Copëza historie


A u dëmtua Perandoria Romake nga ndryshimi i klimës?

Një studim i botuar kohët e fundit mbi klimën ka nxitur disa studiues që të bëjnë pyetjen: a mos vallë Perandoria Romake (dhe mishërimi i saj i mëvonshëm në Perandorinë Bizantine) filloi tatëpjetën për shkak të ndryshimeve të klimës? Studimi nxjerr sidomos në pah faktin që klima ka qenë shumë e thatë sidomos në mes viteve 100 dhe 400 të erës së re, një epokë që shpesh herë lidhet me rënien e Perandorisë Romake Perëndimore. Një pretendim i ngjashëm është hedhur edhe për tokat bizantine. Siç thotë profesori i Universitetit të Uiskonsinit, John Valley, "nuk dihet nëse kjo i ka dobësuar bizantinët, por gjithësesi është një korrelacion interesant. Ajo që dimë është se këto gjëra po ndodhnin pikërisht në atë kohë kur ndodhën ata ndryshime historikë". Për rënien e Perandorisë Romake janë bërë fajtorë një sërë ngjarjesh, duke përfshirë pushtimet e barbarëve dhe nuk tingëllon e paarsyeshme që të shtohet edhe një tjetër shkak në përzierjen shumë të komplikuar, gjithmonë sa kohë që askush nuk thotë se ndryshimi i klimës ishte i vetmi shkak, gjë që do të tingëllonte jorealiste.

Shkatërrim i planifikuar në Moskë

Kur Napoleoni marshoi në brendësi të Moskës në vitin 1812, ai e gjeti qytetin në flakë, një dhuratë kjo nga popullsia që kish marrë arratinë dhe që ishte e vendosur ta mundte atë. Nëse forcat e Hitlerit do të kishin mundur të hynin në Moskë në vitin 1941, ai do të kishte zbuluar se më shumë se 1200 ndërtesa do të ishin hedhur në erë, me qëllim nga forcat ruse për të shkatërruar infrastrukturën, si dhe për të eleminuar pika të famshme të qytetit. Me sa duket Stalini dhe ndihmësit e tij janë ndikuar prej vendimit të epokës Napoleonike për ta bërë Moskën të pabanueshme, atëherë për Napoleonin dhe tani për forcat hitleriane. Në fund, sigurisht, forcat e Hitlerit u ndalën disa kilometra larg Moskës, por më pas prej aty u sprapsën deri në Berlin.

"Bombarduesi shigjetë"

Në vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania naziste u vu në një kërkim të dëshpëruar për një armë, e cila do të kthente luftën në favorin e saj. Shumë vramendje prodhuan ide nga më të shumëllojshmet, me të cilat ne sot e kemi shumë të lehtë të tallemi (jo se Aleatët kishin imunitet nga idetë e çuditshme në kërkimin e tyre për diçka të dobishme) dhe një prej këtyre ideve është vënë shumë në lojë nga mediat këtë javë që po mbyllet. Në vitin 1945, ushtarët e aleatëve në ndërtesën e Kancelarisë së Rajhut arritën të shtien në dorë skica të bëra me laps për një lloj të ri sistemi bombardimi, një ku një bombë 1000 kilogramë telekomandohej drejt shënjestrës përmes një avioni pa motorr të ngjitur tek maja. Më pas, orientuesi do të shkëputej nga predha përmes një balone që hapej në çast. Tingëllon, dhe ndoshta ishte, një projekt i lindur nga një miks dëshpërimi dhe imagjinate. Skicat do të shiten në ankand në një vlerë fillestare prej 3000 stërlinash.

Denoncimet në Francën e Luftës së Dytë

Një konferencë e kohëve të fundit në Francë theu një tabu duke diskutuar çështjen e denoncimeve në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Organizatori dhe historiani Laurent Joly tha se kjo konferencë nuk mund të ish mbajtur as dhjetë vjet më parë, pasi kjo temë - njerëzit që denonconin të tjerë gjatë regjimeve nazistë apo të Vishisë - vazhdonte të injorohej në Francë. Studimi nxirrte në dukje faktin se deri në një milion qytetarë francezë kishin spiunuar një tjetër për arsye shumë të vockëla si xhelozia dhe një përqindje shumë e vogël spiunoi për prani hebrenjsh, një formë denoncimi kjo që lidhet më shpesh me nazistët. Shembujt e dhënë përfshinin një burrë që kishte denoncuar djalin me të cilin donte të martohej e bija për arsye se nuk ishte dakord, si dhe njerëz që denonconin bashkëshortët e të dashurave të tyre.

Kaseta dhe dokumente të tjerë të Niksonit

Të martën e 2 dhjetorit 2008, Arkiva Kombëtare e SHBA nxori afro 200 orë biseda të rregjistruara dhe 90 mijë faqe dokumente, që lidhen me ish-Presidentin Richard Nixon. Duke qenë se, si kasetat ashtu edhe dokumentet kanë qenë mbajtur sekret, kjo ishte hera e parë që publiku kishte akses në këtë lloj informacioni. Kasetat, të krijuara përmes një rregjistruesi që aktivizohej me zë dhe i fshehur në Zyrën Ovale, mbulojnë periudhën mes nëntorit 1972 dhe janarit 1973. Përveç se një sërë sharjesh, kasetat zbulojnë edhe disa prej mendimeve të Nixonit, si dhe shqetësimeve të tij në lidhje me luftën në Vietnam, duke përfshirë edhe pyetjen e famshme: "Ne po i ndëshkojmë keqas, apo jo"?

Google rikthehet në Romën e lashtë

Google i ka shtuar një shtresë të re programit të vet shumë të suksesshëm, Google Earth. Tashmë çdokush që ka të instakluar programin dhe që posedon një linjë interneti mund të kryejë një udhëtim virtual në të gjithë qytetin e lashtë të Romës, ashtu si ai ka qenë në vitin 320, me ndërtesat më të rëndësishme në vendin e duhur, madje edhe me disa arredimeve të brendshme të disa prej tyre të disponueshëm për t'u parë nga të interesuarit. Zonat më të rëndësishme janë të shoqëruara me tekste shpjegues. Google ka nxjerrë tashmë një video demonstruese për njerëzit që duan ta shohin përpara se të shkarkojnë Google Earth.

Monument për dezertorët e Luftës së Parë

Gjatë Luftës së Parë Botërore, kishte shumë ushtarë që nuk mund të duronin më gjakderdhjen dhe që braktisnin fushëbetejën. Për të mos lejuar dezertimet në masë, liderët e ushtrive urdhëronin ekzekutimin e të gjithë dezertorëve, si një masë për të paralajmëruar të tjerët që mund të mendonin të ndiqnin shembullin e shokëve. Ndonëse një përqindje e vogël dezertorësh u penguan, më shumë se 1000 prej tyre u penguan dhe më pas u pushkatuan nga një skuadër pushkatimi. Në një përpjekje për të përkujtuar këta të rënë, një monument i ri është ngritur në fshatin Poperinge, shumë pranë Ypres në Belgjikë. Monumenti është ndërtuar jo për t'i bërë homazh dezertimit, por si një përkujtesë e horroreve të luftës.

Google+ Followers