Historia e vërtetë e krishtlindjeve

Një mix traditash


Krishtlindjet kanë patur një histori të gjatë dhe të shumëllojshme. Janë festuar nëpër shekuj nga popuj të ndryshëm, në kohëra të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në mënyra shumë të ndryshme.

Mesi i dimrit ka qenë prej kohësh një kohë për të festuar në të gjithë botën. Shumë shekuj përpara mbërritjes së njeriut me emrin Jezu Krisht, evropianët e hershëm festonin dritën dhe lindjen në ditët më të errëta të dimrit. Shumë njerëz ngazëlleheshin dhe gëzonin gjatë solstikut dimëror, atëherë kur më të keqen e dimrit e kishin lënë tashmë pas dhe kur prisnin tanimë ditë më të gjata dhe më shumë orë me dritën e diellit.

Në Skandinavi, norvegjezët festonin Julin që nga 21 dhjetori, solstiku dimëror deri në fund të janarit. Duke vlerësuar rikthimin e diellit, etër dhe bij sillnin në shtëpi trungje të mëdhenj, të cilëve më pas u vinin flakën. Njerëzit festonin deri kur trungu digjej plotësisht, gjë që mund të kërkonte deri 12 ditë. Norvegjezët besonin se çdo shkëndijë prej zjarrit përfaqësonte një gic apo viç të ri që do të lindte vitin e ardhshëm.

Fundi i dhjetorit ishte koha e përsosur për festime në shumë zona të Evropës. Në atë kohë të vitit, shumica e bagëtive thereshin, kështu që do të duhej të ushqeheshin gjatë dimrit. Për shumëkënd, ishte e vetmja kohë e vitit kur kishin bollëk me mish të freskët. Veç kësaj, pjesa më e madhe e verës dhe birrës që bëhej gjatë vitit më në fund fermentohej dhe ishte e gatshme për t'u pirë.

Në Gjermani, njerëzit nderonin perëndinë pagane Oden gjatë pushimeve të mesit të dimrit. Gjermanët ishin të tmerruar prej Odenit, teksa besonin se ai fluturonte natën nëpër qiell për të vëzhguar njerëzit e tij dhe më pas vendoste se kush do të kish begati dhe kush do të zhdukej. Për shkak të pranisë së tij, shumë njerëz zgjidhnin të qëndronin brenda.

Saturnalia

Në Romë, aty ku dimri nuk ishte aq i egër, festohej Saturnalia - një ditëpushimi në nderim të Saturnit, perëndisë së bujqësisë. Duke filluar nga java e solstikut dimëror dhe duke vazhduar për një muaj, Saturnalia ishte një kohë hedoniste, kur kish me bollëk ushqime dhe pije dhe kur rendi normal shoqëror romak përmbysej. Për një muaj, skllevërit bëheshin zotër. Fshatarët merrnin komandën e qytetit. Bizneset dhe shkollat mbylleshin me qëllim që të gjithë të argëtoheshin.

Gjithashtu, në kohën e solstikut dimëror, romakët festonin gjithashtu Juvenalian, një festë ku nderoheshin fëmijët e Romës. Veç kësaj, pjestarë të klasave të larta shpesh herë festonin ditëlindjen e Mithrës, perëndia e diellit të papushtueshëm, në 25 dhjetor. Besohej se Mithra, një perëndi-fëmijë, kish lindur nga një shkëmb. Për disa romakë, ditëlindja e Mithrës ishte më e shenjta ditë e vitit.

Në vitet e parë të krishtërimit, Pashkët ishin festa kryesore; ditëlindja e Jezusit nuk festohej. Në shekullin IV, njerëz të Kishës vendosën të caktojnë si ditë feste lindjen e Krishtit. Fatkeqësisht, Bibla nuk e përmend ditën e lindjes së tij, një fakt që puritanët e përdorën më vonë për të hedhur poshtë ligjshmërinë e festimeve. Ndonëse disa prova tregojnë se ai mund të ketë lindur në pranverë (përse barinjtë do të ishin duke kullotur bagëtitë në mesin e dimrit?), papa Juliusi i zgjodhi 25 dhjetorin. Besohet gjerësisht se Kisha e zgjodhi këtë datë në një përpjekje për të adoptuar dhe përthithur traditat e festivalit pagan të Saturnalias. Quajtur fillimisht Festa e Lindjes, kjo traditë u përhap në Egjipt në 432 dhe në Angli në fundin e shekullit VI. Deri në fundin e shekullit VIII, festimi i Krishtlindjeve ishte përhapur deri në Skandinavi. Sot, në kishat ortodokse greke dhe ruse, Krishtlindjet festohen 13 ditë pas 25 dhjetorit, që njjihet edhe si Dita e Pagëzimit të Tri Mbretërve. Besohet se kjo është dita kur tre njerëzit e mençur gjetën Jezusin në Grazhd.

Duke vendosur Krishtlindjet në të njëjtën ditë me festivalet tradicionalë të solstikut dimëror, liderët e Kishës rritën shanset që krishtlindjet do të përqafoheshin lehtë, por hoqën dorë nga mundësia për të diktuar se si do të festoheshin. Deri në Mesjetë, Krishtërimi kishte zëvendësuar në pjesën më të madhe fenë pagane. Në Krishtlindje, besimtarët shkonin në Kishë, më pas festonin të shfrenuar në një atmosferë karnavalesh. Çdo vit, një lypës ose student kurorëzohej "Zoti i çrregullit" dhe ata që festonin luanin rolin e të sunduarve. Të varfërit shkonin në shtëpitë e të pasurve dhe kërkonin ushqimet dhe pijet e trye më të mirë. Nëse pronarët nuk përmbushnin kërkesën, vizitorët i terrorizonin me çapkënllëqe. Krishtlindjet u shndërruan në atë periudhë të vitit kur klasat e larta i shlyenin borxhin imagjinar ose real shoqërisë duke argëtuar qytetarët me më pak fat.

Krishtlindje "të paligjshme"

Në shekullin XVII, një valë reformash fetare ndryshuan mënyrën se si Krishtlindjet festoheshin në Evropë. Kur Oliver Kromuelli dhe forcat e tij puritane morën kontrollin e Anglisë në 1645, ata u betuan që të hiqnin qafe dekadencën në Angli dhe si pjesë e kësaj përpjekjeje, shfuqizuan festimin e Krishtlindjeve. Me kërkesë popullore, Karli II u rikthye në fron dhe bashkë me të u rikthye edhe festa popullore.

Separatistët pelegrinë anglezë që erdhën në Amerikë në 1620 ishin edhe më ortodoksë në besimet e tyre puritanë se sa Kromuelli. Si rezultat, në fillim në Amerikë Krishtlindjet nuk ishin ditë feste. Nga viti 1659 deri në 1681, festimi i krishtlindjeve ishte në fakt i paligjshëm në Boston. Çdokush që shfaqte frymë Krishtlindjesh gjobitej me pesë shilinga. Në të kundërt, në vendbanimin e Xhejmstaun, kapiteni Xhon Smith raportonte se Krishtlindjet festoheshin dhe kalonin pa asnjë incident.

Pas Revolucionit amerikan, traditat angleze dolën nga moda, bashkë me festën e krishtlindjeve. Në fakt, Kongresi ishte në seancë në 25 dhjetor 1789, Krishtlindjet e para pas Kushtetutës amerikane. Krishtlindjet u shpallën festë federale vetëm në 26 qershor 1870.

Google+ Followers