Misteri i Voodoo


JAMES BRABAZON

Në shtetin e vogël afrikano-perëndimor të Beninit, voodoo-ja është praktikuar prej 10 mijë vjetësh, por përpjekjet për të ruajtur traditat e saj të lashta gojore janë shndërruar në një barrë të madhe për familjet besimtare dhe duke zhytur njerëzit gjithnjë e më shumë në varfëri. Benini është në unik në njohjen e Voodoo si një fe zyrtare, të ndjekur nga dy të tretat e 7.6 milion banorëve. Kjo fe përfshin një panteon perëndish dhe shpirtërash, ndërmjetësia e të cilëve kërkohet përmes flijimit të gjakut të kafshëve. Por për të mbijetuar, voodoo ka nevojë për një brez të ri për të përcjellë mistere të shenjtë, kështu që mijëra fëmijë iniciohen nga priftërinjtë çdo vit. Por çmimi i ceremonive mund të jetë i papërballueshëm dhe disa prindër madje po shesin fëmijët e tyre për të paguar borxhet e voodoo-së.

Në fshatin Djejbe, një vajzë 9-vjeçare tërhiqet zvarrë, duke kënduar himne fetarë. E zhveshur deri në bel, ajo sheh nga toka e pastruar prej këmbëve të saj të zbathura teksa del në oborrin e "konventës së voodoo" të Do Pa Tohizanli, një prej institucioneve të shumtë për iniciimin e fëmijëve në misteret e Voodoo.

Thomas Azanaai, autor i një raporti mbi sistemin e konventës thotë se ka mijëra të tilla. Ndërkohë që, në Do Pa Tohizanli kjo vajzë është "e vdekur" dhe nuk ka emër. Sapo iniciohet, ajo do të rilindë dhe do të marrë emër të ri. E ëma, Adonosi Kpamegan vështron e nervozuar. Ajo nuk mund t'i afrohet të bijës, e cila përfundon këngën dhe gjunjëzohet përpara priftit të lartë. Ndalohet që prindërit të kenë çdo lloj komunikimi me fëmijët e tyre, ndërkohë që këta pagëzohen, një proces që sipas priftërinjve mund të zgjasë tre muaj, por shpesh herë zgjat më shumë se tre vite.

Pas pesë aborteve, Kpamegan shkoi tek prifti i saj 12 vjet më parë për të kërkuar ndihmë që të kishte një fëmijë. Ai kreu një ritual pjellorie falas, me "pazarin" faustian që, nëse do të lindte një fëmijë do të duhej ta sillte në konventë. Por kur lindi e bija, Kpamegan nuk kishte para për të paguar tarifën e pagëzimit kështu që, siç thotë ajo, ia morën beben me forcë dhe ia rikthyen vetëm, pasi ajo ra dakord të kursente para dhe të dorëzonte fëmijën më vonë. Pas nëntë vjetësh, ajo ende nuk kish kursyer aq sa duhej. "Më pas, Voodoo më mori vajzën", thotë ajo. "Ajo u pushtua dhe vrapoi duke ulëritur drejt konventës".

Ceremonitë kushtojnë afro 200 stërlina, një pasuri kjo në një vend ku më shumë se gjysma e popullsisë jetojnë me më pak se 1 stërlinë në ditë. Kpamegan fiton 12 qindarka në ditë si mbledhëse drush; bashkëshorti është i papunë. Prifti i lartë mohon që të pasurohet në kurriz të të varfërve. "Paratë nuk vjnë tek unë", këmbëngul ai. Të gjithë paratë, thotë ai, përdoren për të blerë dhi dhe pula si dhe përbërës të tjerë ceremonialë.

Koncepti i uljes së kostos së flijimeve e bën të qeshësh. "Kur Voodoo kërkon diçka nga ti, nuk duhet ta kundërshtosh". Me dhëmbë të rënë dhe shumë i plakur, ai nuk është në gjendje të shohë përpara, madje as të kuptojë se mund të ketë një problem.

Varfëria në Benin është shkaktuar nga faktorë që përfshijnë tokën djerrë, mbipopullimin dhe menaxhimin shkatërrimtar financar në 17 vitet kur ishte një diktaturë marksiste.

Në rastin më të mirë, ceremonitë Voodoo shterojnë burimet e komuniteteve ruralë që tradicionalisht kanë shkëmbyer mallra dhe jo para për ritualët. Në rastin më të keq, falimenton dhe ndan familjet, duke i zhytur më shumë në borxhe e varfëri. Një mënyrë për të zbutur efektet më të këqinj të varfërisë është shitja e fëmijëve, duke i lënë ata në vend të kostove të pagëzimit dhe ceremonive të tjera. Prindër të tjerë i dërgojnë fëmijët në punë si shërbëtorë apo punëtorë, në kushte që Sulejman Diallo, përfaqësues i Fondit të Arsimit të Fëmijëve në Benin i përshkruan si "një formë moderne e skllavërisë".

Diallo beson se, shumë familje paguajnë borxhet e pagëzimit, duke shitur një apo më shumë fëmijë për punë të detyruar. Studimet tregojnë se 40 mijë fëmijë trafikohen në Benin çdo vit si dhe shkojnë të punojnë në gurore në Nigeri, aty ku rrihen, lihen të vdesin urie dhe punojnë me turne, duke thyer gurë.

Voodoo

Voodoo është një traditë fetare me origjinë në Afrikën Perëndimore, që u bë e njohur në Botën e re për shkak të importimit të skllevërve afrikanë. Voduni afrikano-perëndimor është forma origjinale e fesë; vodou Haitian dhe voodoo e Luizianës janë pasardhësit e saj në Botën e Re.

Vodou (Voodoo në anglisht) është një emër i dhënë një feje sinkretiste të botës së re, apo një familje fesh, bazuar në besimet e Fon, Ewe dhe ppuj të tjerë të Afrikës Perëndimore, të popujve të Kongos në Afrikën Qendrore dhe Krishtërimit. Gjendet në zona të diasporës afrikane, sidomos në Haiti, Republikën Dominikane, Kubë e Brazil.

Në fenë Voodoo, i gjithë Krijimi është hyjnor dhe si rrjedhim ka fuqi hyjnore, që mund të arrihet prej praktikuesve. Funksionet themelorë të voodoo janë të shpjegojnë forcat e universit, të influencojnë këto forca dhe të influencojnë sjelljen njerëzore. Gojëdhënat e voodoo përcjellin gjenealogjinë, historinë dhe fabulat. Praktikantët nderojnë perënditë dhe të lashtët. Kur është me gërma të mëdha, fjala Voodoo tregon fenë. Kur është me gërma të vogla tregon shpirtërat e fesë.

Google+ Followers