Simboli i humbur ethet e reja të Dan Braunit

Kode, simbole, koordinata gjeografike, rebus: misteret që përmban romani i ardhshëm i Dan Braunit kanë nisur të mpleksen shumë kohë përpara 15 shtatorit, kur në libraritë amerikane do të dynden 5 milionë kopje të ‘Simboli i Humbur”, dhe që del pot gjashtë vjet pas suksesit të “Kodi i da Vinçit”. Në fakt, që në 23 qershor, shtëpia botuese Knopf Doubleday hedh në Facebook dhe Tëitter të dhëna të reja mbi përmbajtjen e trillerit. Në fillim u hodh një kod: T10C; 6POTSOD; 12 SOTZ. Fansave të Dan Braunit iu desh shumë pak kohë për ta deshifruar: “Dhjetë komandamentet; gjashtë cepat e yllit të Davidit; 12 shenjat e zodiakut”.

Më e vështirë ishte të kuptoheshin referimet e filozofit Frensis Bejkën, Bonifacit VIII, piktorit gjerman të rilindjes Albreht Dyrer, financierit Roberto Kalvi, i cili vdiq në Londër në rrethana që nuk janë sqaruar asnjëherë, si dhe një avioni spiun misterioz në gjendje të udhëtojë me një shpejtësi 5 mijë milje në orë.

Detyra e formimit të Puzzle-it i takon edhe një herë Robert Langdonit, që është Indiana Jones-i i simboleve dhe protagonist i trillerave të Dan Braunit, udhëtimi i të cilit nëpër misteret e fesë katolike bëri që “Kodi i Da Vinçit” të shiste 80 milionë kopje në të gjithë botën. Që përpara atij libri, profesori i simbologjisë në Harvard ishte marrë me luftën mes Iluminatit dhe Vatikanit tek libri Engjëj dhe Djaj (40 milionë kopje të shitura).

Edhe pse ka pasur një kujdes të jashtëzakonshëm dhe një embargo rigoroze që kanë rrethuar përmbajtjen e veprës së re të Dan Braunit, i cili mbërrin dy vjet më vonë se sa data kur ishte paralajmëruar, të dhënat që janë grumbulluar janë të mjaftueshme për të kuptuar se cilat janë temat e veprës së re.

Këtë herë, Langdon do të ketë 12 orë kohë për të zgjidhur një mister që do ta çojë në vendet më të fshehtë të Uashingtonit, ata që mbeten në origjinat masonike të baballarëve themelues të SHBA. Të shfrenuar, fansat e Braunit kanë interpretuar në faqet e tyre të internetit çdo detaj të dy kopertinave të librit, atë angleze dhe atë amerikane. Në këtë të fundit, sipas Capitol-it në Uashington shfaqet një vulë e kuqe me një shqiponjë dhe dy koka, me numrin 33 të shkruajtur brenda një trekëndëshi dhe me moton: «Ordo ab chaos» - të gjithë këta simbole që lidhen me ritin skocez të masonerisë, që është i pranishëm në 35 shtete amerikanë, këshilli suprem i të cilit përbëhet pikërisht nga 33 anëtarë dhe ka 33 shkallë pranimi.

Elementë talmudikë dhe të kabalasë hebraike janë të pranishëm në ritualet e ritit skocez, ashtu sikurse në librin e magjisë që kishte frymëzuar titullin fillestar të veprës së re të Braun, “Sekretet e Çelësit të Solomonit”. Të vetëdijshëm për efektin që pati rileximi i doktrinës katolike pas daljes së Kodit Da Vinçi, masonët amerikanë kanë nisur që tani të përgatisin një faqe interneti të cilës do t’i besojnë një analizë të Simbolit të Humbur. Megjithatë, historiani Robert Kuper këmbëngul se libri i Braun ka një objektiv edhe më të lartë: rileximi me sy komplotist i lindjes së Shteteve të Bashkuara. Kuper thotë se ka informacione që në këtë triller, Xhorxh Uashington, babai i pavarësisë së SHBA, rrëfen se ka qenë një tradhtar që gatë luftës amerikane për pavarësi negocionte në fshehtësi me anglezët përmes benedikt Arnoldit, një gjeneral i cili në të realitet ka pranuar atëherë se u kish lënë Uest Pointin anglezëve.

Në libër, thuhet se Langdon ndihmon agjentë të CIA-s dhe FBI që të gjejnë provën e rrëfimit të Uashingtonit, e cila duhet të eliminohet përpara se të dëmtojë integritetin e vetë historisë së Amerikës. Sipas Kuper, që tani përgatitet një invazion turistësh në Maunt Vernon, aty ku është varrosur Uashingtoni, siç ndodhi me abacinë skoceze të Roslin, pas botimit të “Kodi i da Vinçit”. Një tjetër mason, njujorkezi Mark Rivera mendon se në historinë e spiunazhit janë të përfshirë edhe baballarë të tjerë masonë themelues të kombit (sipas disave, ishin masonë nëntë prej firmosësve të Deklaratës së Pavarësisë); dhe me linjën kryesore të romanit ndërthuret misteri i një thesari të fshehur.

“Në gjysmën e tetëqindës u krijua një shoqëri e fshehtë, Kavalierët e rrethit të Florinjtë, objektivi i të cilëve ishte që të aneksonin brenda SHBA territore të Meksikës, Kubës dhe Venezuelës, ku do të ruanin një regjim skllavërie”, thotë Rivera.

“Gjatë luftës civile, kalorësit mbështesnin konfederalistët dhe thuhet se fshihnin një sasi shumë të madhe floriri për ta përdorur në një tjetër luftë civile për të mbrojtur Jugun. Ka shumë të dhëna që tregojnë se edhe kjo histori është pjesë e librit”. Ashtu si studiues të tjerë, Rivera ka përdorur dy guida për interpretimin e librit, të gatshme për të dalë menjëherë pas botimit të tij. Një tjetër ekspert i zhanrit historik-ezoterik, Dan Bërshtain, që në vitin 2005 kishte botuar një guidë për romanin e ri të Dan Braun që, bashkë me ato të shkruara për Kodin e Da Vinçit dhe Engjëj dhe Djaj, është shitur në mbi 4 milionë kopje. Prej shumë mistereve del megjithatë vetëm një siguri e dukshme: nëse ka një shkrimtar që, në mesin e furtunës së krizës është në gjendje t’i japë pak frymëmarrje industrisë së botimeve, ky është pikërisht zoti Dan Braun.

Google+ Followers