Ashtu sikurse rrinë bashkë, bashkë dhe do të bien

Resursi i fundit. Rishfaqja e tezave maltusiane është akoma shumë e shpeshtë, por gabimet në parashikimet demografike janë të shumta dhe të rënda


Rishfaqja e tezave maltusiane është akoma shumë e shpeshtë, por gabimet në parashikimet demografike janë të shumta dhe të rënda. Shpesh është mbivlerësuar rëndësia e novatorizmit teknologjik, e lidhur pikërisht me rritjen e popullsisë. Në realitet, resurset nuk janë të fundme. Tregu dhe inteligjenca, resursi i fundit, mundësojnë zgjidhje.

"Mendoj se pozicioni im është një pozicion etik. E vërteta është se nëqoftëse nuk reduktojmë popullsi dhe konsume, atëhere ekziston një mundësi që qytetërimi ynë të shkojë drejt kolapsit". Duke ndërhyrë më 17 shtator 2008 në një forum të organizuar nga revista "Salon.com", Paul Ehrlich - autor në vitin 1968 i "The population bomb" dhe sërish në librari sot me një vëllim lidhur me çështjen demografike - ka ritheksuar bindjen se, "kemi nevojë për një dimension mesatar të familjeve me 1.6 fëmijë në të gjithë planetin", kundrejt 2.6 fëmijëve aktualë për grua. Pozicioni i kujt denoncon rrezikun e popullsisë është thelbësisht i referueshëm nga sa shkruante Thomas Malthus në librin e tij të famshëm të vitit 1798. Prift protestant, Malthus ishte i preokupuar nga dinamikat demografike të kohës së tij. Shembulli i kolonizimit të New England, që në atë kohë dukej një tokë pjellore me resurse të pakufizuara, tregonte se në mungesë të kufizimeve popullsia tentonte që të rritej me progresion gjeometrik. Megjithatë, prodhimi i ushqimit mund të rritej vetëm me progresion aritmetik. Kështu, kurba e parë herët a vonë do të duhej të pritej me të dytën dhe në këtë moment resurset nuk do të ishin më të mjaftueshme për ta mbështetur popullsinë, duke bërë të nevojshme ndonjë rregullim numerik. Një detyrë që në botën e vjetër e kishin marrë epidemitë dhe zitë e bukës. Kështu, Malthus ishte shtyrë kryesisht nga një preokupim që do ta quanim humanitar: kontrollimi i popullsisë (nëpërmjet rekursit vullnetar ndaj virgjërisë) ishte i nevojshëm për të parandaluar vuajtje të ardhshme.

Pas Malthus

Epigonët e Malthus i kanë marrë në masë të madhe kornizën teorike, por duke e zbatuar në një kontekst krejtësisht të ndryshëm dhe me objektiva e polemika të ndryshme. Nga njëra anë, katastrofat për të cilat frikësohej kleriku anglez nuk janë verifikuar; nga ana tjetër, Malthus denonconte politikat publike, që sipas mendimit të tij, shtynin drejt një përqindje rritjeje të "panatyrshme", ndërsa neomalthusianët kërkojnë pikërisht të njëjtat politika që të operojnë në sens të kundërt, domethënë për të kundërshtuar atë që në retrospektivë mund ta quajmë një përqindje rritjeje të natyrshme. Nga ana tjetër, jo vetëm prodhimtaria bujqësore e ka mbështetur rritjen demografike: rritja e të ardhurave ka mundësuar një diversifikim të ushqimit, që së bashku me përmirësimin e dijes së mjekësisë, ka mundësuar një zgjatje të pabesueshme të jetëgjatësisë. Në fillim të mijëvjeçarit të dytë pas Krishtit, jetëgjatësia mesatare vërtitej midis 20 dhe 30 vjetëve, kryesisht për shkak të vdekshmërisë foshnjore. Në shekujt e mëpasëm, ajo u rrit me ngadalë, megjithëse me një variueshmëri të madhe të përcaktuar nga rishfaqja ciklike e epidemive dhe e zive të bukës, për të arritur midis 30 dhe 40 vjeçëve në agimin e Revolucionit Industrial. Pastaj ndodhi ajo që më parë mund të dukej si mrekulli: në tri shekujt nga 1700 deri më 2000, jetëgjatësia filloi që të rritej gjithnjë e më me shpejtësi. Në Angli, atdheu i industrializimit (dhe i Malthus), i tejkaloi 40 vjeçët në fillim të 1800, iu afrua të 50-ave me kalimin e shekullit të ri dhe, qysh nga ai moment e prapa, shpërtheu deri sa të tejkalonte sot të 80-at. Aspekti më i jashtëzakonshëm i këtij fenomeni është karakteri i përgjithshëm i tij. Praktikisht është verifikuar kudo në botë: sa më shumë një vend rritej ekonomikisht, aq më shumë zgjatej jetëgjatësia e tij. Vendet që kanë akoma një jetëgjatësi të ulët në lindje - ato të Afrikës subsahariane - janë më pak të industrializuarit dhe më marxhinalët në ndërshkëmbimin tregtar botëror. Terreni po degradon; pandershmëria dhe korrupsioni gëlojnë; fëmijët nuk i respektojnë prindërit; çdo njeri do të shkruajë një libër dhe, për pasojë, është evidente se fundi i botës afrohet me hapa të mëdha nga Tabelat Asire të vitit 2800 B.C. Pavarësisht kësaj, nuk kanë munguar - edhe në vitet më të fundit - studiues që i kanë ripropozuar tezat malthusiane, duke u përqendruar diku mbi dëmet që rritja demografike do t'u kishte shkaktuar brezave të ardhshëm, diku mbi pasojat mjedisore të saj. Argumenti thelbësor - që, në ndryshim nga formulimi fillestar, kishte dhe ka një substrat të dukshëm antikapitalist - është se të tri tendencat drejt rritjes së popullsisë, të të ardhurave dhe të konsumeve ushqehen njëra pas tjetrës, duke vënë nën presionin stokun e resurseve ekzistuese të planetit. Kështu, në njëfarë mënyre, Malthus kishte gabuar tempizmin, por kish kuptuar lëvizjet e thella. Për të përdorur fjalët e një ndjekësi modern të tij, Giovanni Sartori, "të gabosh një afat nuk do të thotë të gabosh një tendencë". Megjithatë, afatet e gabuara kanë qenë të shumta, pavarësisht përdorimit të modeleve të kompjuterizuara gjithnjë e më të sofistikuar. Aq të shumta sa të ngjallin më shumë se një dyshim. Vetëm për të dhënë ndonjë shembull: në tekstin e tij të vitit 1968, Ehrlich shkruante se, "jemi në fillim të asaj që mund të quhet 'zgjidhja e koeficientit të vdekshmërisë' […]. Agjentët që ka mundësi do të çojnë në një rritje drastike të vdekshmërisë janë saktësisht ata që operonin përpara shpërthimit të popullsisë njerëzore. Janë tri prej katër kalorësve të Apokalipsit: luftë, murtajë dhe zi buke", duke qenë ky i fundit kalorësi më mizor. Disa vjet më parë, Rachel Carson, e cila në vitin 1962 kishte nisur kryqëzatën e saj kundër kimikatit DDT, kishte parashikuar se përdorimi i pavend i pesticideve do të vinte në rrezik jetën e kafshëve në planet dhe, së fundmi, vetë mbijetesën e njerëzimit. I shumëshituri "Limitet e rritjes" i vitit 1974, paralajmëronte se "ekziston një limit superior ndaj sasisë së ushqimit që mund të prodhohet në vit nga sistemi bujqësor botëror" dhe, përveç kësaj, parashikonte ezaurimin e shpejtë të pjesës më të madhe të resurseve minerare. Në vitin 1980, një raport i kërkuar nga Presidenti amerikan Jimmy Carter veç të tjerash paralajmëronte se shfrytëzimi i resurseve të peshkut kishte arritur tashmë nivelin më të lartë të mundshëm, rreth 70 milion ton peshk në vit (në vitin 1988 qenë tashmë 98 milion ton në vit). Të panumërta parashikimet lidhur mbi tezaurimin e shpejtë të resurseve, në veçanti i atyre të naftës, kanë pasuar në vite. Më së vonshmi, Jared Diamond ka pohuar se nëqoftëse njerëzimi nuk do të dijë t'i kushtojë vëmendjen e duhur temës së resurseve, mund të pësojë të njëjtin fund si Ishulli i Pashkëve. Përveç këtij parashikimi të fundit, që nuk ka pasur akoma kohë për t'u hedhur poshtë, të gjitha të tjerët kanë rezultuar dështakë.

Pse rritja demografike është zgjidhja

Në vitin 1981, Julian Simon, një ekonomist i shkëlqyer, ndryshoi termat e debatit lidhur me popullsinë, duke botuar kryeveprën e tij "The ultimate resource" (e rishikuar dhe e zgjeruar 15 vjet më pas). Deri më atëhere ishte marrë kryesisht me çështje të tjera (veç të tjerash, kishte shpikur planet e menaxhimit të overbooking, sot të përdorur rëndom nga kompanitë ajrore) dhe, përsa i përket popullsisë, kishte një perspektivë jo shumë të largët nga ajo e Malthus. Por dora dorës që u gjend për ta thelluar temën, kuptoi se dëshmia empirike e kundërshtonte rrënjësisht një vizion të tillë. Tentativa për ta racionalizuar këtë mospërputhje midis një teorie në dukje solide dhe përvojës të së kundërtës e bëri që të kuptonte se logjika maltusiane qëndron në këmbë vetëm nëse merret në segment kohor afatshkurtër. Në periudhë afatgjatë, nuk është korrekte të pohohet se resurset janë të fundme. Në kuptimin ekonomik, domethënë në raportin midis kërkesës dhe ofertës - ato bile janë të pafundme. Kjo falë funksionimit të mirë të tregut (që siguron kornizën institucionale në gjendje të harmonizojë kërkesë dhe ofertë të tashme dhe të ardhshme) dhe inteligjencës njerëzore. Për ta cituar, "më shumë njerëz dhe të ardhura më të madhe, në periudhë afatshkurtër i bëjnë resurset më të pakta. Thellimi i rrallësisë përcakton ngritjen e çmimeve. Rritja e çmimeve siguron një mundësi dhe i shtyjnë investitorë dhe sipërmarrës që të kërkojnë zgjidhje. Shumë dështojnë në kërkimin e tyre, në kurriz të tyre, por në një shoqëri të lirë zgjidhjet në fund shfaqen dhe në periudhën afatgjate zhvillimet na lënë në një gjendje më të mirë nga ajo në të cilën do të ishin sikur problemet mos të kishin lindur kurrë. Domethënë, çmimet përfundojnë për t'u bërë më të ulët përpara se rrallësia të verifikohet". Një vizion i tillë është konfirmuar edhe nga kërkimi historiografik: për shembull, Colin Renfrew pohon se, "shpesh është rritja demografike ajo që provokon modifikimet e sistemit bujqësor [...]. Pa një rritje demografike, që implikon një numër më të madh gojësh për t'u ushqyer, nuk do të kishte asnjë stimul për të punuar më shumë për të prodhuar pak më shumë ushqim". Përbërësit e koktejit të Simon janë dy, njëlloj të rëndësishme. I pari është ekzistenca e një funksionimi të mirë të tregut, domethënë e sistemit të çmimeve. Çmimet na japin një masë të rrallësisë së një resursi (jo në mënyrë absolute, natyrisht, por respektivisht kërkesës). Në këtë mënyrë, dëshmojnë me ekzistencën e problemeve. Në majë të kësaj qëndron vetëdija se një resurs nuk ekziston në abstrakte, por përcaktohet nga një nevojë njerëzore dhe nga aftësia për ta përdorur (përpara shpikjeve që e kanë bërë karburantin e modernizmit, nafta nuk ishte resurs, por një lëng vajor që ndoste puset). Kështu, është kërkesa ajo që krijon resurset: në fund të fundit, askujt nuk i intereson nafta si e tillë, por "diçka" që është në gjendje të lëvizë automobilat apo të ndezë televizorin. Faktori i dytë është human ingenuity, domethënë aftësia e individëve për të kapur termat e një problemi dhe të nxjerrë zgjidhje. Pasi inteligjenca është elementi kyç, pason që sa më i lartë numri i individëve që punojnë në kërkimin e një rrugëdaljeje, aq më i madh probabiliteti për ta gjetur më parë dhe më mirë. Në këtë kuptim, rritja demografike, domethënë shumëfishimi i truve, i maksimalizon mundësitë dhe, në periudhën afatgjatë, hedh bazat për t'i tejkaluar problemet e periudhës afatshkurtër. Kjo teori nuk është vetëm në gjendje të interpretojë të kaluarën, por siguron edhe një çelës për të paraprirë të ardhmen ose më mirë mundëson që të kuptohet se çfarë asetesh institucionale janë më të përshtatshëm për të mundësuar tejkalimin e defekteve tashmë ekzistues dhe, duke folur përgjithësisht, të limiteve. Në mënyrë koherente me përvojën kolektive të racës njerëzore, progresi teknologjik jo vetëm që ndihmon të shpartallohen sfidat, por deri krijon kushte të përgjithshme më të mira për të gjithë dhe gjerësisht më të përhapura, siç e demonstron rritja e nivelit të jetesës (dhe e disponueshmërisë së resurseve) pothuajse kudo në botë, megjithëse me një koeficient aksesi ndaj risive të diferencuar nga vendi në vend. Në këtë optikë, Simon nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka sistematizuar intuita, që tashmë qenë formuluar nga ekonomistë të tjerë. Friedrich Hayek, fitues i Çmimit Nobel në vitin 1974, e ka zhvilluar më tej këtë qëndrim, duke shpjeguar se rritja demografike nuk është shkaku i varfërisë, por e kundërta. "Proletariati, ka shkruar ai, është një popullsi shtesë e cila, pa mundësi të reja punësimi, nuk do të rritej kurrë [...]. Procesi i rritjes i sjell më shumë dobi numrit më të madh të të varfërve sesa numrit të vogël të të pasurve [...]. Karl Marksi kishte plotësisht të drejtë kur theksonte se 'kapitalizmi' e ka krijuar proletariatin: i ka dhënë dhe i jep atij jetën".

Fenomeni dhe konteksti

Kështu, sipas kontekstit në të cilin vendoset, është e qartë se rritja demografike mund të përfaqësojë më shumë një mundësi sesa një fre. Nëqoftëse ajo verifikohet në aspektin e një kornize institucionale joefikase, e tillë sa të përcaktojë një grumbull stimujsh të "gabuar", atëhere praktikisht mund të ndezë një garë ndaj tejshfrytëzimit të resurseve. Megjithatë, është thelbësore të nënvizohet sesi nuk është ecuria e popullsisë elementi përcaktues më shumë se struktura në të cilën vendoset, strukturë që përcakton pasoja të ndryshme. Siç e ka treguar Garrett Hardin në librin e tij të famshëm mbi tragjedinë e të mirave kolektive, kërcënimi i overconsumption të një resursi varet nga gjendja e tij potenciale me pronësi të përbashkët subjekt ndaj eksesit të lirë. Për ta shmangur këtë rrezik, duhet të përcaktohen rregulla në përdorimin e resurseve. Ekzistojnë instrumente të panumërta për ta arritur këtë qëllim, por ai më efikasi konsiston në individualizimin e të drejtave të pronësisë që në të njëjtën kohë janë të delimituara, të mbrojtura dhe lirisht të transferueshme. "Në rastin e pronësisë private, shkruajnë Terry Anderson dhe Donald Leal, fitimet dhe humbjet masin mirësinë e iniciativave të marra nga vendimmarrësit [...]. Pronësia private u siguron pronarëve si informacionet, ashtu dhe stimujt për të matur rendimentin", domethënë jep një "radhë nisjeje" objektive respektivisht së cilës maten preferencat subjektive dhe shfaqen zgjedhjet më efikase, edhe në raport me konservimin e resurseve natyrore. Me fjalë të tjera, duke u kthyer tek Hayek, është ekzistenca e një tregu të lirë ajo që garanton që të kanalizohet rritja demografike në një rrugë virtuoze dhe, në kuptimin e përgjithshëm, që mundëson të gjendet koeficienti "optimal" i rritjes së popullsisë. Nga njëra anë, kjo sepse mekanizmi i tregut bën që të jetë e mundur të jepet një çmim, domethënë një vlerë, resurseve; nga ana tjetër, sepse stimuluesit e tregut të tillë sa t'i japin jetë një agre të vazhdueshme drejt përmirësimit dhe novatorizmi teknologjik, që nga ana e tij mundëson që të bëhet "më shumë dhe më mirë me më pak" dhe, për pasojë, të arrihet një shkallë gjithnjë në rritje e plotësimit të nevojave njerëzore. Atëhere, në mënyrë krejt paradoksale, objektivi i procesit nuk është të çlirohet njeriu nga nevojat, por të zëvendësohen nevojat e vjetra me nevoja të reja. Përmbushja e plotë është një nonsens logjik, për sa dëshirat njerëzore janë pothuajse të pafundme dhe zgjerohen deri ku mund të arrijë mendimi. Në mënyrë tejet efikase, urtësia popullore e shpreh këtë koncept me thënien "pjata bosh, vetëm një problem; pjata plot, shumë probleme". Kështu, nëqoftëse ngritja e kushteve të jetesës është drejtimi drejt të cilit njeriu tenton në mënyrë të natyrshme dhe teknologjia i është instrumenti, atëhere institucionet e tregut japin rreshtimin më të mirë të stimuluesve për ta maksimalizuar probabilitetin e suksesit. Kjo nuk është e privuar nga pasojat edhe në frontin mjedisor, për sa "falë tranzicioneve ekologjike, ka shkruar Indur Goklany, begatia dhe teknologjia janë bërë nga përgjegjës për degradimin në burime përmirësimi". Në mënyrë të dukshme, rritja demografike nuk përbën përjashtim, për sa tregu delimiton perimetrin brenda të cilit përhapen pasojat e tij. Nuk është se limitet nuk ekzistojnë: është se teknologjia mundëson që t'i largojmë pafundësisht.

Torta dhe majaja

Me fjalë të tjera, do të ishte pavend të mendoje njerëzimin si një tufë individësh që qepen si të çartur pas një stoku të kufizuar resursesh. Sikur të ishte e vërtetë se Toka na vë në dispozicion një sasi të pafundme të mirash, atëhere dukshëm që rritja demografike - rritja e gojëve për t'u ushqyer - do të implikonte një disponueshmëri më të vogël për frymë. Por resurset nuk janë tortë: ose, më mirë, qeniet njerëzore nuk përbëhen vetëm nga stomaku, por kanë edhe trurin. Nuk kufizohen vetëm për të ngrënë: në kushte të përshtatshme, domethënë në prani të një sistemi tregu të mirëvajisur, ata disponojnë majá që mundëson të shtohet dhe të rritet torta. Kjo majá është inteligjenca, të cilën Simon e quante resursi i fundit. Nga ana tjetër, sikur gjërat të ishin ndryshe, do të duhej të pritej ndonjë formë korrelacioni negative midis dendësisë demografike, që sigurisht është një tregues i ndryshëm nga rritja, por jep një vlerësim të nivelit të "mbipopullimit" të një zone, dhe të ardhurën për frymë. Megjithatë, ka vende të banuara në mënyrë shumë të dendur që vuajnë dukshëm me probleme varfërie, si puna e Bangladeshit, dhe vende të tjera po aq ose më shumë të banueshme që qëndrojnë në krye të klasifikimeve të GDP-ve. Vendi më i populluar në botë është Montekarlo, me një dendësi 40 herë më të lartë se ajo e Bangladeshit dhe 700 herë më e lartë se mesatarja botërore. Siç shkruan Nicholas Eberstadt, "dendësia demografike nuk jep kurrfarë informacioni të dobishëm për ta parashikuar nivelin e zhvillimit apo të performancës ekonomike të një vendi". Nëqoftëse kjo është e vërtetë, pason një tregues i dyfishtë politik. Në radhë të parë, adoptimi i politikave të kontrollit demografik, përtej problemeve të shumta të mbështetshmërisë ekonomike e financiare që mund të krijojë, rrezikon që t'i ashpërsojë pikërisht ato probleme rrallësie të resurseve që pretendon të zgjidhë, duke reduktuar probabilitetin e kryerjes së një breakthrough teknologjik. Në radhë të dytë, jo vetëm nuk ekziston në periudhë afatgjatë një problem resursesh, por do të ishte pavend të silleshe sikur ai të ekzistonte. Massimo Nicolazzi e ka kundërvënë këtë bindje - që e ka quajtur besimin në një "beautiful world" - asaj që kush frikësohet se mund të ekzistojë një limit ndaj shfrytëzimit të Tokës. Kështu, ideja është se duhet arsyetuar në mënyrë simetrike ndaj bastit të Pascal: "I vjen për mbarë njeriut që të jetojë jetën e tij sikur Zoti të ekzistonte, sepse nëqoftëse nuk ekziston, në fund humbet pak dhe nëqoftëse në fakt ekziston vërtet, fitohet shpëtimi, ndërsa përndryshe do të të garantojmë dënimin e përjetshëm. Vlen të arsyetohet në presupozimin se po shkojmë ose tashmë jemi në një gjendje rrallësie resursesh sepse nëse nuk është e vërtetë, gjithsesi nuk po shkaktojmë shumë dëm; ndërsa nëqoftëse është dhe nuk pajisemi, shkojmë drejt katastrofës së sigurtë". Por realiteti është se të "pajisesh" në një botë me mangësi nuk është e privuar nga kostot, pasi presupozon të hiqet dora nga një ekonomi efikase për të realizuar zgjedhje suboptimale - në konsume, në investime, në stilet e jetesës dhe, në total, në koeficentë rritjeje dhe zhvillimi. Kështu, kërkon që të vendosen bazat për të jetuar nesër në një botë më pak të pasur dhe teknologjikisht më pak të avancuar. Është e vërtetë se e ardhmja është me përkufizim e paparashikueshme, por pikërisht për këtë duhet pajisur me një mekanizëm institucional që ta ketë parasysh paparashikueshmërinë, që të jetë fleksibël dhe i adaptueshëm sa më shumë të jetë e mundur. Domethënë që të mundësojë të përdoret numri më i madh i truve (apo i inteligjencës njerëzore) dhe që të krijojë stimujt për t'i shtyrë individët krijues në drejtimin më të dëshirueshëm. Shijimi i resurseve për t'u shmangur ezaurimin rrezikon në mënyrë paradoksale që të parandalohet zhvillimi i alternativave, duke i bërë më pak të nevojshme. Sfida ekonomike dhe politike nuk qëndron në zgjatjen e jetëgjatësisë (megjithatë e gjatë, nëqoftëse shikojmë të dhënat) së naftës dhe të lëndëve të tjera të para, por në ndërtimin e një konteksti - për të qëndruar në metaforën ushqimore - në të cilin torta të mund të shtohet. Përndryshe, më shumë sesa basti i Pascal, analogjia korrekte duket ajo e një profecie që do të vetëvërtetohet.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers