Hakmarrja e gjeografisë ndaj etjes për kufij/Pasojat e luftës për një copë nga Lindja e Mesme

• Popujt dhe idetë mund t'i influencojnë ngjarjet, por ajo që i përcakton në të vërtetë, sot akoma më shumë se dje, është gjeografia. Konfliktet e së ardhmes janë tashmë të shkruara në logjikën e gjeografisë së sotme

• Bracken: "Ekziston një "rrip i pandërprerë vendesh", nga Izraeli tek Koreja e Veriut, të impenjuar në zhvillimin e raketave balistike dhe arsenale tejet shkatërrimtarë"


Popujt dhe idetë mund t'i influencojnë ngjarjet, por ajo që i përcakton në të vërtetë, sot akoma më shumë se dje, është gjeografia. Për të kuptuar konfliktet e ardhshme, është koha që të fshihen nga pluhuri filozofët e epokës viktoriane, që më mirë se të tjerët kanë kuptuar fuizicitetin e botës në të cilën jetojmë. Një gazetar që ka udhëtuar gjerë e gjatë ofron një guidë interpretuese të hartës gjeografike të globit dhe një premierë lidhur me përplasjen e ardhshme.

Kur 20 vjet më parë një turmë gjermanësh në delir rrëzoi Murin e Berlinit, u bë fjalë për një ngjarje që shkonte përtej tejkalimit të një kufiri të vendosur arbitrarisht. Qe fillimi i një cikli intelektual që i konsideronte të tejkalueshme të gjitha ndarjet, gjeografike apo të natyrave të tjera, shikonte me antipati të zjarrtë ndaj termash të tillë si "realizëm" apo "pragmatizëm" dhe që sillte ndërmend humanizmin e Isaiah Berlin apo kujtonte politikën e appeasement (çtensionim me kosto lëshimesh të rënda) ndaj Hitlerit në Mynih për të lëshuar një ndërhyrje ndërkombëtare njëra pas tjetrës. Në këtë mënyrë, liberalizmi i armatosur dhe neokonservatorizmi promotor i demokracisë së viteve '90 ndanin të njëjtat aspirata universaliste. Por, kur frika e një Mynihu të ri shkon shumë përtej, rezultati është Vietnami apo, si tani, Iraku.

Kështu, filloi rehabilitimi i realizmit dhe bashkë me të një cikël i ri intelektual. "Realizmi" është tani një markë e respektueshme, "neokon" një term për t'u tallur. Analogjia e Vietnamit e ka mundur atë të Mynihut. Thomas Hobbes, i cili lëvdonte përfitimet morale të frikës dhe e shikonte anarkinë si rrezikun kryesor për shoqërinë, në ciklin aktual, ka zëvendësuar Isaiah Berlin si filozof referimi. Tendenca aktuale është ajo e lënies menjanë të idealeve universale dhe e vënies në zjarr së diversiteteve - etnike, kulturore, fetare. Njerëz që 10 vjet më parë tregonin një rrugë të tillë, akuzoheshin për "fatalizëm" apo "determinizëm". Tani lëvdohen si "pragmatistë" dhe ky është pikërisht këndvështrimi i 20 viteve të fundit: në botë ekzistojnë gjëra më të këqija se tirania, për sa brutale ajo mund të jetë, dhe në Irak i kemi tërhequr në shpinë. E them pasi kam mbështetur luftën.

Kështu, tani, pasi kemi pësuar ndëshkimin, jemi bërë të gjithë realistë ose të paktën është kjo që besojmë. Por të jesh realist do të thotë diçka më shumë sesa t'i kundërvihesh luftës në Irak, pasi ke mësuar se do të kishte një kurs negativ. Të jesh realist do të thotë të pranosh se marrëdhëniet ndërkombëtare qeverisen nga një realitet më i trishtë dhe më i kufizuar se ai që qeveris çështjet kombëtare. Nënkupton që t'i japësh një rëndësi më të madhe rendit sesa lirisë, pasi kjo e fundit fiton domethënie vetëm pasi është vendosur rendi. Nënkupton, gjithashtu, që ta vendosësh vëmendjen mbi atë që ndan njerëzimin më shumë sesa mbi atë që e bashkon, të kundërtën e asaj që do të donin priftërinjtë e mëdhenj të globalizimit. Me pak fjalë, "realizëm" nënkupton të njohësh dhe t'i pranosh ato forca përtej kontrollit tonë që kufizojnë veprimin e njeriut - kultura, traditat, historia, vala e errët e pasioneve që ndodhet menjëherë pas velit të qytetërimit. Dhe arrihet në atë që për realistët është pyetja qendrore në politikën e jashtme: kush mund të veprojë, në çfarë mënyre dhe mbi kë? Dhe nga të gjitha të vërtetat e papëlqyeshme, në të cilat realizmi hedh rrënjët e tij, më lakuriqja, më jokomodja dhe më përcaktuesja është gjeografia.

Praktikisht, ajo që po ndodh me rikthimin e fundit në skenë të realizmit është hakmarrja e gjeografisë, në kuptimin që i jepej disa shekuj më parë. Në shekullin XVIII dhe XIX, më përpara se shkencat politike të viheshin në rolin e disiplinës akademike, gjeografia ishte një disiplinë e nderuar, edhe pse jo e formalizuar mirë, në të cilën politika, kultura dhe ekonomia shpesh përcaktoheshin në marrëdhënie me një hartë gjeografike. Gjatë periudhave viktoriane apo eduardiane, malet dhe njerëzit që i popullonin qenë elementi i parë që merreshin në konsideratë; idetë, sado të larta, qenë të dytat.

Megjithatë, përqafimi i gjeografisë nuk nënkupton që ta konsiderosh atë si një forcë të papërkulshme, kundër të cilës njerëzimi është i pafuqishëm. Nënkupton më shumë të vlerësosh lirinë dhe zgjedhjet e njeriut duke pranuar faktin që, të paktën në një masë të caktuar, janë të përcaktuara nga fati. Kjo është shumë më tepër e vërtetë tani, me globalizimin që vjen duke e forcuar, jo dobësuar, rëndësinë e gjeografisë. Komunikimet masive dhe integrimi ekonomik po dobësojnë shtete të ndryshme, duke zbuluar një botë hobbesiane të përbërë nga rajone të vegjël të copëzuar, në brendësi të të cilëve faktorët etnikë, kulturorë dhe fetare vijnë e riafirmohen. Bëhet fjalë për faktorë të ankoruar në territore të ndryshme, që shpjegohen në mënyrën më të mirë nga metoda gjeografike. Ashtu si thyerjet gjeologjike përcaktojnë tërmetet, edhe e ardhmja politike do të përcaktohet nga konflikte dhe paqëndrueshmëri të bazuara mbi një logjikë gjeografike analoge. Tronditja e provokuar nga kriza ekonomike aktuale po e rrit akoma më shumë rëndësinë e gjeografisë, duke dobësuar rendin shoqëror dhe superstrukturat e tjera të njerëzimit dhe duke lënë si referim unik kufijtë natyralë të planetit.

Atëhere edhe ne kemi nevojë që të kthehemi tek harta gjeografike, sidomos në ato që i quajmë "zonat e copëzuara" të Eurazisë. Kemi nevojë që të rinxjerrim në skenë ata mendimtarë që e njihnin më mirë territorin dhe kemi nevojë që ta azhornojmë mendimin e tyre, për të mos u ndodhur të papërgatitur kur gjeografia do të konsumojë hakmarrjen e saj.

Eurazia ka qenë gjithmonë çerniera gjeopolitike e botës

Nëqoftëse dëshirohet që të kuptohen intuitat e gjeografisë, duhen marrë në konsideratë ata mendimtarë që i irritonin më shumë humanistët dhe liberalët, domethënë autorët sipas të cilëve harta gjeografike përcakton praktikisht gjithçka, duke u lënë shumë pak vend mundësive të zgjedhjes së njerëzve.

Një prej këtyre është historiani francez Fernand Braudel, i cili në vitin 1949 ka botuar "Mesdheu dhe bota mesdhetare në epokën e Filipit II". Duke futur demografinë dhe natyrën në procesin histori, Braudel dha një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e gjeografisë në vendin që i takon. Në rrëfimin e tij të ngjarjeve, forcat e përjetshme të mjedisit përcaktojnë tendenca historike jetëgjata që paralajmërojnë evenimentet politike dhe luftërat rajonale të ardhshme. Për shembull, për Braudel qe varfëria e trojeve mesdhetare, bashkuar me një klimë të paqartë dhe shpesh të thatë, ajo që i shtyu grekët dhe romakët për të bërë pushtimet e tyre. Me fjalë të tjera, do të zhgënjeheshim kurdoherë që do të mendonim se e kontrollojmë fatin tonë. Për të kuptuar sfidat aktuale të ndryshimit klimaterik, të ngrohjes globale dhe mangësinë e resurseve si uji dhe nafta, duhet të shkojmë përsëri në interpretimin mjedisor të ngjarjeve të zhvilluar nga Braudel.

Kështu, do të jetë mirë të rimerren në konsideratë strategjia e Alfred Thayer Mahan, oficer i Marinës amerikane, autor i "The Influence of Sea Power Upon History, 1660-1783". Duke e shikuar detin si faktor të madh të përbashkët të të gjitha qytetërimeve, Mahan konsideronte se fuqia detare kish qenë gjithmonë faktori vendimtar në çdo grindje ndërkombëtare. Ka qenë Mahan ai që në vitin 1902 krijoi termin "Lindje e Mesme" për të treguar atë zonë të ndodhur midis Arabisë dhe Indisë, që kishte shumë rëndësi në strategjinë detare të epokës. Praktikisht, Mahan e shikonte Paqësorin dhe Indianin si nyjet e gjeopolitikës botërore, pasi nëpërmjet këtyre shtrirjeve të mëdha ujore një fuqi detare do të mund të projektonte influencën e saj përreth perimetrit të të gjithë Eurazisë dhe, për pasojë, edhe në brendësinë e dy kontinenteve. Mendimi i Mahan ndihmon të kuptohet se pse Oqeani Indian është bërë zemra e ndeshjes gjeopolitike të shekullit XXI dhe pse veprat e tij janë shumë të kërkuara midis strategëve indianë dhe kinezë.

Në mënyrë të ngjashme, strategu amerikano-holandez Nicholas Spykman i shikonte këto dy oqeane si çelësin për dominimin e Eurazisë dhe si mjetin natyror për të kontrolluar fuqinë tokësore të Rusisë. Përpara vdekjes së tij, në vitin 1943, në një moment në të cilin Shtetet e Bashkuara qenë në luftë me Japoninë, Spykman parashikoi ngjitjen e Kinës dhe nevojën për amerikanët që të mbronin në një të ardhme jo të largët atë që për momentin, në atë kohë, ishte armiku i tyre; ashtu siç parashikoi, pavarësisht impenjimit amerikan në Europë, se dalja paslufte e një fuqie të përbërë nga bashkimi i shteteve europiane do të përbënte një pengesë për Shtetet e Bashkuara. E tillë ishte argpamësia e determinizmit gjeografik.

Ndoshta guida më domethënëse ndaj hakmarrjes së gjeografisë është vetë babai i gjeopolitikës moderne, Sër Halford J. Mackinder, i cili është i famshëm jo si autor i një libri, por i një artikulli të vetëm, të titulluar "The Geographical Pivot of History", që e pati origjinën nga një leksion i mbajtur më 1904 pranë Royal Geographical Society të Londrës. Vepra e Mackinder është arketipi i disiplinës gjeografike, të cilën ai e sintetizon kështu: "Ai që fillon është njeriu, jo natyra. Ama ajo që ruan kontrollin është mbi të gjitha natyra".

Teza e tij është se Rusia, Europa Lindore dhe Azia Qendrore janë "çernierat" rreth të cilave vërtitet fati i botës. Në një libër tjetër, Mackinder i referohet kësaj pjese të Eurazisë si "heartland", domethënë i qendrës së Tokës, natyrisht nga një këndvështrim gjeopolitik. Rreth asaj ka katër rajone "marxhinale", që u korrespondojnë dhe nuk është rastësi e zonave të përhapjes së katër feve të mëdha. Sepse, sipas Mackinder, edhe feja është një çështje gjeografie. Ka dy "territore musonesh": njëra në lindje, e ndodhur në Paqësor, ku ka lindur budizmi; një tjetër në jug, e ndodhur në Oqeanin Indian, atdhe i hinduizmit. Rajoni i tretë marxhinal është Europa, e lagur nga Atlantiku dhe djep i kristianizmit. Më i brishti nga këto katër rajone është Lindja e Mesme, shtëpi e islamit, "e privuar nga lagështia për shkak të afërsisë me Afrikën" dhe në pjesën më të madhe "pak i populluar" (kështu ishte në vitin 1904).

Kjo hartë orografike e Eurazisë dhe ngjarjet që u zhvilluan në agimin e shekullit XX përbëjnë objektin e studimit të Mackinder, shprehja hapëse e të cilit paralajmëron nuhatjen e madhe të tij: "Kur historianët e një të ardhmjeje të largët do të shikojnë nga shekujt nëpërmjet të cilëve po kalojmë, duke i parë të zvogëluar, saktësisht siç ne shikojmë sot qytetërimin e lashtë egjiptian, mund edhe të ndodhë që t'i përshkruajnë 400 vitet e fundit si epokën komlombiane dhe mund të thonë që përfundoi menjëherë pas 1900".

Mackinder shpjegon se, ndërsa kristianizmi mesjetar "kufizohej në një rajon të kufizuar, të kërcënuar nga barbarët që ndodheshin jashtë", epoka kolumbiane - Epoka e Zbulimit - e pa Europën që të zgjerohej përtej oqeaneve, drejt territoresh të reja. Kështu, në fund të shekullit XX, "do të duhet të kemi të bëjmë akoma me një sistem politik të mbyllur", por kësaj radhe "në shkallë planetare".

