Biokarburantet, një opsion i mundshëm?

Janë të nevojshëm standarde mjedisore, përpara se industria të dalë nga faza e kërkimit dhe zhvillimit


Biokarburantet nuk janë një opsion që duhen skartuar a priori. Steven Koonin, drejtor shkencor i kompanisë BP, nuk është i vetmi që thekson se ekzistojnë marzhe të mëdha përmirësimi në shfrytëzimin e të korrave për të prodhuar energji alternative ndaj asaj të naftës apo të burimeve të tjera më ndotës. Këtë javë, në një artikull tek "Science", një grup kërkuesish të dëgjuar bëjnë përmbledhjen e situatës, duke analizuar në mënyrë të veçantë panoramën amerikane. "Janë të nevojshëm standarde mjedisore, përpara se industria të dalë nga faza e kërkimit dhe zhvillimit", deklaron Phil Robertson i Michigan State University, i cili merret me shkencën e drithërave dhe të truallit. "Me standarde prodhimi dhe programe stimulimi, sistemet e kultivimit të biokarburantëve mund të sigurojnë benefice mjedisore". Aktualisht, i gjithë etanoli i prodhuar në Shtetet e Bashkuara vjen nga drithërat, kryesisht nga misri. Por për nga mënyra sesi menaxhohen sot këto sisteme kultivimi intensiv, përbëjnë një kërcënim mjedisor. Si drejtor i programit Msu Long-Term Ecological Research në Kellogg Biological Station, pjesë e studimeve të Robertson përqendrohen mbi lloje të reja menaxhimi, të cilat mund ta frenojnë këtë efekt negativ. "Mund ta lehtësojmë impaktin mjedisor duke përdorur strategji të ndryshme, si kultivimet që minimizojnë erozionin, kapjen e karbonit dhe frenojnë humbjen e azotit dhe të fosforit nga ana e terrenit", shpjegon studiuesi. "Po pak fermerë i përdorin të gjitha praktikat më të mira të disponueshme, pasi ka pak stimulues - dhe shumë distimulues - për ta bërë këtë. Dora dorës që përsoset dhe komercializohet teknologjia për të prodhuar biokarburant nga celuloza, besojmë se është e domosdoshme që industria dhe ligjvënësit të adoptojnë politika që të rikompensojnë praktika prodhimi ambientalisht të mbështetshëm për biokarburantin me bazë celuloze. Masa të ngjashme janë të nevojshme për sistemet e bazuara mbi drithërat". Ata që e nënvizojnë këtë nevojë janë 23 studiues të famshëm: ekspertë në fusha të ndryshme, nga ekologjia tek agronomia, nga konservimi i mjedisit tek ekonomia. I kanë bashkuar zërat e tyre në një artikull që është frut diskutimesh të mbajtura këtë pranverë, gjatë takimit lidhur me mbështetshmërinë ambientale të biokarburantëve, i sponsorizuar nga Ecological Society of America. "Ka qenë një përpjekje reale bashkëpunimi", shton Robertson. "Ekzistojnë opinione shkencore të forta dhe divergjuese lidhur me mbështetshërinë e sistemeve të kultivimit të biokarburantëve. Është për t'u nënvizuar se ky grup, me bekgraundet dhe përvojat profesionale të tij të ndryshme, ka arritur të mbërrijë