10 legjenda urbane të Mesjetës


10. Incubus

DHE SUCUBUS

Incubus-i është një demon në formën mashkullore, që mendohet se qëndron mbi njerëzit që janë duke fjetur, sidomos te femrat, me qëllim që të kryejë marrëdhënie seksuale me to, sipas një numri traditash mitologjike dhe legjendare. Në versionin femëror quhet sucubus. Një incubus mund të kryejë marrëdhënie seksuale me një grua për të lindur një fëmijë, si në rastin e legjendës së Merlin. Tradita fetare thotë se marrëdhëniet e përsëritura me një incubus apo sucubus mund të rezultojnë në përkeqësim të shëndetit apo deri në vdekje. Janë ofruar një numër shpjegimesh laikë për origjinën e legjendave të incubus. Ato përfshijnë shqetësimin mesjetar për mëkatin, sidomos mëkatet seksuale të grave. Viktimat mund të kenë përjetuar makthe ose paraliza gjatë gjumit.

9. Fiset e humbur

Dhjetë Fiset e Humbur të Izraelit i referohen Fiseve të lashtë të Izraelit, që u zhdukën nga rrëfimet biblikë pas shkatërrimit të Mbretërisë së Izraelit, të skllavëruar dhe të dëbuar në mërgim nga Asiria e lashtë. Shumë grupe hebrejsh kanë doktrina që kanë të bëjnë me ekzistencën e vazhdueshme të fshehur apo rikthimin publik të këtyre fiseve. Kjo është një temë, e cila bazohet në mënyrë të pjesshme në fakte historikë të dokumentuar dhe autentikë, pjesërisht në traditën e shkruar fetare dhe pjesërisht mbi spekullime. Ka një sasi shumë të madhe literature mbi Fiset e Humbur dhe nuk mund të mbështetemi tek asnjë burim i veçantë për një përgjigje të plotë. Disa shkencëtarë kanë kryer studime në lidhje me këtë temë dhe herë pas here kanë nxjerrë pretendime për prova empirike mbi ekzistencën e Dhjetë Fiseve të Humbur.

Megjithatë, burimet fetare dhe biblike mbeten burimet kryesorë të besimit se Dhjetë Fiset e Humbur kanë një identitet të fshehur, diku. Duhet vënë re se Libri i Mormonëve thotë që amerikanët vendas e kanë origjinën nga dy prej dhjetë fiseve të humbur.

8. BURIMI I RINISË

Burimi i Rinisë është një burim legjendar që supozohet se u kthen menjëherë rininë atyre që pijnë ujin e tij.

Thuhet shpeshherë se Florida mund të jetë vendndodhja e këtij burimi dhe historitë e burimit janë disa prej atyre që lidhen më së shumti me këtë shtet. Rinia e përjetshme është një dhunti, që gjithmonë është kërkuar nëpër mite dhe legjenda, dhe histori për gjëra të tilla si guri filozofik, ilaçi universal për të gjithë të këqiat dhe eliksiri i jetës janë të zakonshme në të gjithë Eurazinë dhe përtej. Fatkeqësisht, versione të mëhershëm të legjendës (që nga koha kur Bota e Vjetër u bë e tillë) nuk njihen jashtë asaj që kronikanët spanjollë arritën të ruajnë dhe që është e sigurtë që ka qenë një traditë shumë e pasur.

7. HEBREU ENDACAK

Hebreu endacak është një figurë e folklorit kristian mesjetar, legjenda e të cilit nisi të përhapet në Evropë në shekullin XIII dhe u shndërrua në një element të përhershëm të mitologjisë kristiane dhe më vonë, romanticizmit. Legjenda flet për një hebre që u tall me Jezu Krishtin kur ky ishte rrugës drejt kryqëzimit dhe më pas u mallkua që të endej nëpër Tokë deri në Ardhjen e Dytë të Krishtit.

Natyra e saktë e pamaturisë së Hebreut është e ndryshme në variante të ndryshëm të rrëfimit, ashtu si edhe aspektet e karakterit të tij; ndonjëherë thuhet se ai ka qenë një këpucëpunues apo tregtar, të tjerë thonë se ka qenë roja i derës në pronën e Ponc Pilatit. Origjina e legjendës është e debatueshme; ndoshta një element është historia e Gjenezës së Kainit, të cilit i jepet një ndëshkim i ngjashëm - që të bredhë përreth tokës, duke mos korrur kurrë më fryte, por vetëm duke rrëmuar nëpër plehëra.

6. PAPA JOANË

Papa Joanë (e quajtur gjithashtu La Papessa) është emri i Papës legjendare femër që mendohet se ka udhëhequr për më pak se tre vite në vitet 850, ndërmjet papatëve të Lei IV dhe Benedikt III (ndonëse vetëm dy muaj kaluan mes këtyre të dyve). Ajo njihet kryesisht nga një legjendë që qarkullonte në Mesjetë. Papa Joanë shihet nga shumica e historianëve modernë, si dhe studiuesve, si një personazh i sajuar, që ndoshta e ka origjinën në satirat antipapnore.

Historia e Papës Joanë njihet kryesisht nga kronikani i shekullit XIII, Martin i Opavës - që ka shkruajtur afro 500 vite pas Papës femër të supozuar. Shumica e studiuesve e injorojnë dhe e quajnë thjesht një legjendë mesjetare. Fjalori i Oksfordit i papëve pranon se kjo legjendë është besuar gjerësisht për shekuj të tërë, edhe mes qarqeve katolike, por në të thuhet se, "nuk ka prova bashkëkohore për një papë femër në ndonjë prej datave që supozohen dhe më tej shton se, faktet e njohur të periudhave respektive e bëjnë të pamundur praninë e një pape femër". Për ata që mendojnë se çfarë do të ndodhte nëse kjo gjë do të ishte e vërtetë: asgjë; një femër nuk lejohet të bëhet priftëreshë dhe një Papë nuk mund të bëhet i tillë pa qenë prift.

5. ROBIN HOOD

Robin Hood është një figurë prototip në folklorin anglez, historia e të cilit e ka origjinën në Mesjetë, por që mbetet shumë i rëndësishëm në kulturën popullore, ku njihet si njeriu që "u grabiste të pasurve dhe ua jepte të varfërve" dhe që luftonte kundër padrejtësive dhe tiranisë. Banda e tij përfshin një grup njerëzish të kërkuar si shkelës të ligjeve, si Hereward i wake, Murgu Eustace, Fulk Fitz Warin dhe William Wallace. Ka një numër teorish që bëjnë përpjekje të identifikojnë Robin Hood-in historik, por për arsye të ndryshme (si popullariteti i këtij emri në kohërat e Mesjetës), nuk ka shumë gjasa të arrihet në prova që të tregojnë se ai nuk është thjeshtë një legjendë.

4. GRALI I SHENJTË

Sipas mitologjisë së krishterë, Grali i Shenjtë ishte ena, pjata apo kupa që u përdor nga Jezusi në Darkën e Fundit e që mendohet se kishte fuqi të mrekullueshme. Lidhja e Jozefit të Arimatesë me legjendën e Gralit buron nga libri i Robert de Boron "Joseph d'Arimathie" (fundi i shekullit XII), në të cilin Jozefi e merr Gralin pas një shfaqjeje të Jezusit dhe ua dërgon atë ndjekësve të tij në Britaninë e Madhe. Evoluimi i legjendës së Gralit është gjurmuar në detaje nga historianë kulturorë: Ajo është një legjendë që në fillim u shfaq në formën e romancave të shkruara, duke buruar ndoshta nga disa të dhëna të para folklorit kristian, në fundin e shekullit XII dhe fillimin e shekullit XIII. Romancat e hershme të Gralit përqendroheshin në Percivalin dhe ishin të përfshira më së shumti në legjendën Arturiane. Një pjesë e legjendave të Gralit janë të ndërthurura me ato të Kupës së Shenjtë.

3. MBRETI ARTUR

Mbreti Artur është një udhëheqës legjendar britanik që, sipas historive dhe romancave mesjetare, udhëhoqi mbrojtjen e Britanisë kundër pushtuesve saksonë në fillim të shekullit VI. Detajet e historisë së Arturit janë të përbëra kryesisht nga elementë folklorikë dhe të sajuar, dhe ekzistenca e tij historike debatohet shumë nga historianët modernë. Baza historike për legjendën e Mbretit Artur është debatuar për një kohë shumë të gjatë edhe nga studiuesit. Një shkollë mendimi, duke cituar të dhëna nga Historia Brittonum (Historia e Britanikëve) dhe Annales Cambriae (Anale Uellsianë) e sheh Arturin si një figurë të pastër historike, një udhëheqës romano-britanik që luftoi kundër pushtuesve anglo-saksonë diku në fund të shekullit V dhe fillimin e shekullit VI, por mungesa e provave të hershme bindëse është arsyeja përse shumë historianë e përjashtojnë Arturin nga rrëfimet e tyre për Britaninë post-romake.

2. KRYQËZATA E FËMIJËVE

Kryqëzata e Fëmijëve është emri që iu dha një serie ngjarjesh të sajuara dhe reale që ndodhën në 1212, e që kombinojnë disa ose të gjithë elementët; vizione nga një djalë francez apo gjerman; një qëllim për të konvertuar paqësisht në kristianizëm të gjithë myslimanët në Tokën e Shenjtë; grupe fëmijësh që marshonin drejt Italisë; dhe fëmijë të shitur për skllavëri. Një studim i botuar në 1977 hedh dyshime mbi ekzistencën e këtyre ngjarjeve dhe shumë historianë sot besojnë se ata nuk ishin kryesisht fëmijë, por grupe të shumtë "endacakësh të varfër" në Gjermani dhe në Francë, disa prej të cilëve u përpoqën të shkojnë në Tokën e Shenjtë dhe të tjerë që nuk kishin asnjëherë ndërmend ta bënin këtë. Versionet e hershëm të ngjarjeve, për të cilat ka shumë variacione të rrëfyer nëpër shekuj, janë kryesisht të paprovuar. Studimet më të fundit tregojnë se pjesëmarrësit nuk ishin fëmijë. Konfuzioni nisi sepse kronikanët e mëvonshëm, të cilit nuk kishin qenë dëshmitarë të ngjarjeve të 1212 dhe që shkruanin 30 vite më vonë, filluan të përkthejnë rrëfimet origjinalë dhe keqkuptuan fjalën latine "pueri", që do të thotë "djem", duke e marrë atë si "fëmijë". Rrëfimet origjinalë e përdornin termin pueri, por kishte një kuptim gjuhe të folur.

1. PRIFTI JOHN

Legjenda e Priftit John, shumë popullore në Evropë nga shekulli XII deri në shekullin XVII, flisnin për një patriark të krishterë që thuhet se ka sunduar mbi një komb kristian të humbur mes myslimanëve dhe paganëve të Orientit. Rrëfime të shkruar për këtë Mbretëri janë koleksione të shumëllojshëm të fantazisë popullore mesjetare. Prifti John thuhet se ka qenë një sundimtar bujar dhe një njeri me virtute, i cili udhëhiqte një mbretëri të mbushur me pasuri dhe krijesa të çuditshme, ku banonin Patriarku dhe Kristianët e Shën Tomasit. Mbretëria e tij kishte mrekulli të tilla si Portat e Aleksandrit dhe Burimin e Rinisë, si dhe kish në kufi Parajsën tokësore. Mes thesareve të tij ishte një pasqyrë përmes të cilës mund të shihte çdo provincë. Pavarësisht mosekzistencës së Priftit John, besimi mesjetar në këtë legjendë ka patur ndikim në disa qindra vite histori evropiane dhe botërore, në mënyrë direkte dhe indirekte, duke inkurajuar dhe nxitur eksploratorë, misionarë, studiues dhe gjuetarë thesari evropianë.

Google+ Followers