Lavrentij Beria, satanai i madh i stalinizmit


Libri i treguar

Stalin kënaqej kur e quante "Himmleri ynë". Padyshim, Lavrentij Pavlovic Beria, më shumë se shumë personazhe të lartë që u vërtitën rreth figurës së diktatorit gjeorgjian, qe "njeriu që i shërbeu Stalinit". Nëqoftëse sistemi stalinist mori format tragjike dhe kriminale që e dalluan si model i pakalueshëm i totalitarizmit (sëbashku me regjimin hitlerian), kjo i detyrohet edhe rolit gjithnjë e më influent që funksionari komunist dhe ambicioz me pamjen e një intelektuali dhe egërsinë e një bishe, luajti në vitet e spastrimeve të mëdha. Për shumë kohë, deri në denoncimin e famshëm të krimeve të Stalinit nga ana e Nikita Hrushov, regjia e madhe represive e urdhëruar nga Stalini ju ngarkua figurave të tilla si Beria e Jezhov (nga i cili është nxjerrë termi jezhovscina me të cilën rusët tregonin periudhën më dramatike të spastrimeve). "Babai i Vogël", gjithmonë i paraqitur nga makina propagandistike si mbrojtësi i madh i Bashkimit Sovjetik, shpesh i paraqitur i qeshur dhe atëror, sigurisht që, për sytë e anëtarëve më besnikë dhe të popullit të thjeshtë sovjetik, nuk duhej të kishte dijeni për atë që po ndodhte. Siç tregon historiani Paolo Spriano, vetë viktimat e Stalinit vdisnin në qelitë e tyre, duke i përmendur emrin dhe duke shkruar në muret e tyre "Rroftë Stalini" me gjakun e tyre. Për një seri rrethanash dhe ndoshta edhe prej ftohtësisë që e dallonte, Beria u bë në imagjinatën popullore dhe në letërsinë historike e romanceske të Bashkimit Sovjetik, si Satanai i Madh i stalinizmit. Një figurë objektivisht e pamëshirshme, në mënyrë të gabuar, u bë koka e turkut e vetme e një sistemi totalitar haluçinant, një lloj personazhi përralle tmerri, monodimensionale dhe pa sfumatura, thelbi i së cilës ishte e keqja e pastërt. Në realitet, ai i Lavrentij Berias qe një personalitet kompleks dhe vetë roli i tij në brendësi të skenarit stalinist e posstalinist qe shumë më i artikuluar nga sa mund të imagjinohet.

Personalitet kompleks

Zbulimet e fundit të ardhura nga arkivat e Kremlinit, tashmë të liruara nga sekreti shtetëror, kanë bërë që të dalin risi të pabesueshme lidhur me Beria, sidomos përsa u përket tentativave reformiste dhe liberalizuese në muajt menjëherë pas vdekjes së Stalinit. Është për këtë motiv që interpretimi i historianes amerikane, Amy Knight, mund të quhet (dhe është quajtur nga vetë e interesuara) "revizionist". Për sa mund të duket e pabesueshme, njeriu që mikloi paranojet konspiratore të Stalinit, njeriu që i ndoqi më besnikërisht (dhe nganjëherë deri i stimuloi) urdhërat e tij eliminues, qe i njëjti që kontribuoi në vonimin e ndihmës mjekësore për diktatorin në agoni dhe për të kërkuar të fusë elementë liberalizimi në brendësi të Bashkimit Sovjetik dhe, mbi të gjitha, në raportet midis Kremlinit dhe vendeve satelite. Bile deri - është teza e Knight - qe pikërisht për këtë motiv për të cilin shumë më i maturi dhe më monoliti Hrushov, i lidhur me fije të dyfishta me interesat ushtarake, vendosi ta eliminojë Beria, fundi i të cilit mbështillet akoma me mister dhe me legjendë. U vra në momentin e arrestimit brenda mureve të Kremlinit apo më pas, pas torturash dhe marrjesh në pyetje të çdo lloji? Gjithsesi, Beria futet nga Amy Knight në pantetonin e ngushtë të reformatorëve të shfaqur në histori gjatë historisë. Sëbashku me të, më të "njohurit" Pjetri i Madh, Hrushov e Gorbaçiov. I lindur në Gjeorgji në vitin 1899 (20 vjet pas Stalinit), Beria nuk i përkiste brezit të revolucionarëve që kishin luftuar Carin. U regjistrua në Partinë Bolshevike në vitin 1917 dhe i bëri hapat e parë të rëndësishëm në vitet Njëzet e Tridhjetë, kur preku shikimin e syve të Stalinit për vendosmërinë dhe mizorinë e tij të veçantë kundrejt vetë bashkëkombësve të tij gjeorgjianë, fillimisht si shef policie dhe më pas si lider i partisë në Gjeorgji dhe Transkaukazi.

Krah shekullar i Stalinit

Në ato vite të vështira, Beria arriti në synimin e vështirë të të rënit në sy, për të krijuar një pushtet të konsiderueshëm personal lokal dhe, në të njëjtën kohë, të figuronte si ekzekutues shumë besnik i shokut Stalin. I mbijetuar kështu spastrimeve të tmerrshme të periudhës 1936 - 1938 dhe tashmë shtypës i provuar, Beria u transferua në Moskë për të tentuar ngjitjen në nivelet më të larta. Mori komandën e policisë politike sovjetike - të famëkeqes NKVD - dhe arriti të hyjë në rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve më influentë të Stalinit, deri sa të bëhej në 15 vitet e ardhshme autoriteti i dytë i Kremlinit. Si shef i Policisë Politike, Beria drejtoi edhe organizatën e pafundme të Gulagëve, sistemin e kampeve të punës ku miliona qytetarë sovjetikë gjetën privimin e çdo lirie dhe vdekjen. Në vitin 1945 - hap i ri drejt majës së pushtetit - Lavrentij Beria u bë mbikqyrës i projektit për realizimin e Bombës Atomike dhe anëtar efektiv i Byrosë Politike, pse jo dhe Zëvendëskryeministër. Nga ai moment nuk do ta braktisë më majën dhe, me vdekjen e Stalinit, sëbashku me Molotov dhe Malenkov, do të bëhet njeriu më i fuqishëm i Bashkimit Sovjetik. Vetëm një skemë e pabesueshme, me fat dhe kurajoze, e konceptuar me ngut maksimal, i mundësoi Hrushovit që t'i jepte fund asaj që dukej një karrierë e destinuar për pushtetin absolut. Lavrentij Beria u diferencua gjithmonë nga pjesa tjetër e funksionarëve gri e anonimë që rrethonin Stalin dhe, shumë më tepër se kolegët e tij, diti të krijojë një rrjet të përkryer klientelizmi si në Moskë, ashtu dhe në vendlindjen e tij, Gjeorgji.

Beria i parë nga afër

Falë dhuntive të padiskutueshme psikologjike personale, Beria arriti gjithmonë t'i kuptojë sfumaturat psikopatologjike të Stalinit dhe tua kanalizojë ndaj kundërshtarëve të tij dhe t'i devijojë nga vetja. Amy Knight, shtyret deri sa të pohojë se qysh nga vitet Dyzet, Stalini në njëfarë kuptimi u bë psikologjikisht i varur nga Beria. Arma kryesore e Beria qe padyshim mençuria e ngulitur përsosshmërisht në cinizmin dhe në mungesën e çdo ndjenje mëshire nga ana e tij. "Shoku Lavrentij", siç e kujton Milovan Gjilas, një prej të besuarve të Titos, ishte ai që në banketet e ofruara nga Stalini, në një lojë të përsosur dyshe me diktatorin, i shtynte të ftuarit që të pinin pafre, për t'i ekspozuar dhe goditur më pas nga një pozicion i përsosur esllëku. Një metaforë e saktë sesi Beria e kreu të gjithë karrierën e tij. Paradoksalisht, "Himmleri i Stalinit" ndante afinitete fizike dhe karakteriale me kreun famëkeq të SS-ve nazistë. Përjetësisht në uniformë çekisti, me shtatlartësi më të ulët se mesatarja, kishte një kokë rrumbullake, një hundë të mprehtë, me sy të vegjël, mbi të cilat qëndronin syzet e pandashme me pince-nez. Pjesa më e madhe e përshkrimeve, shkruan Knight, bie dakord mbi papëlqyeshmërinë e fytyrës së tij. Historiani Antonov-Ovseenko shkruan se, "në parim të gjithë i besonin Berias, por pasi e kanë njohur më mirë nuk arrinin më të ishin miqësorë me të: në fakt, ishte një kampion i intrigës dhe i mashtrimit. Ishte i pakalueshëm në filtrimin në momentin e duhur të zërave të papëlqyeshme, duke i dëmtuar kështu rivalët në ngjitjen drejt pushtetit dhe më pas i persekutonte një e nga një. Megjithatë, djaloshi Beria arrinte çdo herë që ishte e nevojshme ta luante në mënyrë bindëse pjesën e "njeriut të mirë", naiv dhe në qejf".

Jo i besueshëm për shokët

Me vdekjen e Stalinit, Beria u shfaq si politikani sovjetik më i rrezikshëm dhe i fuqishëm. Duke pas marrë kontrollin total të aparatit policor, Beria përfaqësoi një kërcënim për kolegët e tij, që u organizuan pas të nënvlerësuarit (dhe për këtë motiv, fatlumit) Hrushov për ta eliminuar. Tentativat reformatore të tij, të cilat kontribuan për të krijuar çarjet e para në sistemin monolitik sovjetik, e bindën nomenklaturën e drejtuar nga ai, që më pas do të hynte në histori si "destalinizuesi" Hrushov për të drejtuar një komplot. Me shfaqjen e Gllasnostit në vitet Tetëdhjetë, Beria është bërë objekt i një interesi të rinovuar historik si në Rusi ashtu dhe në Gjeorgji. Lavrentij Pavloviç Beria u lind më 29 mars 1899 në fshatin Merheuli të Gjeorgjisë. Gjatë të gjithë jetës do të mbesë i lidhur me atdheun e tij, ndryshe nga Stalini që kërkoi gjithmonë të humbasë çdo trashëgimi gjeorgjiane dhe e quante veten "rus". Me prejardhje nga një familje fshatarësh mingrelianë (një minorancë etnike e rajonit të Abkhazisë), djaloshi Beria ishte rritur në një shoqëri fuqimisht tradicionaliste, patriarkale, të bazuar mbi familjen dhe mbi kultin e të vdekurve. Hapat e parë politikë Lavrentij i kryen në mars të vitit 1917 në Baku të Azerbajxhanit, menjëherë pas abdikimit të Carit dhe lindjes së qeverisë së përkohshme të kryesuar nga Kerenskij. Hyn në radhët e krahut bolshevik të RSDRP-së (Partisë Socialdemokrate të Punëtorëve) dhe sëbashku me disa shokë shkolle themelon një celulë partie. Pak muaj më pas, Beria do të niset për shërbim ushtarak dhe atje do të zhvillojë aktivitet propagandistik, deri kur në fillimet e vitit 1918 do të kthehet në Baku për të mbaruar studimet dhe marrë diplomën e inxhinierit mekanik.

Debutimi si 007 Janë vite të rrezikshme në Baku, pasi pavarësisht paqes së nënshkruar me Gjermaninë, qeveria e re bolshevike gjendet në situatën që duhet të përballojë avancimin e ushtrisë turke. Pas një dominimi të shkurtër turk të qytetit, kontrolli i Bakusë kish kaluar në duart e një Partie Socialdemokrate të re, Musavatit. Natyrisht, që bolshevikët qenë në konkurencë me këtë forcë politike dhe zgjodhën djaloshin Beria si të infiltruar në radhët e saj. Ky aktivitet spiunazhi qe i dobishëm për Beria, që të binte në sy të drejtuesve bolshevikë, por edhe do të shërbejë për të si një thikë pas shpine e përjetshme. Gjatë të gjithë jetës së tij, në mënyrë periodike, u shfaq akuza e mbuluar se kishte qenë një bashkëpunëtor i Musavatit. Kjo akuzë u shfaq definitivisht, në shumë vite distancë, edhe kur Hrushovi e kapi Beria "tradhëtarin". Takimi i parë me Stalinin ndodhi ka mundësi në nëntor të vitit 1920, me rastin e një vizite në Baku të krahut të djathtë emergjent të Leninit. Sëbashku me personazhe si Kirov dhe Ordzonikidze (figurë themelore ky i fundit për Berian, pasi që u bë mbrojtësi i tij për shumë vjet), Stalini synonte një sovjetizim të plotë të Gjeorgjisë dhe të Armenisë kufitare. Në prill të vitit 1920 u organizua Ceka e Azerbajxhanit dhe Beria futet në të pothuajse menjëherë. Dhuntitë e tij të ambicjes, efikasitetit dhe ashpërsisë kishin qenë të njohura dhe në ato vite Policia Politike kish nevojë për njerëz si ai që të realizonte të ashtuquajturin "Terror të Kuq" të planifikuar nga Lenini. E drejtuar nga famëkeqi Felix Dzerdzinskij, Ceka shpërtheu një valë represive në të gjithë zonën për të shtypur çdo kundërshtim minimal ndaj bolshevikëve (socialdemokratë e socialistë revolucionarë shikoheshin si armiq vdekjeprurës, më shumë sesa borgjezët).

Lavrentij korr çmime

Në shtator të vitit 1922, Sovjeti i Komisarëve të Popullit të Azerbajxhanit i cakton një çmim të riut Lavrentij për "drejtimin" e tij kurajoz dhe shërbimet e jashtëzakonshme partisë në likuidimin e organizatave të socialistëve revolucionarë": një sahat floriri. Pak kohë më pas dhe për të njëjtat motive, policia qendrore e Moskës i dhuron një seri armësh Browning. Nga Moska, Stalini fillon të vejë re lëvizjet e tij. Në vjeshtën e vitit 1921, Beria martohet me Nina Tejmurazovna Gegeckori, mbesë e një bolsheviku gjeorgjian të famshëm. Me këtë grua shumë të bukur, Beria nuk komunikoi kurrë. Shpesh jetuan larg nga njëri-tjetri dhe martesa, siç shkruan Knight, u bë "një formalitet pa domethënie, burim trishtimi të madh për gruan". Nga mesi i viteve Njëzet e këtej, Beria kryen hapa të mëtejshme themelore: mbi të gjitha Sergio Ordzonikidze, mik dhe mbrojtës i tij, la postin e Sekretarit të Parë të Partisë lokal dhe shkoi në Moskë, ku u afrua me Stalinin. Kjo i mundësoi Berias që të kishte një zë joindiferent në Kremlin. Korrespondenca e dendur midis Beria dhe Orzonikidze vazhdoi me vite të tëra, natyrisht deri kur bolsheviku i vjetër i rënë në fatkeqësi nuk qe më i dobishëm për Beria, i cili i braktisi në fatin e tij.

Vitet '30:

Ngjitja nga viti 1928 e prapa, Beria ia kushton çdo përpjekje eliminimit nga rruga e tij i çdo rivali të partisë dhe demostrohet si një prej bashkëpunëtorëve më efikasë lokalë të Stalinit në realizimin e programit të kolektivizimit të fshatit dhe të persekutimit të kulakëve, fshatarët pronarë që u bënë në ato vite simboli i së keqes dhe i kundërrevolucionit për t'ju shtypur pamëshirë. Në fundin e viteve Njëzet, kontaktet midis Beria dhe Stalinit tashmë qenë të shpeshtë, sidomos kur diktatori shkonte për të kaluar pushimet e tij verore në Gagra, afër Socit në Detin e Zi, afër me kufirin gjeorgjian. Në tetor të vitit 1931 (në moshën 32- vjeçare!), Beria u bë Sekretar i Parë i Partisë Komuniste gjeorgjiane. Brenda pak kohe, arriti të imponojë një kontroll absolut si mbi partinë, ashtu dhe mbi shtetin e Gjeorgjisë. Për vite të tëra figura e tij u bë në ato anë e dyta vetëm pas Stalinit. Portretet e tij mbretëronin kudo dhe në faqet e para të gazetave përcaktohej si biri i zgjedhur i Gjeorgjisë (kur ranë fatkeqësi në Moskë, shumë gjeorgjianë e komentuan me dhimbje se kish rënë "mbrojtësi i fundit i Gjeorgjisë"). Në vitin 1934, Beria pati një rast të mrekullueshëm për të fituar favoret e mëtejshme të Stalinit. Ky i fundit, i preokupuar nga prestigji i kreut të partisë së Leningradit, Sergej Kirov - një njeri që nuk ngurronte ta përballonte pa e trembur, i pajisur me prestigjin e tij prej revolucionari të vjetër, kish vendosur ta eliminonte dhe ia kish besuar këtë detyrë Genrikh Jagodas, shef i NKVD-së. Vdekja e Kirovit do të kishte edhe efektin strategjik e fillimit të një gjuetie shtrigash kundër konspiratorëve të pashmangshëm. Beria mori pjesë padyshim në komplotin për vrasjen e Kirovit, dhe u lëshua me zell në spastrimet që do të pasojnë dhe do të vazhdojnë deri në vitin 1938. Shumë anëtarë të partisë ranë në fatkeqësi dhe u eliminuar fizikisht. Në fund të janarit të vitit 1937 edhe Ordzonikidze u dorëzua dhe zgjodhi vetvrasjen. Me zhdukjen e kësaj figure të rëndësishme të Partisë gjeorgjiane, Stalin e Beria, përfundimisht mundën të kryenin goditjen përfundimtare në radhët e aparatit komunist lokal. Kështu, lidhja midis të dyve konsolidohej.

Sekuenca poshtërsish

Proceset publikë, gjithmonë identikë, u bënë të panumërt dhe e gjithë garda e vjetër bolshevike u dhjetua. Stalini mund të mbetej kështu revolucionari i vetëm i debutimeve dhe për më tepër gjeorgjiani i vetëm (gjëja do të kishte avantazhet e saj kur rishkrimi i librave të historisë së partisë e paraqiti Stalinin si figurën themelore të komunizmit gjeorgjian, gjë edhe kjo false). Për të kuptuar sesi personaliteti i Berias mund të ngrihet në këtë krizë represioni, mjafton të përmendet rasti i Nestor Lakobas, bolshevik i vjetër. Historiani Roj Medvedev, tregon se gruaja e re e Lakobas u arrestua pak pas vdekjes së të shoqit, e akuzuar për çdo poshtërsi, dhe u dërgua në një qeli ku çdo natë NKVD e merrte për t'i bërë pyetje, nga të cilat kthehej pandjenja dhe e mbuluar me gjak. Gruaja do të duhej të nënshkruante një dokument ku demaskonte bashkëshortin tradhtar, por përballë refuzimit të saj Beria sulej mbi të birin 14-vjeçar të saj, i cili rrihej në praninë e saj. Pas një torture të radhës, gruaja e Lakobas vdiq dhe i biri u dërgua në një kamp pune për fëmijë. Disa kohë më pas, djali i shkroi Berias (!) duke i kërkuar që t'i jepej leja për të vazhduar studimet, të paktën në kamp. Me marrjen e letrës, Beria e thirri djalin plot shpresë dhe e pushkatoi menjëherë. Kurse për t'i kuptuar dimensionet e këtyre spastrimeve, mjafton të dihet se midis janarit 1937 dhe janarit 1938 më shumë se 4000 anëtarë të Partisë Komuniste gjeorgjiane u burgosën dhe u pushkatuan.

Në krye të KGB-së së ardhshme

Në vitin 1939, Beria zë një post me rëndësi absolute, të cilin nuk do ta braktisë asnjëherë realisht, as kur do të marrë detyra të tjera: drejtimin e përgjithshëm të Policisë Politike, në ato vite e quajtur NKVD (pararendësja e KGB-së). I rënë në fatkeqësi, kreu i mëparshëm Jezhov, Beria fillon të spastrojë kuadrot e policisë nga elementët e padëshiruar dhe të lidhur me Jezhov. Njëkohësisht, ndodhin ndryshime edhe në drejtimin e represionit policesk. Nëqoftëse Jezhov ishte braktisur në terror në gjendjen e pastër dhe në teprime, për të cilat vetë Stalini e kish konsideruar oportune që të vihej dorë, Beria realizoi një sistem më shkencor dhe më selektiv (në këtë qe babai i teknikave të KGB-së të viteve Hrushov e Brezhnjev). Vazhdohej të torturoheshin të burgosurit, por edhe u urdhërua lirimi i mijëra personave dhe metodat u bënë një çikë më pak brutale. Po në këtë periudhë, Beria u mor edhe me politikë të jashtme. Në gusht të vitit 1939, u konkretizua Pakti famëkeq Von Ribentropp-Molotov, me të cilin nazistë dhe sovjetikë bëheshin aleatë dhe procedonin me ndarjen arbitrare të Polonisë, pse jo dhe bashkëpunime të ndryshme në fushën ushtarake. Në këtë skenar NKVD-ja do të luante një rol shumë të rëndësishëm. Beria (një prej idhtarëve më të bindur të aleancës) duhej të kryente aktivitetin e policisë së zezë në territoret e pushtuara të Polonisë Lindore. Është i kësaj periudhe masakra mbresëlënëse e pyllit të Katinit, për një kohë të gjatë e ngarkuar nazistëve, por përgjegjësia e së cilës tashmë është provuar gjerësisht se rëndon mbi sovjetikët. Në Katin u eliminua një brez i tërë oficerësh të ushtrisë polake. 15000 ushtarakë (nga të cilët 4000 oficerë) u ekzekutuan dhe u varrosën në pyll, me urdhër të Stalinit dhe natyrisht të Berias.

Perandoria e Gulagëve

Një tjetër detyrë themelore e KKVD-së ishte drejtimi i sistemit të gulagëve, kampet e përqendrimit sovjetik në rajonet siberiane. Në vitin 1940, Gulagu përfshinte kampe të shumtë me një total prej 1 700 000 të internuar, të dobishëm si krah pune. Kjo formë moderne skllavërie qe themelore për Bashkimin Sovjetik. Aktiviteti kryesor për NKVD-në ishte ndërtimi. U ndërtuan rrugë, centrale hidroelektrike. Një masë mbresëlënëse njerëzish u përdor edhe në nxjerrjen e hekurit, të floririt, në prodhimin e lëndës drusore. Për Berian bëhej fjalë për një përgjegjësi të madhe dhe synoi që të përmirësonte kushtet e jetesës të të burgosurve për një llogari të thjeshtë efikasiteti ekonomik nën drejtimin e tij gulagu bëri një hop të rëndësishëm cilësor dhe Stalini nuk mungoi ta nënvizonte. Roli më i rëndësishëm i luajtur nga NKVD-ja gjatë viteve Dyzet dhe kryesisht gjatë luftës qe ai i forcës së kontrollit të Ushtrisë së Kuqe. Raportet midis Stalinit dhe ushtarakëve qenë shquar gjithmonë nga një mosbesim reciprok dhe në vitet e konfliktit botëror diktatori kishte frikë se mos gjeneralët siguronin pushtet dhe liri veprimi të tepruar. Në korrik të vitit 1941, Stalini nxorri urdhërin që radhët e ushtrisë duhej të "spastroheshin nga elementët jo të besueshëm" dhe se trupat sovjetike e shpëtuara rrethimit gjerman duheshin investiguar nga NKVD-ja. Qe rasti për të kontrolluar, persekutuar dhe dhjetuar hierarkitë e Ushtrisë së Kuqe. U arrit kështu të krijohej një situatë paranojake për ushtarët sovjetikë, të cilët duhej të ruheshin si nga gjermanët, ashtu dhe nga vetë agjentët e NKVD-së (një realitet i treguar nga shkrimtari i madh rus Aleksandr Solzhenitzyn në librin e tij asnjëherë të lëvduar shumë "Arqipelagu Gulag").

Mijëra viktima

Qe rasti i radhës që i ndodh Berias për të rënë në sy si polic dhe inkuizitor i pashoq. Kur fatet e konfliktit u kthyen në favor të sovjetikëve dhe filloi kundërsulmi dhe sprapsja e forcave gjermane, NKVD-ja i dyfishoi aktivitetet e saj: Beria i nxorri agjentët e tij në fshatrat ruse, ku kishin kaluar gjermanët, pse jo dhe në territoret e "çliruara" nga Ushtria e Kuq. E pamundur të mësohet numri real i viktimave të policisë sovjetike në këtë periudhë. Në vitet menjëherë pas konfliktit botëror u konkretizua në raportet ndërkombëtare midis dy blloqeve që u emërtua si Lufta e Ftohtë. Muajt e fundit të luftës i kishin impresionuar fuqimisht sovjetikët: Shtetet e Bashkuara kishin demostruar se posedonin një armë vdekjeprurëse të paprecedent, bombën atomike. E nënvlerësuar nga Stalini për shumë kohë, pas Hiroshimas dhe Nagasakit, arma bërthamore u bë një prioritet absolut për Bashkimin Sovjetik. Një tjetër hap madhështor dhe prestigjioz në karrierën e Berias (bile i fundit përpara rënies) qe emërimi si Drejtor i Programit për Realizimin e Bombës Atomike. Nga viti 1945 deri më 1953, kjo ndërmarrje i ofroi Berias mundësinë që të ushtronte një influencë të madhe në politikën ushtarake të Bashkimit Sovjetik. Më 20 gusht të vitit 1945, Beria u vu në krye të Komitetit Special për Bombën Atomike (përveç tij qenë edhe 8 anëtarë të tjerë, midis të cilëve Malenkov). Duke e vënë potencialin e jashtëzakonshëm punues të sistemit gulag në shërbim të prorgamit atomik, Beria qe vendimtar për rezultatin përfundimtar të përpjekjes.

Nga "shërbimet" tek atomikja

Duke punuar në kontakt të ngushtë me vetë shkencëtarët në stabilitetin shumë sekret të Sukhumit, ndoqi hap pas hapi realizimin e atomikes sovjetike. Më 29 gusht të vitit 1949 shpërthente bomba e parë atomike sovjetike me pluton: ndërmarrja e pabesueshme i la të shtangur amerikanët që e prisnin një sukses të kundërshtarëve jo më parë se dhjetëvjeçari i mëpasëm (edhe pse, për hir të së vërtetës, duhet thënë se shumë informacione u siguruarn me spiunazh më shumë sesa me kërkim). Dyvjeçari 1948-1949 qe për Berian edhe një periudhë luftrash të brendshme në parti. Aleat me Malenkovin, Beria hyri në konkurencë të ashpër me Andrei Zhdanov, një prej komunistëve më dogmatikë të epokës, përfaqësues i interesave të burokracisë së partisë. Në çështje të ndryshme, si për shembull politika ekonomike për t'u adoptuar ndaj Gjermanisë Lindore, fraksionet e Berias dhe Zhdanovit qenë në përplasje të hapur, por realiteti konsistonte në fakt se ishte në zhvillim një luftë e thjeshtë për pushtet. Për fatin e Berias e Malenkovit, Zhdanovi vdiq papritmas në gushtin e vitit 1948 dhe nuk u desh shumë për ta që ta asgjësonin fraksionin që kishte në krye burokratin komunist. Kështu, prapa Stalinit, fillonte të shfaqej me qartësi gjithnjë e më të madhe një "triumvirat" i përbërë nga Beria, Malenkov e Molotov (1949-1953). Pikërisht kur historia dukej se ishte në prag që t'i dorëzonte Berias majën më të lartë të pushtetit, gjë të cilin gjithmonë e kish ëndërruar, filloi rënia për strategun e madh gjeorgjian. Fakt akoma më paradoksal, ai që ka dekretuar perëndimin e yllit të dinakut dhe të frikshmit Lavrentij Beria qe një njeri gjithmonë i nënvlerësuar prej tij: impulsivi dhe pagdhenduri Nikita Sergejevic Hrushov.

Hrushovi kundër Berias

Megjithëse kishte mbajtur poste të rëndësishëm brenda partisë, Hrushovi kish ditur me maturi të qëndronte në prapaksne, duke filluar veç të tjerash të endëte intrigat e para kundër Berias. Gjithmonë afër me interesat e kastës ushtarake, Sekretari i ardhshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik nuk mund të mos e urrente një njeri si Beria, i cili në të kaluarën kish përfaqësuar syrin e Policisë Politike mbi ushtarët sovjetikë. Përveç kësaj, Hrushovi i frikësohej dinakërisë së Berias bashkuar me arrogancën, pse jo dhe lehtësinë me të cilën gjeorgjiani mund t'i afrohej Stalinit dhe, për të përfunduar, aleancës së fortë me Malenkovin. Më 5 mars të vitit 1953, në rrethana shumë misterioze, vdiq Josif Stalini. Ngjarja shkaktoi një prej luftërave më të egra për suksesin të historisë sovjetike. Nuk u provua kurrë (as dokumentat tani të konsultueshme të Kremlinit nuk janë të hedhin dritë mbi faktet) nëse diktatori vdiq në rezidencën e tij apo tjetërkund, nëse dikush (Beria?) i vonoi me dashje ndihmat ndaj "Babait të Vogël" në agoni. Ajo që është e qartë është se vdekja e Stalinit ndodhte në një prej momenteve më të errëta të skenës sovjetike: janë vitet e Komplotit të Mjekëve, të antisemitizmit asnjëherë të zyrtarizuar, por gëlues, të spastrimeve në radhët e partisë të shkaktuar nga një diktator i plotfuqishëm dhe gjithnjë e më shumë paranojak. Ajo që ka rritur tensionin midis njerëzve më influentë të Stalinit dhe rritur paqartësinë për të ardhmen e afërt, qe fakti që diktatori nuk kish caktuar ndonjë pasues. Për herë të parë në historinë e partisë dhe të Bashkimit Sovjetik u krijua një situatë anormale: mungonte kreu rreth të cilit të mblidheshin dhe vendimet, e të cilit qenë të pakundërshtueshme. Ai që kishin qenë Lenini më parë dhe Stalini më pas.

Në rolin e reformatorit...

U krijua kështu një lloj pushteti kolegjial, i dominuar nga paqartësi dhe mbivendosje rolesh e pushtetesh. Megjithatë një gjë qe e padyshimtë: Beria dukej si figura më e fortë dhe e frikshme, sidomos pasi ruante të fortë kontrollin ndaj Policisë Politike. Ka dëshmi të pakta mbi ndryshimin e papritur të Berias pas vdekjes së Stalinit, edhe pse makina propagandistike sovjetike synoi që ta diskreditojë krejtësisht figurën e tij, duke u lëshuar në një damnatio memoriae të vërtetë. Fillimisht, si tradhëtar i Stalinit dhe më vonë - pas denoncimit të krimeve staliniste nga ana e Hrushovit në vitin 1956 - si përfaqësues i përkryer i stalinizmit. Megjithatë, nuk mund të mohohet se, Beria qysh në muajt menjëherë pas vdekjes së Stalinit synoi në një politikë reformash dhe "destalinizmit" në sektorë të ndryshëm: nga Policia Politike në politikën e jashtme. Beria synonte dukshëm mbështetjen popullore. Dinaku Lavrentij e kish kuptuar sesi gjërat kishin ndryshuar: deri kur rezistonte kulti agregues i figurës së Stalinit "oborrtarët" e Kremlinit mund ta harronin popullin sovjetik. Fe dhe terror mbisundonin akoma. Tani bëhej fjalë për t"i dhënë një bazë legjitimiteti pushtetit, pa ju drejtuar përdorimit të hapur të forcës. Midis mesit të marsit dhe muajit prill, Beria bëri disa lëvizje që padyshim i zunë në befasi kundërshtarët: propozoi të eliminoheshin shumë programe ndërtimi, dobia e të cilave ishte e dyshimtë; kritikoi ngritjen e "qyteteve bujqësore", që i kishin bërë të pakënaqur kultivuesit (por që ishte një politike bujqësore në fakt e mbështetur fuqimisht nga Hrushovi); i paraqiti Presidiumit një dokument në të cilin avancohej kërkesa e amnistisë për shumë të burgosur.

... Lavrentij destalinizon

Risia më sensacionale u botua në fakt më 4 prill tek "Pravda": I maskuar pas një komunikate të Policisë Politike, Beria kryente një refuzim formal të "komplotit të mjekëve" dhe mëshonte për rehabilitimin e të arrestuarve. Njëkohësisht, kulti i Stalinit pësonte ridimensionime graduale, por domethënëse, nëpër faqet e gazetave, në citimet në brendësi të partisë. Me ngadalë, Beria kërkonte që të rriste prerogativat e shtetit në kurriz të partisë, pse jo dhe synonte në një vlerësim të kombësive të ndryshme në brendësi të Bashkimit Sovjetik. Stalini kish dashur ta "rusifikonte" perandorinë e madhe sovjetike, tani Beria bënte prapaktheu. Një prej përplasjeve më të ashpra me Hrushovin qe pikërisht lidhur me politikën e kombësisë në Ukrainë, feud i Sekretarit të ardhshëm të PKBS-së. Beria kërkonte pa mëdyshje promovimin e ukrainasve poste drejtuese dhe përdorimin e gjuhës vendase në të gjitha çështjet zyrtare. Edhe në politikën e jashtme, Beria ndërmorri reforma të padiskutueshme. Nën regjinë e tij u arrit në një armëpushim në Kore, "Pravda" arriti deri të lavdërojë me moderim një diskutim të Presidentit amerikan Eisenhower dhe u ndërmorrën hapa për të arritur në një takim sekret me "rebelin" jugosllav Tito. Por lëvizjen më të guximshme (dhe më rriskuese, siç do ta shikojmë) Beria e kreu ndaj Gjermanisë Lindore. Qe kjo politikë, e demostruar më pas katastrofike për dominimin europian sovjetik, ajo që e dënoi Berian dhe legjitimoi konspiracionin e Hrushovit.

... Dhe flet për liberalizëm

Në fillimet e viteve Pesëdhjetë, ekonomia Gjermanolindore ishte në gjunjë, me mungesa të mëdha mallrash ushqimore dhe të dorës së parë. Arratisjet në Perëndim rriteshin nga dita në ditë. Në bazën e krizës së rëndë ishte programi dogmatik i kreut të Partisë Komuniste Gjermane, Ulbricht (industrializim dhe kolektivizim të detyruar). Midis fundit të majit dhe fillimit të qershorit, Beria prodhoi në brendësi të Presidiumit një dokument ku parashikonte gjëra të ndryshme: 1) Gjermania Lindore duhej të braktiste programin e ndërtimit të detyruar të socializmit 2) kolektivizimi duhej të ngadalësohej në mënyrë të dukshme 3) duhej të përfundonte politika e eliminimit të kapitalit privat (!) 4) duheshin ndërmarrë reforma liberale në sistemin financiar 5) duhej shtuar tutela e të drejtave individuale të qytetarëve (!). Të analizuara më pas, këto kërkesa janë të paimagjinueshme, sidomos nëqoftëse mendohet se ato u propozuan nga një njeri si Beria. Gjithsesi, Beria arriti që ta bëjë të pranohet kjo politikë reformuese. Më 10 qershor, Byroja Politike e Gjermanisë Lindore shpalli publikisht "kursin e ri" të marrë si urdhër nga Moska. Më 13 qershor qeveria u dha amnistinë qindra të burgosurve politikë. Deri kur ndodhi e pashmangshmja. Ndryshimi i kursit shkaktoi shpresa të pabesueshme tek njerëzit, derisa u arrit në demostrime pakënaqësie të hapura popullore dhe në daljen në sheshe të punëtorëve më 16 qershor në Berlinin Lindor. Brenda pak orësh, revolta u përhap në të gjithë vendin. Mesditën e 17 qershorit tanket sovjetike e mbysnin në gjak revoltën.

Komploti

Me ndërhyrjen sovjetike përfunduan edhe ëndërrat reformuese të Berias. Fundi politik (dhe jo vetëm) i Berias ishte i afërt dhe me të përfundonte tentativa e tij largpamëse për ta lehtësuar monolitin sovjetik. Beria kish kuptuar sesi sistemi kishte nevojë për një "shplakje" dhe reformat e tij për të anulluar aspektet më të ngurta të stalinizmit do të mund ta afronin, edhe pse pak, konsensusin popullor ndaj nomenklaturës së largët të partisë unike. Versioni zyrtar tregon se Beria u arrestua më 26 qershor 1953 gjatë një mbledhjeje të Presidiumit të organizuar pak ditë pas krizës gjermane. Intriga e gjatë e endur nga Hrushovi gjatë muajve të fundit do t'i jepte frytet e saj brenda pak orësh frenetike. Në këtë mbledhje, në të cilën morën pjesë të gjithë drejtuesit më të lartë të partisë, Hrushovi ndërtoi një regji të përkryer, në të cilën Beria fillimisht u kritikua, pastaj u izolua dhe në fund u arrestua me një mënyrë të bujshme: hyrjen e disa ushtarkëve të armatosur, të cilët e morën në dorëzim si "tradhtarin e popullit dhe të partisë". I nënvlerësuari, naivi dhe katundari Nikita Hrushov, kish arritur të bindte njerëz si Malenkov, Molotov, Bulganin, të merrnin pjesë aktive në komplot. Dora-dorës, pasuan të gjithë të tjerët. Në një metaforë dialektike të thikës së famshme në shpinë ndaj Çezarit, një e nga një të gjithë anëtarët më influentë të Presidiumit u ngritën kundër Berias, i cili duke e nuhatur situatën, kërkoi pafat që t'u dërgonte njerëzve të tij jashtë ndërtesës një mesazh ndihme (kur u arrestua shtrëngonte midis duarve një copë letër me të shkruar fjalën "Alarm!").

"Tradhëtar i popullit"

Arrestimi i Berias përbënte një operacion me rrezik shumë të lartë, pasi që Hrushovi, në momentin e mbledhjes së Presidiumit, nuk kish futur në projektin e tij veçsë pak personazhe me influencë dhe nuk mund të imagjinohej sesi do të reagonte mazhoranca gjatë diskutimit. U luajt gjithçka në atë moment dramatik. Procesverbali i mbledhjes historike të Presidiumit është deklaruar i humbur nga arkivat dhe dëshmia e vetme për të ndodhet në kujtimet e Hrushovit. Nga ai çast nuk do të dihet më asgjë për Lavrentij Berian. U transferua në burgun e Lefortovos? Nga aty u dërgua në një bunker nëntokësor? U vra qysh në zyrat e Presidiumit? Ajo që është e sigurtë është, se të gjithë njerëzit e lidhur me Berian ranë shumë shpejt në fatkeqësi. Bashkëshortja dhe djali 28-vjeçar Sergo u vunë në gjendje arresti. Në korrik u mblodh plenumi i Komitetit Qendror, me rastin e të cilit anëtarët e Presidiumit duhet t'i shpjegonin partisë qëndrimin e tij dhe vendimin për të arrestuar Berian. Qe një moment dramatik për konspiratorët që luajtën gjithçka. Me radhë, fillimisht Malenkovi, pastaj Hrushovi, Molotovi, Bulganini, Kaganovici dhe në fund të gjitha figurat më të vogla të përfshira në komplot ekspozuan akuzat e tyre ndaj "tradhtarit" Beria. Në atë mbledhje dramatike askush nuk u ngrit për të pyetur se me çfarë autoriteti ishte proceduar në arrestimin e Berias apo se për çfarë motivi, si rregull, nuk ishte konsultuar më parë Komiteti Qendror. Askush nuk dyshoi për akuzat dhe askush nuk pyeti se pse dinakëria e Berias ishte demaskuar vetëm në atë moment. Në një skenar me ngjyra të errëta mesjetare, ku secili e dinte se do të pësonte fatin e të dënuarit nëqoftëse do të kërkonte ta mbronte, u konsumua fundi i Lavrentij Berias dhe më 7 korrik 1953 Komiteti Qendror miratonte me unanimitet dënimin e tij.

I zhdukur nga enciklopedia

Sipas liturgjisë më tradicionale komuniste, Lavrentij Pavlovic Beria, u zhduk nga e kaluara e Bashkimit Sovjetik. Si për ironi të fatit, duke ndjekur fatin e shumë viktimave, ra në harresën e "jo ekzistuesve". Pak kohë më pas, "Bol'saja sovetskaja enciklopedia" u dërgoi të gjithë të abonuarve një shënim në të cilin sugjerohej të eliminohej me "majën e një thike apo brisku" zëri "Beria", duke dhënë në zëvendësim një lidhur me "Detin Bering". Zhdukej kështu një prej figurave më tragjike dhe komplekse të asaj "enigme të mbështjellë me asgjë" që ishte, sipas fjalëve të Winston Churchill, Bashkimi Sovjetik. Në vendimin e Komitetit Qendror që e dënonte, nuk u bë as përmendja më minimale e krimeve të vërteta të kryer nga Lavrentij Beria. Asnjë rresht i vetëm mbi represionet dhe vrasjet e mijëra viktimave të pafajshme, asnjë shenjë e vetme për spastrimet, për teknikat "bindëse" të Policisë Politike famëkeqe të tij. "Në fatin që i takoi Berias", shkroi Charles Bohlen, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Moskë në ato kohëra, "natyrisht që ka një formë elementare drejtësie, por do të kish qenë më e drejtë nëse do të kishin qenë viktimat e tij dhe jo bashkëpunëtorët e tij, ata që do t'i jepnin dënimin e merituar".

Përgatiti: ARMIN TIRANA

Google+ Followers