Ndodhia e çuditshme e një buzëqeshjeje


Më 17 tetor të vitit 1909, në kthim nga Shtetet e Bashkuara ku kish mbajtur me sukses disa konferenca lidhur me Psikanalizën, Freud i shkruante Jung, në atë kohë miku dhe konfidenti i tij, përveçse dishepull: "Misteri i karakterit të Leonardo da Vinçit papritmas më është bërë transparent…" aq sa të shpallë projektin e përdorimit të shkencës së re për një kërkim biografik. Më vonë, ankohej për vështirësitë e hasura për shkak të mungesave të të dhënave lidhur me jetën private dhe sidomos me fëmijërinë e gjeniut. Pak kohë më pas, më 27 nëntor të po atij viti, Duchamp nënvizon në ditarin e tij të famshëm: "… Lucien Métivet… në numrin e Le Rire të javës së kaluar i ka zbuluar publikut të saj efektet e çuditshme për disa kryevepra të caktuara të lastrave të xhamta të përdorura për t'i mbrojtur ato. Një gardian i Louvre tashmë mendon se ia ka arritur: ka parë në fakt mustaqet e tij prej trikeku dhe mjekrrën e tij të vockël të pasqyruara… mbi fytyrën e famshme të Gioconda".

Në dukje të dy faktet nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta: i pari, do të çojë në hartimin e librit të trazuar e të kontestuar me titull "Një kujtim i fëmijërisë së Leonardo da Vinci" të botuar në qershor të vitit 1910 dhe të rishikuar e të korrigjuar në vitet 1919 e 1923, i dyti, ndoshta do t'i sugjerojë Duchamp një prej "readymade" të tij = (objekt i prodhuar me dorë de, për pasojë, shprehje e bukurisë së ndërtuar dhe jo të gjetur Gioconda me mustaqe. Edhe vepra piktoreske, ashtu si libri, nuk do të dalë me një frymë: e realizuar me kalem për një stampë të vogël prej 19.7 x 12.4 centimetrash në vitin 1919, më vonë u riprodhua për Louis Aragon dhe më 6 shkurt 1930 bota në mëdyshje mundi të admironte një stampë më të madhe (64.7 x 48.2 centimetra) ku nën të dyja stampat shfaqet fjala enigmatike: L H O O Q. Lidhja me veprën freudiane në realitet është shumë e fortë; Duchamp e denoncon rëndshëm atë që Freud kërkon më kot ta shpjegojë: hiri trazues i buzëqeshjes së famshme të Monna Lisa do t'i kishte rrënjët e saj në androgjininë e subjektit. Vetë Duchamp u habit për suksesin e papritur dhe të improvizuar të një vepre, të cilës nuk i atribuonte ndonjë vlerë të madhe dhe që në fakt u riprodhua dhe u përhap menjëherë në të gjithë botën.

Më 10 nëntor të vitit 1961, duke vizituar me artistin ekspozitën "The Art of Assemblage" në Museum of Modern Art të New York, Marvin Lazarus e pyeti se, çfarë nënkuptonte sigla L.H.O.O.Q. dhe Duchamp shpjegoi se, bëhej fjalë për një lojë fjalësh në frëngjisht për të thënë: "Ajo ka të nxehtë në by..."… më qartë se kaq! Sipas Angela Ottino della Chiesa, autore e "Giocondolatria e giocondoclastia" do të bëhej fjalë thjesht për një "… impenjim protestues, shkatërrim të një klisheje, që mbi të gjitha ishte simbol i kulturës akademike…". Veç kësaj, Ottino nënvizon sesi kryevepra kish fituar një publicitet të caktuar në vitin 1911, kur Vincenzo Perugia, duke përfituar nga posti i dekoratorit në brendësi të Louvre, e kish marrë pikturën dhe e kish sjellë në Itali, duke kërkuar që t'ia shiste antikuaristit Alfredo Geri nga Firenze, i cili në fakt ia kish denoncuar menjëherë rastin mbikqyrjes.

Me këtë rast, përpara se t'i jepej rrugë rikthimit të pikturës, ishte parashikuar që të organizohej një ekspozitë e jashtëzakonshme në Firenze dhe në Romë, me pjesëmarrje të lartë të publikut. Ky lexim ndoshta vlen për Gioconda-t e shumta të paraqitura nudo ose të deformuara pa mëshirë... Portreti i Duchamp, me mjekër dhe mustaqe spic, do të thotë ndonjë gjë më shumë: rilidhet pikërisht me analizën freudiane, duke i shtuar një çikë "humor" tipik parisian, por duke i ruajtur të paprekura parametrat. Kjo shpjegon faktin që, Gioconda Mjekërroshe e tij ishte bërë pothuajse i famshëm sa origjinali. Më 2 prill të vitit 1993, me rastin e "vernissage" të ekspozitës së kushtuar pikërisht Marcel Duchamp nga Palazzo Grassi, diapozitivi për stampën lidhur me këtë vepër ishte ezauruar dy orë përpara hapjes! Ndoshta ka luajtur një rol të caktuar në sensibilizimin e publikut ndaj kësaj vepre të kryer nga ekspozita e mëparshme: "Leonardo & Venezia", që nga 23 marsi deri më 5 korrik të vitit 1992 i interesoi dhe përfshiu 210 000 spektatorë.

Në dritën e studimeve më të fundit lidhur me Leonardo, vepra e Freud duket aspak e tejkaluar dhe ofron një kontribut të sigurtë në kuptimin e këtij piktori dhe studiuesi, aq përfaqësues sa të bëhet emblematik. Në botimin e veprës freudiane bëhet e ditur se, në hartimin e këtij libri Freud hasi në një gabim, pasi veprat mbi të cilat ishte përgatitur, domethënë romani i famshëm i Merezkovskij, eseja e Smiraglia Scognamiglio, i përkthyer në gjermanisht nga Maria Herzfeld, e përkthenin "qift" fjalën gjermanishte "Geier", që në fakt do të thotë hut, kafshë e shenjtë pranë egjiptianëve dhe i konsideruar ekskluzivisht femëror dhe, për pasojë, riprodhues për partenogjenezët. Konceptim i gabuar, por thellësisht i përshtatshëm ndaj simbologjive, që u trashëgua edhe nga etërit e lashtë të Kishës. Kështu, Freud interpreton në mënyrë të gabuar atë që, Leonardo i referohet si një kujtim të fëmijërisë së vet, të centruar pikërisht mbi një qift: ngatërron qiftin me hutin!

Në realitet gabimi është më pak i rëndë nga sa mund të duket në shikimin e parë: sigurisht, qift nuk është hut, ama është një zog, domethënë një simbol fallik me vlefshmëri ta pakontestuar. Bile është një grabitqar, gjë që ia thekson rolin aktiv dhe agresiv. Veç kësaj, asgjë nuk përjashton që simbologjia e qiftit të ishte e mirënjohur për Leonardo, i cili e përdori si kriptogramë në pikturën e famshme të Shën Anës me Virgjëreshën dhe Fëmijën, pikturë që Clayton e ka ekzaminuar në mënyrë të hollësishme gjatë kuvendit të Pallatit Loredan të lidhur me ekspozitën e vitit 1992. Edhe mitologjia kelte njeh një zog me valenca tepër mëmësore: sorrën. Një ushtri sorrash, e gatshme në rast nevoje për t'u transformuar në kalorës, shoqëron Mbretin Artù me dëshirën eksplicite të motrës Morgana, magjistricës: një kujtim më i lashtë e bën këtë zog shok të pandashëm të Zotit kelt Lug, të transformuar nga folklori austriak në Shën Osvald.

Ideja e Freud se Leonardo ka kryer një transfert, duke e zëvendësuar me një hut figurën mëmësore nuk është krejtësisht i huaj për kulturën europiane, edhe pse me siguri qifti do të kish qenë një simbol me interpretim më të lehtë. Gjithsesi libri nuk ezaurohet sigurisht në këtë, por sforcohet që të rindërtojë imazhin e Leonardo ashtu siç është përshkruar nga bashkëkohësit, duke e pajisur me një të vërtetë të tijën psikologjike. "…E madhe dhe e proporcionuar tek personi, me bukuri të arrirë në fytyrë dhe me forcë fizike të jashtëzakonshme, magjepsës në maniera, tejet elokuent, i qetë dhe i dashur me të gjithë: dashuronte bukurinë në gjërat që e rrethonin, vishte me qejf rroba luksoze dhe vlerësonte çdo sofistikim në të jetuar… Në një epokë në të cilën çdo individ kërkonte të pushtonte hapësirën më të gjerë të mundshme të aktiviteteve të veta, gjë që nuk mund të kryhej pa zhvilluar një agresivitet energjik kundër të tjerëve, ai spikaste për qetësinë absolute, për kujdesin në shmangien e çdo armiqësie dhe kontrasti. Ishte i ndrojtur dhe dashamirës me të gjithë, refuzonte mesa duket të hante mish, pasi nuk e mendonte të drejtë që t'u merrej jeta kafshëve dhe gjente një kënaqësi të veçantë në dhënien e lirisë zogjve që i blinte në treg …".

Megjithatë, Leonardo i ndrojtur, dashamirës dhe i veshur mirë, nuk heziton që të seksionojë kufoma, akt i konsideruar në atë kohë kohë si sakrilegj, për të kuptuar më mirë funksionimin e trupit njerëzor; refuzonte përsëritjen pasive të antikëve për ta eksperimentuar i vetëm shkencën, duke shtuar të vërente, me një shekull të mirë përpara Galileo, se Dielli është i palëvizshëm. Sidomos dhe kjo është ndoshta kontradikta më e madhe e karakterit të tij, Leonardo është i paparashikueshëm e kapriçoz, sidomos në aktivitetin e pikturës, që megjithatë i jepte zyrtarisht për të jetuar. Skrupuloz dhe asnjëherë i kënaqur nga vepra e vet, shkaktoi shkatërrimin e "Betejës së Anghiari" dhe fatin e paqartë të "Cenacolo", duke përfunduar për të marrë në dorë penelin gjithnjë e më shumë pa dëshirë, duke u përqendruar në fakt në studimin e bimëve, të helmeve, në ndërtimin e makinave fluturuese sa të kushtueshme, aq edhe të kota… i akuzuar se kishte raporte inçestuoze me maestron e tij, Verrocchio, megjithëse i shfajësuar, e ruan këtë hije në historinë e tij personale, me raporte patjetër shumë të ngrohta me nxënës - modelët e mrekullueshëm të tij, të zgjedhur të gjitha prej paraqitjes fizike të tyre, pavarësisht nga çdo hapësirë profesionale.

Praktikisht, në një epokë sensualiteti të çfrenuar dhe të errët, Leonardo të habit për refuzimin e tij të përkorë të vetë seksualitetit, për aseksualitetin e qetë të figurave të tij: fëmijë buçko, të rinj shumë të bukur, nëna të ekstazuara në konceptimin e qetë të fëmijëve të tyre... Shën Ana dhe Virgjëresha, të lidhura në një përqafim kurioz, që tek dizenjot përgatitore krijojnë deri efektin e një trungu monstruoz të pajisur me dy koka, janë çifti i vetëm i paraqitur; kurrë një puthje dhe akoma më pak dy të dashuruar. Sipas Freud, nuk mund të flasim as për homoseksualitet në kuptimin e vërtetë të fjalës, as për neurozë, por për një rast sublimimi veçanërisht të plotë të epshit të vet, i shtrënguar qysh nga fëmijëria e hershme që të drejtohej nga krijimi artistik dhe kërkimin shkencor. Në brendësi të kësaj jete, Freud arrin që të dallojë dy momente veçanërisht kuptimplotë: i pari, është periudha e kaluar në oborrin e Ludovico il Moro, në të cilin ju dha mundësia që t'i shprehte plotësisht të gjitha aftësitë e tij shkencore dhe artistike, pavarësisht se ishte paraqitur zyrtarisht në oborr si luajtës llaute; i dyti, natyrisht që është i lidhur me humbjen dhe rënien e mecenatit të tij të madh, pas vitit 1499. E kotë të thuash që në periudhën e parë Leonardo është i qetë, aktiv dhe qejfli, qoftë dhe në mënyrën e tij të rezervuar dhe modeste që e bën të preferojë shoqërinë e fëmijëve dhe të njerëzve të thjeshtë sesa atë të të mëdhenjve. Jo domosdoshmërisht meshkujt ndaj femrave: Cecilia Gallerani, dashnorja fatkeqe e Lodovico il Moro, është një prej mikeve më të mira të tij dhe, veç të tjerash, portreti i fatshëm që piktori i bën është i destinuar të jetë kryevepra e parë e historisë që është dhënë hua, pasi Cecilia kënaq një kërkesë të Isabella d'Este, e cila dëshironte ta shikonte, siç thotë në një letër të 26 prillit 1498 dhe portreti niset për Mantova. Do të rikthehet një muaj më pas. Rënia e Moro përfaqëson në fakt për shumë aspekte edhe fundin e Leonardo: më kot kërkoi një mbështetje të re në Itali, aq sa të shkonte mërgimtar në Francë, ku bëri një jetë të pasigurtë dhe të privuar nga suksese të jashtme, gjatë së cilës interesat shkencore mbizotëruan ndaj çdo aktiviteti praktik.

Gjëja ju duk veçanërisht kurioze bashkëkohësve, të cilët shikonin në fakt të pasurohej me lehtësi të madhe një dishepull i tyre: Perugino. Qe relativisht e lehtë të mendohej se maestroja kish rënë në fatkeqësi prej ndonjë motivi të errët apo thjesht, se pse nuk kishte modestinë e nevojshme për t'u paraqitur thjesht si piktor, në vend që të pretendonte se ishte shkencëtar. Kurse për Freud rrënja e gjithçkaje duhet kërkuar në fëmijërinë e tij si fëmijë ilegjitim, fillimisht vetëm me të jëmën, Caterina, një malësore modeste nga Vinci, e cila as për një çast kish mundur të aspironte një martesë me Ser Piero, noter dhe pronar tokash. Megjithatë, ky i fundit e kish njohur djalin si fëmijën e tij dhe më vonë, duke parë shterpësinë e gruas legjitime, Donna Albiera, e mori bile në shtëpi. Kështu, sipas Freud, ngjitja pas së jëmës, e ngjyrosur sigurisht me valenca erotike, që pas ndarjes së parakohshme i prirur ndaj objektesh të jashtëm dhe u transformua në ngjitje ndaj punës dhe kuriozitetit shkencor. Pothuajse me siguri raportet me të jatin nuk qenë më të mirët: vdekja e tij është e shënuar shkarazi në një ditar, që në fakt u kish dhënë hapësirë shumë evenimenteve për gjëra të thuash të vogla. Nga ana tjetër, djali u fut shumë shpejt në dyqanin e Verrocchio.

Me 20 vjeç të sapombushura, emri i tij figuron tashmë jo midis stazhierëve, por drejtpërsëdrejti në urdhërin e "Kompanisë së Piktorëve" të Firence. Sapo u bë i pavarur, u rrethua me nxënës, për të cilët ushqente një afeksion patjetër mëmësor. Për të jëmën Caterina bëri në vitin 1493 funerale jashtëzakonisht pompoze, gjë që bie në kundërshtim me ftohtësinë me të cilën nënvizoi vdekjen e të jatit. Merezkowsky tregon se piktori ruajti përgjithmonë në bagazhin e tij dy këmisha dhe tri palë çorape prej cope të trashë që e varfëra i kish qepur me duart e saj dhe që ai, i mësuar me rafinimet e oborreve, nuk arriti t'i vishte kurrë! Ka mundësi që Lodovico il Moro të përfaqësonte një zëvendësues efikas të figurës atërore, aq sa në vitet milaneze pati një vitalitet dhe një aktivitet punues pothuajse të rregullt, që nuk u ruajtën më pas.

Takimi me Lisa Ghirlandini, gruaja e Francesco Bartolomeo Giocondo, e cila duhej të pavdekësohej si buzëqeshja më e famshme e historisë së artit, ndodhi kur artisti tashmë ishte 50 vjeç dhe duket se kish lënë me Milanon çdo shpresë për t'u realizuar aktivisht. Të kota kanë qenë tentativat e brezave të ardhshëm për të ndërtuar lidhur me këtë takim një histori të vërtetë dashurie. Sigurisht që Liza i kujtonte dikë, ndoshta të jëmën, dhe Leonardo mbeti aq kokëfortësisht i lidhur pas këtij portreti sa që nuk arriti të ndahej më prej tij, megjithë ofertat e blerjes të shumta të marra. Një gjë që Freud nuk e di ose nuk e vëren është se, sfondi i kryeveprës është një prej peisazheve më tipike italiane: bregu i thyer dhe i mjegulluar që është akoma pothuajse një përrua. Bëhet fjalë për bregun e lumit Adda, shumë herë i eksploruar dhe objekt studimesh në "periudhën milaneze", apo për atë të më pak të artibuarit Arno.

Dhe nëqoftëse gruaja është e jëma, ideja për ta "sistemuar" mendërisht në vendin e vetëm ku ka qenë i lumtur apo për t'i dhënë trup e ngjyrë një kujtimi të fëmijërisë? E pamundur të përgjigjesh. Megjithatë, ajo buzëqeshje nuk e lë më Leonardon, aq sa të bëhet dalluese "leonardeske" dhe t'i dhurojë një impuls të ri pikturës, deri më atëhere e neglizhuar dhe e lënë pasdore, duke animuar me të njëjtën shprehje Shën Anën, Marien, ledan, Shën Gjonin dhe Bakun (Dionisin)…të cilët veç të tjerash duken i njëjti person, me rroba të ndryshme. Siç vëren me të drejtë Muther: "…nga ngrënësi biblik i karkalecave, Leonardo ka bërë një Bak, një Apollon të vogël që, me një buzëqeshje enigmatike në buzë, kryqëzon këmbët, na vështron me sy tërheqës…".

Freud, qe i pari që u frikësua se mos eseja e tij shkëmbehej me një roman … dhe praktikisht influenca e veprës së Merezkowsky është deri e qartë. Megjithatë, leximi i tij i Gioconda ofron një çelës bindës. Ndoshta do të ishte e dobishme të bashkangjitet një analizë e Duchamp, që fatkeqësisht Freud nuk na e ka lënë. Sigurisht, nëqoftëse Leonardo i shpëton seksit, Duchamp na flet një çikë në mënyrë të shpeshtë dhe ajo që është e çuditshme në mënyrë po aq ezoterike dhe të pasaktë. Atij që e pyet nëse "Nudoja që zbret shkallët" është mashkull apo femër, Duchamp i përgjigjet i bezdisur: "Një nudo është një nudo dhe pikë: nuk është trup, por abstraksion!". Por abstraksioni par excellance, buzëqeshjes eksituese të Monna Lisa, ka dashur t'i vendosë mjekërr e mustaqe… Pse? Nuk mund të rrihet pa u menduar për atë që Duchamp pëlqente të thoshte për readymade: "Është një gjë shumë e thellë e subkoshiencës". Kështu, raporti me psikanalizën është kërkuar, por jo i shpjeguar; Duchamp konfrontohet me shkencën e re dhe në të njëjtën kohë shmanget. L.H.O.O.Q. është pikërisht një "readymade". Ekziston një përgjigje që Freud nuk do t'i pëlqente aspak, por që Duchamp e ka përsëritur shpesh: "Artisti nuk e di atë që bën dhe unë në këtë pikë këmbëngul, pasi artistëve nuk ju pëlqen që t'ju thuhet".

Përgatiti:ARMIN TIRANA

Google+ Followers