Lufta e energjisë

Të përballur me realitetin se energjitë e rinovueshme do të jenë të paafta që të zëvendësojnë burimet konvencionale të energjisë në të ardhmen e afërt, argumentet për energji bërthamore - që ajo është opsioni më i pastër dhe më pak i kushtueshëm - po i detyrojnë ambientalistët që t'i rishikojnë mendimet e tyre, shkruan Angela Saini.


Lufta tashmë është humbur. Saktësisht një vit më parë, qeveria britanike konfirmoi thashethemet se një brez i ri impiantesh energjetike bërthamore do të hynin në funksionim nga viti 2020. "E kanë gabim", këmbënguli Greenpeace. "Energjia bërthamore nuk është përgjigja", u përgjëruan "Friends of the Earth". Por kur apelet e tyre ranë në vesh të shurdhër, për shumë ambientalistë, ajo qe prova finale e pakëndshme se shumica e njerëzve thjesht nuk e urrejnë energjinë bërthamore.

Në fakt, disa të gjelbër bile po ndërrojnë rreshtim. Environmentalists for Nuclear Energy (EFN), një grup që dikur mund të konsiderohej i papërfillshëm, sot numëron më shumë se 9000 anëtarë në 60 vende. Në qendrën e tij në Paris, themeluesi Bruno Comby po ndërton hapësirë ekstra në shtëpinë e tij të re ekologjike për të magazinuar malet e formave të anëtarësimit dhe të korrespondencës që merr. Grupi ka një katalog mbështetësish të profilit të lartë, përfshi James Lovelock, të ashtuquajturi "baba të ambientalizmit" dhe autor i "The Gaia Theory", dhe Patrick Moore, një ish drejtor i "Greenpeace International". Në vitin 2008 aktivistët e gjelbër George Monbiot dhe Mark Lynas pranuan të dy se do të përgatiteshin që ta merrnin në konsideratë energjinë bërthamore, nën presionin për të gjetur zgjidhje joqymyrore ndaj krizës energjetike të shkaktuar nga ndryshimi klimaterik.

"Deridiku ne mendojmë në mënyrë fetare rreth kësaj çështjeje", pranon George Monbiot teksa e filmoja për një dokumentar rreth energjisë bërthamore. "Njerëzit fillojnë me një pozicion të paracaktuar se janë antibërthamore dhe më pas fillojnë e gjejnë prova për ta justifikuar këtë pozicion. Të ndeshur me këtë sfidë të madhe të ndryshimit klimaterik, ne duhet të hedhim gjithçka të dobishme që mundemi në problem dhe tani po fillon të duket sikur energjia bërthamore mund të jetë me dobishme nga sa mendonim në fillim". Kjo mund të duket një apel goxha racional, por sfidon parimin më të rrënjosur të lëvizjes së gjelbër: natyra nuk mund të nënshtrohet. Prerja e pyjeve dhe vënia në rrezik e mjedisit të kafshëve janë të dënueshme, por çfarë mund të ishte më keq se ndarja e tullës bazë të natyrës, atomit?

Ku logoja dalluese e Campaign for Nuclear Disarmament mbushi 50 vjet vitin e kaluar, qe e jashtëzakonshme të shikoje se kish ruajtur fuqinë për të shkaktuar të njëjtat emocione të ndjera nga protestuesit kurajozë dekada më parë në Aldermaston dhe për ata aktivistë të gjelbër që i përkasin këtij brezi, çështja bërthamore i përket zemrës së lëvizjes së tyre. Shumë kanë pyetur nëse a është bile ideologjikisht e mundur që të jesh njëherazi i gjelbër dhe probërthamor, gjë që e bën gjithçka më të besueshme se disa i kanë përtypur besimet e dikurshme dhe kanë përqafuar energjinë bërthamore.

"I jemi kundërvënë energjisë bërthamore qysh nga fillimi ynë", thotë Nathan Argent, një aktivist bërthamor për Greenpeace, "dhe objeksionet tona janë krijuar nëpërmjet një vlerësimi pragmatik të energjisë bërthamore. Ekzistojnë mënyra më efektive dhe më të lira për t'u përballur me ndryshimin klimaterik". Edhe pse shumë ambientalistë filluan ta pranojnë energjinë bërthamore, Greenpeace dhe Friends of the Earth me kokëfortësi kanë theksuar se zgjidhja qëndron në reduktimin simultan të përdorimit të karburantit me bazë fosile, ndërsa rritet proporcioni i energjive të rinovueshme në përzierjen energjitike. Problemi me këtë, të paktën në Mbretërinë e Bashkuar, është se energjia eolike dhe diellore sigurojnë vetëm energji sporadike që varet në kushtet metereologjike. Një lëvizje e madhe drejt energjisë alternative sërish do të kish nevojë për një burim konstant, të pandërprerë energjetik, të cilin deri më tani vetëm karburantet me bazë fosile apo energjia bërthamore mund ta sigurojnë.

Shkencëtarët dhe inxhinierët janë lënë me detyrën mastodontike e bindjes së publikut, shumë duke ua kushtuar jetët e tyre përmirësimit të standardeve në industrinë bërthamore. Në përpjekjen për t'i shpëtuar imazhit problematik kronik që ka vuajtur në periudhat e errëta të katastrofës së Chernobyl në vitin 1986 dhe asaj të Three Mile Island në vitin 1979, energjia bërthamore është tani burimi energjetik më i rregulluar i botës, i mbikëqyrur jo vetëm nga trupa të specializuara kombëtare, por edhe nga syshqiponja e Kombeve të Bashkuara, International Atomic Energy Agency (IAEA). Për pasojë, nuk ka pasur asnjë incident të madh bërthamor qysh nga vitet Tetëdhjetë. Shkrirja në Three Mile Island, që sipas çdo vlerësimi qe aksidenti më i keq bërthamor në Perëndim, i rriti nivelet e rrezatimit në atmosferë vetëm me shumë pak mbi nivelet e përditshme. Deri në ditët e sotme, asnjë vdekje e vetme e lidhur me rrezatimin nuk i është atribuuar aksidentit në fjalë.

Len Green, një inxhinier që ndihmoi të ndërtohej impianti bërthamor Sizewell B në bregun e Suffolk, shpjegon se impiantet moderne janë të ndërtuar në mënyrë të tillë sa që të përballojnë çdo eventualitet të mundshëm, përfshi llojin e neglizhencës së personelit që çoi në shpërthimin e Chernobyl: "Projektet duhet të vlerësohen me imtësi, se çdo fazë e ndërtimin është e vlerësuar dhe, kur janë operuese, janë të vlerësuara". Sipas Profesorit Robin Grimes, një fizikan materialesh në Imperial College London dhe ish kërkues në Los Alamos National Laboratory të Shteteve të Bashkuara, ata jo vetëm që janë të sigurta, por janë edhe jo të prishëshme: "Projektimet e reja të centraleve bërthamore përdorin sisteme pasive, gjë që do të thotë se ato automatikisht sillet në mënyrë të tillë që ta fikin reaktorin. Operatori bile nuk duhet të bëjë asnjë veprim në një situatë të tillë".

Akuza e gjelbër e shumëpërsëritur se energjia bërthamore është shumë kushtueshme është më pak i besueshëm se pretendimi që ajo është jo e sigurtë. Megjithëse një impiant i ri bërthamor kërkon një investim të madh, kur kostot mesatarizohen gjatë jetëgjatësisë së tij, ajo është më e lirë sesa nafta dhe gazi dhe kur kostot e nxjerrjes së qymyrit dhe magazinimit të tij faktorizohen në çmimin e lëndëve djegëse me bazë fosile, energjia bërthamore rezulton vendosmërisht në krye. Ndërkohë, të rinovueshmet as nuk mund të shpresojnë të konkurrojnë në çmim: një raport i UK Royal Academy of Engineering i vitit 2004 gjeti se kostoja e gjenerimit të energjisë me mënyrë eolike është më shumë se dyfishi i asaj bërthamore. Gjithashtu, rritja në mënyrë masive e proporcionit të energjive të rinovueshme do të sillte shpenzime të mëdha në zgjerimin e rrjetit kombëtar për të pranuar panelet diellore, të digave të zbaticave dhe të turbinave të erës. Në të vërtetë projeksionet më të fundit të IAEA-s sugjerojnë se ekonomitë e prapambetura po ndihmojnë që të kryhet një rilindje bërthamore. Gjenerimi i energjisë bërthamore pritet që të rritet midis 27 dhe 50 përqindëshit në vitin 2030, kryesisht në Indi dhe Kinë. Edhe Lituania, një shtet i vogël balltikas, që akoma po e nxjerr ekonominë e tij nga gërmadhat e komunizmit, po mëshon me vendosmëri për një impiant të ri bërthamor që të zëvendësojë atë të vjetrin e saj afër qytetit të vogël Ignalina. Duke ofruar elektricitet të lirë dhe sigurinë tunduese të pavarësisë energjetike, ai ka kuptimi ekonomik, veçanërisht për faktin që një reaktor i vetëm mund t'i sigurojë Lituanisë të gjithë nevojat elektrike që ajo ka. Në këtë vend, drejtori i Lithuanian Energy Institute me tha hapur se grupet e gjelbra bile as nuk qenë përpjekur për ta bllokuar energjinë bërthamore.

"Mendoj se një numër të gjelbërish të tjerë dalëngadalë do të marrin vendimin se energjia bërthamore është më e mirë se alternativat", shpjegon Profesor Grimes. Edhe objeksioni më i rëndomtë i gjelbër ndaj energjisë bërthamore - mbetjet radioaktive - është duke u zgjidhur. Britania nuk e ka akoma një magazinë për karburantin e konsumuar bërthamor dhe vazhdon që ta magazinojë përkohësisht atë në të njëjtat vende me reaktorët e saj. Pasi brezi i ri i reaktorëve të bëhet operacional, ata eventualisht do të prodhojnë pothuajse se 1 milion tonelata mbetje, disa prej të cilave do të mbesin të rrezikshëm për mijëvjeçarë me radhë. Megjithatë, në kundërshtim me folklorin e gjelbër, ky nuk është një problem i pandryshueshëm. Nuclear Decommissioning Authority, sëbashku me gjeologët dhe ekipet e inxhinierëve bërthamorë më të mirë të vendit, tashmë kanë filluar gjuetinë për një vend të ri të mbeturinave radioaktive. Të groposur në shtretër prej plumbi, betoni dhe nën qindra metra shkëmbinjsh, ata janë tërësisht të bindur (siç janë ata inxhinierë që ndërtojnë magazina të ngjashme në Shtetet e Bashkuara dhe në Finlandë) se mbetja radioaktive do të ruhet në mënyrë të sigurtë. Në fakt periudha kohore e qenies aktive e tyre është 1 milion vjet, gjë që nënkupton se magazina do të jetojë më gjatë se stërnipërit tanë, por ndoshta edhe se qytetërimi njerëzor.

Për shkencëtarë si Grimes, debati bërthamor është bërë thjesht një çështje edukimi. Kthesa e gjelbër në drejtimin bërthamor, megjithëse margjinale, është një triumf i racionalizmit ndaj frikës dhe ky ndryshim nuk ka qenë vetëm i njëanshëm. Shkencëtarë dhe aktivistë janë mësuar ta gjejnë veten në anë të kundërta të një përplasjeje përçarëse të dhunshme lidhur me çështje të tilla si testimi mjekësor i kafshëve apo kultivimi i drithërave gjenetikisht të modifikueshme, por merrni një numër të çdo reviste shkencore këto ditë dhe ka pothuajse të ngjarë që të merrni këshilla rreth mënyrës sesi ta reduktoni sasinë e dyoksidit të karbonit sa lajmet e kërkimeve më të fundit. "Argumenti i gjelbër ju sfidon, ju bën që të mendoni rreth mënyrës sesi e zbatoni inxhinierinë dhe shkencën tuaj. Unë e mirëpres debatin", tha Grimes. Ndryshimi klimaterik u ka bashkuar si kurrë më parë shkencën dhe ambientalizmin: atje ku kërkuesit kanë siguruar të dhëna shkencore kritike, të gjelbërit kanë siguruar momentin politik dhe, nga ana e tij, ky bashkëpunim ka ndihmuar të arrihet konsensusi gradual lidhur me energjinë bërthamore. Por konsensusi mbetet e kufizuar. Debati bërthamor është akoma i mbushur me iracionalizëm, deri në pikën ku ambientalistët probërthamorë shpesh kritikohen nga të gjelbrit më tradicionalistë thjesht se po guxojnë të sugjerojnë se energjia bërthamore mund të ketë kuptimin ekologjik. Bruno Comby thotë se aktivistët nuk do ta detyronin që të heshtte: "Jemi sulmuar në mënyrë sarkastike, por në fund idetë tona do të fitojnë thjesht sepse kemi të drejtë në nivel shkencor dhe e vërteta gjithmonë del në fund", thotë ai.

Atëhere sa gjasa ka që pjesa e mbetur e të gjelbërve do të kandiset për t'u bashkuar listave në rritje të disidentëve dhe për të kaluar në anën bërthamore? Shenjat nuk janë të mira. Kundërshtimi i Greenpeace ndaj gjithçkaje të lidhur për së largu me energjinë bërthamore ka shkuar aq larg sa të kritikojë rreptësisht një prej përpjekjeve shkencore më eksituese të shekullit, International Thermonuclear Experimental Reactor (ITER) në Cadarache të Francës. ITER është një projekt shumëmiliardësh europian i financuar nga Bashkimi Europian, Japonia, Kina, India, Republika e Koresë, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara. Ai synon që zhvillojë fuzionin bërthamor nëpërmjet lidhjes sëbashku të çifteve të atomeve, në kundërshtim me ndarjen e atomeve që ndodh në një reaktor bërthamor të zakonshëm.

Fuzioni është një sfidë e madhe teknike, por nëqoftëse ia arrin në premtimet e tij për t'u sjellë energji të pastër pothuajse të pakufizuar brezave të ardhshëm, kjo mund të ishte një mrekulli e gjelbër, vetëm nëqoftëse më shumë të gjelbër do t'ia lejonin vetes që ta shikonin.

(New Humanist 1/2009)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers