"Ivan Vassili", historia e anijes më të frikshme/Një kreshendo tmerresh të parrëfyeshëm

Marinarët "ndjejnë" në mënyrë të pastër praninë në bord të një diçkaje, të një identiteti që u shkaktonte atyre sulme të pashpjegueshme paniku e ankthi dhe që dukej se kërkonte çdo radhë sakrificën e një viktime njerëzore


Ekziston një dokumentacion mbi shumë shtëpi të "shkelura" dhe deri automobilë të "mallkuar", si ajo që pa vdekjen e Arqidukës Franc Ferdinand dhe të gruas së tij Sofia Çotek më 18 qershor 1914 në Sarajevë, por që qe protagoniste edhe e shumë episodeve të tjera tragjike për përdoruesit e saj. Edhe për anijet e "mallkuara" ekziston një kazistikë e pasur, por asnjë episod nuk e kalon në tmerr ndodhinë e anijes ruse "Ivan Vassili", që në Nëntëqindën qe protagoniste e një lundrimi haluçinant që përfundoi me vdekjen nga ana e ekuipazhit. Kjo që e bën këtë rast veçanërisht mbresëlënës është se marinarët "ndjejnë" në mënyrë të pastër praninë në bord të një diçkaje, të një identiteti që u shkaktonte atyre sulme të pashpjegueshme paniku e ankthi dhe që dukej se kërkonte çdo radhë sakrificën e një viktime njerëzore. Sikur vetë e Keqja të ishte ngjitur në bord, njëlloj me një udhëtar klandestin, me qëllimin e saktë të shkatërrimit të jetëve të shokëve të lundrimit të paditur.

Një anije tregtare si shumë

Më 1897, kantierët e Shën Petërburgut asistuan në lëshimin e një anijeje tregtare prej druri dhe hekuri, me vela dhe me avull, siç përdorej rëndom në epokë: skafi ishte prej hekuri dhe kuverta prej druri; posedon katër direkë dhe dy oxhakë, me një makinë me avull trefazore që i siguron një shpejtësi lundrimi prej 8 nyjesh dhe një autonomi prej 2500 miljesh. Është "Ivan Vassili", profili elegant dhe karakteristikat e mira teknike të së cilës e bëjnë një anije të admirueshme të marinës perandorake ruse. Në fillim, asgjë nuk të bën të mendosh se ajo është e destinuar të bëhet me e famshmja e të frikshmeve e të gjitha anijeve të "mallkuara" në historinë e lundrimit. Pse 5 vjet e zhvilloi aktivitetin e saj ekskluzivisht në Detin Balltik, pa i kaluar asnjëherë ngushticat Kategat e Skagerak që të fusin në Oqeanin Atlantik të hapur. Gjërat ndryshuan më 1903, kur me rritjen e tensionit politik midis Rusisë dhe Japonisë dhe dendësimit të reve të zeza të konfliktit ruso-japonez, qeveria e Petërburgut vendosi që ta përdorë si mjet transporti për të furnizuar me material luftarak ushtrinë e ndodhur në Lindjen e Largme. Udhëtimi nga Kronshtadi në Vladivostok, në Krahinën Detare në Detin e Japonisë, është në vetvete një ndërmarrje detare jo e pakët, edhe në kohë paqeje, për të cilën janë të nevojshme përvoja dhe forca e karakterit: bëhet fjalë për një rrugë prej 20000 miljesh nëpërmjet tri oqeanesh të globit dhe, për pasojë, kërkon perfomancën si të njerëzve, ashtu dhe të makinave. Bëhet fjalë për të njëjtin lundrim që do të kryejë midis viteve 1904 e 1905 skuadra detare e Admiralit Roozeventski, e nisur drejt betejës së Cushimës dhe fatit tragjik të saj. Komandanti, një skandinav me emrin Sven Andrist, duket se i posedon cilësitë e nevojshme për ta përfunduar me sukses ndërmarrjen. Edhe komandanti i dytë, Krist Hanson, është suedez, ndërsa ekuipazhi është pjesërisht skandinav e pjesërisht rus. Gjatë javëve në të cilat "Ivan Vassili", duke kaluar Detin e Veriut, zbret përgjatë Atlantikut, gjithsesi nuk ndodh asgjë e veçantë, por pasi ka kaluar Kepin e Shpresës së Mirë dhe ka hyrë në Oqeanin Indian, fillojnë të verifikohen episode të frikshme dhe të pashpjegueshëm.

"Gjëja" e mallkuar në bord

Fillimisht bëhet fjalë për ndjesi akoma të vagullta dhe të pasakta, për një shqetësim, për një nervozizëm që përhapen midis ekuipazhit pa shkaqe të dukshme ose, të paktën, pa shkaqe të shpjegueshme. Bëhet fjalë për një shqetësim që i detyrohet perceptimit se përveç njerëzve dhe materialeve të destinuara për Port Artur, avamposti rus në gadishullin Liao Tung në Detin e Verdhë, është edhe dikush apo diçka tjetër në anije. Kapiteni i anijes fillimisht mendon se lajmet gjithnjë e më kërcënuese që vijnë ngë fronti i politikës ndërkombëtare janë përgjegjës, të paktën në një masë të caktuar, të një shqetësimi të tillë: me Japoninë tashmë në pragun e hyrjes në luftë kundër Rusisë, njerëzit kanë pothuajse ndjesinë se po shkojnë me këmbët e tyre drejt gojës së luanit. Por shumë shpejt duhet ribesuar: politika nuk qëndron ose qëndron fare pak me atmosferën e shqetësimit në rritje që po përhapet në bord. Bëhet fjalë për diçka tjetër, për diçka totalisht të ndryshme. I ndryshëm edhe nga supersticioni i mirënjohur që mbizotëron në ambientin marinar, ku ka prirje të mendohet se dhe një albatros i thjeshtë apo një incident banal në ceremoninë e lëshimit mund t'i sjellin fatkeqësi të përjetshme një anijeje të caktuar dhe, në rastin e "Ivan Vassili", nuk ka pasur incidente të kësaj natyre as në karrierën e mëparshme të saj, as sinjale të interpretueshëm në kuptim kërcënues në portet e prekura apo gjatë udhëtimit. Ajo që po ndodh nuk të çon në asgjë të njohur, bile duket se ka origjinën nga një sferë misterioze që nuk është as ajo e kushteve normale të ekzistencës, që nuk duket as "njerëzore". Papritmas, ekuipazhi "ndien" praninë e "diçkaje" në bord, diçka apo ndoshta "dikë", pa arritur të shikojë asnjeri dhe megjithatë duke parandjerë një ndjesi të ftohti të shoqëruar nga terrori, ankthi, tensioni i padurueshëm. Në pamundësinë e përcaktimit më mirë të një pranie të tillë, evazive, megjithëse shumë e fortë, do të kufizohemi ta quajmë "Gjëja": një gjë e ardhur nuk dihet se nga, nuk dihet se si dhe që duket se ka dalë drejtpërsëdrejti nga një tregim me terror i Howard Phillips Lovecraft. Shkruan Vinent Gedis, një historian i mistereve të detit: "Nuk dihet se çfarë ishte (dhe ndoshta kështu është akoma); fillimisht provokoi ndjesinë e papritur e pasjes afër të dikujt, pasuar nga një terror ngrirës, paralizues, që hiqte çdo lloj energjie, sikur të ishte thithur nga një pompë thithëse e përbindshme. Nganjëherë mund të shquhej një krifë pak e ndritshme dhe e zbehtë, pak e ngjashme me atë të një qenieje njerëzore. Por çfarëdo gjëje të ishte, padyshim që ndodhej në bord". Valët e para të frikës pasojnë njëra tjetrën dhe bëhen gjithnjë e më të fuqishme. Megjithatë, në njëfarë mënyre, anija vazhdon të avancojë përgjatë rrugës së përcaktuar, kalon Ngushticat e Insulindisë (Arqipelagun Malez) dhe, tashmë në Paqësor, ngjitet përgjatë Detit të Kinës. Marinarët e turnit të natës janë më të frikësuarit: ata ndiejnë në mënyrë shumë të qartë se "Gjëja" është shumë afër, por vetëm në pak raste arrijnë të shquajnë një figurë jo të qartë që zhduket midis varkave të shpëtimit, duke rrezatuar një lloj shkëlqimi të dobët. Mund të jetë një figurë njerëzore, por askush nuk është i sigurtë; gjëja e vetme e sigurtë është se ajo, edhe kur tretet midis hijeve të natës, nuk do të largohet: është gjithmonë në bord, në ndonjë vend midis bashit dhe kiçit, ndoshta sipër kuvertës apo ndoshta poshtë saj.

Terror dhe vdekje pambarim

Tashmë nuk mungon shumë nga porti rus më i afërt, baza ushtarake e Port Arturit. Prej kohësh fokistët kanë hedhur në kaldajat e nxehta karburantin e grumbulluar në bunkerët e caktuar dhe ka qenë e nevojshme që t'ju drejtohet thasëve suplementarë të qymyrit për të kryer pjesën e fundit të lundrimit. Me kalimin e deteve tropikalë, "Ivan Vassili" po ngjitet drejt lartësive të mesme dhe klima, veçanërisht netëve, dora dorës bëhet më e freskët. Megjithatë, është në një natë të kthjellët e të qetë kur tragjedia, prej kohësh e pritur dhe gjithmonë e shtyrë, ka shpërthyer. E shoqëruar nga një ndjenjë e papritur ftohtësie, një valë paniku e cila nuk ishte ndier kurrë më parë fillimisht kap të gjithë ekuipazhin dhe e shpërndan si një fole milingonash të çmendura: të dridhur nga terrori, njerëzit vrapojnë në të gjitha drejtimet, luten, ulërijnë, dëshpërohen. Duket se "Gjëja" i ka kapur me kthetrat e saj të mëdha të padukshme dhe i përplas sa andej këtej, në mënyrë mizore, siç bën macja kur luan me miun. Në një moment të caktuar një marinar, i paaftë që t'i rezistojë tensionit të patolerueshëm, hidhet në det, duke u zhdukur shumë shpejt midis valëve. Atëhere, sikur një lodhje vdekjeprurëse, e panatyrshme të kish infektuar të gjithë ekuipazhin, duket se qetësia kthehet në bord, më shumë se qetësia, një ndjenjë sfilitjeje e pakuptueshme, plogështie të errët. Është sikur "Gjëja" me vdekjen e atij fatkeqi e kish ngopur urinë e saj monstruoze për viktima. Të paktën për momentin: por të gjithë parandjejnë se bëhet fjalë thjesht për një armëpushim. E shkarkuar një pjesë e materialit në Port Artur dhe e furnizuar me qymyr, "Ivan Vassili" i ngre sërish spirancat për të kompletuar pjesën e fundit të lundrimit shumë të gjatë të saj që duhet ta çojë në bazën kryesore ruse të Lindjes së Largme, atë të Vladivostokut. Asgjë nuk ndodh ditën e parë të lundrimit pas nisjes dhe asgjë në të dytën, por të tretën shpërthen një tjetër sulm i "Gjësë" dhe sërish i gjithë ekuipazhi është dërrmuar. Sërish ulërima, të qara, lutje; sërish një vrapim i pakuptimtë në çdo drejtim; sërish një marinar hidhet në det, takim me vdekjen. Dhe, njëlloj si radhën e parë, duket se kjo tragjedi e fashit për pak kohë entitetin e lig të ngjitur në bord; të sfilitur, të habitur, njerëzit hidhen në një lloj dorëzimi fatalist. Megjithatë, sapo anija futet në portin e shumëpritur të Vladivostokut (fjalë për fjalë, "Pushtuesi i Lindjes"), destinacion final i lundrimit shumë të gjatë, 12 njerëz nga ekuipazhi tentojnë në mënyrë të dëshpëruar që të zbresin në tokë për ta braktisur anijen e "mallkuar". Askush nuk duket i gatshëm që të qëndrojë në bord qoftë dhe një sekondë më shumë: në fakt, nuk kanë dashur të presin as hapjen e dyerve të ngarkimit. Por nuk e mendonin kështu autoritetet ruse, për të cilat udhëtimi i "Ivan Vassili" nuk mund të konsiderohej aspak i përfunduar. Për pasojë, policia portale i kthen në mënyrë të pamëshirshme këta njerëz të terrorizuar dhe i detyron që të kthehen në bord, pavarësisht lutjeve dhe përgjërimeve të tyre, si bagëti të çuara tek kasapi. Ndërsa pjesa tjetër e materialit shkarkohet në molot e Vladivostokut, marinarët e anijes fatkeqe mbahen nën mbikëqyrje të fortë. Urdhri laksativ është që asnjë të mos e braktisë këtë kurth lundrues, në asnjë mënyrë. Ndoshta, autoritetet portale nuk u besojnë tregimeve pa lidhje dhe, në të vërtetë, shumë pak të kuptueshëm të ekuipazhit. Ose ndoshta momenti i vështirë politik nuk lejon asnjë vonesë apo dobësi, duke qenë se detyra të tjera e presin anijen tragjike. Tani "Ivan Vassili" duhet të niset për në Hong Kong të Kinës dhe nga aty të vazhdojë në drejtim të bregut lindor të Australisë.

Një kreshendo tmerresh të parrëfyeshëm

Kalimi nga Vladivostoku në Hong Kong nëpërmjet Detit të Japonisë, Ngushticës së Koresë, Detit të Kinës Lindore, Ngushticës së Formozës dhe Detit të Kinës Jugore është një makth në kuptimin e vërtetë të fjalës. "Gjëja" është gjithmonë në bord, bile tashmë duket e papërmbajtshme. 4 njerëz humbën jetën gjatë valëve të terrorit që u derdhën të pakontrollueshme, me shpeshtësi tashmë gjithnjë e më të madhe: 3 marinarë dhe vetë komandanti. Dy prej marinarëve u vetëvranë, ashtu si kolegët që i kanë paraprirë; i treti vdiq nga frika: zemra e tij nuk i duroi provës të cilës i ishte nënshtruar. Përsa i përket kapitenit, Sven Andrist, që deri më atëhere kishte arritur deri diku të ruante një hije autoriteti midis këtyre njerëzve të terrorizuar, besnik ndaj detyrimit të tij, nuk i reziston më tej tensionit të padurueshëm dhe hidhet në det, duke preferuar vdekjen ndaj ankthit pa emër dhe pa fytyrë që e përndjek. Kur më së fundi anija e stërmunduar futet në portin britanik të Hong-Kongut, i marrë me qira nga qeveria kineze në vitin 1898 për një periudhë 99-vjeçare, asgjë dhe askush nuk mund të pengonte që pothuajse i gjithë ekuipazhi të zbarkonte menjëherë dhe të largohej turravrap nga anija e "mallkuar". Në bord nuk mbeti njeri tjetër me përjashtim të komandantit të dytë, Christ Hanson, i cili mori përsipër funksionet e komandantit, dhe vetëm 5 marinarë, të gjithë skandinavë, me sa duket më pak supersticiozë se kolegët e tyre rusë apo ndoshta më të lidhur pas oficerit të tyre. Patjetër, me një ekuipazh kaq të reduktuar nuk është e mundur të rifillohet udhëtimi drejt Sidneit, ku "Ivan Vassili" duhet të marrë një ngarkesë leshi të çmuar australian. Prandaj Hanson impenjohet për të rekrutuar një ekuipazh të ri kinezësh dhe arrin të vërë së bashku diçka që i ngjan, sa duhet për të ngritur sërish spirancat dhe rivënë në lëvizje drejt Filipineve dhe më pas, duke kaluar ekstremitetin juglindor të Guinesë së Re, brigjet e Australisë. Për pak duket se personeli i ri, i paditur për sa kish ndodhur në bord muajt e mëparshëm, nuk ndien sugjestione të veçanta negative. Por komandanti i ri, pikërisht në afërsi të mbërritjes në Sidnej, i paguan një çmim të lartë kurajoz apo kokëfortësisë së tij: nxjerr pistoletën nga kasaforta e kabinës së tij, e vë në tëmth dhe vdes në çast. Sipas një versioni tjetër, më pak të besueshëm, var vetën në një tra; gjithsesi, vdes i vetëvrarë pak përpara se të mund ta fusë "Ivan Vassili" në portin australian. Më përpara akoma se anija të ketë përfunduar manovrat për t'u ankoruar në molo dhe hedhur spirancën, ekuipazhi fillon që ta braktisë sikur të ishte nga një zjarr në bord. Brenda pak kohe nuk mbetet më asnjë. Skandinavë dhe kinezë nuk duan ta dijnë më dhe mbi anijen e "mallkuar" nuk mbetet veçse një njeri, që nuk do të dijmë nëse është më i humburi apo më i guximshmi. Bëhet fjalë për njëfarë Harry Nelson, që nuk do t'i dhurojë "Gjësë" fitoren dhe mbetet me kokfortësi në bord; kushedi, ndoshta shpreson që të sigurojë një shpërblim të majmë nga autoritetet ruse nëqoftëse do të arrijë ta çojë në atdhe anijen me ngarkesën e saj me vlerë të madhe ekonomike. Për katër muaj të mirë ajo mbetet pa lëvizur pranë molos së Sidneit: zërat qarkullojnë me shpejtësi nëpër tavernat e portit dhe deri midis australianëve të ashpër është vështirë të gjendet ndonjë që guxon të sfidojë mallkimin pa fytyrë që duket se qëndron sipër vullnetit të njerëzve.

Akti i fundit i tragjedisë

Më së fundi, në muajin e katërt dhe me shumë lodhje, u arrit të gjehet një ekuipazh dhe një kapiten i ri për "Ivan Vassili", pavarësisht çdo supersticioni dhe çdo historie me fantazma. Sigurisht, kapiteni i ri, të cilit nuk ia dimë emrin, duhet të ketë qenë një tip shumë kurajoz: bëhet fjalë për të përshkuar të gjithë pafundësinë e Oqeanit Paqësor dhe dërguar ngarkesën e leshit deri në San Françisko. Në njëfarë mënyre, ndoshta edhe fale një armëpushimi të sulmeve nga ana e entitetit misterioz, anija rifillon udhëtimin shumë të gjatë në drejtimin verilindor. Por ajo nuk do t'i arrijë asnjëherë brigjet amerikane: edhe njëherë akoma, "Gjëja" kthehet që të kërkojë haraçin makabër të viktimave. Për tri herë, në mes të Oqeanit Paqësor, ekuipazhi kapet nga terrorret e zakonshme të papërfytyrueshëm dhe për të trija herët një njeri hidhet në det për të kërkuar çlirimin e vdekjes. Herën e katërt është pikërisht kapiteni i ri që, i paaftë për t'i rezistuar asaj dare të akullt tmerri të paimagjinueshëm, e humb jetën duke qëlluar veten në gojë me pistoletë. Në këtë pikë bëhet e pamundur të ruhet rruga drejt San Françiskos. I kapluar nga frika, ekuipazhi do të kthehet në port nëpërmjet rrugës më të shkurtër dhe Harry Nelson, i cili është vetemëruar komandant, ndryshon kurs dhe niset në drejtim të Vladivostokut. I vendosur që të mos nënshtrohej nga kjo forcë misterioze, ai tenton në mënyrë kurajoz që ta zgjidhë misterin. Këqyr të gjithë anijen (dhe sa cepa sekrete ka në një anije të madhe!), merr në pyetje marinarët, por nuk arrin që të nxjerrë asgjë. Në kompensim, i arrin ndërmarrja për ta kthyer "Ivan Vassili" në Vladivostok, pa pasur viktima të reja. Sapo hyn në port, i gjithë ekuipazhi zbarkon me ngut dhe kësaj radhe, as premtimi për krijimin e kushteve jashtëzakonisht të favorshme nuk arrijnë që t'i rikthejnë në bord. I fundit zbret në tokë edhe Nelson, anëtari i vetëm i ekuipazhit fillestar: deri dhe ai e ka në grykë dhe konsiderohet me fat që ka shpëtuar jetën. Asnjë ekuipazh tjetër nuk do të gjendet për anijen e "mallkuar": në portin rus mbretëron kudo bindja se një entitet demoniak ndodhet akoma në bord dhe asnjë marinar nuk do të ishte i gatshëm të rrezikonte duke hipur në të, as për arin e të gjithë botës. Kalojnë vitet dhe anija është gjithmonë aty, trishtueshmërisht e ndalur në një cep të portit. Papritmas, në dimrin e vitit 1907, një zjarr i tmerrshëm shpërthen në bord, duke e gllabëruar me dhunë të jashtëzakonshme. Nuk është një zjarr i rastësishëm, por i qëllimshëm: të bindur se një djall fshihet tek "Ivan Vassili", marinarët rusë kanë vendosur që ta pastrojnë me zjarr dhe, ndërsa anija digjet natën, rrijnë dhe e vërejnë nga varkat përreth, duke thënë lutje dhe yshtje. Përpara se anija të zhduket përgjithmonë në fund të detit, thonë se një ulërimë e tmerrshme është ngritur mbi trupin e flakëve dhe zhurmën e direkëve të drunjtë. Ka mbaruar: anija e "mallkuar" nuk do t'i përshkojë më detet, nuk do të vrasë dhe nuk do të luajë më nga mendtë asnjë qenie njerëzore.

Hipotezat

Siç e kemi thënë, rasti i "Ivan Vassili" është ndër më mbresëlënësit e historisë së lundrimit dhe tipologjia e fenomeneve që ia kanë trazuar ekzistencën përfshin disiplina të ndryshme, parapsikologjike, okultiste dhe demonologjike. Le të kërkojmë të tregojmë shpjegimet kryesore të mundshme, të vetëdijshëm se ndoshta shpjegimi i "vërtetë" është përtej rrezes tonë, pasi që jo gjithçka që ndodh në botë mund të shpjegohet dhe mendja njerëzore është tmerrësisht e vogël përpara misterit.

1 - Shpjegimi kimik. Kohët e fundit, për saktësi në tetor të 2003, Akademia e Shkencave të Moskës ka avancuar një shpjegim përsosshmërisht shkencor të fenomeneve që u verifikuan në bordin e "Ivan Vassili". Sipas një komunikate të institutit të famshëm moskovit, gjithçka do të reduktohej në një helmim të ekuipazhit të shkaktuar nga avujt e drurit me të cilat qenë bërë skeleti i anijes. Studiuesit rusë kanë analizuar mbeturinën e vetme ekzistuese pranë Muzeut të Lundrimit të Vladivostokut - rrota e komandimit të timonit - duke ua nënshtruar analizave kimike, gazkromatografike dhe spektrografike. Kuverta dhe strukturat e sipërme të anijes qenë të ndërtuara me dru tiku dhe profesor Ilja Menzonev do të zbulonte gjurmë të konsiderueshme alkaloidësh (josaminë dhe skopolaminë) që posedojnë tipare të theksuara haluçinogjene. Edhe kabinat e ekuipazhit qenë veshur me dru dhe kjo, sipas Menzonev dhe bashkëpunëtorëve të tij, do të shpjegonte episodet e çmendurisë kolektive që do të përplaseshin mbi marinarët fatkeqë. Psikoza kolektive, shumë e njohur për studiuesit e turmave, do të bënte pjesën tjetër. Por pse episodet fatale do të shpërthenin vetëm më 1903, më shumë se 7 vjet pas lëshimit të anijes, teksa ajo lundronte në mes të Oqeanit Indian? Edhe kësaj pikëpyetjeje shkencëtarët e Akademisë së Moskës ia gjejnë një shpjegim. Alkaloidët e pranishëm në drurin e tikut do të qëndronin inertë për shkak të lyerjes me rrëshirë detare që izolonte dhe bënte të papërshkueshme strukturat e ndryshme të bordit. Më pas, kalimi i kohës dhe kalimi nga klima e ftohtë e Detit Balltik në atë shumë të ngrohtë të Oqeanit Indian do të provokonte eskalimin e substancave haluçinogjene, me efektet e mirënjohur tragjikë. Domethënë mister i sqaruar? Ndoshta. Megjithatë, duket se ky "shpjegim" do të forcojë një interpretim shkencor për një lloj pamundësie - nga ana e kulturës shkencore sot dominuese - për të pranuar sfidën e misterit. Jemi tamam të sigurtë se timoni i "Ivan Vassili", 100 vjet pas ndodhjes së ngjarjeve, ka mundur t'i japë dëshmi të tilla analizës kimike? Ishte vallë ajo anije, e vetmja e veshur me dru tek apo nuk ishte ky një rregull tejet i zakonshëm, si në marinën ruse, ashtu dhe pranë marinave të tjera të epokës? Dhe pse atëhere nuk kemi dëshmi të tjera dramash në det të krahasueshme me atë të "Ivan Vassili"? Pse vetëm ajo anije pa të shpërthenin efektet vdekjeprurëse të eskalimeve haluçinogjene? Akoma: një helmim i tipit haluçinogjen mund ta shpjegojë natyrën dhe entitetin e fakteve që u manifestuan në bord? Pse pikërisht çmenduria e tërbuar, pse ato hedhje në det, pse ai fund i jetës me pistoletë? Është ky efekti i një helmimi nga alkaloidi? Dhe pse, pas çdo vetëvrasjeje, një armëpushim i përkohshëm kthehej në bord? Pse një njeri si Harry Nelson, që bëri të gjithë udhëtimin nga Petërburgu në Vladivostok dhe më pas në Hong-Kong, anë Sidnei dhe sërish në Vladivostok, nuk ia ndieu efektet? Pse ai as nuk vrau veten, as u hodh në det, por pati gjakftohtësinë që të këqyrte anijen, duke u sjellë në mënyrë absolutisht të kthjellët dhe racionale?

2 - Shpjegimi psikologjik. Sugjestionime kolektive, panik i përhapur duke filluar nga shkaqe të parëndësishme, infektim i tensionit nervor do të ishin në bazën e "çmendurisë" së ekuipazhit dhe këta faktorë do të kishin gjetur ushqim dhe terren pjellor në lodhjen e shkaktuar nga udhëtimi i gjatë, tensioni mbretërues në bord (frika e luftës së afërt), tek supersticioni, ndoshta, i një pjese të ekuipazhit. Sigurisht, të paktën qysh kur Gustave Le Bon ka botuar "Psikologjinë e turmave" të tij, jemi fort të vetëdijshëm sesa mund të veprojë psikoza kolektive, sidomos në situata tensioni të fortë nervor dhe emocional. Dijmë edhe për episode historike në të cilat eksitime të mëdha kolektive u vunë në lëvizje pa shkak të dukshëm, edhe në shkallë tejet të gjerë: i tillë për shembull fenomeni i "Frikës së madhe" që përshkoi fshatrat franceze në vitin 1788, pa qenë asnjëherë e mundur t'i individualizohej saktësisht origjina. Por na duket se ky shpjegim i pretenduar shkëmben "modalitetet" me të cilin manifestohet "çmenduria: e ekuipazhit të "Ivan Vassili" me "shkaqet" e saj: shkaqe që mbesin akoma sot në hije dhe, për pasojë, të pashpjegueshëm. Sigurisht, nganjëherë fenomene reale vihen në lëvizje duke u nisur nga fenomene imagjinare: nëqoftëse ëndërrohet shpesh se shtëpia jote është në flakë, mund edhe të shtyhesh për t'u hedhur "realisht" nga dritarja për t'i shpëtuar zjarrit; por në të vërtetë bëhet fjalë për ngjarje aq të pamundura sa të rezultojnë praktikisht të pamundura. Sidomos në qoftë se mendojmë se ngjarja dramatike e "Ivan Vassili" nuk qe e shkurtër dhe nuk i takoi vetëm një individi të vetëm: përkundrazi, u zhvillua në harkun kohor të rreth 1 viti dhe përfshiu disa dhjetëra njerëz, përfshi disa oficerë të marinës që, për nga vetë kualifikimi i tyre, kishin një shkallë të lartë arsimimi dhe, veç të tjerash, qenë mësuar të menaxhonin vështirësitë e një lundrimi transoqeanik të gjatë dhe të lodhshëm.

3-Shpjegimi spiritik. Ai i "Ivan Vassili" do të ishte një rast tipik "pushtimi", edhe pse i shoqëruar nga fenomenologji ekstreme, të tilla sa të çonin në vdekjen e shumë njerëzve. Por, edhe pse të rralla dhe gjithsesi më pak spektakolarë, ekzistojnë raste të tjera që mund të krahasohen me të. Midis tyre, ai i shtëpisë londineze me Nr.50 në Berkeley Square, banorët e së cilës binin viktimë të një gjendjeje konfuzionale që i çonte tek vdekja, dhe ai i "djallit të Tenesit" i periudhës 1817 - 1820, që persekutoi për vdekje John Bell në Robertson County. Do të bëhej fjalë për entitete jonjerëzore dhe të liga, qëllimi i të cilave është që të dëmtojnë qëllimisht dhe në mënyrë kokëfortë qeniet njerëzore, për arsyen e vetme të dukshme që shfaqen në një shtëpi apo në një vend të caktuar dhe urrejnë praninë njerëzore. Zakonisht, manifestimet kufizohen në shfaqjen e shpirtrave apo në perceptimin e zhurmave pakashumë këmbëngulëse (si në rastin e famshëm të filozofit Atenodor të Athinës, referuar nga Plini i ri në një prej "Epistulave" të tij) ose bëhet fjalë për manifestime "fantazme", interpretimi i të cilës është akoma sot kontradiktor: për disa do të bëhej fjalë për fenomene psikokinetike të "shkaktuara" nga energjia psikike e ndonjë banori të shtëpisë, në përgjithësi adoleshentë në fazën puberale apo parapuberale; për të tjerët, zhurmat dhe spostimet e objekteve janë "pushtim" spiritik në kuptimin e vërtetë të fjalës. Megjithatë janë të rralla, e përsërisim, rastet në të cilat arrihet në rezultate fatale për banorët; më shpesh forcat që veprojnë kufizohen në lëshimin e objekteve pa goditur asnjë ose i sulmojnë qeniet njerëzore me shpulla, grushta dhe, në ndonjë rast të rrallë, gërricje. Por në rastin e "Ivan Vassili" nuk flitet as për fantazma, as për zhurma, as - aq më pak - për fenomene të tipit "fantazim"; në të vërtetë flitet për ndjesinë e një pranie të huaj dhe të ligë, të një rrënqethje të akullt, për një shqetësim, një ankth dhe një terror i pashpjegueshëm; për më tepër - ama jo nga të gjithë anëtarët e ekuipazhit - u fol për një figurë të të paqartë që sillej në urën e anijes, pak humanoide dhe deri diku lumineshente. Kjo është patjetër e pazakontë: do të thuhej se anija në fjalë ka qenë objekt i një tipologjie "pushtimi" të re dhe të ndryshme nga të gjitha të mëparshmet.

4 - Hipoteza jashtëtokësore. Një entitet i ardhur nga hapësira do të ulej mbi anije, duke thithur energji psikike nga anëtarët e ekuipazhit (paksa si në filmin "Horror Express" i vitit 1972, me regji të Gene Martin), vetëm se në këtë rast entiteti hipte në bordin e një treni në hekurudhën transsiberiane. Sipas Salvador Freixedo, ufolog ish-jezuit shumë popullor në vendet spanjishtfolëse, energjia psikike e emetuar nga njerëzit në kushte të veçanta emotive si ankth, frikë dhe të ngjashme, do të ishte e dobishme ose e nevojshme për entitete të tilla për të cilat do të përbënte një "ushqim" në kuptimin e vërtetë të fjalës, kështu që do të kishin vazhdimisht nevojë për ta, pa pasur asnjë skrupull rreth pasojave ndaj njerëzve, ashtu siç ne nuk kemi për shembull skrupuj ndaj kafshëve shtëpijake. Natyrisht që ka të paktën dy mënyra për të interpretuar një prani eventuale jashtëtokësore: si ajo e qenieve "fizike" që vijnë nga hapësira për ndonjë projekt të tyre misterioz apo si ajo e qenieve "shpirtërore" që filtrojnë nga dimensione të tjera të reales që marrin një "dukje fizike" kur duan të futen në kontakt me njerëzorët (paksa siç mund të bëjnë krijesat engjëllore apo diabolike), duke i gënjyer qëllimisht rreth natyrës së vërtetë të tyre. Ky interpretim i dytë mundëson që t'u jepet të drejtë lëvizjeve absolutisht të "pamundura" të U.F.O.-ve (Objekte Fluturuese Jo të Identifikuara) nga pikëpamja fizike, pse jo dhe shfaqjet dhe zhdukjet e papritura të tyre dhe fenomene të tjera lidhur me "takimet e afërta".

5 - Hipoteza demoniake. Në këtë rast nuk do të bëhej fjalë për një pushtim shpirtrash (të vdekurish apo entitetesh njerëzore që jetojnë në plane të tjera të realitetit, më të "butë", paralelë dhe në njëfarë mënyre të afërt me atë të njerëzve), por për një "prani diabolike" në kuptimin e vërtetë të fjalës, domethënë të forcës malinje par excellance, ashtu siç konceptohet në disa besime fetare dhe veçanërisht në atë kristian. Gjatë odisesë tragjike të tyre, ekuipazhet e "Ivan Vassili" u përbënë edhe nga aziatikë dhe, ndoshta, nga indigjenë të Oqeanisë, por skandinavë, rusë dhe më vonë australianë qenë të fesë kristiane - për saktësi, greko-ortodokse dhe anglikane (ndërsa besimi tek djalli ndiehet më shumë në katolicizëm). Gjithsesi, konteksti kulturor në të cilën u përjetua ndodhia nga protagonistët nuk përjashton interpretime të ndryshme nga ato që ata i dhanë fenomenit në kohën e tij - me kusht që të njihet "mundësia" teorike e posedimit demoniak si hipotezë pune, edhe duke u nisur nga ana e studiuesve të tendencës laike apo, në përgjithësi, jofetare. Ungjilli flet për raste të shumta "pushtimi" demoniak; raste të tjerë, shumë të dokumentuara, ekzistojnë në letërsi dhe jo vetëm në jetën e personazheve fetare, por edhe në atë të njerëzve të thjeshtë dhe deri të fëmijëve e adoleshentëve, si rasti i habitshëm i vëllezërve Illfurt në Alzacë në vitin 1863. Gjithsesi, për "Ivan Vassili" nuk do të bëhej fjalë për posedimin e një individi, por për një anije; individët e veçantë që ajo transportonte ia ndien pasojat në masa të ndryshme, disa në mënyrë të tillë sa të humbisnin jetën, të tjerë duke qëndruar vetëm të terrorizuar, në dukje, pa asnjë arsye për këtë diversitet rezultatesh. Nga ana tjetër, nëqoftëse pranohet se e Keqja metafizike ekziston dhe se është në gjendje, në kushte të caktuara, që të penetrojë në sferën njerëzore dhe të shpjegojë një veprim shkatërrimtar "për kënaqësinë e vetme të dëmtimit", në linjë parimore nuk ka objeksione ndaj faktit që ai të manifestohet nëpërmjet posedimit të një individi të vetëm, të një grupi njerëzish, të një mjeti transporti (automobil, anije) apo të një ndërtese (shtëpi banimi, kishë) nëpërmjet të cilës të mund të veprojë mbi personat që ndodhen në to.

Duke përmbledhur, shpjegimi kimik është me natyrë pastërtisht fizike, ai psikologjik i rendit psikik. Të dy janë të natyrës natyralistike. Ai shpirtëror mund të jetë i gjinisë natyralistike apo metafizike, sipas mënyrës sesi interpretohet metafizika si studimi shkencor realitetesh misterioze, por, në analizë të fundit, "natyrore" apo si përgatitore ndaj investigimit mbi një rend tjetër realiteti, domethënë metafizik. Nga pikëpamja metodologjike, shpjegimi jashtëtokësor mund të konsiderohet një variant i të mëparshmit: edhe këtu është e mundur të interpretohen fenomenet e konsideruar si vepër krijesash aliene, por gjithsesi fizike dhe, për pasojë, që i përkasin botës natyrore, apo se u detyrohen krijesash shpirtërore që penetrojnë në planin tonë të realitetit nga dimensione të tjerë, jo me natyrë fizike. Së fundi, shpjegimi demonologjik është me natyrë ekskluzivisht metafizik dhe presupozon një horizont interpretues të hapur në 360 gradë lidhur me misterin e Qënies, në të cilin krijesa diabolike (ose, në të kundërt, engjëllore) okupojnë jo plane realiteti "të afërt dhe paralelë" me tonin, por rrënjësisht të ndryshëm dhe të largët, duke ju përgjigjur hierarkive shpirtërore që ndjekin ligje dhe arrijnë finalitete jo të krahasueshme me ato që mbizotërojnë në botën fizike dhe materiale. Kështu, duke kaluar nga i pari, i dyti, i treti, i katërti dhe në fund në shpjegimin e pestë të shpjegimit të fenomenit në fjalë, mund të konstatohet një proces ngjitës drejt planesh të realitetit dora dorës më të largët nga i yni, ai i ashtuquajtur i "përditshëm". Për pasojë, bërja e një zgjedhjeje midis një prej katër shpjegimeve të mundshëm i përgjigjet domosdoshmërisht një hierarkie vlerash dhe besimesh nga ana e studiuesit, me paqen e mirë të "objektivitetit" të pretenduar të përvojës shkencore (por sot vetë shkencëtarët, të paktën në fushën e fizikës nënatomike, pranojnë pamundësinë e një eksperimenti, bile të një vëzhgimi të thjeshtë, që nuk i modifikon automatikisht kushtet e realitetit fizik të vërejtur).

Përfundimisht, duhet të jemi të vetëdijshëm se fiksimi ndaj një shpjegimi në vend të një tjetri prej shpjegimeve të mundshëm mund të na thotë po aq gjëra mbi atë që studion fenomenin, mbi shpresat e tij, mbi bindjet e thella të tij, mbi horizontin kulturor dhe shpirtëror të tij, sesa nuk ka zbulon mbi fenomenin që është objekti specifik i studimit tonë.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers