nuk është autoriteti i centralizuar ndaj periferisë, por dominimi i shtetit të së drejtës, që promovon të drejtat bazë themelore dhe lejon që një ligj në një nivel më të lartë të hedhë poshtë një ligj në një nivel më të ulët. Një sistem multinovelësh legalisht i stratifikuar nuk është akoma pjesë e dukshme e rendit ndërkombëtar; megjithatë, ai është një mundësi logjike. Në dritën e këtij skenari, katër opsione për të ardhmen e sistemit ndërkombëtar janë gjerësisht të identifikuar. I pari, ngritja e një shoqërie civile globale jashtë shteteve. Ky skenar nuk ka të ngjarë në të ardhmen e parashikueshme. I dyti, një rikthim në një sistem shtetëror multipolar. Ky skenar është i imagjinueshëm në perspektivë. Mbesin dy paradigma: unipolariteti i perandorisë amerikane dhe konstitucionalizmi i politikës botërore. Megjithatë, edhe këto dy skenarë nuk i kapin siç duhet zhvillimet aktuale në politikën botërore. Në fakt, po shfaqet një opsion i pestë: nj sistem shumështresor ligjërisht i stratifikuar. Gjithçka rreth perandorisë Tendenca e Shteteve të Bashkuara për të përdorur fuqinë e tyre superiore në mënyrë unilaterale ka çuar në një debat të ri rreth perandorisë. Teorizimi rreth perandorisë amerikane i referohet fundit të barazisë sovrane midis shteteve; ai bazohet në arsyetimin që Shtetet e Bashkuara posedojnë fuqi pafundësisht superiore në sistemin ndërkombëtar dhe se janë të gatshme që ta përdorin atë për të arritur interesat e tyre, pavarësisht normave ndërkombëtare. Megjithatë, një analizë më e afërt e situatës aktuale tregon se karakteristika të caktuara bazë të një sistemi perandorak mungojnë. Koncepti i perandorisë kërkon që sistemi të jetë i organizuar në mënyrë hierarkike. Për momentin nuk ka asnjë tregues që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë kontroll të gjatë territorial ndaj kontinenteve të tjera. Në të vërtetë, ato e kanë penguar veten nga ushtrimi i influencës së fuqishme ndaj vendeve që janë demokraci parlamentare me ekonomi të tregut të lirë të begatë dhe të qëndrueshëm. Aty ku sistemet ekonomike dhe politike funksionojnë në mënyrë të ngjashme me atë të Shteteve të Bashkuara, këto të fundit e pengojnë veten nga marrja e kontrollit dhe e njohin autoritetin e shtetit komb. Ndërsa dikush mund ishte me siguri shumë kritik ndaj përpjekjes për të ushtruar pushtet paq përgjegjësi territoriale (siç mendohet se është evidente në dëshirën e Shteteve të Bashkuara për tu tërhequr nga Iraku), është e rëndësishme të nënvizohet se objektivi i politikës së jashtme amerikane nuk është ekspansioni territorial, por vetë replikimi i tyre. Së dyti, një perandori nuk ka detyrime ligjore, ligji i fuqisë mbizotëron midis qendrës dhe periferisë. Atëherë, si mund ta shpjegojmë që pak shtetet të tjera në botë kanë kaq shumë antipati dhe bile frikë nga institucione autonome ndërkombëtare sa Shtetet e Bashkuara? Në shumë raste, Shtetet e Bashkuara ia kanë dalë me sukses që shmangin efektin detyrues të institucioneve ndërkombëtare. Qysh nga viti 1945, Shtetet e Bashkuara kanë ratifikuar vetëm 63 për qind të traktateve multilaterale të nënshkruara nga më shumë se gjysma e të gjitha shteteve, ndërsa anëtarët e tjerë të G7-s kanë një përqindje ratifikimi në mbi 90 për qind. Pavarësisht kundërshtimit amerikan, edhe gjatë viteve të fundit institucione të tilla si Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe Ndalimi i Minave Tokësore i Otavës u implementuan për shkak të përpjekjeve të përbashkëta të një grupi vendesh me të njëjtën mendje, të tilla si Kanadaja, Australia, shtete të caktuara evropiane, dhe në bashkëpunim me OJQ. Shembuj të mëtejshëm konventash të rëndësishme ndërkombëtare nga vitet Nëntëdhjetë që nuk e morën përkrahjen amerikane përfshijnë Traktatin e Ndalimit të Provave Bërthamore, Protokollin e Kiotos dhe Konventën e Diversitetit Biologjik. Sikur Shtetet e Bashkuara të qenë perandori, ata nuk do ta kishin frikës krijimit të institucioneve që kanë influencë anembanë perandorisë së saj. Sikur të kishte propozime që nuk do ti kënaqnin interesat e autoritetit qendror, ato nuk do të plotësoheshin. Veç kësaj, edhe Shtetet e Bashkuara i lejojnë vetes që të lidhen nga institucionet ndërkombëtare, ndërsa ruajnë një shkallë të caktuar autonomie. Në një studim krahasues, shkencëtari politik Bernhard Zangl tregon në mënyrë bindëse sesi natyra lidhëse e rregullave të regjimit ndërkombëtar tregtar u rrit për Shtetet e Bashkuara gjatë institucionalizimit më të thellë të tij. Gjithashtu kemi parë sesi Konventat e Gjenevës dhe konventa të tjera të të drejtave të njeriut, nëpërmjet Gjykatës së Lartë dhe kritikave të aleatëve ndërkombëtarë, me ngadalë po kanë disa efekte në politikat antiterror të administratës Bush. Gjithashtu, kjo është e ilustruar nga fakti që administrata Bush jo vetëm që i ka përdorur normat ndërkombëtare për të justifikuar politikat e veta (megjithëse vetëm me sukses modest), por gjithashtu ka punuar për ti ndryshuar ato norma. Në një numër studimesh, Michael Byers ka treguar se disa prej veprimeve më të kritikuara të administratës amerikane mund të interpretohen më mirë si shprehja e një strategjie afatgjatë “ndryshimi ligjor” sesa si një refleksion simplicist të interesave afatshkurtra që e injorojnë të drejtën. Drejt konstitucionalizmit? Këto vëzhgime dhe zhvillime flasin kundër teorisë së perandorisë amerikane. A sugjerojnë ato në fakt se sistemi ndërkombëtar po konstitucionalizohet? Institutionalistët theksojnë natyrën nënshtruese të normave ndërkombëtare. Normat dhe rregullat ndërkombëtare, kombinuar me aktivitetet e rëndësishme të organizatave ndërkombëtare, kanë një influencë të konsiderueshme në rezultatin e politikës ndërkombëtare. Kundër këtij bekgraundi, ka dalë koncepti i “qeverisjes globale”, duke ju referuar totalitetit të rregullave ndërkombëtare dhe vëmendjes së zgjeruar përtej zonave me probleme specifike në regjimet ndërkombëtare.Ideja e zhvillimit të një politike të brendshme ndërkombëtare nga njëra anë u fuqizua nga koncepti i ndërhyrjes humanitare që është promovuar nga Kombet e Bashkuara dhe, nga ana tjetër, nga aktiviteti në rritje i trupave ndërkombëtare për zgjidhje konfliktesh. Për pasojë ka diskutim të “ndërkombëtarizim të shtetit të së drejtës” dhe të lëvizjes drejt konstitucionalizmit të rendit tregtar ndërkombëtar, të drejtës ndërkombëtare dhe qeverisjes transkombëtare. Të gjitha këto argumente ndajnë vëzhgimin se normat ndërkombëtare kanë arritur domethënie në rritje dhe gjithnjë e më shumë po u jepet forma e ligjit, duke minuar kështu kuptimin tradicional të sovranitetit shtetëror. Megjithatë, teoritë e konstitucionalizmit të politikës ndërkombëtare kanë vetëm besueshmëri të kufizuar përderisa nuk i mbajnë parasysh këto zhvillime të nënvizuara nga analistët e perandorisë. Vëzhgimet e cituara nga teoricienët e perandorisë mbështesin tezën që shpërndarja unipolare e fuqisë çon në minimin e barazisë sovrane dhe se ky i fundit është një parakusht për konstitucionalizmin e politikës botërore. Në mbështetje të argumenteve për minimin e barazisë sovrane, nuk është e mjaftueshme tju referohesh efekteve të rregullimeve ligjore që e theksojnë pabarazinë. Shumë kritikë të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar prej kohësh kanë argumentuar se këto rregullime të institucioneve e theksojnë pabarazinë materiale më shumë sesa e reduktojnë atë, por minimi i barazisë sovrane nënkupton shumë më tepër sesa thjesht caktimet e diferencuara të të drejtave dhe detyrimeve bazuar në aftësi të ndryshueshme. Caktime të tilla të diferencuara të drejtash dhe detyrimesh janë familjare në çdo shoqëri moderne (jo çdonjëri paguan të njëjtat taksa) dhe ka të njëjtin vend në sistemin ndërkombëtar. Më shumë, teorizimi i institucionalizimit ligjor të pabarazisë i referohet diçkaje më shumë: ai i përket një lloji të vendosur në mënyrë permanente, më shumë sesa përcaktimit meritokratik të drejtash dhe detyrimesh të ndryshueshme. Ai i referohet diskriminimit dhe një zbatimi sistematik të pabarabartë të ligjit. Cila është dëshmia për këtë zhvillim? Në veçanti, ekziston një rreze e tërë institucionesh ndërkombëtare në të cilat shteteve formalisht u janë dhënë të drejta të ndryshme. Për shembull, Këshilli i Sigurimit u jep 5 anëtarëve të përhershëm fuqinë e vetos, të gjitha shtetet e tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara duhet të zgjidhen në Këshillin e Sigurimit dhe nuk kanë fuqi vetoje. Veç kësaj, ekziston një implementim selektiv i rregullave. Sidomos qysh nga viti 1989, norma të caktuara janë caktuar mbi bazën e nivelit të komunitetit ndërkombëtar, së bashku me zona për ndërhyrje që janë përgjithësisht të bazuara mbi të drejtat e njeriut. Megjithatë, në implementimin e këtyre normave Kombet e Bashkuara mbesin të varura nga vullneti i shteteve individuale, si për shembull gjatë luftës së parë të Gjirit kur Kombet e Bashkuara vareshin tek Shtetet e Bashkuara për të realizuar operacionet paqendërtuese. Si rezultat, selektiviteti i luftërave të reja multilaterale është strukturalisht i programuar. Për pasojë, ndjekja ligjore e barazisë konfrontohet me pabarazinë e fuqisë të bazuar tek resurset e një strukture unipolare. Për pasojë, rendi që del shkel një parim bazë të shtetit të së drejtës pasi pabarazia e madhe midis anëtarëve të sistemit shtetëror gjithnjë e më shumë po përkthehet në stratifikim ligjor. Një sistem i panjohur? Megjithatë, mund të vërehen dy tendenca paralele në sistemin shtetëror. Nga njëra anë, një sistem normash dhe një aparat institucional është zhvilluar përtej shtetit komb që e minon konceptin e shtetit sovran si autoritetin më të lartë. Nga ana tjetër, ky rend dhunon një parim bazë të shtetit të së drejtës dhe, për pasojë, dhunon parimin e barazisë sovrane. Prandaj ajo çka shikojmë aktualisht nuk është as shfaqje e konstitucionalizmit real të bazuar në shtetin e së drejtës, as shfaqja e një perandorie amerikane. Ajo është një rend multiplanësh që përmban norma ku pabarazitë jo vetëm luajnë një rol de facto, por gjithashtu pasqyrohen de jure. Përse dominimi amerikan nuk përkthehet në struktura perandorake? Para së gjithash, duhet të përmendim konstituimin e brendshëm të Shteteve të Bashkuara. Kufizimet e politikës së jashtme që nga popullsia e një shtetit të konsoliduar demokratik të bazuar në shtetin e së drejtës nuk duhet të nënvlerësohen. Kjo është treguar gjatë muajve të fundit. Ka gjithashtu një aktor të dytë dhe këtu në kthehemi në domethënien në rritje të shoqërisë civile ndërkombëtare. Sfera shtetërore është e dominuar nga Shtetet e Bashkuara, por sfera shtetërore si e tërë ka humbur fuqi ndaj sferës transkombëtare shoqërore. Kanë qenë mekanizmat efektive të kësaj sfere sociale ato që kanë qenë në gjendje ti lidhin Shtetet e Bashkuara me normat ndërkombëtare. Superioriteti i fuqisë i Shteteve të Bashkuara do të ishte pothuajse absolut sikur të kishte vetëm një sferë të vetme shtetërore, por është i kufizuar për shkak të rritjes së rëndësisë së sferës shoqërore. Kështu që rruga drejt perandorisë është bllokuar nga ekzistenca e një shoqërie civile transkombëtare, por roli i sferës shoqërore nuk është kufizuar në bllokimin pasiv. Ajo është vetë forca shtytëse prapa zhvillimit të normave që kushtëzojnë realitetin. Të paktën disa prej ndërhyrjeve të komunitetit ndërkombëtar në shtetet e dështuara u bënë pasi aktorët transkombëtarë aplikuan më sukses presione dhe ndërmjetësuan nëpërmjet sistemeve politike të shtetit komb. Norma emergjente e “përgjegjësisë për të mbrojtur” e ka origjinën në sferën transkombëtare. Influenca e shoqërisë civile transkombëtare vazhdon që të rritet, por për shkak të aftësive të kufizuara të saj, sfera e shtete vetëm mund të aderojë në të dhe vetëm në një masë të kufizuar. Për pasojë, njeriu mund të flasë vetëm për tejzgjerimin e normave ndërkombëtare nga sfera sociale. Zhvillimi i standardeve të dyfishta është në fakt një formë e vërejtur shpesh reagimi nga një shoqëri normativisht e mbingarkuar. Kombinimi specifik i dominimit amerikan në sferën e shteteve dhe fuqizimi relativ i shoqërisë civile transkombëtare përballë sferës së shteteve mund të sigurojë një shpjegim të besueshëm për gjendjen aktuale të sistemit ndërkombëtar. Për pasojë, ne mund të konkludojmë se nuk jemi as në rrugën drejt një perandorie amerikane, as në rrugën e konstitucionalizmit të së drejtës ndërkombëtare apo të shoqërisë civile ndërkombëtare. Në vend të kësaj ne po përjetojmë daljen e një sistemi shumënivelësh ligjërisht të stratifikuar që përmban elementë të të gjitha skenarëve të sipërpërmendura. Michael Zürn është Drejtor i Departamentit të Konflikteve Transkombëtare dhe i Institucioneve Ndërkombëtare në Qendrën Kërkimore të Shkencave Sociale të Berlinit (WZB) dhe Dekan themelues i Hertie School of Governance. Përgatiti: ARMIN TIRANA

Google+ Followers