në një konsensus të caktuar. Politikanët duhet ta mbajnë parasysh". Problemi i biokarburantëve duhet analizuar në aspekte të ndryshme, shpjegojnë studiuesit në artikullin e tyre. Nga njëra anë, zënia e tokës për kultivime të destinuara për biokarburantët e rëndin debitin e karbonit. Nga ana tjetër, edhe një menaxhim më intensiv i terreneve dhe një rritje e sasisë së biomasës të nxjerrë nuk bën gjë tjetër veçse i acaron më tej problemet mjedisore tashmë ekzistuese: erozion të truallit, humbje azoti dhe fosfori, rënie biodiversiteti, keqësimi i cilësisë së ujit dhe ajrit. Në artikull vihen në pah disa veprime të mundshme për t'i kundërshtuar këto fenomene, si për shembull përdorimin e teknologjive të para të plehërimit apo rotacionin e kulturave të ndryshme dhe përfshirjen e pjesëve të habitatit jo të menaxhuar, që mund t'i mbështesin më mirë si polenizuesit dhe insekte të tjerë të vlefshëm, ashtu si dhe një sasi të caktuar të faunës së egër. Edhe gjenetika mund të japë një dorë, duke reduktuar nevojën për pesticide dhe duke rritur tolerancën ndaj stresit, duke rregulluar veç të tjerash përdorimin e ujit dhe të ushqyesve. Por, siç nënvizon Steven Koonin, është politika ajo që duhet të përcaktojë rregullat e lojës, të cilave kompanitë dhe prodhuesit të mund t'u përshtaten me efikasitet dhe shpejtësi. Por pa vendimet e duhura nga lart nuk lëvizet një milimetër. Duhen stimulues dhe duhen ligje të përshtatshme. Nëqoftëse vërtet në të ardhmen një pjesë e madhe e energjisë do të sigurohet nga biokarburantët, do të duhet shumë truall, aq sa për ta ndryshuar thellësisht peisazhin tokësor. Duhet një perspektivë globale për të ruajtur ekuilibrin e duhur. "Politika që lejojnë një mbështetshmëri afatgjatë të territorit dhe të atmosferës janë thelbësore, nëqoftëse duam të ndërmarrim një ekonomi me pak karbon më të mirë se ajo ekzistuese sot", theksojnë ekspertët në artikullin e tyre. Natyrisht që trojet e destinuara për kulturën e celulozës për biokarburantët mund të jenë ato më marxhinalet, duke ia lënë prodhimit të ushqimit terrenet më produktive. Ama nuk duhet harruar se këto zona shpesh janë edhe ndër më të pasurat me biodiversitet dhe, veç të tjerash, mund të kërkojnë një furnizim më të madh me ushqyes dhe ujë për të bërë që prodhimi të jetë ekonomikisht i përshtatshëm. Pika të tjera për t'u mbajtur parasysh kanë të bëjnë me zgjedhjen midis mono dhe polikulturave: nëqoftëse të parat janë të favorshme ekonomikisht, ato reduktojnë biodiversitetin. Problemet nuk janë të pakta: disa kultivime biokarburante janë ekzotike (dhe kështu që nuk është e këshillueshme të futen), të tjera janë agresore. Së fundi, një heqje e tepruar e mbeturinave do të privojë truallin nga karboni, do të rrisë erozionin dhe do të reduktojë pjellorinë e tij.

Si konkluzion, ka nevojë të madhe për kërkime që të përqendrohen mbi një seri pikash të rëndësishme. Në radhë të parë, të përcaktohet impakti i prodhimit të biokarburantëve ndaj ekosistemeve të ndryshëm, edhe ndaj atyre që ndodhen më larg. Pastaj një analizë të shërbimeve të lidhur me ekosistemet (përfshi ato që bazohen mbi biodiversitetin), për të dhënë informacionin e nevojshëm për zhvillimin e një menaxhimi të terrenit që përmbush nevojat e ndryshme. Së fundi, një kuptim të implikacioneve të politikës dhe të praktikave menaxhuese në shkallë hapësinore të ndryshme. "Sot kemi njohje të mjaftueshme për të vendosur standarde dhe si industria, ashtu dhe mjedisi do të nxjerrin përfitime nga një identifikim dhe përpunim i shpejtë i këtyre standardeve", shkruajnë kërkuesit. "Sistemet për një prodhim të mbështetshëm të biokarburantëve mund të luajnë një rol tejet pozitiv në zbutjen e ndryshimit klimaterik, promovimin e cilësisë mjedisore dhe për të forcuar ekonominë globale, por do të duhej një politikë e shëndoshë, e bazuar mbi të dhëna shkencore dhe një përpjekje e mëtejshme për ta arritur një objektiv të tillë".

Nga fundi i viteve '70-të rënia e çmimeve të naftës ndihmoi që të vritej alternativa ndaj energjisë së gjelbër

Basti i gjelbër

Nga fundi i viteve '70-të rënia e çmimeve të naftës ndihmoi që të vritej alternativa ndaj energjisë së gjelbër. Për pasojë, rritja e çmimeve e kombinuar me pothuajse ngrirjen e tregjeve të kredive dhe me një kuadër të trishtuar ekonomik projekton një shkretëtirë përsa i përket tregut të energjive alternative të sotme. Megjithatë, preokupimet për ngrohjen globale dhe sigurinë energjitike mund të vepronin në mënyrë të tillë që energjia alternative të mbesë një perspektivë e mirë për investimet e ardhshme. Në muajt e kaluar, kriza e kredive është shoqëruar nga një rënie e ngutshme e çmimit të naftës, e cila ka arritur pikun e 150 dollarëve për fuçi në mes të korrikut. Të dhënat e New Energy Finance, një kompani kërkimesh tregu me bazë në Londër, tregojnë se kompanitë për energjinë alternative kanë marrë 13 miliard dollarë në investime aksionare dhe spekullime nga fillimi i vitit dhe për pjesën më të madhe të 2008: më shumë se 9.8 miliard dollarë të investuar në të gjithë vitin 2007. Por këto numra kanë filluar të zbresin: midis katërmujorit të dytë dhe të tretë të vitit shpenzimet për projekte në shkallë të gjerë kanë rënë nga 23.8 miliard dollarët e katërmujorit të dytë në 17.7 miliard dollarët e katërmujorit të tretë dhe në këtë katërmujor e në periudhën e mëpasme priten shifra më të ulta. Kjo dëshmon rreziqet relative të kompanive të ndryshme për energjinë e rinovueshme, sipas Travis Bradford, themelues dhe President i Prometheus Institute for Sustainable Development me bazë në Cambridge. Bradford thotë se në veçanti kompanitë e biokarburantëve përballojnë një seri më komplekse problemesh se kompanitë e tjera për energjinë alternative. Rreziku për këto kompani është më i keq, thotë ai, pasi "nuk e di se sa do të jetë kostoja e të korrave të tua për 20 vitet e ardhshme dhe nuk e di se cili do të jetë çmimi i naftës dhe i gazit". Një zëdhënës i AE Biofuels me bazë në Cupertino, që merret si me etanol, ashtu dhe me teknologji për prodhimin e etanolit nga celuloza, pranon se "ky treg i frikshëm financiar... do ta godasë përfundimisht aftësinë për të financuar çdo aktivitet". Kurse Ethan Zindler, drejtor i kërkimeve amerikanoveriore për New Energy Finance, vëren se kompanitë e etanolit nga celuloza janë tashmë duke përballuar probleme, pasi teknologjia e tyre nuk provohet dhe pse tregu i naftës që shpresojnë të shkatërrojnë është tejet volatil. "Nuk bëhet fjalë për një fakt të ri", thotë ai. "Ka qenë problem për kë prodhonte etanolin nga celuloza dhe ka mundësi do të vazhdojë të mbetet i tillë (pasi kjo krizë do të mbarojë)". Vëzhguesit theksojnë se dy gjëra e bëjnë situatën aktuale të ndryshme nga vitet '70-të. Në radhë të parë, gjepolitika ka bërë që energjia e pastër dhe siguria energjitike të bëheshin një prioritet për shumë vende, përfshi Shtetet e Bashkuara. Në radhë të dytë, teknologjitë për energjinë alternative janë tani shumë më të mira. Rëndësia e pavarësisë nga nafta shpejt mund të nënvizohet nga raporti i fundit World Energy Outlook i International Energy Agency (IEA), që mendohet se do të tregojë që prodhimi i naftës mund të bjerë më me shpejtësi nga sa mendohej më parë, veç në mos bëhen investime të reja. Rëndësia e energjisë së rinovueshme për Shtetet e Bashkuara pasqyrohet tashmë në përfshirjen e qeverisë në energjinë e rinovueshme, përfshi si mandatet shtetërore dhe federale për përdorimin e energjisë alternative, ashtu si dhe subvencionimet dhe kreditë me taksa. Charles Gassenheimer, zëdhënës dhe kryemenaxher i Ener1, që prodhon bateri me jone litiumi për tregun automobilistik, thotë se kompania ka vendosur që ta zgjerojë kapacitetin e impianteve të rinj të Indianapolis për të plotësuar kërkesën në rritje. "Të gjitha kompanitë kryesore automobilistike kanë marrë vendimin strategjik për të vazhduar (me bateritë)", thotë ai. Kjo duhet të prodhojë pak rreziqe krahasuar me kompani të tjera të energjisë alternative, por duke parë se tregu i kredive është tharë, Ener1 do të përdorë në fakt një program huashë të sponsorizuara nga Departamenti i Energjisë. Muajt e ardhshëm nuk do të jenë të lehtë për kompanitë e energjive alternative, sidomos ato që kanë arritur gjendjen në të cilën kanë nevojë për disa qindra milion dollarë investime, por kjo nuk do të thotë se gjërat do të arrijnë të ndalen. "Projektet më të mirë do të realizohen", pohon Erik Straser, një partner i Mohr Davidow Ventures, "por me një përzgjedhje të rreptë". "Mendohet se edhe industritë e energjisë diellore, më të qëndrueshme, do të hasin probleme. Zindler thekson se tentohet të financohen projektet diellore në shkallë të gjerë me tax equity, gjë që nënkupton se bankat kanë investuar në shkëmbim të kredive me taksë për të kompensuar fitimet e tyre. Por bankat që nuk bëjnë fitime nuk kanë nevojë për këto kredi, kështu që Zindler pret "një shkatërrim të përkohshëm" në treg, deri kur kompanitë të mos fillojnë të financojnë projekte diellore. Një ngushëllim është ai që kompanitë e energjisë së rinovueshme nuk janë të vetmet që ndeshin probleme financiare. "Nëqoftëse dëshirohet të ndërtohet një impiant me qymyr, është i njëjti problem (për të gjetur kapitale)", shpjegon Ron Pernick, themelues dhe drejtor i Clean Edge, një kompani kërkuese teknologjish të pastra me bazë në San Francisco. "Nuk është fundi i botës", shton Zindler. "Është shkatërrimi i tregut dhe më të vegjëlit do t'i shesin pronat e tyre ose veten atyre më të mëdhenjve".

Brazili pikërisht tani importon ndoshta 1 milion gallonë etanol në vit në Shtetet e Bashkuara

Politika përcakton rregullat

Pas pothuajse 30 vjetësh në Caltech si pedagog i Fizikës Teorike dhe, në të njëjtën kohë edhe rektor, Steven Koonin ka marrë një pauzë në vitin 2004 për t'u bërë edhe drejtor shkencor i BP-së (njërës prej kompanive më të mëdha të energjisë në botë). Pas një viti studim, ka këshilluar një strategji për kompaninë që ka përfshirë investime në burime nafte jokonvencionale, ashtu si dhe në energji të rinovueshme, si ajo diellore. Kompania ka investuar 500 milion dollarë në kërkimet lidhur me biokarburantet. Kjo intervistë është bërë me Koonin pas diskutimit të tij në konferencën EmTech për të diskutuar strategjinë e BP-së dhe nëse do të jetë e mundur të plotësohen nevojat energjitike botërore.

- BP-ja ka investuar shumë para në kërkimin lidhur me biokarburantet, por kohët e fundit kanë qenë objekt kritikash: ekspertët theksojnë se kanë kontribuar në rritjen e çmimeve. Sa mund të mbështetemi mbi biokarburantet?

Departamenti i Energjisë dhe Departamenti i Bujqësisë kanë kryer një studim disa vite më parë që thotë se me biomasën e prodhuar në vend, ka mundësi që të plotësohet 30 përqind e kërkesës aktuale për naftë pa impakte të konsiderueshëm mjedisorë apo ndryshime përsa i përket ushqimit. Kjo kërkon një përdorim më të mirë të mbeturinave të bujqësisë, një menaxhim më të mirë të pyjeve dhe të përdorimit të produkteve të pyjeve dhe një pjesë të caktuar të kulturave për energjinë. Pjesa më e madhe e kulturave që rrisim sot i kushtohen ushqimit dhe janë përshtatur për të maksimalizuar të korrat ushqimore. Akoma nuk kemi filluar t'i maksimalizojmë kulturat për energjinë, të maksimalizojmë prodhimin e biomasës për akër në vit, në kundërshtim nga sa është bërë për prodhimin e ushqimit. Ka një marzh të konsiderueshëm pune për ta arritur këtë qëllim. Brazili pikërisht tani importon ndoshta 1 milion gallonë etanol në vit në Shtetet e Bashkuara, por ekziston një tarifë mbi etanolin e importuar brazilian. Nëqoftëse mendohet për këtë, mund të thuhet se nuk ka seriozitet të mjaftueshëm nga ana e sistemit politik në trajtimin e problemeve të sigurisë energjitike.

- Duke parë vendimet politike publike, çfarë gabimesh të tjera vëreni?

Njëri është konfuzioni midis transportit, burimeve energjitike e nxehtësisë. Çfarë problemesh po kërkojmë të zgjidhim? Nëqoftëse janë emisionet e anhidridit karbonik, ekzistojnë metoda më ekonomike për ta bërë pa prekur transportet. Nëqoftëse përmirësohet efikasiteti i një automjeti për të reduktuar përdorimin e karburantit dhe emisionet e anhidridit karbonik, për shumë lloje automjetesh, kjo do të kushtojë disa qindra dollarë për ton anhidridi karbonik. Por transportet e energjisë përfaqësojnë vetëm 20 përqind të emisioneve të lidhura me energjinë. Ngrohja dhe energjia për burime stacionare janë pjesa më e madhe. Me 50 dollarë për ton ka shumë karbon që mund të shtrydhet nga burimet stacionare. Kur fillon të rrisësh nga 100 në 200 dollarë, atëherë fillon të influencosh mbi transportin, përndryshe mund të kalojmë t'i zvogëlojmë emisionet e ngrohjes dhe të energjisë me 50 dollarë për ton.

- Pse kjo diferencë?

Është pak a shumë dyfishi i emisioneve, për një njësi energjie të përdorshme, nga karboni sesa nga benzina.

- Po a nuk ia vlen barra qiranë për Shtetet e Bashkuara që ta reduktojnë konsumin e benzinës për të reduktuar kështu varësinë nga nafta e vedeve pak të qëndrueshëm apo deri armiqësorë?

Sipas meje, siguria e rezervave është shumë më e rëndësishme se emisionet e karbonit në transport.

- Cila është mënyra më e mirë për të reduktuar konsumin e benzinës?

Rritja e kostos së drejtimit është mënyra më e thjeshtë për të shkaktuar kursim dhe efikasitet. Shiko në përgjigjen që është marrë kur çmimi i benzinës është ngritur në 4.5 dollarë për gallon. E kemi parë vitin e kaluar. Por politikisht është shumë e vështirë të ngrihen çmimet e benzinës. Në fakt, shikon që kandidatët ecin në drejtimin e kundërt. Çmimet e benzinës dhe të karbonit duhet të jenë tejet të larta sa për të bërë ndonjë diferencë, kështu që kjo do të thotë se ekziston një shqetësim i caktuar dhe duhet të jenë mjaftueshmërisht të sigurtë, aq sa njerëzit të bëjnë investime afatgjatë për të përdorur teknologji alternative.

- Kur vërejmë kompanitë e naftës, kemi një ngurtësim të madh në pozicionet e tyre dhe jo shumë lëvizje. Duket se është një problem institucional bazë.

Mund të flas vetëm për një kompani që e njoh mirë. Kam gjetur tek BP-ja njerëz entuziastë për të dëgjuar, mësuar, marrë pjesë dhe provuar për të bërë punën më të mirë të mundshme në bilancimin e operacioneve afatmesme të kompanisë me këto gjëra afatgjata. Në fund të fundit, duhet të çojnë përpara biznese, kanë aksionistë për t'ju raportuar, kanë përgjegjësinë për prodhimin e një përqindjeje të caktuar të naftës botërore çdo ditë, për të cilën bota ka nevojë. Kështu që është një çështje ekuilibri. Një prej gjërave që kam mësuar, që është e habitshme, por që ka një kuptimi retrospektivisht, është se kompanitë janë optimizuese të mëdha të situatës së tyre. Nëqoftëse qeveria përcakton rregullat e lojës në mënyrë të duhur, do të përgjigjen në mënyrë të fortë dhe të shpejtë. Kështu që çështja është të zgjidhen politikat e duhura, ashtu siç duhet më pas një shtytje nga brenda kompanisë.

- Domethënë tregjet nuk do ta zgjidhin problemin?

Të lënë të lirë, tregjet as nuk do ta gjobisin anhidridin karbonik, as nuk do ta trajtojnë me efikasitet problemin e sigurive të rezervave. Mendoj se motivi është afatgjatë dhe tregjet kanë nevojë për objektiva afatshkutra. Mendoj se tregjet janë pozitivë për një aksion taktik, por sipas meje, nuk është e thënë që të jenë përgjigja e duhur për një studim strategjik apo për një planifikim më afatgjatë.

- Jeni optimist lidhur me faktin se do të arrijmë t'i tejkalojmë këto sfida?

Jam optimist lidhur me sigurinë e rezervave. Shikoj shumë burime hidrokarburesh të lëngshëm. Shikoj një potencial të madh për një përmirësim të efikasitetit në flotat transportuese të Shteteve të Bashkuara. Jam më pak optimist lidhur me reduktimin e emisioneve të anhidridit karbonik. Bota duhet të përqendrojë mbi këtë energjitë e saj, por ekzistojnë aq shumë forca që ecin kundër, sa që mendoj se do të jetë shumë e vështirë të stabilizohen emisionet, lë të paprekur stabilitetin e përqendrimeve të anhidridit karbonik në atmosferë për një kohë shumë të gjatë: 1000 vjet ose diçka e kësaj natyre. Kjo do të thotë se atmosfera akumulon emisione dhe emisionet pikërisht tani po rriten eksponencialisht me një 2 - 3 përqindësh në vit. Nëqoftëse vendosim të bëjmë kufizime modeste, do të jetë vetëm ndaj një takse për të cilën përqendrimi rritet prapëseprapë. Përgjigjia e zakonshme e shoqërisë për të trajtuar vetëm pjesërisht një problem nuk është mjaftueshmërisht e mirë për të përballuar çështjen e anhidridit karbonik. Nevojiten vërtet ndryshime të mëdha në mënyrën sesi prodhojmë dhe përdorim energjinë, nëqoftëse duam të parandalojmë rritjen e përqendrimeve. Nuk mendoj se njerëzit e kuptojnë.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers