Edukimi i të rinjve në shoqëritë tradicionale

Në shoqëritë tradicionale, edukimi dhe arsimimi i individit nuk përbënte një rast të izoluar të jetës së tij, por një gjendje që zgjaste në të gjithë jetën e individit, e cila fillonte që nga lindja e tij e mbaronte me vdekjen e tij


Në shoqëritë tradicionale, edukimi dhe arsimimi i individit nuk përbënte një rast të izoluar të jetës së tij, por një gjendje që zgjaste në të gjithë jetën e individit, e cila fillonte që nga lindja e tij e mbaronte me vdekjen e tij. Dhe ky ishte qëllimi kryesor i edukimit. Domethënë, të ndihmojë njeriun gjatë kalimit të tij në jetë, në mënyrë që të ishte sa më i ndërgjegjshëm dhe më i përgjegjshëm, por edhe ta përgatiste për braktisjen e botës fizike, nivelit të tij material, pa frikë dhe padituri.

Ky edukim nuk kufizohej vetëm në kuadro të rreptë formimi, por përqafonte të gjitha aktivitetet kulturo-shoqërore dhe ndikonte vendosshmërisht në formimin e karakterit të individit. Ishte një procedurë që, sikur thamë dhe më lart, nuk mbaronte kurrë, por aktivizonte të gjitha mundësitë shpirtërore, mendore, psikologjike dhe natyrale. Pra ishte një procedurë integrimi dhe shndërrimi rrënjësor.

Para se të merremi me temën e vetëedukimit, le të kujtojmë mësimdhëniet që ekzistonin në lidhje me qenien njerëzore në shoqëritë tradicionale. Si me udhëheqës Sintezën Shtatëshe, ashtu edhe me mësimin mbi Tre Botët, shikojmë një konceptim natyral mbi ekzistencën e njeriut dhe rolin që ka ai për të shprehur në zhvillimin dhe ecurinë e tij, por edhe në atë që i përket të gjithë krijimit.

Institucioni i Mistereve, shkollat e filozofisë dhe në përgjithësi kontakti që ekzistonte me natyrën dhe ligjet jetëdhënëse të saj, i jepnin njeriut një mundësi për të pasur një koncept sferik për Botën, koncept të cilin do ta shprehte në të gjithë sektoret e veprimeve të tij.

Platoni tek "Ligjet" flet për njeriun dhe e përshkruan si një kafshë të zbutur që, nëse merr edukimin e duhur, mund të bëhet "qënie hyjnore dhe superiore", në rast të kundërt, mund të shndërrohet në "kafshën më të egër që ekziston mbi tokë". Gjithashtu, na thotë se republika me ligjet e saj duhet të modifikojë edukimin e fëmijëve dhe të rinjve që nga vitet e para të jetës së tyre, me qëllim të vetëm, të formojë që nga mosha fëminore, njerëz virtuozë, të dhuntuar me dituri dhe drejtësi, në mënyrë që të bëhen qytetarë perfektë, të cilët do të jenë të aftë dhe të sundojnë, por edhe të sundohen drejt.

Gjithashtu, referencat e njerëzve të mençur të lashtësisë ashtu si: Pitagora, Platoni, Plutarku, por edhe nga traditat e popujve, si për shembull të indianëve, shikojmë se jepej një rëndësi shumë e madhe në momentin e shtatzanisë, në gjendjen që nga niveli fizik e deri tek ai shpirtëror i prindërve të fëmijës dhe jetës dhe përjetimeve të së ëmës gjatë periudhës së shtatzanisë.

Në shumicën e qytetërimeve tradicionale, gjejmë shumë elementë të përbashkët në jetën dhe edukimin e fëmijëve.

Kështu, shohim se deri në moshën 6-vjeçare, fëmija jeton në shtëpi, afër të ëmës ose të dados, nga të cilat merr dhe mësimet e para - pajime për jetën. Nëpërmes miteve, përrallave, lojërave, por edhe me shembullin e personave të afërt, formohej një karakter fillestar dhe kështu fillonte të konceptonte jetën.

Platoni tek "Ligjet" e tij propozon rregulla konkrete mbi edukimin e fëmijëve të moshës nga 3 - 6 vjeç. Thotë se në këtë moshë, fëmijët kanë nevojë për argëtim dhe lojëra, por është edhe momenti në të cilin duhet të mësojnë rregulla sjelljeje, një disiplinë fillestare dhe ndëshkimi, i cili nuk duhet të arrijë në ekstreme, janë disa nga gjërat që duhet të përdoren nga edukatorët. Gjithashtu thotë se të gjithë fëmijët e kësaj moshe duhet të mblidhen në tempujt e qytetit të tyre dhe të kenë një kontakt me të Shenjtën. Duhet të ekzistojë një mbikëqyrës që do të ketë përgjegjësinë dhe pushtetin për të ndëshkuar fëmijët nëse nevojitet. Deri në plotësimin e 6 viteve jetë, fëmijët duhet të ishin të gjithë së bashku. Pasi të arrijnë këtë moshë, atëherë djemtë duhet të ndahen nga vajzat. Por megjithateë, sipas Platonit, të dyja palët duhet të stërviten me armët. Djemtë do të mësojnë të kalërojnë, hark, hedhje heshtash dhe llastiqe. Ndërsa vajzat mund të ushtrohen në teori dhe në përdorimin e armëve.

Në vazhdim i referohet dy mësimeve kryesore që duhet të jepen: gjimnastikën, që ndihmon në zhvillimin e trupit dhe të trimërisë dhe muzikën, që ndihmon në kultivimin e shpirtit të njeriut. Muzikën e ndan në dy pjesë: në vallëzimin dhe mundjen. Në vallëzim duhet të bëhet një imitim i lëvizjeve që meritojnë të imitohen, ashtu sikur janë vallet me armë të Kuritëve ose të Dioskurëve. Në mundje kemi lodhjen e trupit fizik, jo me synim e vetëm fitoren, por edhe ritmin e mënyrave fisnike, forcës trupore dhe shëndetit. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se lufta ishte një gjendje shumë e zakonshme për atë epokë dhe ishte diçka natyrale që të donin të stërvitnin fëmijët, në mënyrë që të mund të mësoheshin me përplasjet, dhimbjet dhe armiqtë. Gjithashtu, fëmijët duhej të mësonin dhe të bënin shërbesa për të gjithë Perënditë, duke kalëruar të armatosur dhe duke bërë lutjet e nevojshme.

Tek "Republika" e Platonit, edukimit të rojtarëve të ardhshëm i dedikohet një pjesë e madhe. Fëmijët duhet të edukohen me mitet, muzikën dhe gjimnastikën e përshtatshme, në mënyrë që të zhvillojnë të gjitha virtytet e tyre si të: trimërisë, guximit, prudencës dhe ndjenjës së drejtësisë.

Nëse do të shqyrtonim tani sistemin e edukimit në Greqinë e lashtë, do të shohim se boshti i këtij sistemi lëviz në dypolëshin gjimnastikë - muzikë që ndikon në zhvillimin e të gjithë personalitetit të fëmijës.

Në Spartë edukimi ishte vendosur me dekretet e Likurgut. Një edukim i përbashkët për të gjithë fëmijët, që jetonin dhe edukoheshin në mënyrë kolektive nën kujdesin e shtetit. Familja nuk kishte të drejtë të edukonte fëmijën e saj ashtu si donte, pasi të arrinte moshën 7 vjeç, por deri në atë moshë kishte të drejtë të merrej vetë me fëmijën. Pas moshës 7-vjeçare, përgjegjësinë për fëmijët e kishte shteti. Nga ana letrare mësonin të domosdoshmet, pasi gati i gjithë edukimi i tyre bazohej në shërbimin absolut ushtarak të saj të shtetit të organizuar spartan.

Likurgu kishte dekretuar "Më të moshuarit spartanë duhej të mbikëqyrnin edukimin e fëmijëve". Fëmijët viheshin në ushtrime shumë të lodhshme, të cilat mbikëqyrnin Pedonomet, qytetarë të Spartës që kishin dalluar për guximin, trimërinë dhe jetën e tyre virtuoze.

Fitimi i virtyteve luftarake ashtu si trimëria, vetësakrifikimi, disiplina, rezistenca kundrejt lodhjes, urisë, etjes, pritja, prudenca, respekti kundrejt qeveritësve dhe më të moshuarve, por akoma dhe ushtrimi i tyre në dinakëri, ishin disa nga qëllimet e këtij edukimi kolektiv. Ksenofoni shkruan se, Likurgu u lejonte fëmijëve të organizonin vjedhje ushqimesh, pasi me qëllim nuk i ushqenin mjaftueshëm në mencat e përbashkëta. Kështu mësoheshin të vigjilonin netëve, të bëjnë prita, të mashtrojnë në mënyrë që të arrijnë të vjedhin ushqimet. Kështu zhvillonin një aftësi të madhe sajimi që do t'i ndihmonte gjatë jetës së tyre si të rritur.

I ngjashëm ishte edhe edukimi i vajzave në Spartë. Ushtrimi i tyre në ndeshjet e mundjes, heshtave, vrapimi, deri në moshën 20-vjeçar (para martesës) dhe zhvillimi i ndjenjës së nderit dhe të detyrës, kishte si qëllim të bëheshin të shëndetshme dhe të fuqishme, në mënyrë që të ishin të afta t'i ofronin shoqërisë qytetare të denjë.

Në Athinë për edukimin fillestar, që ishte privat, ekzistonin shkollat inferiore të quajturat Didaskalite ose Mësimtoret. Ekzistonin Gramatikët që jepnin mësimet e shkrimit dhe të leximit, Kitaristët që u mësonin muzikën, Pedotrivet që u mësonin gjimnastikën, Kritikët që kishin përgjegjësinë e interpretimit të teksteve të lashtë dhe Aritmetikët dhe Gjeometret që u mësonin elementët fillestarë të aritmetikës dhe të gjeometrisë. Nuk ekzistonte ndonjë dekret i shtetit që të modifikonte këto programe mësimdhënieje, pasi ato bazoheshin tek traditat. Qëllimi i këtyre programeve mësimesh ishte shpalosja harmonike e moralit të fëmijës dhe rolin kryesor në këtë sektor e kryente leximi dhe mësimi përmendësh i poezive dhe miteve shembullore.

Mbi temën e miteve, Platoni bën një referim të gjerë tek "Republika" e tij, dhe thotë se është një përgjegjësi e menjëhershme e qeveritarëve të zgjedhin se cilët nga mitet do të mësojnë fëmijët në mënyrë që, që nga mosha fëminore të fillojë dhe të ndërtohet një karakter virtuoz, që më vonë të jetë një i rritur dhe qytetar virtuoz. Dhe mitet që do të pranohen, duhet të detyrohen dadot e fëmijëve dhe nënat që t'jua thonë fëmijëve në mënyrë që të fillojnë të ndërtojnë me to shpirtrat e tyre, që është shumë më e rëndësishme se sa ndërtimi i trupave me duart e tyre.

Gjithashtu, nuk aprovon mësimin e detyrueshëm të fëmijëve, duke thënë se nuk mund të mësojmë me një mënyrë skllavërore njerëzit e lirë. Këshillon që fëmijët duhet të mësojnë me një mënyrë të këndshme, duke luajtur, në mënyrë që edukatori të mund të dallojë prirjet natyrale të çdo fëmije. Jep shumë më tepër rëndësi në edukimin muzikor të fëmijëve, pasi me këtë lloj edukimi, shpirti fiton ritëm dhe harmoni, përjeton bukurinë e natyrës dhe të vetvetes dhe bëhet "njeri dashamirës".

Njerëzit, për të dalë me sukses në jetën e tyre, për të qenë të dobishëm kundrejt shoqërisë dhe qytetarë të mirë, kanë nevojë që të kenë rregull, ritëm dhe harmoni në mendimet e tyre, në fjalët dhe në veprat e tyre. Këto elementë i jep muzika. Për këtë arsye, fëmijëve u nevojitet edukimi mbi këto elementë.

Gjimnastika nga ana tjetër ka të njëjtin rol edukues në lidhje me trupin, të cilin duhet të forcojë dhe ta drejtojë drejt trimërisë, por edhe gjithashtu ruante të rinjtë nga shtrembërimet etike.

Plutarku më vonë në librin "Mbi edukimin e fëmijëve", i jep një rëndësi të veçantë shembullit personal që duhet t'u japin të rriturit fëmijëve. Mësuesit që marrin përsipër edukimin, na thotë, duhet të jenë njerëz pa dobësi dhe t'ju frymëzojnë fëmijëve respekt dhe prirje për të imituar jetën e edukatorëve të tyre, që duhet të jetë virtuoze në të gjitha drejtimet.

Na thotë tre elementët që duhet të bashkëekzistojnë për një jetë absolute virtuoze, që janë: natyra, vesi dhe logjika, që u korrespondojnë tre botëve, të trupit, të psikisë dhe të mendjes.

"… Pasi natyra pa përgatitjen shpirtërore është diçka e verbër, por edhe përgatitja shpirtërore pa natyrën është e mangët dhe ushtrimi pa asnjërën nga të dyja është diçka e kotë. Ashtu sikur ndodh me bujqësinë, që fillimisht toka duhet të jetë pjellore dhe pastaj kultivuesi duhet të dijë, dhe më pas farat duhet të jenë pjellore dhe me të njëjtën mënyrë toka ngjan me natyrën, edukatori ngjan me bujkun, dhe farat me mësimet këshilluese dhe udhëzimet".

Gjithashtu, thekson se qendra dhe qëllimi i edukimit duhet të jetë filozofia, që është i vetmi ilaç efikas për sëmundjet dhe pasionet e Shpirtit.

Në Kretën Minoite shikojmë një sistem edukues të ngjashëm me atë të qyteteve të tjera greke, sistem i cili përbëhej nga 3 cikle. Cikli i parë kishte të bënte me edukimin e fëmijëve, përmbante mësimin e gjuhës, të shkrimit, muzikës dhe vizatimit. Dy ciklet e tjera kishin të bënin me mosha më të mëdha, që nga adoleshenca e më tej dhe përmbanin matematikë, astronomi, arkitektonikë, simbolologji, mjekësi - ilaçologji.

Në ciklin e parë, një vend shumë të rëndësishëm kishin hymnet që ftonin ose hymnonin Perënditë, epopetë e heronjëve dhe këngët mortore ose të gëzuara.

Mjedisi familjar, ashtu si dhe ai shoqëror, kishte një influencë të madhe mbi minoitet e rinj dhe kështu ekzistonte një respekt i madh kundrejt të moshuarve, që kishin përgjegjësinë e edukimit të fëmijëve. Kreta kishte një qytetërim ku edukimi i djemve dhe vajzave ishte pak a shumë i njëjtë. Kështu, përveç mësimeve teorike, në hark, gjueti, në përdorimin e armëve, vallëzime të shenjta, vrapime, ndeshje me kuaj, mundje dhe boks.

Ekzistonin "Pedagogjikët" në të cilat fëmijët u initaciononin në të gjitha aktivitetet shoqëroro - politike të komunitetit dhe bëhej sipas sektorëve të veprimit të çdo klase shoqërore dhe zejtarie profesionale.

Nëpërmes procedurash të veçanta initacionuese të kalimit nga mosha fëminore në adoleshencë dhe më pas në ciklin e të rriturve, individi duhej të shndërrohej në një pjesë perfekte dhe aktive të shoqërisë. Në Kretë, paralelisht me zejtaritë e shenjta të Ciklopëve, Daktileve dhe të Kuritëve për initacionimin e burrave, ekzistonin dhe vëllazëritë e shenjta të Egjeve, Arkteve dhe të Bletëve, për initacionimin e femrave.

Në Egjipt, ashtu si edhe në të gjithë popujt e Lindjes, ekzistonte Këshilli Klerikal, i cili kishte përgjegjësinë e edukimit të fëmijëve.

Njohja e leximit dhe të shkrimit ishte njohuria kryesore në shkollat e Zyrtarëve, e cila përbënte dhe një klasë shoqërore. Paralelisht merrnin mësime matematike, letrare, muzikë dhe gjimnastikë. Edukimi merrte sidomos formën e këshillave prindërore. Mësuesi me nxënësin kishin një lidhje që i ngjante lidhjes prindër - fëmijë.

Fëmijët e familjeve aristokrate kishin edukatorin e tyre, ndërsa në familjet e varfëra, ishte babai ai i cili u mësonte fëmijëve profesionin e tij dhe nëna ajo e cila kishte përgjegjësinë për përgatitjen e të bijave për moshën e rritur të tyre. Shkolla egjiptiane ishte e lidhur ngushtë me konceptet dhe adhurimet fetare, ashtu si edhe çdo aktivitet tjetër i egjiptianëve, që kishin aftësinë e të dalluarit të Zotit në gjithçka që kishin përreth.

Edukimi kishte si qëllim për të përgatitur klerikët e ardhshëm, zyrtarët më të lartë drejtues, shkruesit dhe shkencëtarët. Fëmijët pas testeve të gjata hynin në moshën 10-vjeçare në shkollat e ndryshme, ku studionin deri në moshën e adoleshencës.

Duke kaluar nga kontinenti amerikan dhe më konkretisht në qytetërimin e Inkas, shikojmë se edukimi ishte i ndryshëm për çdo klasë shoqërore. Fisnikët edukoheshin në Yachaihuasis (Shtëpitë e Dijes) që kishin të bënin me djemtë. Dhe në Acclahuasis (Shtëpitë e Virgjëreshave Diellore) edukoheshin vajzat. Aty përgatiteshin të rinjtë, që në të ardhmen do të ndihmonin në qeverisjen e Perandorisë. Studimet zgjasnin 4 vite. Jepej me shumë rëndësi filozofisë, teologjisë, politikës dhe qeverisjes së popujve. Gjeografia, matematika, mekanika dhe financa ishin gjithashtu lëndë të rëndësishme. Për formimin e karakterit ekzistonin mësimet e muzikës, poezisë dhe teatrit.

Klasat popullore merrnin edukimin e tyre nga prindërit. Kur ata venin në punë, pleqtë e komunitetit merrnin përsipër fëmijët dhe kishin të drejtë t'i ndëshkonin, t'i korigjonin dhe t'i këshillonin. Më vonë, mësuesi i armëve u jepte një edukim paraushtarak djemve, ku njëkohësisht ata punonin në ara dhe ofronin shërbimet e tyre komunitetit.

Në Amerikën Veriore edukimi merr një karakter pak më ndryshe, për arsye të ndërtimit dhe të organizimit të fiseve që nuk janë shtete të organizuara si ato që kemi parë deri tani.

Indiani shprehet nëpërmes jetës së tij, zakonet dhe tradita e tij, virtyte si ai i lirisë dhe i kontaktit të tij të menjëhershëm me natyrën. Kupton vetveten si një pjesë të pandarë të natyrës dhe shikon gjithkund përreth tij shprehjen e një qënieje superiore, të Zotit.

Në të gjithë fiset indiane, prindërit u jepnin një kujdes dhe një dashuri të madhe fëmijëve të tyre. Babai përgatiste një djep druri, i cili destinohej të bëhej krevati i lëvizshëm i foshnjes deri sa të arrinte të ecte.

Papuze (femija), kishte fillimisht një emër fëminor, të cilin më vonë e ndërronte me emrin që do të mbante në të gjithë jetën e tij. Ketë emër e merrte në betejën e tij të parë dhe ky emër shfaqte karakterin dhe mënyrën me të cilën përballoi vështirësitë e kësaj beteje.

Kishin lojëra të ndryshme për djemtë, kalërim dhe qitje, ndërsa për vajzat, kukulla, imitime të nënave dhe përgatitje për marrjen e përgjegjësisë së familjes së tyre. Gjithashtu, mësonin not dhe vozitje.

Në shumë fise ekzistonin disa statuja të vogla që shfaqnin perëndi, të cilat shpërndaheshin në rituale të caktuara dhe kështu traditat e shenjta të fisit, nguliten thellë në zemrën e fëmijëve.

Është gabim nëse mendojmë se fëmijëve të indianëve u mungonte një udhëheqje superiore. Një gjë e tillë realizohej me anë të leksioneve etike, ndërsa ndëshkimi trupor ishte jashtëzakonisht i rrallë.

Rëndësi e madhe i jepej gjahut dhe stërvitjes luftarake, pasi të dyja ishin pjesë të pandara të jetës dhe të mbijetesës së tyre. Që të vegjël mësonin veset e kafshëve dhe mënyrën me të cilën mund të zbulonin gjurmët e tyre. Mund të ndiqnin një kafshë me orë të tëra me këmbëngulje dhe durim deri sa të arrinin ta fusnin në kurth.

Rreth moshës 15-vjeçare, djemtë merrnin përsipër një agjerim dhe një pagjumësi vetmuese, gjatë së cilës udhëzoheshin nga totemi i tij, ose shpirti magjik, në lidhje me ecurinë e tij të ardhshme. Edhe vajzat kalonin një test të ngjashëm në moshën trembëdhjetë-vjeçare, që shënjon kalimin në ciklin e të rriturve.

Duke plotësuar kalimin në disa nga qytetërimet më të rëndësishëm dhe karakteristike të lashtësisë, të bazuar në modele tradicionale zhvillimi, shikojmë shumë ngjashmëri në sektorin e edukimit.

Ndoshta më e rëndësishmja që mund të theksojmë, është se fëmija që nga mosha fëminore e tij duhet të përjetojë ato elementë, të cilët do ta ndihmojnë dhe do ta nxisin për t'u bërë një qytetar i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm.

Edukimi, ashtu sikur thamë dhe më lart, kishte të bënte me të gjithë personalitetin e individit, me qëllim për ta përgatitur atë të pranojë në momentin e përshtatshëm, nëpërmes testeve të stilit initacionant, shpirtin.

Në shoqëritë e sotme, të cilat nuk janë tradicionale, si edukim nënkuptohet grumbullimi i informacioneve mendore që nuk e ndihmojnë njeriun në asgjë mbi zhvillimin e tij, por përkundrazi, e udhëheqin në rrugë qorre të modelit individual, por edhe kolektiv.

Filozofët e lashtë thonin se dituria është dritë dhe se drita mund errësirat. Vetëm në këtë mënyrë dhe me këtë lloj edukimi, errësirat e vetes sonë shtazore (Uni Kafshësor) mund të shndërrohen në një shkëlqim të ndërgjegjes tek të gjithë qytetarët.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers