Njeriu i Shekullit, përse Ajshtajni dhe jo Hitleri

Përse e gjithë forca shkatërrimtare e Adolf Hitler nuk është e mjaftueshme për ta bërë atë Njeriun e Shekullit? A ishte ai dhe e gjithë tragjedia e shkaktuar prej tij një e keqe e domosdoshme?


NANCY GIBBS

Si mund të mos të zgjidhni Hitlerin, pyet një nga drejtuesit e ulur në tryezën e rrumbullakët të revistës "Time". Kush ka patur impaktin më të madh në shekullin e kaluar, qoftë për mirë apo për keq? Është shumë e lehtë të thuash thjesht që ai humbi, ndërkohë që edhe duke humbur ai ndryshoi gjithçka. Ishte ai personi që hapi venat e Shekullit të Përgjakur, një epokë që ka parë me sy sakatim, shfarosje të një shkalle të paimagjinueshme për shekujt e mëparshëm. "Që nga koha e Hitlerit", debatoi Elie Wiesel në mbledhjen e revistës "Time", "tashmë një njeri përcaktohet nga ajo çfarë e bën atë çnjerëzor." Ndërkohë që Reishtagu mbijetoi vetëm për 12 vjet dhe jo për 1.000, sporet e tij vazhdojnë të mbijetojnë dhe të shumëfishohen. "Esenca e hitlerizmit - racizmit, urrejtjes etnike, nacionalizmit ekstrem, krimit të organizuar shtetëror - është ende gjallë, vazhdon ende të shkaktojë miliona vdekje", ka shkruar ambasadori i Kombeve të Bashkuara, Richard Holbrooke, kur me gjysëm zemre nominoi Hitlerin si njeriun mbizotërues të shekullit. "Liria është ideja më e fuqishme e shekullit, por lufta është tejmase mbizotëruese e tij".

Mund t'ja bëni vetes këtë pyetje për çdo vit, çdo shekull: Kush ka patur impaktin më të madh, e mira apo e keqja, heronjtë apo keqbërësit, Roosevelt dhe Churchill apo Hitleri dhe Stalini? Sa e madhe është shtrirja e vartësisë së tyre nga njëri-tjetri, kur kërcënimet prodhojnë vendosmëri, kur terrori sjell kurajo, kur një sfidë përfundimtare e principeve ka bërë që principet të fuqizohen duke i mbrojtur ato me gjak? Njerëzit e mençur që debatonin për Hitlerin në një kohë kur shumica nuk donin ta nderonin si Njeriu i Shekullit, duan të bëjnë autopsinë e psikologjisë tij, të kuptojnë se çfarë e bënte aq të fortë dhe çfarë e vrau në fund. Ata duan të bëjnë kërkime dhe ndoshta të zbulojnë një vaksinë për virusin, i cili vazhdon të shfaqet në ditët e sotme në enklavat etnike, në faqe interneti, në labirintet e mendjeve të sëmura të anarkistëve dhe në klasën e një gjimnazi kolumbian, ku dy djem festuan ditëlindjen e Hitlerit, duke masakruar disa fëmijë për nder të tij.

Nëse impakti do të matej vetëm nga numri i jetëve të marra, atëherë do të ishte një debat i mbyllur, pasi Hitleri do të mbetej shumë mbrapa miqve të tij tiranë, Stalini dhe Mao. Ka nga ata që insistojnë se Hitleri nuk ka qenë figura dominante e shekullit, pasi ishte thjesht një emër në fund të listës së gjatë të figurave vrasëse të historisë, duke ndjekur hapat e Genghis Khan. E vetmja diferencë ndërmjet tyre ishte teknologjia: Hitleri realizoi masakrën e tij cinike i ndihmuar nga efiçenca e industrisë moderne.

Ky është problemi kryesor i përkufizimit të impaktit. Çfarë ka më shumë rëndësi, një jetë e humbur apo një jetë e ndryshuar përgjithmonë? Një ide, e cila ndryshon jetën mund të ketë më shumë fuqi se sa një ushtri që e merr atë, gjë që e bën Gutenberg të sundojë shekullin XV dhe Jefferson të sundojë atë të XVIII.

"Pesëqind vjet më pas, ne nuk do ta mbajmë mend Hitlerin", thotë teologu Martin Marty. "Hitler ndoshta ka përpiluar axhendën e shekullit; ka qenë një lloj vorbulle energjie negative që thithte brenda saj çdo gjë tjetër. Megjithatë, unë mendoj se Zoti zgjedh njerëzit e thjeshtë si Roosvelt dhe Churchill dhe i gdhend ata sipas qëllimit të tij. Pas pesë shekujsh, do të kthejmë kokën prapa dhe do të themi se historia e shekullit nuk ka qenë as Hitleri dhe as Stalini; ishte mbijetesa e shpirtit njerëzor gjatë genocidit".

Nëse e vetmja gjë që ka bërë Hitleri ka qenë vrasja e një numri shumë të madh njerëzish në një mënyrë aq efiçente sa kurrë më parë, atëherë debati për rëndësinë e tij gjatë shekullit përfundon këtu. Genghis Khan zgjodhi kontekstin e një stepe nomadësh, ku plaçkitja e fshtrave ishte një normë. Hitleri krijoi shoqërinë më të civilizuar të Tokës, tokën e Beethoven, Goethe dhe Schiller. Ai doli jashtë duke vrarë njerëz jo për ato çfarë bënin, por vetëm për ato çfarë ishin. Edhe Mao dhe Stalini që kanë shkaktuar më shumë vdekje se ai, vrisnin vetëm "armiqtë e klasave". Hitleri vrau miliona njerëz dhe bebe hebrejsh vetëm sepse ekzistonin.

Ky ndryshin na fut në zemër të konfliktit, i cili është edhe debat i gjatë dhe modern mbi natyrën e së keqes. Debati ka lindur që në kohën e Sokratit, i cili argumentonte se çdokush që është njohur me të mirën, nuk mund të zgjedhë qëllimisht të keqen. Mendimtarët e ndriçuar shkuan më tej duke i shtyrë konceptet e së mirës dhe së keqes në sferën e supersticionit. Por, Hitleri e ndryshoi edhe këtë. Ndoshta ishte pikërisht ai më shumë se çdo figurë tjetër që kërkoi një riinterpretim të së mirës dhe së keqes, të Zotit dhe njeriut.

"Para Hitlerit, ne mendonin se e kishim ekzaminuar thellësinë e natyrës njerëzore", argumenton Ron Rosenbaum, autori i librit "Të shpjegosh Hitlerin". "Ne treguan se sa poshtë mund të shkonim dhe kjo ishte çështja më e tmerrshme. Kjo na bën të mendojmë jo vetëm për thellësitë në të cilat na futi, por edhe nësa ka më thellë se kaq, nëse mund të ketë edhe më keq". Fuqia e Hitlerit konsistonte në ngatërrimin e nocionit modern se gjykimet mbi të mirën dhe të keqen ishin pak më shumë se një çështje shijesh, reflektime të klasës sociale, fuqi apo status. Edhe pse dijetarët modernë e kapin pak më gjerë konceptin e së keqes duke e shpjeguar sjelljen e Hitlerit si një reflektim i fëmijërisë dhe problemeve të tij të autostimës, për të gjithë të mbijetuarit e shekullit XX, ai është konfirmimi i gjallë i dijenisë sonë instiktive se e keqja me të vërtetë ekziston. Ajo lëviz përreth nesh, na çon në rrugë të gabuar dhe shpërndahet gjithandej me fuqi, një armë e lehtë që shkatërron edhe shpirtin më të fuqishëm.

Ekziston një nuancë, një argument tinzar për epërsinë e Hitlerit: se e keqja dhe e mira janë të varura nga njëra-tjetra. Është një dogmë e shumë religjiozëve se e keqja edhe pse misterioze, mund të qartësojë rrugën e së mirës, se shpirti perfeksionohet vetëm në betejë, se dhembja dhe ekstaza janë në një farë mënyre binjakë dhe se vetëm një shpirt - ose një shekull - që ka vuajtur me të vërtetë shumë, mund ta kuptojë me të vërtetë se ç'është gëzimi. Të gjithë ne e ndiejmë këtë në mënyrë instiktive. Ndiejmë kënaqësi të madhe kur një dhëmb pushon së dhemburi dhe kjo na bën të kujtojmë se e jetojmë jetën në kontekst dhe në kontraste, dhe ndoshta të gjithë mund të argumentojnë se vetëm duke qenë dëshmitarë dhe duke u përballur me djallëzitë e mëdha, mund të ndiejmë forcën e Zotit që na ndriçon shpirtin.

Ka teologë dhe historianë që kanë arritur në këtë përfundim. Më të drejtpërdrejtë janë ata që e kanë quajtur Hitlerin, dënimi i Zotit për laicizmin e hebrenjve të Europës dhe shkojnë më tej duke argumentuar se vetëm për shkak të Hitlerit dhe Holokaustit u përmbush profecia biblike dhe lindi shteti i Izraelit. Vetëm pendimi i Perëndimit në një shkallë kaq masive mund të hapte rrugën e Tokës.

Ka edhe një version politik të këtij ekuacioni, i cili thotë se në fillim të shekullit, Perëndimi drejtohej vetëm nga tiranët "e vegjël", me përjashtim të demokracive të konsoliduara të Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara. Hitleri nuk besonte se demokracitë e Perëndimit ishin të afta të mbronin pricipin që përfaqësonin dhe ndërkohë që ata lëkundeshin, mashtronin dhe tradhtonin duke mos lejuar zgjerimin e tyre, doli që Hitleri kishte të drejtë.

Ishte Churchill-i dhe Roosvelt-i ata të cilët rizgjuan Perëndimin për t'i drejtuar në zemër të vlerave të tij: liri, civilizim, humanizëm kundër së keqes dhe forca destruktive të urrejtjes. Sfida që prezantoi Hitleri u bë shkaku që Churchill dhe Roosevelt bashkë me dashamirësit e tjerë të lirisë të luftonin sëmundjet e mëdha të shekullit: nihilizmi dhe disfatizmi. Apostujt e Churchillit debatojnë se ai është titani i shekullit për këtë Tokë dhe kjo është tejmase e qartë në ditët e errëta të vitti 1940, kur aleatët perëndimorë arritën të triumfonin kundër akseve. Optimizmi i tij për fitoren dhe bindja e tij se ekzistonin ende disa të vërteta për të cilat duheshin mbrojtur me jetë ishin po aq të rëndësishme sa identifikimi i rrezikut dhe përballja me të. Dyzet vjet më pas, kur Ronald Reagan tha se lufta e ftohtë ishte një luftë që jo vetëm duhej luftuar por edhe duhej fituar, ai ishte duke ndjekur një strategji churchilliane.

Pra, a ishte i dosdoshëm një Hitler, një kërcënim vdekjeprurës, që demokracitë e bashkuara të kalonin nga enklavat vetëkënaqëse tek institucionet e fuqishme botërore, të cilat në fund të shekullit përqafuan njerëzit e të gjithë botës? Kjo është një pjesë për t'u nënvijëzuar. "Ndoshta është e vërtetë që për shkak të luftës, tashmë kemi shpikje të jashtëzakonshme mjekësore, radarë dhe hidrolokatorë", thotë teologu Marty, "por nuk më pëlqen aspak ideja e krijimit të një teologjie prej saj, këto janë vetëm produkte aksidentale".

Rosenbaum bie dakort në faktin se po të fokusohesh në benefitet e saj, rrezikon ta bësh të parëndësishme tragjedinë e jetuar. "Ka shumë njerëz që duan të besojnë se Zoti po na jepte një mësim, po na tregonte se e keqja ekziston dhe se duhet të mësojmë të luftojmë kundër saj. Mua më duket barbare të mendosh se Zoti ka nevojë të masakrojë mijëra foshnje vetëm që të përmirësojë karakterin tonë. Më ngrihen nervat kur dëgjoj njerëz që tentojnë të nxjerrin një leksion për njerëzimin nga gjithë kjo tragjedi".

Gjithsesi, pas luftës demokracitë perëndimore u bënë aq të forta saqë mundën jo vetëm fashizmin, por edhe vetë komunizmin, duke e paguar atë me një kosto të tmerrshme. "Sa shumë e lumtur do të kishte qenë bota sikur njerëzit nuk do t'u ishte dashur të hipnin mbi kryqëzata kundër fashizmit, izolimit, Holokaustit dhe asgjësimit të njerëzve inferiorë", thotë historiani presidencial Robert Dallek. "Nuk na duhet e keqja. Do të kishim qenë shumë më mirë pa një Hitler, një Stalin apo një Pol Pot. Mendoni vetëm për shumat marramendëse të parave dhe energjisë së harxhuar për Luftën e Dytë Botërore, sikur ato të ishin shpenzuar në mënyra konstruktive. E mira nuk ka nevojë për të keqen. Do të ishim shumë mirë po të mos ekzistonte".

Nëse do ta fusnim shekullin në një kapsulë kohe, do të dilnin kandidatë shumë më të mirë për njeriun e shekullit se sa krimineli i tij më i madh. Figurat e shumta, heronj apo keqbërës, përcaktojnë shkallën sipas së cilës ne balancojmë progresin. E keqja mund të jetë një forcë e fuqishme, por a është më e fuqishme se gjenialiteti, krijimtaria, kurajoja dhe zemërgjerësia? Shekulli na ka servirur karaktere që e kanë shtrirë botkuptimin dhe shpresën tonë drejt këtyre vlerave gjithashtu. Heronjtë jo vetëm që e mundën Hitlerin, por na dhuruan edhe inspirimin më të madh që do të na shoqërojë të gjithë shekujt pasues. "Ashtu si Hitleri na bëri të mendojmë se nuk i kishim ekzaminuar mirë thellësitë e natyrës njerëzore", përfundon Rosenbaum, "ndoshta Martin Luther King Jr, artisti më i madh i shekullit Nabokov, apo gjeniu Albert Einnstein që ndryshoi jetët tona në mënyrë të mrekullueshme përgjithmonë, do të na ndihmojnë të besojmë se ka ende lartësi që nuk i kemi prekur".

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers