Rrënjët e shqetësimit evropian

Zhgënjimi evropian ka filluar kur Evropa ka vendosur zgjerimin. Do të kish qenë më mirë të ndërtohej një konfederatë, siç propozoi në kohën e tij Jacques Delors, por Gjermania ishte kundër dhe u vendos që në vend të saj që të futeshin në Bashkimin Evropian jetimët e vjetër të perandorisë sovjetike. Iluzioni ishte se integrimi evropian dhe zgjerimi mund të përparonin sëbashku. Realiteti është se hyrja e anëtarëve të rinj ka vënë në krizë vetë idenë e komunitetit.







Në dimrin e çmagjepsjes evropiane referendumet e dështuar në Francë, Holandë dhe Irlandë janë vetëm simptoma të një sëmundjeje që, në mënyrë krejt paradoksale, i përket momentit në të cilin komuniteti evropian prek me Traktatin e Maastrihtit pikën më të lartë të parabolës së tij. Duhej bërë tregu unik, por duhej njëkohësisht se si të trajtoheshin jetimët që shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe e bllokut sovjetik kishte lënë në pragun e shtëpisë evropiane. Do të duhej ta thellonim procesin e integrimit dhe ta linim problemin e jetimëve për një fazë të mëvonshme? Do të duhej të përqendronim çdo përpjekje mbi zgjerimin?

Rasti i humbur i Jacques Delors. Jacques Delors, në atë kohë President i Komisionit Evropian, tregon në kujtimet e tij se ka pasur një bashkëbisedim kokë më kokë në Pallatin e Elizeut me Presidentin François Mitterrand dhe se i ka shpjeguar atij se Evropa e zgjeruar di të ishte heterogjene dhe e paqeverisshme. Në vend që të futeshin të ardhurit e rinj në Komunitetin Evropian ishte më mirë që të krijohej një konfederatë, e hapur ndaj ortakëve të rinj, dhe të formohej në brendësinë e saj një organizëm i ngushtë, i rezervuar për vendet që kishin arritur tashmë objektiva të rëndësishëm unitarë. Propozimi i pëlqeu Mitterrand, por jo gjermanëve dhe u tejkalua nga ngjarje të tjera, për t’u zhdukur së fundmi nga horizonti evropian. Me një hipokrizi të caktuar, u vendos se thellimi dhe zgjerimi do të ndiqeshin njëkohësisht. Kështu ndodhi praktikisht, por me plane dhe kalendarë shumë të ndryshëm. Vendet e bashkimit monetar marshuan përpara drejt objektivave të tyre – euros dhe tregut të vetëm – ndërsa kandidatët e Evropës Qendrore-Lindore dhe të Mesdheut hipën mbi një lloj treni-shkollë ku nxënësit e rinj, në përgatitje të provimit të hyrjes, do të duhej të mësonin elementët bazë të ekonomisë dhe të politikës së mirë.

Iluzionet e anëtarëve të rinj. Pasoi një fazë e gjatë (pothuajse një dhjetëvjeçar) gjatë të cilit hendeku midis ortakëve të vjetër, tashmë të bashkuar në pjesën më të madhe nga e njëjta monedhë, dhe aspirantëve të rinj u bë më i thellë nga sa kishte qenë në fillim. Megjithatë, akoma më preokupues qe fakti që procesi i anëtarësimit të vendeve kandidate konceptohej kryesisht si një kurs evropian kontabiliteti. E quajtëm si të mirëqenë se vendet e bllokut sovjetik do të donin të njëjtën Evropë për të cilën ne kishim sakrifikuar një pjesë të rëndësishme të sovranitetit kombëtar. Nuk kuptuam se nuk kishin marrë pjesë në debatin europeist të periudhës menjëherë pas lufte. Nuk kuptuam se do të duhej të kërkonim t’u transmetonim të ardhurve të rinj diçka që të ngjashme për sa të ishte e mundur me një ideal federal. Të kuptohemi, as Evropa perëndimore në vitet Nëntëdhjetë nuk ishte ajo e profetëve dhe e etërve themelues. Gjatë atij dhjetëvjeçari, teksa fillonte periudha e stazhit evropian të ish satelitëve, Italia humbi brenda pak vjetësh pothuajse një brez të tërë demokristianësh, socialistësh, republikanësh, liberalësh dhe social demokratësh, të gjithë të rritur në shkollën e De Gasperi dhe Altiero Spinelli. Në Gjermani Helmut Kohl doli nga skena në mënyrë shumë të keqe dhe e ia la kancelarinë një njeriu shumë më të ri në moshë, për të cilin Lufta e Dytë Botërore ishte vetëm fotografia e një babai të cilin nuk e kishte njohur kurrë. Në Francë Mitterrand u zëvendësua nga golisti Jacques Chirac, i cili i donte kulturat lindore më shumë sesa nuk donte qytetërimin evropian. Në Spanjë Felipe Gonzalez, mik i Craxi e Mitterrand, ia la vendin politikanëve të frymëzuar nga një version modern i hispanidad, njerëz për të cilët roli i vendit të tyre në Amerikën Latine nuk ishte më pak i rëndësishëm se ai që do të kishin në Bashkimin Evropian (një qëndrim për aspekte të caktuara i ngjashëm me atë të Britanisë së Madhe). Por diçka nga shpirti i etërve themelues kishte mbetur në atmosferën e Evropës Perëndimore dhe do të duhej që t’u kalohej të ardhurve të rinj. Pastaj, midis të moshuarve dhe të rinjve kishte një diferencë themelore. Të moshuarit e dinin se qenë të përfshirë në një operacion që do të sillte zvogëlimin gradual të sovranitetit të tyre kombëtar. Të rinjtë kishin hyrë në Bashkimin Evropian për të rikuperuar sovranitetin e humbur kur Ushtria e Kuqe kishte pushtuar vendet e tyre. Do ta kuptojmë atëherë kur konstatuam se për disa vende (në mënyrë të veçantë Polonia, Republika Çeke dhe shtetet baltike) raportet me Shtetet e Bashkuara qenë më të rëndësishme se ato që do të kishin pasur me institucionet e Brukselit.

Gabimi fatal. Në këtë kontekst, gabimi më i rëndë qe ai i pranimit të vendeve të reja, përpara akoma aderimit të tyre, në negociatat për përkufizimin e rregullave të nevojshme të qeverisjes së Evropës së zgjeruar. Mund ta kuptoj dilemën e ortakëve të vjetër. Nuk ishte e lehtë të ndryshohej Kushtetuta e Bashkimit Evropian, në vigjilje të zgjerimit, pa përfshirë ortakët e ardhshëm. Por Konferenca e Nisës e dhjetorit të vitit 2000 qe një mbledhje pallati në të cilën jopronarët mund të kushtëzonin me veton e tyre vendimet e pronarëve. Rezultati qe dyfish negativ: një sistem votimi i keq dhe forcimi i taktikave negociuese i atyre anëtarëve të vjetër, si puna e Spanjës, që donin një Bashkim Evropian ku çdo vend do të mund ta bllokonte një vendim të papëlqyer. Marrëveshja midis Spanjës dhe Polonisë lidhur me sistemin e votimit që parafigurimi i asaj që do të ndodhte, gjithnjë e më shpesh, në vitet në vazhdim. Kërkuam që të riparojmë dëmet me një konventë kushtetuese dhe një traktat të ri, por zgjerimi i ngutur i vitit 2004 pati efektin e krijimit në Evropë të një opozite të dyfishtë: atë të antieuropeistëve dhe atë të europeistëve të zhgënjyer. Jo-ja e francezëve dhe e holandezëve në referendumet e vitit 2005 qe shumatorja e të dy opozitave. Via crucis e Traktatit Kushtetues të filluar në Nisë në dhjetor të vitit 2000 nuk ka përfunduar akoma.

Sindroma e hidraulikut polak. Po në këtë periudhë, Bashkimi Evropian qe viktimë e një paradoksi tjetër. Tregu dhe monedha e përbashkët qenë përgjigja më e mirë e mundshme ndaj sfidave të globalizimit. Vetëm politika e përbashkët e një hapësire të madhe ekonomike do t’u kursente evropianëve në duelet e epokës së re fundin e Curiazi. Por tregu dhe monedha e përbashkët i reduktonin në mënyrë drastike hapësirat e manovrës të vendeve të veçanta dhe impononin detyrime të politikës ekonomike dhe të bilancit të cilave çdo anëtar do të duhej t’u nënshtrohej: një gjendje që ngjalli në çdo vend rezerva dhe kundërshtime. Nuk është e gjitha. Për të përballuar sfidën botërore, Evropa do të duhej të modernizonte institucionet e saj ekonomike dhe të rishikonte në mënyrë kritike sistemet asistenciale të lindura nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Tregut dhe monedhës së përbashkët ju shtua “Axhenda e Lisbonës”, domethënë një plan modernizimi që do të përfshinte shkollën, universitetin, kërkimin shkencor dhe teknologjik. Në ato vite, Komisioni i Brukselit qeverisej nga filozofia e tregut të lirë. Kur komisari evropian Bolkestein gjatë një takimi publik deshi t’u tregojë dëgjuesve të tij avantazhet e qarkullimit të lirë të shërbimeve, tha se ardhja e një hidrauliku polak në shtëpinë e tij në fshat do ta kënaqte. Hidrauliku hyjnor i Bolkestein u bë qysh nga ai moment dordoleci i evropianëve, emblema e sintezës së të gjitha fobive që do të trazonin ëndrrat e tyre në vitet në vazhdim: emigracion, kriminalitet, importime kineze me çmim të lirë, liberalizim të egër të tregut të punës..

Skizofrenia e Kontinentit të Vjetër. Në planin politik këto frikëra kanë pasur efektin e forcimit në shumë vende të partive nacionaliste, lokaliste, legiste dhe komponentëve euroskeptikë të partive tradicionale. Në ndryshim nga Giorgio La Malfa, nuk besoj se Evropa vuan nga një deficit demokratik. Në qoftë se italianët do t’u kushtonin vëmendje punimeve të Parlamentit të Strasburgut, do të zbulonin se funksionon më mirë se parlamenti i tyre kombëtar. Por është sigurisht e vërtetë se demokracia në Evropë ka akoma një dimension kombëtar dhe legjitimiteti i klasave politike varet në analizë të fundit nga elektoratet e veçantë kombëtarë. Kjo bashkëjetesë e vështirë midis legjitimitetit kombëtar dhe përgjegjësisë evropiane ka provokuar një lloj skizofrenie të përhapur. Në Bruksel dhe në selitë komunzare liderët kombëtarë flasin “evropiançe”, punojnë në mënyrë pak a shumë të kujdesshme në kuadrin e axhendës së përgatitur nga Komisioni Evropian dhe e dinë se ruajtja e rezultateve të arritura kërkon përparime të vazhdueshme në drejtimin e një uniteti më të madh. Por kur kthehen në kryeqytetet e tyre, flasin patois politik të vendit të tyre dhe nuk ngurrojnë t’i shkarkojnë mbi shpatullat e Evropës fajet dhe dobësitë e tyre. Gjatë viteve të fundit kanë qenë të rrallë liderët evropianë që kanë pasur kurajën që ta kundërshtojnë personalisht dhe publikisht valën në rritje të euroskepticizmit. Teoricienët e funksionalizmit qenë të bindur se institucionet do ta krijonin Evropën dhe se integrimi do të ndërtohej, copë pas cope, nga mënyra me të cilën Komuniteti Evropian do të përballonte problemet e reja dhe të paparashikuara që do të dilnin gjatë rrugës së tij. Në disa raste parashikimi është vërtetuar. Rruga drejt monedhës së përbashkët fillon në momentin në të cilin Presidenti amerikan Nixon shkëput dollarin nga ari dhe çel një fazë fluktuimesh të pakontrollueshme në të cilën ekonomitë evropiane janë në mëshirën e një monedhe të huaj mbi të cilën nuk mund të ushtrojnë asnjë influencë. Banka Qendrore Evropiane konceptohet kur anëtarët e Komunitetit Evropian e kuptojnë se vetëm një institucion i pavarur mund ta qeverisë dimensionin e masës monetare në vende që përdorin të njëjtën valutë. Funksionalizëm dhe gradualitet janë akoma motorët e integrimit. Me fjalë të tjera, do të bëjmë përparime vetëm në qoftë se do t’i përballojmë problemet e reja me perspektiva dhe instrumente evropiane. Do të kemi një politikë të jashtme evropiane vetëm në qoftë se do të arrijmë të adoptojmë, në rrethanat e reja ndërkombëtare, një pozicion të përbashkët.

Pse përçahet jashtë? Megjithatë, ajo që ka ndodhur në dhjetëvjeçarin e fundit nuk është siguruese. Kemi ruajtur unitetin gjatë luftës së Kosovës dhe gjatë fazës së fundit të krizës jugosllave, por jemi përçarë në mënyrë të bujshme kur Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të pushtojnë Irakun. Aspekti më interesant dhe instruktiv i kësaj krize qenë motivet e përçarjes. Nuk jemi përçarë për mundësinë e një lufte që kudo shkaktonte rezerva të shumta. Jemi përçarë lidhur me natyrën e raporteve që vendet më të mëdha të Bashkimit Evropian synonin që të kishin me Shtetet e Bashkuara. Me fjalë të tjera, qe evidente se kishte vende (Franca dhe Gjermania në mënyrë të veçantë) për të cilat një gjest pavarësie vlente më shumë se një pozicion i përbashkët, i kërkuar dhe i ndërtuar me durim; ndërsa kishte të tjera (Britania e Madhe, Spanja, Italia) për të cilat miqësia e Shteteve të Bashkuara ishte me e rëndësishme se solidariteti. Dëmi është riparuar pjesërisht në kohën e krizës libaneze, kur Italia ka imponuar një linjë të Kombeve të Bashkuara që në realitet ishte evropiane; dhe më vonë, në kohën e krizës gjeorgjiane, kur Presidenca franceze ka arritur të pengojë që Evropa të përçahej sërish midis partizanëve të Amerikës dhe partizanëve të pavarësisë. Por në mënyrë të veçantë kriza gjeorgjiane përmban një mësim të dyfishtë. Demonstron se Evropa mund të influencojë në mënyrë efikase mbi rrjedhën e ngjarjeve ndërkombëtare kur jep provë uniteti, por demonstron njëkohësisht se ky rezultat arrihet sidomos kur një lider kombëtar ka një interes të fortë për t’i dhënë vlerë rolit të tij evropian. Fatkeqësisht, kjo do të thotë se i njëjti lider, në rrethana të ndryshme, mund të ketë interesa të ndryshme.

Të kapet ose të humbet shansi i fundit. Për momentin, nuk është e mundur të bëhet një bilanc i reagimit evropian ndaj krizës së kredidhënies. Ka pasur sinjale kontradiktore, që i detyrohen në pjesën më të madhe ndryshimit të presidencës evropiane në fillimet e vitit të ri: momente në të cilat Evropa është dukur e aftë të përdorë për unitetin e saj gabimet e kryera nga financa dhe nga politika amerikane në vitet e fundit dhe momente në të cilat ngushtësia e interesit kombëtar ka mbizotëruar mbi çdo konsideratë tjetër. Pas disa muajsh, kur do të jetë e mundur të vlerësohet kriza me një shikim të përbashkët, do të mësojmë nëse Evropa e ka kapur apo e ka humbur shansin për ta demonstruar ekzistencën dhe ta forcuar unitetin e saj.

Sergio Romano është editorialist i së përditshmes “Corriere della Sera”. Libri i tij i fundit është “Me sytë e Islamit. Gjysmë shekull histori në një perspektivë të Lindjes së Mesme”.



Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers