Një reflektim mbi ditët e inaugurimit të Presidentëve të SHBA në të kaluarën dhe fjalët që kanë jehonë edhe sot e kësaj dite


Kur pishtari ndërron duar

Michael Dunne

Oskar Uajld - kush tjetër? - mposhti të gjithë komentatorët kur thumboi me fjalë se "rinia e Amerikës është në fakt tradita e saj më e vjetër", duke shtuar edhe goditjen përfundimtare se ata "kanë vazhduar kështu për mbi treqind vite". Megjithatë, në një paradoks që i shkon më se për shtat vetë rrëfimtarit të madh, ky vend përjetësisht i ri në moshë krijoi që në lindjen e tij një sistem politik, kuadri institucional i të cilit ka ndryshuar shumë më pak gjatë dy shekujve të fundit se sa ata të vendeve të mëdhenj evropianë si Franca, Gjermania, Italia apo Mbretëria e Bashkuar.

Kushtetuta federale, e hartuar në Filadelfia në vitin 1787, hyri në fuqi me mbledhjen e Kongresit të parë dhe zgjedhjes së Xhorxh Uashingtonit si President i parë i Shteteve të Bashkuara. Në ditën e fundit të prillit 1789, në kryeqytetin e përkohshëm të republikës që po lindte, Nju Jork, Uashingtoni mbajti fjalimin e parë inaugurues drejtuar "bashkëpatriotëve të tij të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve". Në 20 janar 2009, në kryeqytetin federal që ka marrë emrin e Uashingtonit, Barak Obama, Presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara, do të mbajë fjalimin e inaugurimit përpara Kongresit të 111 të sapozgjedhur, bashkëpatriotëve të tij dhe, përmes televizionit, radios dhe internetit, përpara një audience globale qindra milionëshe. Do të ndodhë rituali më i madh në sistemin politik amerikan. Pishtari do të ndërrojë duar.

Kjo frazë e thjeshtë, origjina e të cilës është në antikitetin e lashtë, është e njohur prej ceremonisë së inaugurimit të John F. Kennedy në 1961: "Pishtari i është kaluar një brezi të ri amerikanësh". Edhe fraza të tjera nga ai fjalim unik dhe i shkurtër kanë hyrë në përdorimin e përditshëm - jo vetëm antologji. Premtimi i Kenedi se populli amerikan "do të paguajë çdo çmim, do të mbajë çdo barrë, do t'i bëjë ballë çdo vështirësie, do të mbështesë çdo mik, do t'i kundërvihet çdo armiku për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë"; porosia e tij "për të mos negociuar kurrë prej frikës, por për të mos patur kurrë frikë për të negociuar"; thirrja e tij drejtuar bashkëkombasve amerikanë që 'të mos pyesin se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj' - epigrama të tilla janë shndërruar në monedhë të retorikës politike edhe përtej Shteteve të Bashkuara.

Vrasja e Kenedit më pak se tri vite më vonë i dha edhe më shumë mprehtësi paralajmërimit të tij se detyrat që kish përpara administrata e tij nuk do të përmbusheshin brenda "njëmijë ditëve", e jo më njëqind ditëve, numri simbolik që kumbon më shumë se sa periudha tremujore, e cila është shndërruar në etapë të veprimtarisë qeverisëse dhe që e ka burimin nga faza e parë e programit të asistencës, rimëkëmbjes dhe reformës që lidhej me marrëveshjen e re të Franklin Delano Rusveltit. Me këtë aluzion, Kenedi lidh vetveten dhe ekipin e tij të "Kufirit të ri" me një prej heronjve të fundit të jetës amerikane, FDR, Presidenti që kish nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga një depresion i tmerrshëm ekonomik dhe që udhëhoqi vendin drejt fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Anasjelltas, JFK u distancua me lezet ashtu sikurse distancoi edhe partinë e tij bashkë me "brezin e ri të amerikanëve", nga paraardhësi i tij, Duajt Aizenhauer dhe republikanët nën udhëheqësin e tyre, kandidatin e mundur presidencial, Ricard Nikson.

Një partitizëm i tillë, edhe kur është i "holluar", është i rrallë për ditët e inaugurimit dhe ai është zhvlerësuar që prej pasardhësit të Uashingtonit, Xhon Adams. Në vend të kësaj, tipari më i zakonshëm i kësaj dite është trajtimi retorik i unitetit të popullit amerikan, vlerat e përbashkëta, si dhe historia e përbashkët si një komb imigrantësh. Në fakt, ky elementi i dytë është qendror për rolin dhe qëllimin e ditëve të inaugurimit në veçanti dhe për pjesën më të madhe të retorikës amerikane në përgjithësi. Presidenti i zgjedhur Obama mishëron pikërisht këtë diversitet: dhe trashagimia e tij e përzier frymëzon të huajt po aq sa edhe bashkëkombasit e tij. Siç argumentonte Presidenti Rusvelt në fillimet e shekullit XX, kur imigrimi ishte në kulmet e tij: "Amerikanizmi është një çështje parimi, qëllimi, idealizmi, karakteri; nuk është një çështje vendlindjeje, kredoje apo trashëgimie". Kështu, përsëritja e një historie të përbashkët lejon, madje kërkon, që imigrantët të ndajnë vlerat e vendit mikpritës. Ana pozitive e këtij identifikimi është barazia e të gjithë të ardhurve si dhe vendasve; ana negative është trysnia për konformitetin social dhe ekonomik.

Por është ana pozitive që nxirret në pah në fjalimet e inaugurimit dhe jo ajo negative, sidomos në momente krizash të mëdha. Gjatë luftërave, Presidentët kanë kërkuar tema që frymëzojnë dhe ngrejnë moralin e popullit amerikan; në kohëra më pak dramatike meloditë e fjalimeve përshtaten. Të gjithë e mbajnë mend fjalimin paralajmërues të FDR në Nadirin e Depresionit: "E vetmja gjë të cilës duhet t'i frikësohemi është vetë frika". Dhe kjo ishte vetëm një perlë në një varg frazash brilante kur, siç thoshte Rusvelti, "vetëm një optimist budalla do të mohonte realitetin e vështirë në të cilin jetojmë".

Tani, në dimrin e 2008-2009, populli amerikan është i përfshirë në dy luftëra të mëdha në Afganistan dhe Irak dhe përballet me një krizë ekonomike dhe financiare të krahasueshme me krizën e madhe të 1929, e cila përshpejtoi ardhjen e Depresionit të Madh, një rënie e cila nuk u kapërcye deri kur shpenzimet ushtarake për luftën hodhën miliarda dollarë në ekonomi. Si do të adresojnë Presidenti i sapozgjedhur dhe ekipi i tij i fjalimshkruesve sfidat aktuale? Do ta mësojmë shumë shpejt. Por që tani mund të jemi të sigurtë se dhjetëra fjalimet e mbajtur në 220 vitet e fundit do të këqyren për të gjetur ide dhe - ndoshta - fraza mbresëlënëse për t'u cituar.

Disa tema me siguri do të shmangen. Në fjalimin e parë presidencial të inaugurimit, Xhorxh Uashington u kujtoi bashkëkombasve të tij se kish shërbyer si Komandant i Përgjithshëm gjatë Luftës Revolucionare, duke marrë vetëm çfarë shpenzonte dhe kështu propozoi që të shërbente si President i parë pa u paguar. Më shumë se një shekull më vonë, Uilliam Mek Kinli përdori fjalimin e tij të parë si President për të riparë financat federale, duke tërhequr me krenari vëmendjen nga teprica fiskale si dhe stabilizimi i dollarit me vendosjen e standardit të floririt. Presidenti Obama nuk do të risjellë në vëmendje këto angazhime dhe suksese. As nuk do të rivihet në gjurmët e argumenteve të Abraham Linkolnit, "Emancipuesit të Madh", i cili në fjalimin e parë në 1861 në prag të luftës civile në Amerikë, thoshte se ndërkohë që ishte kundër ekspansionit të skllavërisë, ai ishte i detyruar prej Kushtetutës që të mbronte institucionin e skllavërisë në ato shtete dhe territore ku ekzistonte ligjërisht. Nëse Obama është një jehonë e këtij fjalimi të Linkolnit, kjo ndodh për shkak të thirrjes së tij ndaj Konfederatës Jugore secesioniste që "të mos thyejë lidhjet e dashurisë", por të dëgjojë "kordat mistike të kujtesës, që shtrihen në çdo fushëbetejë dhe varr patrioti"; si dhe thirrjen për amerikanët në veri dhe në jug që të "preken... prej ëngjëjve të mirë të natyrës së tyre dhe të kërkojnë një zgjidhje paqësore" për krizën e luftës civile që po afronte.

Por lufta erdhi, siç e tha edhe vetë Linkolni në mënyrë lakonike në fjalimin e tij të dytë inaugurues në 1865, vetëm disa javë përpara se të vritej. Mundja e Konfederatës Jugore i dha fund skllavërisë në SHBA - por jo racizmit, që ishte një nxitës ideologjik i skllavërisë. Lufta civile i dha fund gjithashtu secesionizmit si një kërcënim politik nga rajone të pakënaqur të Unionit: kufiri perëndimor në republikën e re; Nju Inglënd në fillimin e shekullit XIX; pjesa më e madhe e jugut në dekadat përpara luftës civile. Frikërat e secesionit, të shpërbërjes së SHBA, të shuarjes së "zjarrit të shenjtë të lirisë dhe fatit të modelit republikan të qeverisjes" janë shprehur shpesh herë në fjalimet e parë të Presidentëve që në kohën kur vetë Uashingtoni përdori këto fjalë në vitin 1879. Në të vërtetë, kur Xhejms Polk mbajti fjalimin e tij inaugurues në vitin 1845, ai ndeshi në kundërshtime ndaj aneksimit të Teksasit (një shtet ku lejohej skllavëria dhe që ishte shkëputur nga Republika e Meksikës) duke këmbëngulur se do të ishte "rianeksim", "ribashkim", përderisa SHBA nuk duhej të kish hequr kurrë dorë nga pretendimet e veta për tokën në veri të Rio Grande. Po kështu, shtoi Polk, SHBA duhej të theksonte të drejtën e vet për territorin e madh të Oregonit në brigjet veriperëndimore, një rajon që ishte në diskutim me britanikët në Kanada dhe rusët në Alaskë. Në një gjuhë që është ngulitur më pas në mendjet e Presidentëve të mëvonshëm dhe bashkëpatriotëve të tyre, Polk tha se sa më shumë që sistemi amerikan përhapet jashtë Amerikës, aq më e sigurtë do të jetë sfera e paqes.

Vrasja e Kenedi u dha më shumë mprehtësi premtimeve të fjalimit të inaugurimit; po kështu edhe vdekja e Linkolnit shumë pak kohë pas fjalimit të tij të inaugurimit - të paktën për veriorët dhe mbështetësit e Unionit. Kapiteni i madh në fjalët e Uollt Uitman, i cili "kishte sjellë anijen fitimtare në breg nga një udhëtim i frikshëm tashmë ishte i ftohtë e i vdekur", vetëm disa javë pasi kish mbajtur një prej fjalimeve më të shkurtër, por më të përjetësuar presidencialë.

Fjalia përmbyllëse e fjalimit të dytë inaugurues të Linkolnit është përsëritur qindra herë kur, ashtu si tani, amerikanët përpiqen që të shohin përtej barrës dhe sakrificave të luftës: "Pa keqdashje kundër askujt, me mirësi për të gjithë, me vendosmëri në të drejtën ashtu si Zoti na bën të shohim të drejtën, le të përpiqemi të përfundojmë punën që kemi nisur, t'u vëmë kapak plagëve të kombit, të bëjmë të pamundurën për të arritur dhe gëzuar një paqe jetëgjatë mes vetes sonë dhe të gjithë kombeve".

Shtatë vite luftë në Afganistan dhe pothuajse gjashtë vite luftë në Irak sigurisht që nuk kanë qenë me aq kosto në jetë amerikanësh dhe jo aq përçarëse sa Lufta Civile. Por në terma ekonomikë, këto luftëra kanë ndjekur një spirale përtej parashikimeve tanë; dhe në të gjithë Lindjen e Mesme si dhe në brendësi të aleancës së Pasluftës së Ftohtë, kundërshtitë ndaj konflikteve kanë qenë shumë të përhapura. Në premtime të fushatës, Obama ka thënë se do të tërheqë trupat e SHBA brenda pak muajve dhe jo pas disa vitesh. Amerikanët dhe ata që i duan të mirën ose të keqen SHBA, do të presin të shohin se si ky angazhim do të ndiqet nga Presidenti i ri në ditën e 20 janarit dhe pas saj. Por do të duhet oratori si ajo e Linkolnit si dhe disa fraza të kujdesshme për të kombinuar një premtim, për t'i dhënë fund humbjes së jetës së amerikanëve, justifikuar humbjen e jetëve deri sot, si dhe për të ruajtur praninë dominuese ushtarake të Amerikës në Lindjen e Mesme, e cila ishte arsyeja thelbësore për pushtimin e Irakut në mars 2003.

Prania e luftës në kaq shumë fjalime të parë presidencialë është një kujtesë se Shtetet e Bashkuara, të promovuara si një komb që e do paqen, janë krijuar gjatë luftës për pavarësi; luftuan një të ashtuquajtur Luftë të Dytë Pavarësie kundër britanikëve në 1812-1814; luftuan kundër meksikanëve në vitet 1840 dhe më pas morën Kaliforninë, Teksasinë dhe pjesën më të madhe jugperëndimore të SHBA të sotme; përjetuan një luftë civile të përgjakshme; mposhtën Perandorinë spanjolle në 1898 në një version amerikan të imperializmit evropian - për të mos përmendur një shekull të njëzetë me dy Luftëra Botërore dhe operacione ushtarakë gjatë Luftës së Ftohtë. Pak prej këtyre luftërave do të përmenden në Ditën e Inaugurimit 2009. Luftërat në Lindjen e Mesme do të vendosen në kornizën e përhapjes paqësore të mënyrës amerikane të jetesës dhe vlerave amerikane. Kjo është retorika dominuese amerikane. Teksa bashkëkombasit e tij do të shohin Presidentin e tyre të parë me ngjyrë që mban fjalimin e parë në detyrë, ata me siguri do të mendojnë për ato "korda mistike" që lartësojnë aspektet frymëzues dhe fisnikë të historisë së Amerikës; ata do të shohin realizimin e ëndrrës së Martin Luter Kingut tek presidenca e Obamës; dhe ndoshta do të kujtojnë fjalët e Uashingtonit dhe Xhefersonit në fjalimet e tyre të parë presidencialë, që " eksperimenti, i cili i është besuar popullit amerikan për të ruajtur dhe mbrojtur lirinë dhe republikanizmin", është vënë sërish në punë.

Në botën anglishtfolëse, retorika politike amerikane është e patejkalueshme. Fjalët dhe frazat presidenciale që përmenden më sipër vijnë vetëm nga një pjesë e kësaj literature të jashtëzakonshme. Por Presidenti Obama nuk do të kufizojë fjalët dhe mendimet e tij në këta precedentë. Në pikën e kthesës së Luftës Civile Linkolni mbajti një eulogji fushëbeteje, që u bë e njohur si fjalimi i Getisbërg. Gjatë këtij fjalimi ndër më të shkurtërit që ai ka mbajtur, Linkolni tha: "Bota shumë pak do të vërë re apo do të kujtojë ato që ne themi këtu...". Sa shumë gabohej. Duke nisur me një gjuhë të thjeshtë dhe përfunduar me terma edhe më të thjeshtë, Linkolni u shpreh me dy prej fjalive më frymëzuese të arkivit politik amerikan. Brezi i Uashingtonit dhe Xhefersonit kishin "krijuar në këtë kontinent një komb të ri, i krijuar në liri dhe i përkushtuar në deklarimin se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë". Tani, në mesin e kësaj Lufte Civile të tmerrshme, detyra e pasardhësve të tyre ishte të siguronin "që ky komb do të ketë një rilindje të lirisë - dhe se qeveria e njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit nuk do të zhduket nga faqja e dheut".

Brezat e mëvonshëm e dinë se sa problematike mund të jetë kjo panoramë e historisë amerikane; ata e dinë se si këto fjalë të bukura duhet të dekodohen dhe vendosen në kontekst; ata e dinë se nuk mund të përdoren si një stenografi e thjeshtë e narrativës komplekse të të kaluarës amerikane. Por gjithashtu, ne mund të pranojmë dhe njohim forcën e tyre; dhe - siç e ka treguar Martin Luter Kingu - ne mund të kuptojmë se fjalët ende mund të përdoren për të ndryshuar kursin e historisë së Amerikës.

" Michael Dunne është Profesor i Historisë në Kolegjin "Saint Cross" të Oksfordit, si dhe studiues në Qendrën e Studimeve Latino Amerikane në Kembrixh

Google+ Followers