Tetova News

Dëshmitari i fundit: Unë isha në bunkerin ku u vetëvra Hitleri

STEVEN ROSENBERG /BBC


Në tavolinën e dhomës së tij të ndenjes, 92-vjeçari Rochus Misch, më tregon disa nga fotot e vjetra të vëna në një album. Foto private që ai i kishte bërë 60 vjet më parë. Këtu ka foto me ngjyra të Misch në një uniformë të SS-ve në shtëpinë malore të Adolf Hitlerit në Alpe, foto të Hitlerit duke parë lepujt dhe një foto e të dashurës së tij dhe gruas së ardhshme, Eva Braun. Për pesë vjet, SS-i Oberscharfuehrer (Komandat Skuadre) Rochus Misch jetoi si pjesë e grupit të afërt të Adolf Hitlerit, si truprojë, korrier dhe operator telefonie për “Fyrer” (Udhëheqësin).

"Takimi im i parë me Hitlerin ishte i çuditshëm, - kujton Misch. - Kisha 12 ditë që kisha filluar punë dhe adjutanti i Hitlerit, një burrë që quhej Bruckner, po më pyeste për gjyshen dhe fëmijërinë time. Pastaj ai u ngrit dhe eci drejt derës. Duke qenë një ushtar i bindur, unë fluturova që t’i dilja para dhe t’ia hapja dhe aty qëndronte Hitleri menjëherë pas derës. Ndjeva të ftohtë. Pastaj ndjeva të nxehtë. Ndjeva çdo lloj emocioni, duke qëndruar aty përballë dhe fare pranë Hitlerit”.

Më tej ai tregon se ajo që bënin për Fyrerin ishte vetëm puna e truprojës. "Kur Hitleri udhëtonte, 5 ose 6 prej nesh zgjidheshin për ta shoqëruar atë me një makinë të dytë.

Por kur ishim në apartamentin e tij apo në Kancelari, ne gjithashtu kishim edhe detyra të tjera. Dy prej nesh gjithmonë punonin si operatorë telefonikë. Kur ke një shef si Hitleri, ka gjithmonë shumë telefonata për të pritur".

I mbijetuari

Me aleatët që avanconin brenda Gjermanisë, e cila ishte në prag të humbjes, Hitleri u tërhoq në bunkerin e tij në Berlin. Rochus Misch punoi aty si operator telefonik dhe priste telefonatat e fundit që i erdhën Fyrerit. "Punova në një dhomë të vogël me një telefon dhe një makinë faksi që kishin linja për jashtë, - kujton ai. - Kishte vetëm pak hapësirë në dhomën time. Ajo me zor do të merrte edhe një person tjetër në rast bombardimi. Bunkeri nuk ishte edhe aq i madh. Ai kishte vetëm një sërë dhomash të vogla me nga 10 deri 12 metra katrorë".

Rochus Misch është i mbijetuari i fundit i atyre që u strehuan në bunkerin e Hitlerit. Ai është dëshmitari i vetëm i dramës që ndodhi aty më 30 prill 1945, ditën kur Adolf Hitler dhe Eva Braun kryen vetëvrasje. "Papritur dëgjova dikë që i thërriste shërbyesit të Hitlerit: 'Linge, Linge, mendoj që ka ndodhur'. Ata kishin dëgjuar një të shtënë, por unë nuk dëgjova gjë. Në atë moment sekretari privat i Hitlerit, Martin Bormann, i urdhëroi të gjithë të qëndronin në heshtje. Të gjithë filluan të pëshpëritnin. Po flisja në telefon dhe u përpoqa të ngrija zërin që të mund të dëgjoja më mirë. Nuk doja që të ndihesha sikur ndodheshim në një bunker vdekjeje.

Vdekjet

"Atëherë Bormann urdhëroi që dera ku ishte mbyllur Hitleri të hapej. Unë pashë Hitlerin me kokën të mënjanuar mbi tavolinë. Eva Braun ishte e shtrirë në tapet me kokën drejt tij. Gjunjët i kishte shtrënguar fort në gjoks. Kishte veshur një fustan me ngjyrë blu të errët me dantellë të bardhë. Nuk do ta harroj kurrë këtë”, - kujton ai.

"Unë qëndrova dhe pashë ndërsa ata e ngrinin Hitlerin. Këmbët i vareshin jashtë dhe ndërsa ata e transportonin, kaluan pranë meje. Dikush më thërriti: 'Vrapo poshtë në bodrum, po djegin shefin!' Unë vendosa të mos shkoja, sepse vura re që Mylleri nga Gestapo ishte aty – dhe ai ishte një person që e shihnim shumë rrallë. I thashë shokut tim Hentschel, mekanikut: 'Ndoshta do të na vrasin sepse jemi dëshmitarët e fundit".

Ditën tjetër drama vazhdoi. Poshtë në bunker të gjashtë fëmijët e liderit të ri të Gjermanisë, Jozef Gëbels, u droguan dhe më pas u vranë. Ishte nëna e tyre, Magda, ajo që i vrau me dorën e saj.

"Menjëherë pas vdekjes së Hitlerit, zonja Gëbels erdhi në bunker së bashku me fëmijët e saj, - kujton Misch. - Ajo filloi përgatitjet për t’i vrarë. Ajo nuk do mund ta kishte realizuar vrasjen lart në qytet, atje kishte njerëz të tjerë dhe dikush do ta kishte ndaluar. Për këtë ajo zbriti poshtë te ne, sepse askush tjetër nuk lejohej të hynte në bunker. Ajo erdhi dhe ishte e qartë se do t’i vriste”.

"Fëmijët ishin disa para meje dhe disa të tjerë pas meje. Të gjithë e dinim se çfarë do të ndodhte. Ishte e qartë. Pashë doktorin e Hitlerit, dr. Stumpfegger, t’u jepte fëmijëve diçka për të pirë. Më duket se ishte një pije e ëmbël. Më pas, Stumpfegger shkoi në dhomën tjetër dhe ndihmoi të ëmën që t’i vriste. Të gjithë e dinim që kjo po ndodhte. Një ose dy orë më vonë, zonja Gëbels doli prej atje duke qarë. U ul në tavolinë dhe filloi të luante një lojë letrash".

Krimet

Zoti Misch u arratis nga bunkeri i Hitlerit vetëm pak orë para se ai të pushtohej nga Ushtria e Kuqe. Por, ai u arrestua shume shpejt dhe më pas u dërgua në kampet e punës së detyruar në Rusi për 9 vjet me radhë. Bunkeri i Fyrerit i kapur nga Ushtria e Kuqe u shndërrua shumë shpejt në një simbol të fitores së aleatëve në Luftën e Dytë Botërore. Dy muaj pas përfundimit të luftës, Winston Churchill e vizitoi atë dhe bëri fotografi jashtë tij, i ulur në një karrige që u gjet në strehën e Hitlerit.

Në vitet e mëvonshme, bunkeri u hodh në erë, pasi ekzistonte frika se ai mund të kthehej në një tempull për nazistët. Në fund të bisedës me të, unë e pyeta Rochus Misch nëse ai kishte ndonjë ide për krimet dhe tmerrin që Adolf Hitleri kishte lëshuar përmbi Evropë. Dinte ndonjë gjë për holokaustin? "Unë kisha dijeni për kampin e përqendrimit në Dakau dhe kisha dëgjuar për kampet e përqendrimit në përgjithësi, - më tregoi. - Por nuk ia kisha idenë e shkallës së dhunës. Nuk ishte pjesë e bisedave tona. Gjyqi i Nurembergut u mor me krimet e kryera nga gjermanët, por duhet të mbash mend dhe të kuptosh që nuk ka luftë, ku nuk janë kryer krime të rënda dhe nuk do të ketë një të tillë luftë".

Flurudha

Popular posts from this blog

Shkëputje nga libri "SEKRETI"

Si u krijua universi, teoritë dhe procesi i plotë

Numrat "Fibonacci", numrat që mundësojnë jetën