"Çdo shpërthim forcash shoqërore, në vend që të mund të shfryjë në një hapësirë të jashtme barbare dhe kaotike - është gjithmonë Mackinder ai që shkruan - do të derdhet (në mënyrë të detyruar) në çdo cep të botës dhe të gjitha brishtësitë politike dhe ekonomike të sistemit, për pasojë, do të lëkunden".

Duke e kuptuar se perandoritë europiane nuk kishin më hapësira të reja, në të cilat të zgjeroheshin dhe se kontrastet e tyre do të merrnin një dimension global, Mackinder parashikoi, edhe pse në mënyrë të vagullt, dimensionet e të dyja luftërave botërore.

Mackinder e shikonte historinë e Europës si "të varur" nga ajo aziatike, përsa e shikonte zhvillimin e qytetërimit evropian në funksion të luftërave në mbrojtje nga pushtimet aziatike. Nëqoftëse Europa, shkruan Mackinder, u bë vatra e kulturës, kjo ndodhi vetëm falë gjeografisë së saj: një rrjet i ndërlikuar malesh, luginash dhe gadishujsh, e kufizuar në veri nga akujt dhe në perëndim nga oqeani, e mbyllur nga deti dhe nga Saharaja në jug dhe e vendosur përballë ultësirash të pafundme kërcënuese ruse në lindje. Në këto territore të mirëpërcaktuara u derdhën pushtimet e tribùve nomade të ardhura nga stepat e largëta aziatike. Bashkimi i ngushtë midis grankëve, gotëve dhe popujve të rritur nën ombrellën e Perandorisë Romake për t'u mbrojtur nga ky kërcënim hodhi bazat e Francës moderne. Në mënyrë analoge, fuqi të tjera europiane lindën ose të paktën u maturuan me ndeshjet që patën me nomadët e Azisë. Praktikisht, qe trajtimi i keq i supozuar që turqit do t'u rezervonin kristianëve në pelegrinazh drejt Jeruzalemit ai që provokoi kryqëzatat, të cilat Mackinder i konsideron se janë fillimi i historisë kolektive moderne të Europës moderne.

Ndërkohë, Rusia, megjithëse e mbrojtur nga pyje të dendura ndaj shumë fqinjëve agresivë, në shekullin XIII qe pre e hordhisë mongole. Këta pushtues i dhjetuan popullsinë dhe ia ndryshuan thellësisht. Pjesa më e madhe e Europës nuk e njohu një nivel të tillë shkatërrimi dhe doli kështu si qendra politike e botës, ndërsa Rusisë për një kohë të gjatë iu mohua një vend në Rilindjen europiane. Perandoria e fundit tokësore, pothuajse e privuar nga barrierat natyrore kundër një pushtimi, Rusia, do ta ruante kujtimin e asaj që do të thotë të pushtohesh nga një armik i pamëshirshëm.

Zbulimet themelore të kësaj të ashtuquajture epokë kolumbiane, shkruan Mackinder, nuk bëjnë gjë tjetër veçse konfirmojnë konceptet bazë të gjeografisë. Në Mesjetë, popujt europianë në pjesën më të madhe qenë të kufizuar me tokë, por kur u zbulua rruga drejt Indisë, rreth Kepit të Shpresës së Mirë, europianët papritmas patën akses në të gjithë bregun e Azisë jugore, për të mos folur për zbulimet strategjike të lidhura me Botën e Re. Ndërsa europianët perëndimorë "mbulonin oqeanet me flotat e tyre", Rusia vazhdonte të zgjerohej në mënyrë po aq mbresëlënëse në tokë, "duke u shfaqur nëpërmjet pyjeve të veriut" për të kontrolluar stepën me kozakët e saj, duke shtypur Siberinë dhe duke i dërguar fshatarët e saj që ta bënin stepën veriperëndimore një hambar gruri. Ishte historia e vjetër: Europa kundër Rusisë, një fuqi detare dhe liberale (si Athina apo Venecia) kundër një fuqie tokësore reaksionare (si Sparta apo Prusia). Sepse është i njëjti det që, përveçse çon kozmopolitizmin e derivuar nga kontaktet me kontakte nga e gjithë bota, furnizon padhunueshmërinë e kufijve për të cilat demokracia ka nevojë për të hedhur rrënjë.

Në shekullin XIX, vëren Mackinder, shpikja e motorit me avull dhe hapja e Kanalit të Suezit i shumëfishuan mundësitë e fuqisë detare europiane drejt cepit jugor të Eurazisë, pikërisht si hekurudhat filluan të shërbejnë si instrument pushteti për fuqitë tokësore në zemër të Europës. Kështu ishte gati skenari për supremacinë e Eurazisë, që e detyron Mackinder të pohojë: "Ndërsa konsiderojmë këtë përmbledhje të shpejtë të korrenteve të historisë, a nuk del përpara syve një këmbëngulje e caktuar e marrëdhënieve gjeografike? Mos është ndoshta vatra e politikës botërore ky rajon i gjerë euraziatik i pashkelur nga anijet, por që në lashtësi ishte i hapur ndaj vara-vingove të nomadëve me kuaj dhe tani përgatitet të mbulohet nga një rrjet udhësh të hekurta?".

Pikërisht si mongolët dikur trokisnin, nganjëherë duke i shkulur, në dyert e kufijve të Eurazisë, ashtu dhe në atë moment, domethënë në vitin 1904, Rusia do të luante të njëjtin rol prej pushtuesi, pasi, vëren Mackinder, "madhësitë gjeografike janë shumë më të matshme dhe shumë më konstante se ndryshoret njerëzore". Lihen mënjanë carët dhe komisarët që do të vijnë prapa; janë argumente banalë krahasuar me forcat e pafundme fizike të gjeografisë.

Determinizmi i Mackinder na përgatit për ngjitjen e Bashkimit Sovjetik dhe të zonës së tij të gjerë të influencës në gjysmën e dytë të shekullit XX, ashtu si në dy luftërat që e kanë paraprirë. Në fund të fundit, siç ka vërejtur historiani Paul Kennedy, është bërë fjalë për konflikte rreth rajoneve "marxhinale" të Mackinder, që shkojnë nga Europa lindore në Himalaje dhe më tej. Veç kësaj, strategjia e frenimit e adoptuar gjatë Luftës së Ftohtë varej fuqimisht nga baza të ndodhura në kufijtë e kësaj zonë, të lokalizuara në Lindjen e Mesme dhe në Oqeanin Indian. Efektivisht, ndërhyrja amerikane në Afganistan e Irak dhe tensionet aktuale me Rusinë lidhur me fatet e Azisë Qendrore e të Kaukazit janë faktorë që forcojnë tezat e Mackinder. Në paragrafin e fundit të artikullit të tij, Mackinder arrin që të ngrejë spektrin e një pushtimi kinez të "vatrës" botërore, gjë që do ta bënte të ishte fuqia gjeopolitike dominuese. Shikohet në pushtimin demografik të pjesëve të Siberisë nga ana e kinezëve, në një periudhë në të cilën kontrolli i Rusisë mbi territoret e jashtëm të saj po lëkundet. Një pikë tjetër, mund të thuhet mirë, lidhur me të cilën Mackinder ka parë drejt.

Saktësia e determinizmit gjeografik reziston nëpërmjet hendekut të një shekulli që të pranohet se lufta më e vërtetë e njerëzimit nuk është për idetë, por për të siguruar kontrollin e territorit dhe sidomos qendrën dhe kufijtë e Eurazisë. Natyrisht vlejnë edhe idetë, që shtrihen mbi gjeografinë. Megjithatë, ekziston një logjikë e ndërlikuar gjeografike, me të cilën janë lidhur ideologji të caktuara. Europa Lindore komuniste, Mongolia, Kina, Koreja e Veriut kanë qenë të gjitha fqinje me fuqinë tokësore të Bashkimit Sovjetik. Fashizmi klasik ka qenë një fenomen kryesisht evropian. Liberalizmi i ka zhvilluar rrënjët e tij më të thella në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe, që në thelb janë të dyja shtete ishullore dhe fuqi detare. Një determinizëm i tillë është e lehtë për t'u urryer, por e vështirë për t'u mohuar.

Për të kuptuar se ku çon përplasja e ideve, duhet të rishqyrtojmë Mackinder duke ua përshtatur ditëve tona. Në fund të fundit, Mackinder nuk mund të parashikonte se si ndryshimet e një shekulli mund ta ripërcaktonin dhe përmirësonin rëndësinë e gjeografisë në botën aktuale. Një që e ka bërë është Paul Bracken, profesor në Yale University, i cili në vitin 1999 ka botuar "Fire in the East". Bracken përshkruan një hartë konceptuale të Eurazisë të përcaktuar nga shkurtimi i kohëve e largësive dhe nga mbushja e zonave boshe. Kjo e bën të artikulojë një "krizë hapësire". Në të kaluarën, një gjeografi pak e populluar vepronte si mekanizëm sigurie. Tani nuk është më kështu, shpjegon Bracken, pasi ndërsa hapësirat boshe vijnë duke u zhdukur, vetë "dimensioni i përfunduar i Tokës" bëhet një faktor paqëndrueshmërie. Dhe siç kam mësuar unë vetë në komandën e ushtrisë dhe në General Staff College, "attrition of the same adds up to big change", zhdukja e një faktori përcakton një ndryshim të madh.

Gjeopolitika bashkëkohore është plot me të çara dhe pika këputjeje

Njëra prej forcave që po e zvogëlon hartën e Eurazisë është teknologjia, në veçanti zbatimet ushtarake të saj dhe fuqia në rritje që nxjerrin shtetet. Në vitet e para të Luftës së Ftohtë, ushtritë aziatike qenë institucione elefanteske, detyra parësore e të cilave ishte konsolidimi i vendit. Shikonin në brendësi të kufijve të tyre. Por me rritjen e pasurisë dhe afirmimin e revolucionit informatik, duke u nisur nga Lindja e Mesme dhe duke përfunduar tek tigrat ekonomikë që dalin në Paqësor, janë bërë organizata të afta për fleksibilitet të lartë, të pajisura me raketa, fibra optike dhe telefonë satelitarë, të cilët mbështeten mbi komplekse me strukturë të përzier ushtarake - civile tipike pasindustriale. Këto shtete janë bërë edhe më kohezivët, duke u mundësuar ushtarëkëve që të shikojnë nga jashtë, drejt shtetesh të tjera. Më shumë se një kushinetë, gjeografia e Eurazisë po bëhet një burg nga e cila nuk mund të iket.

Tani, për të përdorur fjalët e Bracken, ekziston një "rrip i pandërprerë vendesh", nga Izraeli tek Koreja e Veriut, të impenjuar në zhvillimin e raketave balistike dhe arsenale tejet shkatërrimtarë. Një hartë që paraqet rrezet e raketave në posedim të këtyre vendeve do të tregonte një seri rrathësh të mbivendosur: jo vetëm që askush nuk është i sigurtë, por një reaksion zinxhir sipas modelit të vitit 1914 që çon në një luftë të zgjeruar është lehtësisht e supozueshme. "Përhapja e raketave dhe e armëve të shkatërrimit në masë në Azi është e ngjashme me përhapjen e six-shooters (revolja e pajisur me mulli me 6 fishekë, shënimi im.) në Perëndimin e vjetër", shkruan Bracken: një faktor ekuilibri ndërkombëtar ekonomik dhe vdekjeprurës.

Forca tjetër në themel të hakmarrjes së gjeografisë është rritja e popullsisë, që e bën hartën e Eurazisë akoma më klaustrofobike. Në vitet '90, shumë intelektualë e konsideronin filozofin e Shtatëqindës, Thomas Malthus si një mendimtar tejet determinist, për sa e trajtonte njerëzimin si një specie që reagon ndaj mjedisit fizik që e rrethon më shumë se si një tërësi individësh të veçantë. Por me kalimin e viteve dhe me fluturimet në rritje të çmimeve të ushqimit dhe të energjisë, reputacioni i Malthus është në rritje. Duke ecur nëpër periferitë e Karachi apo të Gaza, ku jashtëzakonisht shumë aktivistë fetarë, sidomos djem të rinj, inskenojnë protestat e tyre, mund të konstatohet lehtësisht sesi konfliktet për të kapur resurset e pakta të disponueshme të parashikuara nga Malthus po verifikohen. Në 30 vitet gjatë të cilëve jam marrë me Lindjen e Mesme, e kam parë të evoluojë nga një shoqëri thelbësisht rurale në një mbretëri megalopolësh shumë modernë. Në 30 vitet e ardhshme, popullsia arabe pothuajse do të jetë dyfishuar, por rezervat e ujit të pijshëm do të jenë më të pakta se këto aktuale.

Një Eurazi e përbërë nga zona urbane të mëdha, kërcënime raketore reciproke dhe media të pritura nga sensacionalizmi do të jetë një Eurazi e përbërë nga turma luftarake, të ushqyer nga zëra që udhëtojnë me shpejtësinë e dritës nga një megalopol i Botës së Tretë tek tjetri. Kështu, në shtojcë të Malthus, duhet të dëgjojmë të flitet me bollëk për Elias Canetti, filozofin e shekullit XX, që fliste për psikologjinë e turmave, domethënë për fenomenin e përbërë nga një masë njerëzisht që e humbasin individualitetin e tyre në shkëmbim të ndonjë simboli kolektiv helmues. Është sidomos në qytetet euraziatike që psikologjia e turmave do të ketë një impakt gjeopolitik të madh. Por edhe këtu idetë kanë rëndësi dhe është pikërisht kuptimi gjeografik i kohërave moderne që siguron një terren kultivimi ideal mbi të cilin ideologji të rrezikshme mund të rriten dhe përhapen.

