KUJTESA SI DOMOSDOSHMERI


TE JETOSH PER TE RREFYER

Pierre Nora

Të eksplorosh "Kujtesën e modernizmit" sigurisht që nuk është një ndërmarrje e lehtë. Të dyja fjalët janë të vagullta dhe, të vëna sëbashku, përbëjnë një fushë kërkimi gjiganteske, jashtëzakonisht e vështirë për t'u lokalizuar. Nëqoftëse e konsiderojmë kujtesën si supremacinë e së tashmes mbi të shkuarën, mund të theksojmë se njerëzit janë modernë qysh nga origjina e njerëzimit. Këta janë përkufizuar gjithmonë në funksion të paraardhësve që i kanë paraprirë, duke ju kundërvënë sistematikisht së kaluarës, dinamikave të saj, parajsës së humbur… Kështu, në mënyrë paradoksale, modernizmi është më i vjetri i kushteve njerëzore.

Edhe sikur ta kufizojmë shumë fushën e analizave dhe ta shqyrtojmë vetëm duke filluar nga momenti në të cilin historia është nënkuptuar si moderne, në kundërvënie ndaj Antikitetit, përkufizimet dhe interpretimet e mundshme mbesin të panumërta. Për ta analizuar në mënyrë efikase këtë problematikë, do t'i drejtohem dinakërisë dhe do ta përmbys subjektin, do ta trajtoj së prapthi. Do ta paraqes, duke folur për modernizmin e kujtesës. Megjithatë, në dritën e domethënies historike që tentoi t'i atribuoj sot, kujtesa përfaqëson një koncept shumë të vonshëm, të lidhur me atë që shkrimtari Daniel Halévy e quante në vitin 1948, "përshpejtimi i historisë". Përpara tij, historiani Jules Michelet, kishte folor për "ecurinë e kohës" dhe sot interesohem unë vetë për rezultatin konvuls të kësaj lëvizjeje që e përkufizoj "përshpejtimin e përshpejtimit" të historisë. Kjo ndjesi e një transformimi jashtëzakonisht të thellë e të kohës së tashme, që sjell gjithmonë një prishje brutale të ekuilibrave të trashëguara nga e kaluara, nuk është e re. Ka shoqëruar Mesjetën, Rilindjen, epokën e Revolucionit Francez... Ky perceptim historik i kohës në lëvizje mbetet mjaft kompleks.

Sot, nuk bëhet fjalë vetëm për një histori të bërë të përbashkët për të gjithë njerëzimin, për botërorizimin e pakthyeshëm të shkëmbimeve dhe të dehjes së provokuar nga përparimet aktuale të teknikës. Realisht bëhet fjalë për pjesëmarrjen e përditshmërisë sonë në një të kaluar që largohet nga ne gjithnjë e më me shpejtësi. Megjithatë, kjo lëvizje ushtron efekt shumë domethënëse ndaj kujtesës: të gjitha format e përkatësisë dhe të "vazhdueshmërisë së bukur" të dikurshme janë zëvendësuar nga një masakrim, një fragmentim, një pauzë e përkohshme. Lineariteti historik që na mundësonte të kapërcenim nga e kaluara në të ardhmen nëpërmjet së tashmes - trait d'union, kohë e organizimit të një historie dhe e përgatitjes të së ardhmes - nuk ekziston më. Është pikërisht shpërthimi i vazhdueshmërisë historike që shpjegon motivin për të cilin kujtesa konsiderohet sot premisa e vetme e përkatësisë në dispozicionin tonë. Është nëpërmjet kujtesës që kërkojmë të pajtohemi me të kaluarën tonë, me "botën që kemi humbur" dhe me gjurmët misterioze që ruajnë sekretin e identitetit tonë dhe është kujtesa që në njëfarë kuptimi e bën të tashmen të pranishme për vetëveten dhe na mundëson që të përgatisim të ardhmen. Faktikisht jemi të shtrënguar të përplasemi me paaftësinë tonë në rritje për t'i paraprirë së ardhmes.

Nuk jemi më në gjendje të dallojmë me saktësi atë që pasardhësit tanë do të donin të dinin nga ne që të mund të na kuptonin. Për këtë motiv, le t'i ruajmë për brezat e ardhshëm, me kujdes dhe në mënyrë paksa të padiferencuar, të gjitha gjurmët, të gjitha shenjat e mundshme materiale që do të dëshmojnë për ta ata që kemi qenë. Shkaktojnë një efekt akumulimi të jashtëzakonshëm, një përpjekje rindërtimi dokumentare dhe arkiviste monumentale, të ushqyer nga ndjesia e humbjes së një të kaluare që ikën dhe nga paparashikueshmëria e supozuar e së ardhmes. Për këtë arsye, mund t'i shpjegojmë të gjitha tentativat e ethshme të kujtimizimit që zhvillojmë sot, hipertrofinë e instrumentave dhe institucioneve të kujtesës: nga muzetë tek arkivat, nga bibliotekat tek koleksionet, nga kronologjitë tek bankat e të dhënave. E tashmja bëhet forma e re e kuptueshmërisë së vetes tonë: kuptohemi vetëm nëpërmjet së tashmes, por një të tashmeje që bëhet menjëherë "historike". Për këtë arsye, lidhja "kujtesë - modernizëm" ka pësuar një transformim rrënjësor.

Do të ishte ambicioze të doje të ripërshkuaje historinë e gjatë të kësaj lidhjeje, por është e rëndësishme të kërkon që t'i tregosh të paktën fillimin dhe fundin. Fillimi ka një datë dhe një shpikës shumë të përcaktuar: poetin Charles Baudelaire. Më 1863, në një tekst të famshëm të titulluar "Piktori i jetës moderne", autori bën portretin ideal të artistit të kohës së tij, realisht një autoportret. Rivendikon atësinë e fjalës "modernizëm" dhe përshkruan reagimet e saj përpara agresionit të botës moderne, industriale, të një Parisi haussmanian që, siç shkruan ai, ndryshon më shpejt se zemra e qenieve njerëzore. I konfrontuar me këtë modernizëm, artisti me artin e tij ndërmerr një lloj aventure në marxhinalitet dhe kërkon të kapë limitet më të paperceptueshëm të asaj më tranzitore që ekziston në të tashmen e tij. Papritmas, ekspresioni artistik nuk kënaqet më me konformimin ndaj normave të së kaluarës: në mënyrë paksa ekuivoke dhe kontradiktore, lihet të shkojë në një vlerësim të së tashmes për sa superiore ndaj së kaluarës, por edhe ndaj një reagimi të dhunshëm armiqësor ndaj ekspresionit historik të këtij realiteti të ri, të konsideruar vulgar, industrial, shkatërrimtar.

Nëpërmjet kultit artistik të së përditshmes, ky estetizim i ekzaltuar i jetës e bën Baudelaire të fundmin e romantikëve dhe, në të njëjtën kohë, të parin e modernëve. Ai i çel rrugën një estetike moderne që mund ta hasim në veprat e Lautréamont, Mallarmé, Rimbaud, Valéry, Surrealizmi, André Breton… dhe i të cilëve objektivi parësor është "të ndeshin deri në fundin e ri të së panjohurës", siç shpjegon në poezinë e tij "Udhëtimi". Pak përpara tij, më 1848, Karl Marx përpunon një reagim të fortë ndaj modernizmit, krejtësisht ndryshe nga ai i shkrimtarit francez. Tek "Manifesti i Partisë Komuniste", Marx feston ambicjen revolucionare pushtuese të një historie të re që, nëpërmjet luftës së klasave dhe progresit, gjen një kuptim dhe një të ardhme të re.

Megjithatë, këto dy qëndrime kaq të ndryshëm, i pari estetik, i dyti politik, i modernizmit kanë të përbashkët një element themelor nga pikëpamja historike: Pararojën. Nuk dua të vijoj me ilustrimin e historisë së këtyre dy pararojave, por dëshiroj të nënvizoj sesi të dyja kanë influencuar si kritikën historike, sociologjike e filozofike të kulturës së masave, ashtu dhe ardhjen e artit "pasmodern". Në vitet 1985-1990, në Francë asistohet në lloj rrëshqitjeje nga "modernizmi tradicional" drejt një forme të re të modernizmit. Në fushën e sociologjisë, kjo rrëshqitje korrespondon me kalimin shumë të qartë nga një kritikë e kulturës së masave, që bëhet akoma në emër të marksizmit, të denoncimit të shoqërisë borgjeze dhe të efektit të të qenit të huaj që sjell, në një formë të re të sociologjisë së kulturës së masave. Kjo e fundit, në të kundërt, është fuqimisht antimarksiste dhe merr në konsideratë vetëm aspektet pozitive të individualizmit demokratik që karakterizojnë shoqërinë e re industriale. Objektivi kryesor nuk është dënimi i të qenit të huaj i njeriut dhe i "merkantilizimit" të kulturës, por identifikimi i asaj që është më "e tashme", më origjinale dhe e vërtetë tek rroku, maratona, ClubMed…

Të gjitha këto manifestime të kulturës së masave, në të cilat brezat e mëparshëm vërenin thelbin e dekompozimit mikroborgjez, papritmas janë konsideruar pozitive për shkak të hopit rinor, që bartin. Nga Halévy tek filozofi Edgar Morin - i cili më 1975 shkruan "Shpirti i kohës" - tema e përsëritur duket se është e njëjta: tentativa për të përkufizuar dhe kapur vetë thelbin e modernizmit. Në të njëjtën periudhë, një rrëshqitje e ngjashme prodhohet në universin e artit. Ekspresioni artistik, që deri në vitet '60 - '70 është quajtur "art modern", duke filluar nga vitet '80- '90 do të quhet art "pasmodern" ose art "bashkëkohor".

Në këto dy universe - atë të sociologjisë dhe atë të artit - asistojmë kështu në të njëjtën shkëputje ndaj modernizmit, në një ndryshim ritmi, kohshmërie, perceptimi të historisë. Megjithatë, lidhja midis këtyre transformimeve semantike (dhe jo vetëm) dhe problematika e "kujtesës së modernizmit" që po kërkoj të thelloj është e dukshme: qoftë për Picasso, Kubizëm, Surrealizëm… është vetë raporti që artisti ruan me traditën piktoreske, artistike, historike, me të kaluarën e tij që papritmas modifikohet në mënyrë rrënjësore. Artisti "modern" vazhdon që të popullohet nga forca e traditës, por vendos papritmas që të distancohet prej saj, ta përmbysë. Dhe është pikërisht në funksion të një historie që ka një të kaluar dhe një të ardhme, të një historie që duhet ta revolucionarizosh për të ndeshur pikërisht "deri në fundin e ri të të panjohurës", që përfaqësuesit e këtyre pararojave kërkojnë t'i japin një ndjenjë kolektive të pazakontë krijimit artistik dhe modernizmit. Për pasojë, edhe pararojat e kësaj natyre dhe vullneti i tyre për shkëputje implikojnë një ide të përparimit, një histori që bëhet përpara syve tanë, rezultat i një optimizmi krijues që dëshirohet i ndryshëm nga ai i së kaluarës. Përkundrazi, kalimi nga termi "pararojë" në shprehjen "art bashkëkohor", nga modernia në pasmoderne, presupozon një shkëputje totale kundrejt së kaluarës dhe të idesë së progresit. Arti bashkëkohor ngatërrohet me aktualitetin, me gjestin artistik, "evenimentin artistik" siç quhet sot, domethënë me gjithçka që arrin të shprehë menjëherë spontanitet.

Të gjitha kanunet artistike të trashëguara nga e kaluara injorohen, përmbysen apo refuzohen. Një shembull ekstrem: grafikët muralë të sotëm konsiderohen analogjia moderne e afreskeve të lashta dhe askush nuk guxon të zbulojë absurditetin e paralelizmit… Artisti bashkëkohor nuk kënaqet më me dënimin e komedisë së Grand Art dhe çlirimin e artit nga nevoja e "së resë" që shoqëronte akoma artin modern. Prioritet i tij bëhet abrogimi i të gjitha kufijve midis kulturës së lartë e të ulët, midis konceptit të krijimit dhe atij të imitimit, midis artistit dhe spektatorit, për ta transformuar artin në një lloj "bëje vetë" të përbërë nga improvizime, hua, riciklime, përzierje, që na lejon të rrëshqasim me shkathtësi mbi të tashmen tonë. Ku ka përfunduar kujtesa në këtë modernizëm që sapo kam kërkuar të përshkruaj dhe kontekstualizuar në histori? Kujtesa është bërë e gjithëpranishme dhe e plotfuqishme. Dy janë manifestimet që e nënvizojnë më shumë supremacinë aktuale të saj mbi të tashmen.

Më emblematiku është inflacioni i të gjitha shprehjeve kujtuese vetëreferuese që karakterizon epokën tonë: dëshmi, ditarë, biografi, bolgë personalë… Kemi hyrë në atë që historiania Annette Ëieviorka, duke ju referuar epokës së Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit, e quan "era e dëshmitarit". Për këtë arsye më ka lindur ideja që t'u kërkoj shtatë historianëve të mëdhenj (Georges Duby, René Rémond, etj.) të tregojnë historinë e tyre sikur të tregonin atë të një tjetri, duke kërkuar në këtë mënyrë të kuptohet e të shpjegohet se çfarë i kish shtyrë të bëheshin historianë. Kanë lindur kështu "Essais d'égo-histoires". Rezultati i kësaj pune kolektive nuk ka qenë nga më të kënaqshmit, por 15 vjet më vonë, shprehje "ego - histori" mbetet e çmuar dhe akoma aktuale dhe më duket se mund të përdoret për të përkufizuar të gjithë kategorinë, tashmë të bollshme, të shkrimeve të bëra në vetën e parë. Mund të formulojmë hipotezën se shekulli i XX-të, në dimensionin e tij historik, me traumat, dramat dhe ndryshimet e tij brutale politike dhe shoqërore ka bërë që të ngjizet tek ne nevoja dominuese për të treguar dhe për të na treguar. Një industri e re e "dëshmisë në vetëvete" është zhvilluar me shpejtësi, pasuruar nga kontributi i shkencës psikanalitike, e cila, duke ekzaltuar dimensionin psikologjik të autobiografisë, ka përmbysur përgjithmonë të gjitha format e të shprehurit, në të cilat mbizotëron "Un"-i narrativ. Gjinia e memuarëve ka marrë kështu dimensione të pabesueshëm dhe ka kthyer së prapthi hierarkitë e vjetra të historisë letrare.

Një shembull: sot, kur pyeten francezët të përmendin librat kryesore të letërsisë kombëtare, nuk përgjigjen më ato të Balzac apo të Stendhal, por më shumë "Esetë" e Montaigne, "Rrëfimet" e Rousseau, "Kujtimet e përtejvarrit" të Chateaubriand, "Në kërkim të kohës së humbur" të Proust. Natyrisht, të gjitha këto vepra karakterizohen nga i njëjti dimension autobiografik dhe nga kërkimi konstant i një kujtese që flet në vetë të parë. Memorialisti është bërë pa kurrfarë dyshimi figura më emblematike e epokës sonë. Një tjetër prej manifestimeve kryesore të kujtesës është inflacioni aktual i jashtëzakonshëm i fenomentit përkujtues dhe "patrimonial". Ish-Presidenti francez, Valéry Giscard D'Estaing, ka arritur ta nuhasë menjëherë: në vitin 1980 krijon "vitin e pasurisë", një vit i konsakruar në historinë e të gjithë francezëve, një përkujtim i konsideruar apolitik, me vlerë bashkuese dhe falë të cilit Franca zbulon ekzistencën e 6000 shoqatave me mandat shumë të veçantë.

Në heshtje, këto mobilizohen për të mbrojtur lavanderinë e një fshati, një mur rrethues, festat dhe traditat lokale, një të kaluar të konsideruar si në rrezik. Sot, shpërthimi përkujtues nuk njeh më kufi: përkujtohet gjithçka dhe çdo ditë, nevojat memoriale të grupeve të ndryshme shoqërore, të minorancave shumëfishohen dhe përhapen. Afirmimi i nevojës përkujtuese i komunitetit hebraik është emlematik. Ai ka ushtruar presione të forta ndaj Presidentit Mitterrand, i cili nuk ka dashur ta dëgjojë, pastaj ndaj Presidentit Chirac, i cili e ka pranuar pjesëmarrjen e qeverisë së Vichy në Shoah me rastin e diskutimit të tij të parë të madh zyrtar pas zgjedhjes së tij. Kohët e fundit, Chirac ka caktuar një Ditë të Kujtesës të Viktimave të Skllavërisë dhe të Tregtimit të Zezakëve, 10 majin. Kështu, një inversion rrënjësor midis fjalëve "kujtesë" dhe "modernizim" është verifikuar. Në fund të fundit, nga shekulli i XVI-të në shekullin e XX-të, duke kaluar nëpër të XVIII-in, nga të dyja konceptet, termi "modernizëm" ka qenë gjithmonë ai i konsideruari më i ngarkuar me kuptim, ai që dizenjonte motorin historik, falë të cilit Rilindja, përparimi, Revolucioni Francez kanë mundur të realizohen. Për një kohë të gjatë modernizmi ka përfaqësuar aktorin e vërtetë dinamik të një historie në lëvizje.

Kurse kujtesa është konsideruar hija e zbehtë. Megjithatë, me kristalizimin e kohëve të fundit të kësaj "kujtese - modernizëm", që kam kërkuar të përkufizoj, kemi asistuar në një përmbysje të plotë. Sot, koncepti i modernizmit është zhvlerësuar, devitalizuar, në një farë kuptimi "mesjetarizuar". Ashtu siç perceptohet sot, modernizmi duket në fakt se inkurajon rishfaqjen e arkaizmave të së kaluarës më shumë se të faktorëve të përparimit. Kurse kujtesa, vetë fjala dhe realiteti i ri që tregon, shoqërohet tashmë me forma të pazakonta dinamizmi dhe zhvillimi. Duhet vetëm të kuptojmë se, ky inversion do t'u hapë dyert skenarëve pozitivë ose do të na çojë drejt së keqes.

Google+ Followers