Beteja që ndryshoi universin/Universi tjetër i Pragës

Një shkëputje në hapësirë-kohë


JOHN CHAMBERS

Nëse ka pasur ndonjëherë një ndërprerje në vazhdimësinë hapësirë-kohë, ajo ka ndodhur në pasditen e 8 nëntorit 1620, në shpatet e malit të Bardhë pranë qytetit të Pragës, atëbotë kryeqytet i Mbretërisë së Bohemisë dhe sot kryeqytet i Republikës Çeke. Në pak më shumë se një orë, ushtria që numëronte 20.000 ushtarë e Perandorit të Shenjtë romak, Ferdinandi II mundi ushtrinë me 25.000 vetë të mbretit të Bohemisë, Frederiku V. Beteja e malit të Bardhë shënoi fillimin e Luftës së Tridhjetë Vjetëve në Evropë, e cila pa ushtritë katolike në jug të hidheshin kundër ushtrive protestante të veriut. Ajo përfundoi me nënshkrimin e Traktatit të Vestfalisë në vitin 1648, i cili siguroi mbijetesën e Kishës Protestante.

Beteja e Malit të Bardhë shënoi edhe një moment në kohë kur një mënyrë krejt e ndryshme e të parit të realitetit ishte gati për të vërshuar dhe "përmbytur" të gjithë kontinentin e Evropës dhe Botën e Re. Kjo mënyrë e të parit të universit, që ishte kundër paradigmës njutoniane që do të lindte së shpejti, ishte një sistem okult, magjik, i përshkrimit dhe manipulimit të realitetit dhe që ishte "skalitur" deri në pikën më të lartë të madhështisë, në laboratorët dhe bibliotekat e qytetit plot sharm të Pragës.

Nëse Frederick V, Mbret i Bohemisë, do të kish fituar në Betejën e Malit të Bardhë, ky sistem mendimi mund të kish triumfuar. Sikur kjo të kish ndodhur, bota ku ne jetojmë sot do të kish qenë krejtësisht ndryshe. Qyteti i Pragës në fillim të shekullit XVII ishte kryeqytet botëror i çdo lloj shkence të fshehtë, hermetike, enigmatike, alkimike, yjore.

Metodologjitë misterioze që u realizuan në këtë qytet magjik shkriheshin në sinergji komplekse që ne sot as nuk mund t'i imagjinojmë. Në shtëpitë e vogla prej druri, nëpër labirintet e rrugëve të ngushta që kalonin përmes lagjes së hebrejve, rabinët enigmatikë ndiqnin studimet pa patur frikë nga ndërhyrjet. Në sheshet kryesore të kryeqytetit, kishat e bardha të Vëllazërisë Husserite ngriheshin në nderim të heshtur për John Hus (1370-1415), prifti i famshëm çek i para-reformimit, i cili kishte denoncuar ritualet dhe ndëshkimet e Kishës Katolike Romake dhe kishte themeluar një kishë të reformuar në Evropë, një shekull para Martin Luterit (për këto arsye ai ishte djegur në turrën e druve).

Perandori romak i izoluar, ndoshta gjysmë i çmendur, Rudolfi II (1576-1611) e kishte bërë Pragën kryeqytetin perandorak dhe mblodhi rreth vetes shumë alkimistë, në kërkimin papushim të të famshmit gurit filozofik. Në kështjellën mbi qytet mbi lumin Vitava, dhomat e çudive me tavanë të lartë ishin të mbushura me magjinë e mrekullive mekanike të kohës: statuja të lëvizshme, "Statuja Memnon" që fërshëllente, specie të një homunculus (qenie e krijuar artificialisht), një "djall në një gotë, në fakt figurë e derdhur në qelq e mbyllur në një bllok ngjyra-ngjyra. Pragë e këtyre kohëve do të bëhej e njohur si vendlindja e Monstrës hebreje Frankenstein: Golem. Reputacioni magjik i qytetit joshi mendjet më të ndritura dhe të guximshme të Evropës: priftërinj-shkencëtarë heretikë si Giordano Bruno dhe Tommaso Campanella magjistarë-matematicienë si John Dee dhe Eduard Kelly, astronomë në kufirin e herezisë, kohës dhe hapësirë si Johannes Kepler dhe Tycho Brahe dhe shumë të tjerë.

Disa prej këtyre mendimtarëve të guximshëm - është e pamundur të dihet se cilët - formuan një lidhje të pakapshme me një vëllazëri me qendër ndoshta në Pragë, kaq misterioze sa që dhe emri i saj duket ndryshohej nga viti në vit. Illuminati? Shoqata e Kryqit Rozë? Çfarëdo që ata e quanin veten, këta dijetarë/autorë, gati gjithmonë të fshehur nga syri i publikut, kanë shkruar libra (Utopia i Thomas More është shembull i mirënjohur) duke e përshkruar një qytet ideal, pa despotizëm dhe teokraci, ku qytetarët gëzonin një barazi totale dhe një lidhje në dukje okulte me nivelet më të lartë të realitetit - një qytet ideal që mes tipareve të tij dukej se mbante edhe mundësinë e një transformimi tërësor të njerëzimit.

Frederick V, sundimtari i qytetit dhe i Bohemisë në kohën e Betejës së Malit të Bardhë, ishte gjithashtu sundimtar i një principate të vogël të quajtur Pfalz, në brigjet e lumit Neckar në Gjermaninë jugore. Në kryeqytetin e kësaj principate, i mirënjohuri Heidelberg, Frederiku kishte sjellë nusen e tij, Meri Stuart, në mars 1613. Pikërisht për shkak të Meri Stuart, Beteja e Malit të Bardhë mund të kish shkuar edhe ndryshe. Nusja e Frederick ishte e bija e Xhejmsit I, Mbreti i Britanisë së Madhe. Xhejmsi e kish martuar Merin me Frederickun në një ceremoni madhështore në Londër, më 14 shkurt 1613. Qëllimi i mbretit ishte për të krijuar një aleancë mes britanisë së madhe anglikane, anti-katolike principatave luterane, anti-katolike që më vonë do të përbënin Gjermaninë. Nënshtetasit e Xhejmsit menduan se kjo aleancë nënkuptonte që mbreti kish marrrë një kthesë të dhunshme duke u larguar nga sundimtarët Hapsburgë të Perandorisë së Shenjtë Romake të Evropës. Ata menduan se mbretërimi i përbashkët i Frederickut dhe Merit mbi Pfalz ishte një majë shtize që do të fillonte të shtrinte, edhe me ndihmën e ushtrive, Protestantizmin në Evropën jugore.

Sigurisht kjo ishte ajo që besonte Fredericki V kur, në fund të vitit 1619, i ftuar nga etërit e qytetit të Pragës, të cilët kishin dëbuar kohët e fundit Perandorin Romak Ferdinand II nga Bohemia dhe, i joshur nga arritjet magjike të Pragës, që ai kishte dashur t'i provonte edhe në kështjellën e tij në Heidelberg - sundimtari i Pfalz udhëtoi nga Heidelberg për në Pragë, bashkë me Merin, fëmijët e tyre dhe një pasuri shumë të madhe, për të pranuar fronin e Bohemisë.

Por shtetasit e Frederickut dhe Xhejms I, bashkë me pjesën më të madhe të Evropës veriore, gaboheshin. Gjithnjë e më i përulur nga mosha dhe brengat e tij, Xhejmsi I i ishte trembur gjithmonë një konfrontimi me Hapsburgët. Në fshehtësi, ai kishte kërkuar që të balanconte martesën e Merit dhe Frederickut me një martesë tjetër, midis djalit të tij Karl dhe një princeshe katolike të Perandorisë së Shenjtë Romake. Nuk ia kish dalë mbanë, por kundërshtimi i tij për një konfrontim me Hapsburgët ishte forcuar me kalimin e viteve. Prandaj, kur forcat e Ferdinandit II marshuan në Pragë, për të sfiduar sundimin e Frederickut V, Xhejms I nuk dërgoi asnjë ushtar.

Po të kish vepruar kështu, gjithë ekuilibri i pushtetit do të kishte ndryshuar. Sundimtarët protestantë të Danimarkës dhe Suedisë me siguri do të kishin dërguar ushtritë e tyre për të qëndruar përkrah atyre të Xhejmsit I të Britanisë së Madhe, në bashkëpunim me ushtrinë e Frederickut të Bohemisë, jashtë dyerve të Pragës. Dijetari i madh i Rilindjes, Francis Jets, shkruan tek Iluminizmi Rozikrucian: "Ndoshta është e vërtetë se krimi kryesor i Frederickut ishte se ai dështoi. Nëse ai do t'ia kish dalë mbanë të vendosej në Bohemi, të gjithë hezituesit, duke përfshirë edhe vjehërrin e tij, ndoshta do të ishin lëkundur në anën e tij". Por askush nuk erdhi tek Frederick. Qyteti i Pragës ra, dhe një mënyrë krejt e ndryshme magjiko-okulte e të parit të universit, e cila do të përhapej në të gjithë Evropën nëse Frederick V do të triumfonte, tani ishte shkulur që në rrënjë.

Ka edhe një tjetër arsye që tregon se, më 8 nëntor 1620, Europa ishte në prag të një pike kthese, që do ta kish çuar në një drejtim krejt të ndryshëm. Në një koinçidencë të çuditshme të historisë, në ushtrinë e perandorit romak në Betejën e Malit të Bardhë luftonte edhe një ushtar i thjeshtë i këmbësorisë, që një ditë do të bëhej një prej mendimtarëve më të mëdhenj të epokës moderne. Nëse Bohemia do të kish triumfuar, ky 24-vjeçar francez me shumë gjasa do të ishte vrarë. Por ai shpëtoi. Emri i tij ishte René Descartes. Eshtë i njëjti René Descartes (1596-1650) që formuloi aksiomën: "Mendoj, prandaj ekzistoj". Ishte ai që filloi të transformojë paradigmën perëndimore, duke hedhur poshtë me vendosmëri si kozmologjinë e Kishës Katolike, edhe atë të botës magjiko-okulte, dhe që më vonë kozmologjia pranoi se çdo grimcë e lëndës në gjithësi është e mbuluar me një sasi të barabartë të shpirtit. Descartes do të pohonte se universi është i ndarë në mënyrë rigoroze në mendje dhe trup, ku e para është e ndarë në mënyrë radikale nga i dyti, dhe ku i dyti vepron vetëm sipas ligjeve të mekanikës (sado kompleksë që janë këta).

Sir Isaac Newton (1642-1727) u ndikua thellësisht në fund të adoleshencës së tij nga mendimi i René Descartes. Përshkrimi filozofik/matematik i Descartes për kozmosin e largoi Njutonin nga ndonjë besim që ai mund të kish patur në mendimin magjiko-okult (edhe pse ai do të ishte i magjepsur prej tij gjatë të gjithë jetës). Njutoni do të shkonte më në fund përtej mendimit të Descartes për të krijuar paradigmën e realitetit fizik, të cilës, për shkak të të gjithë qëllimeve praktike ne i përmbahemi sot, por ndikimi i Descartes në vitet e hershëm ishte vendimtar.

Ndoshta Njutoni i mrekullueshëm do të kishte krijuar paradigmën e tij, pavarësisht një triumfi të Frederickut në Malin e Bardhë dhe vdekjes së parakohshme të René Descartes. Ndoshta ai do të kishte krijuar ekuacionet e tij fizike dhe matematike, edhe nëse mendimi magjiko-okult do të kishte përmbytur Evropën. Ndoshta jo. Nëse Njutoni nuk do të kishte arritur të formulonte përshkrimin e tij për universin, në çfarë lloj bote do të jetonim ne sot?

Do të ishte një botë pothuajse pa teknologji. Magjiko-okultistët e shihnin shpirtin (ose më mirë, "shpirtin e shenjtë me një dimension moral) si të bashkë-shtrirë me çdo atom fizik të universit. Prandaj shkenca e tyre do të kishte zhvilluar një teknologji që e trajtonte çdo manifestim të materies, nga gjethet në pyll deri tek planetoidët, me respekt, me dashuri. Krahasuar me të, teknologjia jonë - ajo e zhvilluar nga paradigma njutoniane- është një monstër, që nuk respekton as njeriun, as natyrën. Aty nga fundi i jetës së Njutonit, shkencëtari i madh dhe kolegët e tij firmosën një pakt me Kishën duke e ndarë universin në dy sfera të përgjegjësisë: shkenca do të jetë në krye të një universi fizik pa shpirt dhe Kisha do të jetë përgjegjës për një univers shpirtëror, në të cilin bota materiale është e parëndësishme. Kështu u shkëput magjiko-okultja nga shkenca, në një seri veprimesh për të cilët Njutoni u pendua në fundin e jetës së tij.

A nënkupton trashëgimia totale e mënyrës njutoniane të të parit të universit, se mënyra magjiko-okulte është zhdukur tërësisht? Përgjigjja është jo. Duhet të ketë patur "të vërtetë" në mënyrën se si magjiko-okultistët e Pragës e shihnin botën. E vërteta qëndron, nuk ka nevojë të besohet se ekziston. Dhe, në fakt, që nga shekulli XVII dhe më herët, aty-këtu në jetën e artistëve dhe mendimtarëve (ndonjëherë në jetën e qytetarëve të thjeshtë), magjiko-okultja ka mundur të ndërfutet me forcë. Eshtë dukur si një ëndërr që të zgjon, është shfaqur në ëndrrat e vizionarëve si një kometë që shpon qiejt.

Benvenuto Cellini u shpëtua nga vetëvrasja në një burg romak pikërisht nga ndërhyrja e asaj botës tjetër. Giordano Bruno kërkoi që të përqafonte ata që i shihte si elementë magjiko-okultë të një Egjipti të humbur prej kohësh, në një mënyrë krejt të re të ndërtimit të botës moderne. Njutoni, në udhëkryq mes dy pikëpamjeve, zgjodhi, me gjysmë zemre, atë që na dha botën ku ne jetojme sot (Gëte më vonë do të kundërshtonte Njutonin dhe do të kërkonte të zbulonte triumfin e shpirtit në zemër të materies). Vizionet e shumtë të botës së përtejme, të ngjashme me ato të Illuminatit të Pragës, pushtuan vetëdijen e shkencëtarit-inxhinierit suedez Emanuel Swedenborg, dhe që atëherë ai ka shkruajtur libra ku përshkruan këto universe; vizionet e tij ngacmuan imagjinatën e shekullit XIX. Në Rusinë cariste, romancieri Fjodor Dostojevski në dukje përçmues ndaj shkrimeve të Sëedenborg, përdori imazhet e parashikuesit suedez në tregimet dhe novelat e tij, duke përfshirë "Krim dhe Ndëshkim".

I madhi Leon Tolstoi përdori spiritualizmin Swedenborgian në dramën e tij "Frytet e Iluminizmit", por pulsi i një dimensioni të padukshëm të realitetit rreh sidomos në romanin e tij "Ana Karenina". Romancieri francez Honoré de Balzac ka shkruajtur 97 romane në 29 vjet, duke marrë nga energjia e "Njeriut të Brendshëm", siç parashtrohet në ushtrimet e Swedenborg. Në tre nga romanet e tij ai eksploron parashikuesin suedez. Ëndrrat e poetëve vizionarë dritare në fushën e magjiko-okultes. William Blake në shekullin XVIII, Victor Hugo në XIX dhe James Merrill në XX, "kanalizuan" universe të tjerë okultë që janë tmerrësisht të ngjashëm në detaje (poeti irlandez William Butler Yeats ndoqi një rrugë që është njëkohësisht e ngjashme dhe e ndryshme). Gjithë veprat e tyre përshkruajnë materien që gjallohet nga guri në engjëll prej Frymës së Shenjtë.

Një gamë e larmishme e shkrimtarëve të tjerë, duke përfshirë edhe disa që nuk do të mendoheshin, kanë parë jetët e tyre të ndizen për një moment: H. G. Wells, Mary Wollstonecraft Shelley, Carl Jung, Doris Lessing, Harry Houdini, Thomas Mann, Madame Helena Blavatsky, William Blake, Marie Curie, G.I. Gurdjieff, Sri Yashoda Mai- madje edhe Sir Winston Churchill! A mos tërësia e vizioneve të këtyre artistëve/gjenive, nëse bashkohet, formon një përshkrim tërësor të këtij universi të zhdukur prej kohësh? Përgjigjja është po.

Google+ Followers