E gjitha kjo kërkon një rishikim të zgjeruar të teorive gjeopolitike të Mackinder, sepse zvogëlimi i hartës së Eurazisë dhe mbushja e saj me njerëz jo vetëm që i fshin rajonet e imagjinuara në këto konceptime, por anullon edhe ndarjen e Eurazisë të bërë nga Mackinder, midis një "çerniere" qendrore dhe zonave "marxhinale" ndaj saj. Asistenca ushtarake e Kinës dhe e Koresë së Veriut për Iranin mund të provokojnë një reagim të armatosur të Izraelit. US Air Force mund ta sulmojë Afganistanin, një vend që nuk ka dalje në det, duke u nisur nga ishulli Diego Garcia, i cili ndodhet në mes të Oqeanit Indian. Marinat ushtarake kineze dhe indiane mund ta projektojnë fuqinë e tyre nga Gjiri i Adenit në Detin e Kinës Jugore, domethënë jashtë rajoneve të përkatësisë së tyre, duke shkelur të gjithë perimetrin kontinental. Me pak fjalë, në dëm të Meckinder, Eurazia është bërë një tërësi organike.

Që harta e re e Eurazisë është e privuar nga fraktura kjo mund të shikohet në Pakistan, në avampostin Gwadar. Atje, në Oqeanin Indian, në afërsi të kufirit indian, kinezët kanë ndërtuar një port me ujëra të thella të ri. Çmimi i trojeve po shkon në qiell dhe njerëzit flasin për këtë fshat peshkatarësh të përgjumur si për Dubai e ardhshëm, që një ditë mund të bashkojë, nëpërmjet Ngushticës së Malakës, qytetet e Azisë Qendrore me klasat e mesme të lulëzuara kineze dhe indiane nëpërmjet gazsjellësish dhe supertankerësh. Për më tepër, kinezët kanë në mend plane për të zhvilluar porte të tjera indiane me objektivin që t'i arrijnë naftësjellësit drejtpërsëdrejti në Kinën perëndimore dhe qendrore, edhe atehere kur një urë të ndërtohej në istmin Kra në Tajlandë. Jo të kënaqur që janë xhiruar nga kinezët, indianët po i zgjerojnë portet e tyre dhe po lidhin marrëveshje me Iranin e Birmaninë, ku rivaliteti me Kinën do të arrijë apogjeun.

Këto lidhje gjithnjë e më të thella po e transformojnë Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe oqeanin Paqësor e Indian në një tërësi të vazhdueshme, në të cilën Ngushtica e Malakës e ngushtë dhe e cënueshme do të jetë Fulda Gap e shekullit XXI (Fulda Gap, zonë e Gjermanisë me vlerë strategjike të lartë në kohërat e Luftës së Ftohtë). Fatet e Lindjes së Mesme islamike dhe të Indonezisë islamike po bëhen kështu të pazgjidhshme, por janë lidhjet gjeografike, jo ato fetare, që kanë rëndësi më të madhe.

Kjo hartë e re e Eurazisë, më e ngushtë, më e integruar dhe më e populluar, do të jetë akoma më pak e qëndrueshme nga sa mendonte Mackinder. Në vend të disa qendrave kryesore, "heartlands", dhe zonave marxhinale, që implikojnë ndarje, do të gjendemi me një seri nyjesh të brendshme e të jashtme të shkrira së bashku nga një politikë masash dhe nga një paranojë e përbashkët. Në fakt, pjesa më e madhe e Eurazisë ndoshta do të bëhet aq klaustrofobike sa janë tani Izraeli dhe territoret palestineze, me gjeografinë që kontrollon çdo gjë dhe nuk lë hapësira për manovrim. Megjithëse sionizmi është një shembull e fuqisë së ideve, beteja për territorin midis izraelianëve dhe palestinezëve është një rast determinizmi gjeografik total. Kjo është edhe e ardhmja e Eurazisë.

Aftësia e shteteve për të kontrolluar ngjarjet do të mbesë e dobësuar, në disa raste e shkatërruar. Kufijtë artificialë do të fillojnë të shkërmoqen, të bëhen të përshkueshëm, duke lënë në vendin e tyre vetëm lumenjtë, shkretëtirat, malet dhe fakte të tjera gjeografikë jo të konvertueshëm. Praktikisht, konformimi fizik i territorit mund të bëhet guida e vetme e besueshme për të kuptuar kufijtë e ardhshëm. Ashtu si lëkundjet e kores tokësore prodhojnë paqëndrueshmëri në disa rajone të caktuara, ashtu siç janë zona të Eurazisë më shumë të pritura ndaj konflikteve se të tjerat. Këto "zona të copëzuara" kërcënojnë të shemben ose të shpërthejnë dhe, nëqoftëse kjo nuk ndodh, ruajnë një ekuilibër gjithsësesi të brishtë. Nuk është për t'u çuditur që bien në bërthamën e paqëndrueshme të Eurazisë: Lindja e Mesme e madhe, rajoni i madh i tranzitit midis basenit të Mesdheut dhe nënkontinentit indian, një vend që furnizon verifikimet më të qartë të të gjitha variacioneve kryesore të politikës ndërkombëtare.

Për Mackinder, kjo bërthamë e brendshme është më e paqëndrueshmja e rajoneve. Megjithatë, ai shkruan në një epokë në të cilën naftësjellësa dhe raketa balistike mungonin akoma; fakti është se vërente në të një lloj volatiliteti të lindur, por i jepte një rëndësi dytësore. Një shekull zhvillimi teknologjik dhe rritjeje demografike e kanë bërë Lindjen e Mesme jo më pak të paqëndrueshme, por sigurisht më përcaktuese dhe ku Eurazia më shumë rrezikon që të përfundojë e copëzuar është pikërisht në "zona të copëzuara" të ndryshme të kësaj zone.

Nënkontinenti indian është njëra prej tyre. Në kufirin tokësor të tij individualizohen nga bastione gjeografikë shumë të qëndrueshëm si zinxhiri malor i Himalajave në veri dhe xhungla birmaneze në lindje dhe nga kufiri pak më i butë i përfaqësuar nga lumi Indus në perëndim. Praktikisht, kufiri perëndimor ndahet në tri pjesë: lumi Indus; malet e thyera që qëndrojnë në territoret e izoluara të Azisë Qendrore, tokë e tribùve pashtune dhe, në fund, masivi granitik i zbardhemë i Hindu Kush, që vazhdon në Afganistan. Duke pasur parasysh që këto pengime gjeografike nuk janë në kontradiktë me kufijtë ligjorë dhe duke parë që duhet pak bujari për t'i konsideruar fqinjët e Indisë si shtete vërtet funksionuese, konformimi aktual politik i nënkontinentit nuk mund të merret si e sigurtë.

Kuptohet qartazi duke bërë një ecejake nëpër këto kufij tokësorë, më të dobëtat e të cilëve, duke pasur parasysh përvojën time personale, janë pikërisht ato zyrtarë: një koleksion i thjeshtë tavolinash ku burokratë të irrituar inspektojnë bagazhet e udhëtarëve. Sidomos në perëndim, kufiri i vërtetë i denjë për këtë emër është Hindu Kush, gjë që më shtyn të mendoj se edhe duke u kufizuar në periudhën në të cilën jetojmë rendi në dukje në të cilin janë inkuadruar Pakistani dhe Afganistani jugperëndimor mund të zhduket, duke i dhënë hapësirë një rikthimi të idesë, megjithëse të vagullt, të "Indisë së Madhe".

Në Nepal, qeveria mezi i kontrollon fshatrat, ku jeton 85 përqind e popullsisë. Pavarësisht aureolës të shëndetit të pasqyruar nga Himalajat, pothuajse gjysma e nepalezëve jetojnë në lugina të lagështa në kurriz të kufirit me Indinë. Duke udhëtuar nëpërmjet këtij rajoni, mund të kuptohet se diferencat midis ultësirës së gangut janë minimale. Nëqoftëse maoistët aktualisht në pushtet në Nepal nuk arrijnë ta forcojnë rolin e shtetit, vetë shteti mund të shpërbëhet.

I njëjti diskutim vlen për Bangladeshin. Akoma më pak se Nepali, mund të gëzojë mbrojtje gjeografike që e bëjnë shtet. Ajo që shikoja nga xhami i autobusit me të cilin udhëtoja nëpër atë vend, ishte i njëjti peizazh i rrafshët dhe ujor i përbërë nga orizore dhe pyje që mund të shikohen nga të dyja anët e kufirit me Indinë. Kjo njollë artificiale e territorit të nënkontinentit indian mund të ndryshojë edhe njëherë akoma, e shkatërruar nga furtunat e politikës rajonale e të ekstremizmit islamik, dhe nga vetë natyra.

Ashtu si në Pakistan, edhe në Bangladesh asnjë qeveri, ushtarake apo civile, nuk ka funksionuar as dhe për së largu mirë. Miliona refugjatë bengalezë e kanë kaluar tashmë kufirin për të hyrë ilegalisht në Indi. Me 150 milionë njerëz - një popullsi më e madhe se ajo ruse - të grumbulluar në nivelin e detit, Bangladeshi është i cënueshëm ndaj çdo ndryshimi klimaterik, imagjinojini ato të provokuara nga ngrohja globale. Thjesht për motive gjeografike, dhjetëra miliona njerëz, në Bangladesh mund të përfundojn të përmbytur nga uji i kripur, duke pasur më pas nevojë për nënën e të gjitha ndërhyrjeve humanitare. Ndërkohë, shteti do të ishte shembur.

Natyrisht, ankthi më i keq i nënkontinentit është Pakistani, mosfunksionimet e të cilit janë rezultati i drejtpërdrejtë i mungesës totale të logjikës gjeografike nga ana e tij. Indus mund të jetë njëlloj kufiri, kurse Pakistani zgjatet midis dy brigjeve, pikërisht si ultësira shumë pjellore e Punjab pritet më dysh nga kufiri indo - pakistanez. Vetëm shkretëtira Thar dhe moçalet jugore përbëjnë në jug një kufi natyror midis dy vendeve. E megjithëse bëhet fjalë për barriera të mrekullueshme, janë gjithsesi të pamjaftueshme për të strukturuar një shtet aq laraman, në të cilin jetojnë etni të ndryshme, secila gjeografikisht e lokalizuar. Ajo që bashkon Punjab, Sindi, Baluchi dhe Pashtun është islami. Cdo grup tjetër i urren Punjab-ët dhe ushtrinë e kontrolluar prej tyre, saktësisht si në ish Jugosllavi joserbët urrenin serbët dhe ushtrinë që ata kontrollonin. Arsyeja e qenies së Pakistanit është ajo e dhënies një atdhe myslimanëve të nënkontinentit, por prej këtyre 154 milion të mirë, pothuajse e gjithë popullsia e Pakistanit, jetojnë në Indi.

Në perëndim, malet dhe shkrepat e kufirit veriperëndimor të Pakistanit, që kufizojnë Afganistanin, janë krejtësisht të përshkueshëm. Çdo herë që e kam kaluar këtë kufi, nuk kam pasur asnjëherë nevojë që ta bëja legalisht. Në realitet, keto dy vende janë të pandashëm. Nga të dyja anët jetojnë pashtunë. Rripi i territorit të egër midis maleve Hindu Kush dhe lumit Indus është Pashtunistani, një entitet që kërcënon të shfaqet atëhere kur Pakistani do të duhej të shembej. Automatikisht, kjo do të çonte në shpërbërjen e Afganistanit.

Talebanët nuk janë gjë tjetër vetëm mishërimi i fundit i nacionalizmit pashtun. Praktikisht, pjesa më e madhe e luftimeve në Afganistan verifikohet në Pashtunistan, domethënë në zonën juglindore të vendit dhe në zonat tribale të Pakistanit. Veriu i Afganistanit, në kurriz të Hindu Kush, ka parë më pak përplasje, është në mes të rindërtimit dhe po ndërton marrëdhënie më të ngushta me republikat ish sovjetike të ish Bashkimit Sovjetik, të banuara nga të njëjtat etni që popullojnë Afganistanin verior. Kjo është bota ekstreme e Mackinder, e përbërë nga male e njerëz, ku faktet e gjeografisë imponohen cdo ditë, për pakënaqësinë e madhe të forcave me drejtim amerikan, por edhe të Indisë, fati dhe kufijtë e së cilës janë peng i asaj që ndodh në rrethinat e maleve Hindu Kush.

Një tjetër "zonë e copëzuar" është Gadishulli Arabik. Rrafshulëtat e pafundme të kontrolluara nga familja mbretërore saudite janë sinonim i Arabisë, ashtu si India është sinonim i nënkontinentit. Por ndërsa India është dendësisht e populluar në të gjithë shtrirjen e saj, Arabia Saudite përbën një rrjet gjeografikisht të mjegullt oazesh të ndara nga territore të mëdha të thatë. Autostrada dhe lidhje ajrore janë jetike për kohezionin e mbretërisë dhe, ndërsa India është ndërtuar mbi një ide të demokracisë dhe të pluralizmit fetar, Arabia Saudite është e ndërtuar mbi besnikërinë ndaj një familjeje të zgjeruar. Ama, nëqoftëse India është e rrethuar nga shtete me gjeografi të pasigurtë dhe nga autoritete difektoze, kufijtë sauditë zhduken në një shkretëtirë të pambrojtshme në veri dhe janë të mbrojtur në lindje dhe juglindje nga sheikate të qëndrueshëm dhe të mirëqeverisur.

Aty ku Arabia Saudite është vërtet e cënueshme dhe ku brishtësia e Arabisë është më akute është në Jemenin shumë të populluar në jug. Megjithëse ka një shtrirje të barabartë vetëm me një të katërtën e Arabisë, popullsia e tij është pothuajse njëlloj në numër. Pason që bërthama demografike e gadishullit është e përqëndruar në cepin malor juglindor, ku platforma të mëdha bazaltike ngrihen në struktura të mëdha ranore apo në kreshta vullkanikem, duke përqafuar një seri të dendur oazesh dendësisht të populluar qysh nga kohërat e lashta. Duke qenë se as turqit, as anglezët nuk kanë pasur kurrë kontroll real të Jemenit, nuk është lënë ajo infrastrukturë burokratike që kolonitë e tjera kanë pasur në trashëgimi. Në udhëtimet e mia në Jemen disa vjet më parë, kam takuar një vend plot me kamionçina të mbushura plot me të rinj besnikë të armatosur ndaj këtij apo atij sheiku, ndërsa shumë të pakta qenë shenjat e pranisë së qeverisë. Fushimet e këtyre sheikëve rebelë janë në përgjithësi të mbrojtur nga parapeta prej balte të tharë, ndonjë edhe me mjete artilerie. Ekzistojnë vlerësimë të ndryshme lidhur me numrin e armëve që qarkullojnë në Jemen, por gjëja e sigurtë është se cdo jemenas që do ta sigurojë një të tillë, nuk ka vështirësi për ta realizuar. Ndërkohë, rezervat e ujit të pijshëm nuk do të zgjasin për më shumë se një, maksimumi dy breza.

Nuk do ta harroj kurrë atë që më tha në kryeqytetin Sanaa një ekspert ushtarak amerikan: "Terrorizmi është një aktivitet sipërmarrës dhe në Jemen ka më shumë se 20 milionë njerëz agresivë, të mirëarmatosur dhe me prirjen e biznesit, të gjithë punëtorë të mirë, të paktën krahasuar me fqinjët e tyre sauditë. Është kjo e ardhmja dhe qeveria e Riadit ia ka frikën si vdekja". E ardhmja e këtij vendi thellësisht trial do të ketë shumë për të thënë lidhur me fatin e Arabisë Saudite dhe është gjeografia, sigurisht jo idetë, ato që e përcaktojnë të gjithë këtë.

"Gjysëmhëna pjellore", e ngecur midis Mesdheut dhe ultësirës iraniane, përbën një "zonë të copëzuar" të mëtejshme. Vendet e këtij rajoni - Jordania, Libani, Siria dhe Iraku - janë shprehje gjeografike të mjegullta që përpara shekullit XX kishin shumë pak domethënie. Nëqoftëse do t'i fshinim kufijtë zyrtarë nga harta, do të mbeteshim me një pikturë përqendrimesh shiite apo suite që kundërshtojnë kufijtë kombëtarë. Në brendësi të këtyre kufijve, autoritetet qeveritare të Libanit apo të Irakut janë mezi ekzistuese. Qeveria siriane është tiranike dhe thelbësisht e paqëndrueshme; ajo jordaneze është racionale, por nën rrethim diskret (për Jordaninë, arsyeja kryesore e të ekzistuarit është që të shërbejë si kushinetë për shtetet e tjera arabe fqinj të saj, të cilët ia kanë frikën një kufiri të përbashkët me Izraelin).

Prej shteteve gjeografikisht ilogjikë të gjysmëhënës pjellore asnjëri nuk është më ilogjik se Iraku. Tirania e Saddam Hussein, për një kohë të gjatë më e keqja e botës arabe, ishte gjeografikisht e motivuar: çdo diktator iraken, duke filluar nga grushti i shtetit i vitit 1958, duhej të ishte akoma më shumë represiv se i mëparshmi për të qenë në gjendje të mbante të bashkuar një vend të privuar nga kufij natyrorë, përjetësisht i përshkuar nga identitete etnike dhe sektare shumë të fuqishme. Malet që ndajnë Kurdistanin nga pjesa tjetër e Irakut dhe ndarja e ultësirës mesopotamike midis sunitëve në qendër dhe shiitëve në jug mund të rezultojë më përcaktueshme për stabilitetin e vendit se dëshira për demokraci, e cila, sikur të mos arrinte të hidhte rrënjë institucionale të fuqishme në një kohë urtësisht të shkurtër, sipas çdo gjase do t'i paguajë haraç realitetit gjeografik të vendit, që do të përcaktojë një rikthim në tirani apo një shpërthim të anarkisë.

Sikur të mos ishte për të gjitha gjërat e thëna e të shkruara lidhur me Irakun, gjeografia dhe historia mund të tregojnë se mund të jetë Siria syri i vërtetë i ciklonit të turbulencave arabe. Alepi në veri është një qytet - pazar që ka lidhje historike të thella më Mosulin dhe Bagdadin në lindje. Çdo herë që fatet e Damaskut binin me ngjitjen e Bagdadit, Alepi rifitonte madhështinë e tij. Duke shëtitur nëpër pazaret e Alepit, është e habitshme të konstatohet sesa i largët duke Damasku. Pazaret dominohen nga kurdë, turqë, çerkezë, arabë kristianë, armenë dhe të rtjerë; në kundërshtim më pazaret e Damaskut, që janë për më tepër një botë pastërtisht saudite.

Njëlloj si në Pakistan dhe në ish Jugosllavi, çdo sekt apo fe në Siri ka kufij të mirëpërcaktuar. Midis Alepit dhe Damaskut është atdheu i myslimanëve sunitë, në ekspansion konstant. Midis Damaskut dhe kufirit jordanez janë druzët dhe në malet në kufi me Libanin janë alavitët; të dyja etnitë janë ajo që mbetet nga emigrimet persiane që njëmijë vjet më parë u derdhën në Mesopotami.

Zgjedhjet e viteve 1947, 1949 dhe 1954 i kanë ashpërsuar këto ndarje, duke e polarizuar votën sipas skemave sektare. Hafez el Hassad i fundit erdhi në pushtet në vitin 1970, pas 21 ndryshimesh qeverie në 24 vjet. Për tri dekada me radhë ka qenë Brezhnjevi i botës arabe, duke e shmangur të ardhmen me paaftësinë e tij për të ndërtuar një shoqëri civile kombëtare. Djali i tij Bashar do të duhet të arrijë ta hapë sistemin politik, edhe vetëm duke u mbështetur mbi një shoqëri që ndryshon me shpejtësi falë fluksit të kanaleve satelitore dhe internetit. Por askush nuk mund se sa mund të jetë e qëndrueshme një Siri pasuatoritare. Të interesuarit duhet t'i frikësohen më së keqes. Megjithatë, një Siri pasAssad mund të dalë më mirë se Iraki pasSaddam, sidomos sepse aty tirania ka qenë shumë më pak e ashpër. Praktikisht, të arrish në Sirinë e Assad pasi të kesh qenë në Irakun e Saddam ka qenë si të mbërrije në parajsë.

Përveç paaftësisë së saj për të zgjidhur problemin e legjitimitetit politik. Bota arabe ka qenë e paaftë që të sigurojë zhvillimin e vet. Në shekullin e XXI-të turqit do t'i dominojnë arabët, pasi të parët do ta kenë ujin dhe të dytët jo. Në fakt, për të zhvilluar juglindjen e vet shumë të prapambetur dhe për të eliminuar kështu separatizmin kurd, Turqia do të duhet të devijojë segmente gjithnjë e më të gjatë të lumit Eufrat nga Siria drejt Irakut dhe sa më shumë Lindja e Mesme do të bëhet një mbretëri zonash urbane të sistemuara, aq më shumë uji do të fitojë vlerë karshi naftës. Vendet që do ta posedonin do të kenë mundësinë që t'u bëjnë shantazh atyre që nuk e kanë. Me fjalë të tjera, do të kenë pushtet. Uji do të jetë si energjia bërthamore, duke e bërë kështu shkripëzimin dhe strukturat energjetike "dual use" (të gatshme për përdorim ushtarak apo civil, shënimi im.) shënjestrën e raketave të tyre në luftëra eventuale të ardhshme. Jo vetëm në Bregun Perëndimor, por në çdo vend ku nuk ka hapësirë manovrimi.

Një "zonë e copëzuar" e fundit është bërthama persiane, që shkon nga Deti Kaspik në veri të Iranit deri në Gjirin Persik në jug. Praktikisht të gjitha resurset energjetike të Lindjes së Mesme, gaz e naftë, janë në këtë zonë. Ashtu si rrugët detare shpërndahen nga Gjiri Persik, ashtu dhe naftësjellësit dhe gazsjellësit do të shtrihen nga rajoni i Detit Kaspik deri në Mesdhe, në Detin e Zi, në Kinë dhe në Oqeanin Indian. Vendi i vetëm që ndodhet mbi të dyja këto zona prodhimi është Irani, siç vërehet nga Geoffrey Kemp dhe Robert E. Harkavy tek "Strategic Geography and the Changing Middle East".

Gjiri Persik posedon 55 përqind të resurseve botërore të naftës dhe Irani e dominon, nga Shatt el Arab deri në kufirin iraken në Ngushticën e Hormuz në juglindje: një vijë bregdetare e gjatë 1317 milje detare falë gjinjve dhe ishujve të shumtë, që ofrojnë një pafundësi vendesh ideale për të fshehur varka pirate kundër trafikut të naftëmbajtëseve. Nuk është aspak e rastësishme që Irani ka qenë superfuqia e parë e historisë botërore. Ka një dozë të caktuar logjikë gjeografike në këtë.

Irani është shkrirja më e madhe universale e Lindjes së Mesme, ngushtësisht e sintonizuar me të gjitha bërthamat e jashtme të tij. Kufiri i tij i përshtatet me shumë afërsi konformimit gjeografik të territorit - ultësira në perëndim, male e detëra në jug, shkretëtira në lindje, drejt Afganistanit. Për këto arsye, Irani ka një traditë shteti - komb dhe qytetërimi urban shumë më të lashtë se shumë vende të tjera në botën arabe dhe të gjitha shtetet e gjysmëhënës pjellore. Në ndryshim nga ilogjizmat gjeografike që gëlojnë në rajonet kufizuese, nuk ka asgjë artificiale në Iran. Nuk është e habitshme që Iranit tani i bëhen lajka nga India dhe Kina, flotat e të cilave do të dominojnë rrugët detare euraziatike të shekullit XXI.

Midis të gjitha "zonave të copëzuara" në Lindjen e Mesme të madhe, bërthama iraniane është unike: paqëndrueshmëria e provokuar nga Irani nuk buron nga rënia e tij, por nga komb iranian i fortë koheziv që do të shpërthejë nga jashtë nga një platformë gjeografike natyrale për të përmbytur rajonet që e rrethojnë. Siguria e dhënë Iranit nga klufijtë natyrorë të tij historikisht ka qenë një ndihmë e fuqishme për një projektim të jashtë. E tashmja nuk është ndryshe. Nëpërmjet një ideologjie të pakompromis dhe shërbimesh sekrete shumë efikasë, Irani menaxhon një perandori konvencionale pasmoderne entitetesh parashtetërorë në të gjithë Lindjen e Mesme: Hamasin në Palestinë, Hizballahun në Liban, lëvizjen që ka si drejtues Imamin Saadr në Irak. Nëqoftëse logjika gjeografike e ekspansionit iranian duket e ngjashme me atë të Rusisë së përshkruar nga Mackinder, është sepse është e tillë.

Gjeografia e sotme e Iranit, ashtu si më parë ajo e Rusisë, përcakton se cila është strategjia më realiste për ta vënë në siguri këtë rajon të trazuar: frenimi. Ashtu si për Rusinë, objektivi për të përmbajtur Iranin është ai i vënies nën presion kontradiktat e regjimit teokratik dhe jopopullor të Teheranit, në tentativën për ta ndryshuar atë nga brenda. Beteja për Eurazinë ka shumë fronte, gjithnjë e më shumë të ndërlidhur midis tyre. Kryesori është ai i mendjeve dhe i zemrave të iranianëve, pikërisht siç ndodhi për europianët e Lindjes gjatë Luftës së Ftohtë. Irani është vendi i një prej popujve më të sofistikuar të botës myslimane; duke udhëtuar në ato troje, hasen shumë më pak antiamerikanë dhe antisemitë nga sa mund të hasen, për shembull, në Egjipt. Është këtu që beteja e ideve takon urdhërimet e gjeografisë.

Edhe në këtë shekull, aksiomat e Mackinder mbesin të vlefshme në betejën për Eurazinë: njeriu do ta fillojë, por natyra do ta marrë kontrollin. Universalizmi liberal dhe individualizmi i Isaiah Berlin nuk janë zhdukur, por po bëhet e qartë se suksesi i këtyre ideve në një masë të madhe është i lidhur me gjeografinë. Ka qenë gjithmonë kështu dhe tani është akoma më shumë e vështirë të mohohet, ndërsa reçesioni në zhvillim po e bën ekonominë botërore që të rudhet, për herë të parë në 60 vjet. Jo vetëm mirëqenia, por edhe rendi shoqëror e politik do të dalin të paprekur, duke lënë vetëm kufijtë e natyrës dhe pasionet e njerëzve si arbitra për të vendosur për çështjen e mprehtë: kush mund të mbizotërojë, si dhe ndaj kujt? Mendonim se globalizimi na kish çliruar nga një botë e lashtë e përbërë nga harta të vjetra, por në fakt kjo kthehet, e fortë si më parë.

Duhet të mësojmë që të mendojmë si në epokën viktoriane. Është qëndrimi që duhet të na drejtojë në këtë realizëm të ri. Deterministët gjeografikë kanë të drejtë që të ulen së bashku me humanistët liberalë, duke gjetur kështu analogjitë midis Vietnamit dhe Mynihut. Përaqfimi i fërkimeve dhe i kufizimeve të gjeografisë është impenjuese sidomos për amerikanët, të mësuar të mendojnë se nuk mund t'u imponohet asnjë pengim, natyror apo i llojit tjetër, por mohimi i fakteve të gjeografisë çon vetëm në katastrofa që na bëjnë viktima të kësaj gjeografie.

Atëhere, më mirë që t'i hidhet një vështrim i kujdesshëm hartës gjeografike dhe të kuptohet se deri në çfarë pike të sfidohen limitet që na imponon, në mënyrë që t'u jepet një ndihmë realisht efikase përhapjes së parimeve liberale. Është pikërisht në mes të kësaj hakmarrjeje të gjeografisë që gjendet thelbi i realizmit, pika thelbësore e një politike globale largpamëse: duke punuar në limitin e asaj që është e mundur, pa rënë në greminën e së paarritshmes.

Robert Kaplan është korrespondent i revistës së përmuajshme "The Atlantic" dhe bashkëpunëtor i vjetër i Center for a New American Security.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers