Gjuha e trupit


Njeriu zotëron aftësinë për të transmetuar mesazhe që bëhen të kuptueshme jo vetëm nëpërmjet përdorimit të fjalëve dhe të zërit, që janë dy "veglat" kryesore të komunikimit, por edhe duke përdorur lëvizje të fytyrës apo trupit të tij ose akoma, duke përdorur edhe shqisa, si për shembull nuhatjen, dëgjimin etj.

Njeriu, përveç gjuhës së tij, ka mësuar në mënyrë instiktive të përdorë me të njëjtën mënyrë dhe një gjuhë tjetër, atë që e quajmë Gjuhën e Trupit. Kjo do të thotë se, njeriu zotëron aftësinë për të transmetuar mesazhe që bëhen të kuptueshme jo vetëm nëpërmjet përdorimit të fjalëve dhe të zërit, që janë dy "veglat" kryesore për komunikimin, por edhe duke përdorur lëvizje të fytyrës apo trupit të tij ose akoma, duke përdorur edhe shqisa, si për shembull nuhatjen, dëgjimin etj. Fytyra dhe sytë tanë shpesh herë pasqyrojnë ndjenjat tona, frikën, gëzimin, surprizën, të vërtetën dhe gënjeshtrën. Për të transmetuar një mesazh ose një informacion zakonisht përdorim tre "vegla", ashtu sikur thamë edhe më parë. Fjalët, zërin dhe lëvizjet.

Lëvizjet përbëjnë 55% të transmetimit të mesazhit në kuadrin e komunikimit, fjalët 7% dhe 38% tjetër jepet nga përdorimi i zërit. Sipas kërkimeve zyrtare psikologjike, çdonjëra nga veglat e mësipërme që sapo thamë i .....korrespondon njërës nga 3 sferat apo 3 botët që Platoni kishte folur 2.600 vite më parë, të cilat janë: Bota mendore (fjalët), Bota psikike (zëri), Bota trupore (lëvizjet).

Gjuha e Trupit duket se njihej që nga vitet e lashta. Në Greqinë e lashtë filozofët dhe sofistët fshihnin duart e tyre poshtë tibanit (veshjes) sepse besonin se lëvizjet e duarve në një bisedë apo në një leksion shprehnin mungesën e aftësisë retorike, apo argumentash, ndërsa populli i thjeshtë me sa duket, përdorte në mënyrë të theksuar duart, ashtu sikurse edhe sot. Ky opinion bazohej se sa më shumë të përdorim dhe të lëvizim trupin tonë si një mënyrë shprehjeje, aq më i varfër është fjalori ynë retorik.

Njeriu kur lindi nuk dinte të fliste, atëherë i vetmi mjet komunikimi i tij ishte trupi i tij. Duke u rritur dhe duke mësuar të flasë, kjo nevojë fillestare kufizohet, meqënëse me anë të fjalëve mund të shprehet më qartë dhe saktësisht, por nuk mund të themi se gjuha e trupit do të zhduket, meqënëse nuk mund ta eliminojmë, pasi ndodhet e rrënjosur thellë në subkoshiencën tonë.

Njeriu i nxitur nga subkoshienca e tij e përdor trupin shpesh herë, sidomos gjymtyrët e tij, për të treguar gjendjen e tij sentimentale. Për shembull, kur njeriu ndjen kërcënim kryqëzon duart e tij, ose kur ndjehet i lodhur, kërrus shpinën. Por përtej ngarkimit sentimental, trupi ynë mund të bëhet objekt vëzhgimi për dikë që është njohës i kësaj gjuhe dhe të zbulojë më tepër anë të fshehta të karakterit tonë. Mund të zbulojmë shumë gjëra mbi karakterin tonë gjatë veprimeve tona dhe sidomos kur vallëzojmë.

Një pikë tjetër shprehëse (nëse jo më shprehësja) gjithashtu që dërgon shenja, është koka dhe sidomos fytyra. Me këtë logjikë mund të merremi pastër dhe vetëm me shprehjet e ndryshme të fytyrës, dhe mund të konkludojmë në konkluzione të ngjashme. Pra, mund ta konsiderojmë si një mikrotrup që nëpërmes drithërimave muskulore të tij, ne arrijmë të kuptojmë gëzimin, hidhërimin, qetësinë, frikën, surprizën në krahasim me të gjithë trupin tjetër, pasi kur flasim me dikë, pjesa që do të përqendrohemi më tepër është fytyra e tij për të çkoduar ato që na thotë, se sa në të gjithë pjesët e tjera të trupit. Por kjo është edhe një kurth për vetë bashkëfolësin, i cili mund të ketë stërvitur muskujt e fytyrës së tij, ndërsa i gjithë trupi i tij e përgënjeshtron.

Gjuha e Trupit tejkaloi shpejt kuadrin e kërkimeve shkencore, dhe gjeti zbatime të stërmëdha në marketingun bashkëkohor, në politikë, reklamë dhe në sociologji.

Por, leximi që mund t'i bëjë dikush mendimeve të tij, nëpërmes një ushtrimi mbi vëzhgimin e gjuhës së trupit, nuk është vetëm diçka interesante, por arrin dhe të bëhet edhe e frikshme. Sepse tregon nivelin që ne si njerëz të thjeshtë mund të bëhemi marrës dhe të mos arrijmë të balancojmë mijëra mesazhe jo verbale që marrim për çdo ditë nga njerëz ekspertë që mundohen të na imponojnë mendimet e tyre, artikujt e tyre, nëpërmes reklamave, medias, kinemasë dhe shumë mënyrave të tjera.

Por, shumë njerëz mund të pyesin veten, nëse shenjat jo verbale i kemi që në lindje apo i kemi përvetësuar, janë trashëgimtare apo u arritën me ndonje mënyrë tjetër?

Është kryer një hetim - studim nga një skuadër shkencëtarësh, duke përdorur një shumë të madhe të dhënash të mbledhura nga vëzhgimi i njerëzve të shurdhër ose të verbër, të cilët nuk do të mund t'i kishin mësuar këto shenja nëpërmes një kanali dëgjues apo shikues, dhe gjithashtu nga vëzhgimi i gjesteve të popujve të ndryshëm dhe qytetërimeve të ndryshme, por edhe nga studimi i të afërmëve më të ngushtë të njeriut siç janë majmunët. Rezultatet e këtij hetimi treguan, se disa gjeste janë të fituara më vonë dhe disa të tjera i kemi që nga lindja.

Gjithashtu, shkencëtari gjerman Eibesfeldt, zbuloi se shprehjet e buzëqeshura të fëmijëve që sapo lindin të shurdhër apo të verbër, ndodhin pa u mësuar apo imituar, pra, janë të përvetësuara.

Shumë shkencëtarë të tjerë mbështetën mendimin e Darvinit, përsa u përket shprehjeve të lindura kur ata studiuan shprehjet e fytyrës së individëve nga pesë qytetërime të ndryshëm. Dhe kështu arritën në konkluzionin se përsa u përket emocioneve bazore të individëve, mënyra e shprehjes është e njëjtë.

Për shembull kur kryqëzojmë duart tona, vëmë të djathën apo të majtën poshtë? Shumica e njerëzve nuk mund të përgjigjet saktë, nëse nuk e provon përsëri. Gjë që do të thotë se, është një veti që e kemi nga natyra. Gjithashtu, krijohet një pyetje më tepër, nëse lëvizjet tona janë veti të zotëruara nga qytetërimi në të cilin jemi rritur, apo janë nga natyra apo na janë bërë ves? Për shembull kur një njeri parakalon një femër të bukur në një rrugë të mbushur me njerëz, zakonisht ai kthen kokën pas, duke e parë përsëri atë, ndërsa femra kthehet nga ana tjetër. Ndoshta e bën në mënyrë instiktive për të mbrojtur trupin e saj, apo ndoshta i është bërë ves, duke parë femrat e tjera.

Ashtu sikurse dhe thamë më lart, disa gjeste apo pozicione në qytetërime të ndryshme mund të jenë të përbashkëta dhe të tjera jo, me pasojë të keqkuptohen nga popujt respektivë. Për shembull, shprehjet e përbashkëta janë: Kur njerëzit janë të lumtur qeshin, kur janë të mërzitur ose të nxehur janë të ngrysët. Ulja e kokës do të thotë po, e kundërta jo. Një fëmijë kthen kokën anash ose nga ana tjetër, kur të ketë mbaruar ushqimin, sikurse nëse pi nga e ëma ose jo.

Ngritja e supeve gjithashtu është një shembull i mirë i shprehjes botërore, që përdoret atëherë kur individi nuk e di ose nuk kupton se për çfarë po i flasin. Por, lëvizjet dhe gjestes ndryshojnë nga qytetërimi në qytetërim. Është i njohur shembulli me dy gishta ose V, apo edhe gjesti ok që bëjmë me, duke rrumbullakosur gishtat. Gjesti ok është përhapur në të gjitha vendet anglishtfolëse, por gjithashtu edhe në Europë dhe në Azi në disa vende mund të ketë një kuptim krejt tjetër. Për shembull, në Francë ky gjest nënkupton zero ose asgjë, në Japoni nënkupton para, dhe në disa vende të Mesdheut zakonisht nënkupton vrimë, që është mënyra që i drejtohen një mashkulli që është homoseksual.

Një gjest tjetër gjithashtu i njohur është edhe ai i ngritjes së gishtit të madh të dorës në SHBA, Australi dhe në Britani, gjest i cili ka 3 kuptime: Përdoret si shenjë për autostop, si shenjë për ok - gjithçka në rregull, dhe gjithashtu përdoret si sharje.

Gjithashtu në Itali përdorin gishtin e madh si numrin një dhe gishtin tregues si dyshin, ndërsa në Amerikë dhe në Angli përdorin gishtin tregues për njëshin dhe të mesmin për dyshin. Shenja me dy gishtat - V, që folëm më lart, në Britaninë e Madhe dhe në Australi është sharje. Ndërsa, Corcill e imponoi gjatë Luftës së Dytë Botërore si një shenjë fitoreje, por me dorën e drejtuar nga jashtë, ndërsa sharja e ka dorën e drejtuar nga ai që e bën.

Shembuj interpretimi të gjuhës së trupit:

Kryqëzimi i duarve-zakonisht nënkupton mbrojtje ose kundërsulm. Së bashku me uljen e kokës nënkupton absoluditet

Lëvizja e duarve sipas fuqisë nënkuptojnë ndjenjat respektive si për shembull, admirim, zemërim, habi, frikë.

Pozicioni embrionik - nënkupton pasiguri dhe ndjenjë rreziku

Ecje krenare me supe të ngritura, trupin drejt - nënkupton vetëbesim dhe ndjenjë mbizotërimi

Shikim i ultë - nënkupton fajësi, përpjekje fshehjeje sekretesh

Vendosje e duarve në mes - nënkupton Triumf nëse bëhet me duar, dhe zemërim nëse bëhet me grushta.

Mbështetje e kokës tek duart - nënkupton mërzitje

Mbulim i trupit me duar - nënkupton papritmësi ose shokim. Ose kur shoqërohet nga fjalë nënkupton gënjeshtër.

Ndërthurje gishtash dhe mbështetje koke - nënkupton reflektim

Kruajtje koke dhe lëvizje mekanike - nënkupton bezdisje të vogla gjatë dialogut - siklet, nervozitet, ankth dhe mendim

Sigurisht nuk duhet të harrojmë se në fjalët verbale, shumë fjalë kanë rëndësi të ndryshme dhe kështu edhe tek gjuha e trupit shumë pozicione tonat mund të keqkuptohen, sepse bazohen edhe tek faktorë të tjerë të jashtëm dhe mjedisorë. Për shembull, kryqëzimi i duarve, që zakonisht nënkupton agresivitet dhe mbyllje në vetvete, ka një tjetër kuptim kur personi ka të ftohtë.

Kryqëzimi i këmbëve konsiderohet një lëvizje e përmbajtjes seksuale kur bëhet nga femra dhe sidomos kur ky kryqëzim bëhet anash, por ndodh edhe kur njeriu është mpirë, pasi qëndron i ulur për një kohë të gjatë. Gjithashtu, në një shtrëngim duarsh, ka rëndësi se cili do ta fillojë, por edhe ka të bëjë me pozicionin e duarve, duart mund të jenë të shtrënguara fort ose lirshëm, dora e njërit lart dhe e tjetrit poshtë, që kjo nënkupton kontrollin e marrëdhënies, por edhe dikush mund të bëjë një shtrëngim duarsh të lehtë, pasi mund të vuajë nga artriti dhe mundohet të shmangë shtrëngimin e duarve që nuk do të thotë një lehtësi ndjenjash kundrejt bashkëbiseduesit të tij.

Pavarësisht se çfarë nënkuptojnë veprimet dhe gjestet, njerëzit do të vazhdojnë gjithmonë t'i përdorin ato si mjet komunikimi. Jo më kot thuhet se, një shikim apo një prekje në një moment të caktuar shpreh më shumë se njëmijë fjalë.

Përgatiti:

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers