Rrugët për eliminimin e dhimbjes

Nuk ekziston asnjë njeri që nuk ka asgjë, vetëm nëse ka mbyllur krejtësisht shqisat e tij të brendshme kundrejt çdo realiteti. Të gjithë e përjetojnë dhimbjen gjatë jetës


Që nga momenti që vijmë në jetë, ashtu si edhe deri atëherë kur jemi gati të lëmë praninë tonë fizike nga kjo botë, dhimbja shfaqet me shumë mënyra. Dhimbja është gjithmonë një humbje.

Për trupin: dhimbje mund të jetë humbja e shëndetit dhe ky disekuilibër natyral shprehet në dhimbje të ndryshme që zakonisht burgosin vëmendjen dhe ndërgjegjen tonë.

Për Psikën (botën Psikologjike): dhimbja bazohet në humbjen e një ndjenje (si për ato që ndjejmë ne, por edhe sidomos për ato që marrim nga persona të tjerë). Megjithatë, le të lëmë të tjerët të na duan dhe të na lënë t'i duam. Disa shembuj mbi humbjen e ndjenjave:

-Humbja e besimit tek dikush apo diçka

-Humbja e perspektivave që filluan, por nuk mbaruan

-Humbja e besimit tek vetvetja, që shprehet si frikë për përballimin e situatave të vështira, por madje edhe ato të lehta.

Dhimbja që krijohet nga humbja e personave të dashur apo sendeve të çmuara.

Gjithashtu, të gjitha ato emocione që përfaqësojnë humbjen e diçkaje që besonim ose shpresonim se zotëronim.

Për Mendjen: dhimbja vjen si rezultat i mungesës së kuptimit nga njerëzit përreth. Kur mendja mbyllet, bllokohet dhe nuk e kupton rëndësinë e rrethanave, kështu që vuan. Kur mendja nuk është trajnuar dhe nuk ka mjetet për të konceptuar shkaqet e jetës, vuan. E njëjta gjë ndodh edhe kur mendja është pak e trajnuar apo e kultivuar pak. Nëse bllokohet gjatë përpjekjes për të arritur në thellësi të gjërave, rezultati është i njëjtë, Dhimbje.

Dhimbja, gjithashtu krijohet edhe kur vërtetojmë se ndjekim ide të gabuara ose veprojmë me kritere të gabuara. Edhe kur kuptojmë se kemi një imazh të gabuar për veten tonë dhe se në të vërtetë nuk jemi ai/ajo që ëndërrojmë se jemi.

Ndalimi i dhimbjes

Është e mundur që dhimbja të mos mbarojë kurrë plotësisht, pasi ndodhemi në një rrugë zhvillimi përparuese dhe meqenëse përparojmë ngadalë, gjithashtu edhe dhimbja shuhet ngadalë, por jo krejtësisht. Zhdukja e saj gjendet në një nivel çlirimi shpirtëror, që për ne është shumë larg tani për tani. Ajo që duhet dhe mund të bëjmë, është të fillojmë të kufizojmë shkaqet që e krijojnë dhimbjen.

Për këtë nevojitet t'i shikojmë gjërat me një mënyrë të qetë, inteligjente dhe objektive. Duhet të shikojmë veten tonë nga jashtë, për të vlerësuar realitetet e tij, të cilat përndryshe do të na preokupojnë aq shumë sa do të na bëjnë të verbër, në mënyrë që të mos t'ju japim emër dhe përkufizim. Nëse dikush nuk shikon gjërat, si hap i parë, është e pamundur të kërkojë ndalimin e dhimbjes.

Si hap i dytë, duhet të kërkojë zgjidhje për të arritur tek motivet që na udhëheqin drejt dhimbjes. Gjithçka ka një zgjidhje, pak apo shumë të mirë. Por, nëse dikush nuk ka vullnetin për ta kërkuar dhe aq më tepër për të zbatuar zgjidhjet, dhimbja do të qëndrojë. Dhe jo vetëm do të qëndrojë, por edhe do të na bëjë të akuzojmë faktorë të jashtëm për atë që ne nuk guxuam të përballonim.

Rrugët për eliminimin e dhimbjes

Këto rrugë na i jep Filozofia Budiste, e cila me "Rrugën e Madhe" apo "Udhën Fisnike Tetëshe", na ofron hapat, të cilët mund të përdorim, pasi sipas kësaj filozofie gjithçka është në dorën tonë, pa u nevojitur për të ndjekur fenë, por vetëm, duke u menduar.

Opinionet e drejta duhet të jenë puna jonë e përditshme për të dalë nga padituria dhe për të arritur gradualisht drejt diturisë. Një gjë të tillë gjithashtu këshillonte edhe Platoni. Opinionet tona do të jenë çdo herë e më të drejta sa më shumë t'i largohemi subjektivitetit, nga arroganca e bindjeve tona që i konsiderojmë si më superiore nga ato të të tjerëve, nga dëshira për të pasur gjithmonë të drejtë. Përkundrazi, duhet të bazohemi tek doktrinat e të diturve, në këshillat e tyre që janë të mbushura me përvojë dhe në vizionin e pastër që ata na ofrojnë.

Synimet e drejta fillojnë nga një ideal i pastër për jetën, nga disa principe që mund të shëndërrohen në objektiva. Nëse do të kemi një ideal si burim frymëzimi, kemi mundësinë për të drejtuar në mënyrën e duhur synimet tona. Me pak fjalë: le të zëvendësojmë egoizmin me bujarinë.

Veprimet e drejta do të jenë pasojat logjike të ideve ose opinioneve të drejta dhe të synimeve bujare. Këtu duhet të shtohet, në mënyrë të pakthyeshme, vullneti për të vepruar.

Fjalët e drejta na detyrojnë të mendohemi përpara se të hapim gojën dhe të flasim. Në vend që të themi të parën gjë, që na thonë emocionet (dhe jo domosdoshmërisht idetë), duhet të llogarisim rezultatin që mund të krijojnë fjalët tona. Duhet te jetë e qartë, nëse duam të komunikojmë me të tjerët apo nëse thjesht duam të bisedojmë dhe të mbushim heshtjen me zëra bosh.

Mjetet e drejta të jetesës nënkuptojnë një sjellje etike. Të gjithë duhet të punojmë për të jetuar. Kjo, pavarësisht atyre që thuhen për të kundërtën, është një ligj i mrekullueshëm i ekzistencës që na mban aktivë dhe na bën të zhvillohemi si brenda ashtu edhe jashtë vetes. Por nuk ndodhen të gjitha punët në lartësinë e dinjitetit filozofik. Nuk i referohemi punëve modeste, por atyre që ofendojnë dinjitetin njerëzor nën mijëra fytyrat e korrupsionit. Dhe janë të drejta gjithashtu mjetet e jetës, që janë pikërisht ato: mjete dhe jo objektiva që thithin të gjithë ekzistencën njerëzore.

Përpjekja e drejtë konsistohet në përdorimin e energjive tona, pa i shkuar dëm, por edhe pa qenë si ai kurnaci që nuk do të sakrifikojë diçka, ose do të sakrifikojë sa më pak të jetë e mundur. Përpjekja është

e drejtë, atëherë kur drejtohet drejt objektivave që janë zgjedhur si më të mirët dhe kur nuk kufizohet në përpjekjen më të vogël, por përkundrazi në përpjekjen më të madhe që mund të ofrojmë. Ai që përpiqet të japë dhe të bëjë në maksimum, zgjeron kufinjtë e aftësisë së tij. Sa më shumë të përpiqet, aq më shumë mundet.

Vëmendja e drejtë është një qendër drite ku mblidhen përjetimet tona, gjë që na jep rregull dhe pastërti në ndërgjegjen tonë. Mjafton të themi, duke përmbledhur se, vëmendja është fuqia e ndërgjegjes.

Përqendrimi i drejtë konsiston në të qenit gjatë pjesës më të madhe të ditës (si edhe të jetës) në boshtin tonë të brendshëm, në qendrën tonë, duke eliminuar gradualisht ngjitjet dhe zbritjet e ndërgjegjes, që vijnë si rezultat i ndryshimeve emocionale dhe mendore. Kjo është përpjekja e drejtimit të shprehjeve të shpirtit dhe veprimeve të trupit drejt unit (vetvetes) tonë të vërtetë.

Çfarë të bëjmë ndërsa përpiqemi të kapërcejmë dhimbjen?

Të mos "paralizohemi" në të: Të mos presim se dhimbja do të zhduket krejtësisht për të vazhduar veprimet tona dhe as mos të shtyjmë të tjera, më të reja dhe më të mira. Duhet të mësojmë të ecim, duke marrë dhimbjen për dore, pa i kushtuar shumë vëmendje. Vëmendjen tonë duhet ta drejtojmë drejt mjeteve që do të na lejojnë ta eliminojmë krejtësisht dhimbjen.

Të mos bëhemi të padurueshëm: nëse dhimbja bëri shumë kohë të vendosej në Psikinë (botën psikologjike) tonë, gjithashtu nevojitet kohë e konsiderueshme - jo kaq shumë - për të dhënë një kalim pastrimit dhe çlirimit nga ajo. Le të zhvillojmë një durim aktiv, një durim që nuk do të pushojë së punuari për detyrimet e tij.

Të mos biem në emocione apo ide nënvlerësuese: Në vend që të nënvlerësojmë veten tonë, le të përpiqemi të dalim nga burimi i errët i dhimbjes dhe të vëmë të gjithë vullnetin tonë për këtë. Kështu do të zgjerohet vetëvlerësimi. Ai që dorëzohet dhe braktiset në dhimbje, nuk do të mund të ndjehet mirë me veten e tij.

Të mos nxehemi: Të mos akuzojmë të tjerët dhe as të mos lejojmë që të bie sipër tyre gjendja negative e dhimbjes. Më mirë të përpiqemi të tregojmë gëzimin e betejës që kemi filluar në mënyrë që të mund të vazhdojmë.

Dhe mbi të gjitha të kemi parasysh faktorët e shumtë që na japin kënaqësi, që na japin gëzim dhe entuziazëm, dobitë e shumta që jeta na ka dhënë, pa qenë mosmirënjohës me Fatin dhe dhuratat që marrim. Nuk ekziston asnjë njeri që nuk ka asgjë, vetëm nëse ka mbyllur krejtësisht shqisat e tij të brendshme kundrejt çdo realiteti.

Por çështja nuk është kjo. E rëndësishme është të duam jetën dhe shanset që ajo na ofron. Dhe, nëse ndonjeherë na bëjnë të vuajmë, le t'i zëvendësojmë hijet me dritë. Ky është kuptimi i zhvillimit.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers