Komplote dhe konspiracione, të vërteta apo fryte të imagjinatës

Historianët dhe politologët në SHBA po përpiqen të gjejnë se përse pikërisht në vendin e tyre teoritë e komplotit e besimi në to po njohin një lulëzim kaq të madh. S'ka rëndësi nëse bëhet fjalë për 11 shtatorin, zbritjen në Hënë apo vrasjen e Kenedit


Në fakt, mund t'i ndodhë secilit prej nesh në jetën e përditshme që të mbërthehemi ndonjëherë nga një frikë e brendshme e nga një ndjenjë mosbesimi përballë mjedisit që na rrethon, e të na duket vetja i huaj e i padëshiruar. Por ndodh, madje, që shpesh mendimi njerëzor të rrahë shumë larg e të mendojë se aty fshihet pikërisht një komplot i mirëfilltë, një konspiracion për të shkatërruar, për shembull, karrierën profesionale, atë politike, e të na manipulohen kështu fatet e menduara si të paracaktuara. Teoria e një konspiracioni të mundshëm haset sidomos te politikanët diktatorë, të cilët thuhet se nuk mund të jetojnë dot pa to. Duke jetuar në një sistem, të cilin ata vetë e kanë ushqyer, ndodh që frika se një ditë mund të bëhen viktimë e tij, t'i japë udhë një paranoje të skajshme, e cila mund të kthehet në një sëmundje të vërtetë mendore, ku skenat e përgjakshme, me armiq të përbetuar që duan të të shkatërrojnë e vrasin me një thikë natën në gjumë, bëhen të përditshme. "Bashkimi Evropian është një mjet për të çuar prapa reformat dhe të bëjë kështu të mundur zgjerimin e pushtetit të Papës në Britaninë e Madhe", kishte theksuar një herë me forcë në një të përjavshme konservatore britanike, "The Spectator", mësuesi i teologjisë Adrian Hilton, më 30 gusht 2003.

Pas kësaj, konservatorët e hoqën emrin e tij nga listat e tyre si kandidat i zonës së Slought në zgjedhjet e fillimvitit 2005 dhe artikulli në fjalë bëri sigurisht bujë e ngjalli debate: Një kandidat për në Parlamentin britanik si teoricien i pastër i komploteve?! - kjo tingëllonte disi paradoksale. Ai po e diskretitonte partinë e tij me deklarata e artikujt e tij, thuhej në arsyetimin për eliminimin e kandidaturës së tij. Por, gatishmëria për të besuar në komplote fshihet thellë në ndërgjegjen e mendjeve të të gjithë njerëzve. Sigurisht që ato mund të kenë shpeshherë pasoja të përgjakshme. Në korrik të vitit 1946, një i burgosur, i liruar në Burgun e Kielces në Poloni, vrau mbi 40 hebrenj. Arsyeja për këtë ishin thashethemet e shpeshta që ai kishte dëgjuar se të mbijetuarit e Holokaustit donin të vrisnin për arsye ritesh religjioze një fëmijë të krishterë. Ky motiv i të ashtuquajturës "legjendë e ritualeve" shkon thellë në histori, duke cekur kufijtë e shekullit të dymbëdhjetë. Murgu anglez, Thomas i Monmouth-it pretendonte në atë kohë se hebrenjtë kishin kryqëzuar një të ri të vdekur për të përqeshur Krishtin. "Legjenda e ritualit" la një gjurmë të përgjakshme Pogromi ndër shekuj - derisa erdhëm në kohët e sotme, ku hasim lloj-lloj ekstremitetesh. Si në botën e krishterë ashtu dhe në atë arabe e hebrenje, por sigurisht edhe në kultura të tjera, këto legjenda e mite janë shumë të përhapura.

Komplotet, besimi, legjendat dhe teoritë

Teori të suksesshme komplotesh i kanë dhënë ujë burimit të besimit për puçe e komplote - dyshimit të skalitur në mendje mbi pjesëtarët e një grupi kundër një grupimi tjetër, apo dhe mes individëve të të njëjtit grup. Kjo mund të prekë një bashkësi religjioze, një popull, një komb, një shtet apo madje edhe thjesht një fshat apo lokalitet. Ku qëndron arsyeja e gjithë kësaj? Nga eksperimentet është e njohur se: njerëzve që jetojnë në mjedisin e tyre natyral u atribuohen më së shumti cilësi pozitive, ndërsa të huajve u vishen kryesisht cilësi negative. Ata me kënaqësi ndajnë atribute për njerëzit në mënyrë fare të përgjithshme, duke rënë pre e paragjykimeve: për shembull, qarkullon shprehja se gjermanët janë të dhënë shumë pas rregullit e disiplinës, irlandezët të dhënë pas pijes e shumë të lidhur me traditën e fenë e të parëve. Ndërkohë, për sllavët qarkullojnë të tjera shprehje. Po kështu, për japonezët e kinezët etj. Këto pra janë dhe ato çfarë socio-psikologët i cilësojnë si "stereotipa". A i nënshtrohen ata këtij mishërimi të së keqes, amoralitetit, agresivitetit apo skenarëve të nëndheshëm ogurzinj? A nuk është kjo jo larg thashethemeve për akte të fshehta sabotazhi, që vlonin në komunizëm e fashizëm, ose në sisteme të tjera diktatoriale? Komploti që hasej më shpesh në kohët e shkuara ka qenë "Një epidemi ka shpërthyer - armiqtë duan të na helmojnë puset e ujit që ne të vdesim!", duke krijuar panik dhe frikë të kotë në të gjithë vendin. Dikur, dikush shkruan më pas në një fletushkë apo në një libër mbi nënshtetasit plangprishës dhe planet e fshehta të "të këqijve". Vetëm nëse kjo nis e bëhet shumë e madhe pastaj, shumëkush do të mendonte: "Do të ketë diçka aty, sepse ne nuk u kemi besuar kurrë atyre". Kështu vlojnë teori e besime të vërteta mbi komplote, puçe, legjenda e më pas vijnë, sigurisht, edhe "kundërteoritë". Një ndjenjë mosbesimi e mirëfilltë u mjafton atyre si bazë dhe ata pastaj e ndiejnë atë si një nevojë - si për shembull "rituali i legjendës së vrasjeve" - të cilin e përmendëm më lart, që sipas studiuesve nuk ka, në fakt, asnjë bazë të vërtetë historike. Në kohët e lëvizjeve e ndryshimeve të mëdha shoqërore, ku nis e mbizotëron edhe pasiguria politike, përveç përparimit vjen edhe një fazë e rafinuar e mendimit njerëzor, ku qeveris mosbesimi e plasin thashethemet e historitë të sajuara për komplote. Vijmë te revolucioni francez apo ai bolshevik në Rusi, të cilët shfuqizuan pushtetin e dy rretheve konservatore që e mbanin veten si monarki, që burimin e pushtetit të tyre e kishin nga "vullneti i Zotit". Përfaqësues të sistemit të vjetër shihnin një komplot gjigant të funksiononte - dhe i shkruan mendimet e tyre rreth kësaj në libra të panumërt. Fundi i socializmit real, për çudi, nuk u shoqërua fare nga ndonjë teori komplotiste, e cila mendohej se mund të ishte shkaktare për një kohë të gjatë e rënies së sistemit. Dështimi i regjimit në rastin e tyre ishte mëse evident e nuk shkonte më as edhe një teori e vetme komploti për ta justifikuar atë, pasi populli ishte i bindur tashmë se ishte sistemi që kishte dështuar e më pas edhe elitat e tyre udhëheqëse.

Besimi në komplot nuk është sëmundje mendore

Historianët dhe politologët nga SHBA-ja po përpiqen të gjejnë se përse pikërisht në vendin e tyre teoritë e komplotit e besimi në to po njohin një lulëzim kaq të madh. S'ka rëndësi nëse bëhet fjalë për 11 shtatorin, zbritjen në Hënë apo vrasjen e Kenedit. Për socio-psikologët shpjegimi është shumë më i thjeshtë: Shoqëria amerikane ndahet në shumë grupime e njeh shumë thyerje kulturore, që kanë një ndjenjë të thellë mosbesimi ndaj njëri-tjetrit - gjë e cila çon në një shtim inflacionar të detyrueshëm të teorive të komplotit.

Për ta besuar këtë, nuk të bën të besosh, nga ana tjetër, se aty hasim ndonjë indeks se kjo mund të jetë një sëmundje mendore. Për një shqetësim mendor paranojak do mund të flisnim vetëm atëherë kur lidhjet e një njeriu me mjedisin që e rrethon do të prekeshin tejpërtej nga ndjenja të shumëfishta frike e mosbesimi.

Idetë e komplotit të skizofrenëve shpesh janë shumë bizarre, të destabilizuara dhe nga jashtë, jo të pranueshme. Komplotet e zakonshme dhe motrat e tyre të vogla, intrigat, ne i hasim përkundrazi thuajse çdo ditë në jetët tona, e për këtë nuk mund të akuzohemi se jemi paranojakë apo të sëmurë mendorë.

Në firmat ku punojmë, familje, klube, shoqata, parlamente e qeveri, njerëzit komplotojnë vazhdimisht kundër njëri-tjetrit, e për këtë të gjithë jemi dëshmitarë.

Komplotet reale dhe pasojat

Por edhe komplotet reale më të mëdha në botë nuk kanë qenë kurrë kaq të dhunshme sa pasojat e tyre të paramenduara. Komplotet botërore të shfaqura në kopertinat e librave kanë gjithnjë një prirje për të qenë "Bestseller".

Teoritë "bizare" mbi iniciatorët apo shkaktarët e sulmeve famëkeqe terroriste në botë, e veçanërisht ato mbi kullat binjake më 11 shtator 2001, bënë që në Evropë e Amerikë të lulëzonin përmbledhje librash konspirativë me skenarë spiunësh, që po risillnin edhe njëherë atmosferën e "vëllezërve" të tyre të Luftës së Ftohtë, thuajse të gjitha fiksione letrare. Gjithashtu, kemi dhe rastin e romanit të famshëm të Dan Braun, i cili të sillte ndërmend rishfaqjen apo rizbulimin e grupimit mistik okult të ashtuquajtur "Illuminati", sigurisht nën një emër tjetër, "Vëllazëria e Sionit". Komplotistët botërorë janë zakonisht ashtu siç pritet: shoqëri homogjene. S'ka rëndësi nëse janë jezuitë apo hebrenj, masonët e lirë apo koncerne të mëdha botërore financiare, grupime mediatike apo politike, ekonomike a religjioze, ato janë të ndarë nga kufij thuajse të padukshëm prej njëri-tjetrit. Pas një studimi mbi konceptin e armikut, që haset në shkrimet evangjelike amerikane, historiani amerikan, David Brian Davis, për shembull arriti në një përfundim befasues: "Ndërsa masonët, katolikët e mormonët në realitet shfaqin fare pak ngjashmëri mes tyre, për sa i përket stereotipit të armikut, ato thuajse e venë gishtin në të njëjtën pikë".

"Illuminati" - një fantazmë e mitit të superkomplotistit botëror

Urdhri i "Illuminati"-t, një shoqëri apo klan okult gjermano-bavarez, i cili kujdesej për përhapjen e idealeve të tij në vitin 1785, u ndalua vetëm nëntë vite pas themelimit të tij dhe u shkri përfundimisht në vitin 1790.

Ai kishte sipas dokumentacionit historik anëtarë vetëm në Gjermani. Ishin autorët e librave konservatorë ata që e bënë atë përgjegjës fillimisht për shpërthimin e revolucionit në Francë e pastaj në Rusi.

Në vitin 1799 për shembull, predikuesi religjioz amerikan, Jedidiah Morse, ishte ai që e përmendi atë për herë të parë në kontekstin e luftës që duhej bërë ndaj fushatës shkatërrimtare të "Fronit e altarit". Historiania britanike, Nesta Webster, e shihte Anglinë në vitet njëzet, të kërcënuar nga një aleancë shkatërrimtare mes "Illuminati", hebrenjve e një lëvizjeje pangjermane. Autori "bestseller" amerikan, Dan Braun, nga ana tjetër, nga "Illuminati", krijon (megjithëse kjo edhe mund të jetë e vërtetë) me fantazinë e tij një shoqëri të fshehtë - ku Da Vinçi na shfaqet si anëtar i këtij urdhri. Një gjë të përbashkët kanë të gjithë autorët me njëri-tjetrin për sa i përket shpjegimit të teorive mbi komplotet. Ato mbërrijnë me mesazhet e tyre direkt në grupet që ata mendojnë se u përkasin: "Armiqtë tanë janë të egër, të këqij, të fuqishëm, të përhershëm, të pashikueshëm e duan të shkatërrojnë e degjenerojnë idealet tona më të larta". Ky stereotip demonial si armik haset sot, për shembull, edhe në shkrimet e kundërshtarëve, le të themi, të globalizimit, ashtu sikurse edhe te fondamentalistët e të gjitha krahëve religjiozë apo dhe në librat "bombë" që mundohen të fantazojnë mbi shumë teori, për shkaqet e organizimit të sulmeve të 11 shtatorit.

Komplotet minimizohen në një shoqëri demokratike

Një gjë është e qartë: ai që vuan nga një frikë e tillë shpesh bëhet objekt e subjekt i pasojave të saj, pasi paranoja për një veprim keqdashës nga një grup apo individ që të ndodhet pranë, është e rrënjosur thellë në psikikën njerëzore. Teori mbi komplotin mund të ketë pa fund, por praktika ka treguar se shpesh (për fat) distanca mes asaj çka paralajmërohet e asaj çka ndodh në të vërtetë është e madhe. Shumëkush demonizohet me pa të drejtë e ndonjëri në këtë rast do të thoshte se këtu ka një ngatërresë të qartë koncepti mes komplotit, paragjykimeve e stereotipave, për të cilat folëm më lart. Por, komploti, gjithsesi, ekziston realisht e shpesh është i prekshëm e më konkret sesa paragjykimet e stereotipat. Ai fle në mendjet tona e ka shoqëruar zhvillimin njerëzor, duke furnizuar edhe historitë më të famshme letrare e artistike me personazhe nga më rrëqethësit. Por, përpjekja për të gjetur komplot në çdo veprim është qartazi një reminishencë e së kaluarës e që ushqehet sidomos në shoqëri të pazhvilluara e antidemokratike.

Në një shoqëri ku rregullat e lojës funksionojnë, baza reale e vënies në praktikë të komploteve njerëzore minimizohet e kështu njeriu i nënshtrohet fatit të tij real, të bazuar në normat e jetës së përditshme njerëzore, që nuk përjashtojnë kurrsesi mistikën që e shoqëron njeriun në shumë aspekte deri në ditën që ndahet nga kjo botë.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers