SHENJAT/Përse ra Kostandinopoja?


Në Itali, perandori i fundit romak u rrëzua në vitin 476. Në lindje, Perandoria Romake, që njihej si Perandoria Bizantine, vazhdoi të qëndrojë në këmbë edhe njëmijë vite të tjerë. Kryeqyteti, Kostandinopoja, që kish marrë emrin e perandorit të parë të krishterë, u bë për të krishterët e Bizantit një qendër me po aq rëndësi sa edhe Roma, me Papën si patriark. Kostandinopoja mbajti gjithashtu një pozitë kyçe ekonomike përgjatë rrugëve tregtare midis Detit të Zi dhe Detit Mesdhe, si dhe në mes Evropës dhe Azisë.

Kostandinopoja dukej e pathyeshme. Pavarësisht më shumë se njëzet rrethimeve, ushtritë e vetme që pushtuan Kostandinopojën ishin ato të kryqëzatës së katërt dhe ata ia dolën vetëm me dinakëri. Në 1204, pjestarët e kryqëzatës, duke pohuar miqësi me vëllezërit e tyre të krishterë, i ankoruan anijet e tyre në Bririn e Artë, që ishte porti i qytetit. Më pas, hipën me shkallë në muret që në atë anë të qytetit ishin të ulëta, dhe e plaçkitën. Kështu që në 1453, kur sulltan Mehmeti II dhe ushtria e tij turke rrethoi qytetin, mbrojtësit e tij bllokuan hyrjen e Bririt të Artë me një zinxhir hekuri, të lidhur me disa lundra. Kjo do të thoshte që Mehmetit do t'i duhej të depërtonte në muret e anës perëndimore të qytetit. Për ta bërë këtë, ushtritë e tij do t'i duhej që së pari të kalonin një hendek me ujë, ishte 18.5 metra i gjerë. Pastaj ata do të duhej të kapërcenin një mur me gurë 9 metra të lartë, 21 metra të trashë, ndërkohë që mbrojtësit e qytetit i bombardonin me gurë, shtiza dhe vaj të nxehtë. Kushdo që arrinte të kalonte do të gjendej i bllokuar në mes të murit të jashtëm dhe një muri të brendshëm, 12 metra të lartë dhe 18 metra të gjerë. Të shpërndara brenda hapësirës së këtyre dy mureve ishin 96 kulla. Askush nuk e kishte thyer ndonjëherë. Edhe Atila, kur kish parë mbrojtjen e qytetit, kishte urdhëruar hunët e tij që të tërhiqeshin.

Mehmeti ishte i vendosur që ta pushtonte Kostandinopojën. Këshilltarët e tij, duke përfshirë Vezirin e Madh, Halil Pashën, e quajtën shumë të rrëmbyer sulltanin 22-vjeçar, ndërsa planin e tij të pamatur. Mehmeti i injoroi të gjithë. Ai ndërtoi një kala nëpër Bosfor që nga Kostandinopoja dhe në fillim të pranverës ngriti një bllokadë. I urdhëroi njerëzit e tij që të gërmonin poshtë mureve, por bizantinët arritën të kundërveprojnë ndaj secilës prej këtyre përpjekjeve. Më 20 prill, disa anije gjenoveze lundruan përtej bllokadës dhe - me zinxhirët e hequr në mesin e natës - hynë në Bririn e Artë. Në këtë moment, Mehmeti urdhëroi inxhinierët e tij që të ndërtonin një rrugë në anën tjetër të portit dhe me anë të qeve që kish marrë me vete tërhoqi shtatëdhjetë anije nëpër tokë, drejt Bririt.

Megjithatë, pas shtatë javëve, asnjë turk nuk kishte kaluar muret e qytetit. U duk se Pashai kish patur të drejtë. Brenda në qytet, bizantinët ishin të tejlodhur, por ende të vendosur. Pas kësaj, erdhën një seri ogurësh që nuk mund të shpërfilleshin. Një mjek venecian, Nicolo Barbaro, u bë dëshmitar i ngjarjeve nga brenda mureve. "Në orën e parë të natës, u duk një shenjë e mrekullueshme në qiell, që ishte për t'i treguar Kostandinit, Perandori i Parë i Kostandinopojës, se perandorisë së tij krenare po i vinte fundi", shkruante Barbaro. "Në orën e parë pas muzgut u ngjit Hëna, që kish qenë gjithë kohës e plotë, kështu që duhet të ngjitej në formën e një rrethi të plotë, por ajo u ngjit sikur të ishte jo më shumë se një Hënë treditore, duke u shfaqur shumë pak, ndonëse ajri ishte i pastër si kristal".

Sipas Barbaros, eklipsi hënor ndodhi në 22 maj; të tjerë thonë në 24 maj. Sido që të jetë, ishte shqetësuese. "Perandori i Kostandinopojës ishte shumë i frikësuar nga kjo dhe po kështu të gjithë të tjerët", vazhdon Barbaro, "sepse grekët kishin një profeci që thoshte se Kostandinopoja nuk do të binte deri kur Hëna e plotë të jepte një shenjë". Kishte edhe shenja të tjera po kaq shqetësuese. Teksa një statujë e Virgjëreshës - ikona më e shenjtë e qytetit - po transportohej nëpër rrugë, ajo u shemb në tokë. Më pas pati një stuhi të papritur dhe kortezhi u desh të braktisej. Mëngjesin tjetër, qyteti u zgjua i mbështjellë në një mjegull të trashë, të pazakontë në atë kohë të vitit. Më pas, një dritë e kuqe u ngrit nga toka deri në majë të kupolës së Shën Sofisë. Banorët e qytetit e interpretuan si shenjë që tregonte se qyteti do të shuhej në një kolonë zjarri. Një Kardin tek i shkruante Papës një muaj më vonë, thoshte se, "ashtu si qyteti u themelua nga Kostandini, bir i Helenës, po ashtu tani do të humbej prej një tjetër Kostandini (perandori i ri ishte i njëmbëdhjeti me atë emër), bir i Helenës. Dhe murgu Gennadios Scholarios vërente se maji, muaji kur qyteti do të binte, ishte i njëjti muaj në të cilin ai qe themeluar në vitin 330.

Edhe turqit i vunë re disa prej këtyre shenjave. Mehmet ishte veçanërisht i shqetësuar nga drita e kuqe mbi kupolën e Shën Sofisë, për të cilën u tremb se mos ishte shenjë e ndërhyrjes hyjnore në anën e qytetit. Më 26 maj, turqit mbajtën një këshill lufte dhe përsëri Pashai i kërkoi të tërhiqeshin përpara se të mbërrinin përforcimet europiane. Por Mehmeti kish nisur të besonte interpretimet e vetë bizantinëve për shenjat: se ishte koha që qyteti të binte. Më 29 maj, disa valë turqish dhe vasalësh të tyre sulmuan muret. Pas katër orësh, ata më në fund hynë. Pak para agimit, turqit ishin brenda në Kostandinopojë. "Profecitë ishin përmbushur", shkruante Barbaro, "duke parë se turqit kishin hyrë në Greqi, ishte një perandor i quajtur Kostandin, biri i Helenës, Hëna kishte dhënë një shenjë në qiell, pra Perëndia kishte vendosur kështu kundër të krishterëve dhe veçanërisht kundër Perandorisë së Kostandinopojës".

Kronikanët e kohës kishin arsye të forta t'u jepnin domethënie shenjave. Gennadios, për shembull, ka shkruajtur rrëfimin e tij pasi Mehmeti e kish emëruar Patriark të Kostandinopojës. Të tjerë, si Kristoboulos i Imbros dhe Laonikos Chalkokondyles, ishin gjithashtu të etur për të treguar besnikërinë e tyre ndaj sulltanit duke demonstruar pashmangshmërinë hyjnore të pushtimit të tij. Sulltani e shpërbleu Kristoboulosin duke e emëruar guvernator të Imbrosit.

Sidoqoftë, historianët e kohës, ashtu si edhe ata modernë pranojnë se turqit kishin më shumë ogurë në anën e tyre. Mehmeti solli me vete rreth 80,000 burra, të armatosur me shtiza, shpata, shigjeta, tokmakë dhe një përkushtim ndaj Islamit. Ndonëse Sulltani nuk e dinte, Kostantini kishte vetëm rreth 5,000-7,000 burra. Mehmeti kishte rreth 250 anije, Kostantini vetëm 26. Mehmeti kishte edhe shërbimet e një prodhuesi hungarez topash me emrin Urban, i cili i ndërtoi topat më të mëdhenj që ishin realizuar ndonjëherë në atë kohë. Njëri ishte 8.5 metra i gjatë me një predhë 2.5 metra të trashë. Sipas kronikanit grek Dukas, u deshën gjashtëdhjetë qe dhe dyqind burra për të vendosur topat në pozicion, në anën evropiane të Bosforit. Ata mund të qëllonin vetëm disa herë në ditë, por kur e bënin, dërgonin predha çerektonëshe në ujë dhe brenda në Kostandinopojë. Mbrojtësit e qytetit riparonin pa pushim muret, por deri në maj bombardimet e kishin bërë dëmin.

Për më tepër, turqit kishin shekuj që forcoheshin, bizantinët ishin në rënie. Në 1326, turqit pushtuan pjesën më të madhe të Anadollit dhe në 1356 ata kaluan në Evropë. Në 1402, tartarët i ndalën në Ankara, por shpejt tartarët u tërhoqën në lindje ndërsa turqit përparuan. Ndërkohë, bizantinët, asnjëherë nuk e kishin marrë veten nga pushtimi i 1204 dhe perandoria e tyre ishte reduktuar gradualisht duke patur tashmë vetëm Kostandinopojën dhe rrethinat. "Të paktën në sytë e lindorëve, perandori ishte ende perandori romak", shkruante historiani Steven Runciman. "Por, në realitet ai ishte vetëm një princ mes të tjerëve, njësoj të fuqishëm, apo ndoshta edhe më shumë".

"Shekulli i fundit i Perandorisë Bizantine ishte një prelud për historinë e Perandorisë Osmane", shkruan historiani Donald Nicol. Shumë përpara se të pushtonte qytetin, pavarësisht brengave të këshilltarëve të tij, Mehmeti qe tashmë shumë më i fuqishëm se Kostantini. Deri në 1453, shpresa e vetme e bizantinëve ishte që aleatët e tyre të krishterë të mblidheshin e t'i ndihmonin. Por në perëndim, evropianët ishin të zënë me Luftën e Njëqind Vjetëve dhe Luftën e Trëndafilave. Më tej në lindje, mbretërit e Serbisë dhe Hungarisë kishin nënshkruar pakte me Mehmetin. Papa ishte përkrahës, por shumë pak kish për të ofruar. Venedikasit dhe gjenovezët dërguan disa anije, por interesi i tyre i vërtetë ishte për tregti dhe turqit dukeshin partnerë po aq të gatshëm sa edhe bizantinët. Disa anije veneciane arritën madje të dalin nga Briri i Artë në shkurt, duke arritur t'i shpëtojnë si bllokadës, ashtu edhe nevojës për të luftuar turqit.

Shkencëtarët dhe historianët mbeten të pasigurtë mbi arsyen që shkaktoi eklipsin e errët, motin e pazakontë dhe dritat e kuqe në Shën Sofi. Disa mendojnë se dritat ishin një reflektim i zjarreve të largët të turqve. Të tjerë spekulojnë se një aktivitet i largët vullkanor hodhi thërrmija në atmosferë dhe shkaktoi të tre fenomenet. Cilido të ketë qenë shkaku, nuk ka asnjë dyshim se në mendjen e mesjetarëve, ata kishin shumë rëndësi. Këto shenja nuk ishin as propagandë e mëvonshme e turqve fitimtarë. Kishte gjithashtu shumë kronikanë të krishterë si Barbaro dhe Isidori, që, mes tronditjes dhe dëshpërimit për rënien e Kostandinopojës, gjetën ngushëllim dhe shpjegim tek vullneti i Perëndisë. "Kishte një farë fatalizmi në mentalitetin bizantin", shkruan Nicol. "Ata kishin nuhatur, me një bindje në rritje, se në fund të fundit bota e tyre nuk do të zgjaste deri në Ardhjen e Dytë... dhe se përjetësia e vërtetë, e vetmja siguri dhe lumturi duhej të gjendej në Mbretërinë e vërtetë atje lart dhe përtej kësaj lugine lotësh. Kur fundi erdhi, në vitin 1453, ata ishin të përgatitur për të. Madje ndokush habitej që nuk kish ardhur më herët".

Ka mundësi që shenjat të kenë dhënë një dorë për rënien e qytetit. Në një pikë kur turqit ishin të pashpresë dhe bizantinët të lodhur tej mase, ato mund të kenë rritur moralin e të parëve dhe të kenë ulur atë të të dytëve. Artileria superiore turke ishte padyshim e rëndësishme, por edhe faktorët psikologjikë mund të kenë luajtur rolin e tyre në pushtimin e Kostandinopojës. "Mehmeti fare mirë mund të ketë folur për secilën shenjë duke thënë se ishin paralajmërime për fitoren", shkruan historiani Robert Martin. "Koha e sulmit final ndaj Kostandinopojës i jep natyrshëm besueshmëri kësaj ideje".

Google+ Followers