Kristaloterapia - Shërimi përmes gurëve të çmuar




Njohuria për aftësitë e paparashikueshme të kristaleve, nuk është diçka e re. Shkenca e jonë bashkëkohore sot disponon dëshmi tejet bindëse materiale, se llojet e ndryshme të kristaleve, që nga kohërat më të lashta, janë trajtuar si simbole të fuqisë dhe pasurisë. Zakonisht, ishin të vendosura si stoli shtesë të amuleteve dhe talismanëve të ndryshëm, që konsideroheshin relike mbrojtëse nga e keqja në veçanti, si dhe fatsjellëse dhe fatlume për një mirëqenie gjithëpërfshirëse individuale dhe kolektive, në përgjithësi.
Këta popuj të lashtë, që në antikitet kishin dijeni se llojet e ndryshme të kristaleve, emetojnë rrezatime elektromagnetike me frekuenca të caktuara valore, të cilat përputhen me ritmet e caktuara valore të harmonisë hyjnore që funksionon në Univers.
Duke e konsideruar sëmundjen si një çrregullim të kësaj harmonie natyrore, ata praktikonin që përmes llojeve të ndryshme të kristaleve, ata rivendosin dhe balancojnë këtë ritëm të trazuar që shfaqej si reagim organik ose psikik në formë të sëmundjes.
Aplikuesit e shërimit përmes kristaleve dhe gurëve fisnik, kur i përdorin ato, mbështeteshin në faktin se, gurët e çmuar dhe ata gjysmë të çmuar, secili prej tyre, në vetvete ka energji rrezatuese që prodhon efekte shëruese në trupin, shpirtin dhe psikën e njeriut.
Gurët e çmuar nuk rrezatojnë vetvetiu energji nga burimi i tyre, por e japin atë përmes shndërrimit të dritës në nxehtësi.

Çfarë janë gurët shërues - të çmuar?

Gurët shërues janë ata gurë të çmuar që posedojnë shumëllojshmëri ngjyrash, kanë energji të madhe valëzuese dhe janë minerale me vlera të larta. Secili gur i çmuar i përket një rrethi të veçantë të ndërtimit substancial në natyrë, dhe ato me kohë zhvillojnë dhe kultivojnë edhe më shumë energjinë disponuese, së bashku me rritjen e mëtejshme të aftësive rrezatuese.
I lënë për një kohë të gjatë pas dore, sot, shërimi përmes kristaleve dhe gurëve tjerë të çmuar, sërish rikthehet në gjirin e mjaft metodave të tjera tejet efikase të shërimit tradicional të sëmundjeve të ndryshme. Tanimë, kjo metodë shëruese, praktikohet nëpër klinikat e njohura të mjekësisë natyrore anë e kënd botës.
Përparësitë e shërimit me këtë metodë janë: kanë ndikim mrekullibërës, nuk prodhojnë veprime negative apo anësore, mund të aplikohen pa ndonjë problem edhe në shtëpi, si dhe, njëkohësisht, ato mund të sigurohen fare lehtë!
Suksesi i mjekësisë përmes gurëve shërues është pothuajse i përmasave të habitshme: politikanët, aktorët, shëruesit që preferojnë barërat natyrore, vet i famshmi poet Johan Volfgang Gëte, kanë bartur gurët që kanë efekte shëruese dhe që posedojnë fuqi për ndikim sensacional.
Disa prej njerëzve kanë dëshirë që t'i përgatitë një eliksir (guri lihet një orë në ujë dhe pastaj uji pihet) ose të bartin gurin e tyre të dashur, fatsjellës e mbrojtës, të varur në një zinxhir rreth qafës.
Është një mrekulli kjo? - Jo! Të gjitha llojet e gjallesave dhe trupat e kësaj toke, qëndrojnë në një fushë energjetike.
Edhe egjiptianët e lashtë besonin se, gurët e çmuar shfaqnin efekte të mira në psikologjinë dhe shëndetin e njeriut dhe këtë fakt e dëshmojnë stolitë e shumta me gurë të çmuar që mbanin si femrat ashtu edhe meshkujt. Ata mendonin se këta gurë të mrekullueshëm kishin fuqi të mbinatyrshme dhe se mjaftonte t'i mbaje varur në qafë apo në duar për t'u ndjerë më mirë, më energjik dhe i fuqishëm dhe gjithashtu në harmoni me universin.
Nuk ka asgjë më të bukur se sa mbajtja e një guri të çmuar, të bukur, shumëngjyrësh në qafë, kur dihet se prej tij mund të vijnë një varg të mirash, qoftë në mbarëvajtjen e shëndetit, por edhe ruajtjen e barazpeshës shpirtërore. Këto mrekulli të natyrës, të njohura për më se mijëra vjet për aftësitë e tyre shëruese dhe barazpeshën e tyre të brendshme, janë përdorur gjërë në antikitet dhe në ditët e sotme.
Gurët e çmuar jo vetëm që duken bukur dhe të bëjnë të ndihesh e bukur, por kanë edhe efekte psikologjike dhe shëndetësore të mira, nëse mbahen në periudhën e caktuar të vitit kur energjia e tyre është më e fuqishme. Çdo gur i çmuar ka efektin dhe energjinë e tij. Funksionojnë në sfrera të ndryshme të shëndetit psikologjik.

Onyksi i zi - Guri i Ujorit (20 janar - 18 shkurt)

Në kuadër të gurëve shërues radhitet në mesin e atyre gurëve që i dedikohet efekti pozitiv në qarkullimin e gjakut dhe shërimin e plagëve. Ai na mbron nga ndikimet e shfaqura negative.
Ametysti - Guri shërues i peshkut (19 shkurt - 20 Mars)
Shpërndarësi i dhimbjeve të përqendruara! Është veçanërisht me efekte pozitive në çlirimin nga migrena, shtangimit dhe frika. Rrit sigurinë në vetvete.

Jaspisi - Ai ndikon më shumë në shenjën e dashit (21 Mars - 20 prill).

Është i përdorur për rregullimin e qarkullimit të gjakut, forcimin e sistemit mbrojtës të trupit dhe gjithashtu ndihmon në daljen nga gjendja e shpërqendruar dhe forcon kujtesën. Një gurë me fuqi të jashtëzakonshme, ndihmon për të qenë i qëndrueshëm dhe të kthen vetëbesimin.

Kuarci i trëndafiltë - Për shenjën e demit (21 prill - 20 maj)

Guri i zemrës! Kuarci i trëndafiltë vlen për forcimin e zemrës dhe përmirësim të gjendjes shpirtërore, për shërim në rast sëmundjesh të zemrës me bazë psiqike dhe në rastet e humbjeve të ndonjërit prej njerëzve të dashur.
Muzahati - Guri i binjakëve (21 maj - 21 qershor)
Ndikon pozitivisht veçanërisht në procesin e metabolizmit gjithashtu që nga varësia (prej drogës, duhanit, alkoolit etj.) dhe forcon dëshirën dhe vullnetin për të jetuar i shëndetshëm.

Aventurini - Kristali i kancerit (21 qershor - 22 korrik)

Ndikon para së gjithash në lëkurën e njerëzve. Kështu ai aplikohet në ambulancat e mjekëve popullorë, kryesisht për të luftuar faktorët që shkaktojnë sëmundjet e lëkurës. Romakët e vjetër ishin të bindur se, Aventurini forcon ndjesinë e guximit dhe optimizmit.

Kristali i brigjeve - Guri shërues i Luanit (23 korrik - 22 gusht).

Kristali i kthjelltë i brigjeve zhvillon fuqitë e tij më të mira shëruese, në shenjën e Luanit thuhet se është një gur për të stresuarit pra, të çlodh dhe të ul nervozitetin. Zbut vuajtjet nga sëmundjet e syve dhe shuan dhimbjet e kokës. Energjitë e tij pothuajse të dukshme, sjellin dritë në trupin e njeriut dhe e mbrojnë atë nga rrezatimet negative të mundshme.

Syri i tigrit - Guri shërues i virgjëreshës (23 gusht - 22 shtator)

Grekët e vjetër e nderonin atë si diçka që sjell gjallëri. Në terapinë moderne me gurët e çmuar, guri sy tigri, që rri në shenjën e virgjëreshës, konsiderohet se ka ndikim pozitiv në nyje, në nyjet lidhëse dhe në sistemin nervor, duke ndikuar që të "gjejmë" vetveten.

Kuarci i borës - Guri i peshores (23 shtator - 22 tetor)

Vlerësohet si rregullator i yndyrës në gjak; me ndikim pozitiv në aktivizimin e zorrëve dhe në funksionin e mushkërive. Në rrafshin shpirtëror, ai ndihmon në rregullimin e gjendjes shpirtërore të brendshme.

Karneoli - Guri shërues i akrepit (23 tetor - 21 nëntor)

Guri i kuq si gjaku me shkëlqim zjarri. Si gurë shërues i akrepit do të duhej që të ndalë humbjen e paktë të gjakut; të forcojë funksionimin e zemrës dhe mushkërive, por edhe të përkujdeset për sasinë e nevojshme të oksigjenit në gjak. Ai ju dhuron kënaqësinë e jetës dhe ngrohtësinë e duhur.

Sodaliti - Guri shërues i shigjetarit (22 nëntor - 21 dhjetor)

Sodaliti i kaltër i përket shenjës së shigjetarit. Nëse mbahet në qafë gjatë këtij muaji, mund të shfrytëzohen aftësitë e tij shëruese në mënyrë optimale. Ai ndikon pozitivisht tek gjendrat dhe si mjet ndihmës edhe për diabetin, njerëzit me mbipeshë të theksuar dhe me shtypje të gjakut të lartë. Ai forcon njerëzit sensibël (të ndjeshëm) dhe i mbron nga frika.

Guri shërues i Bricjapit (21 dhjetor - 19 janar)

Ngushlluesi dhe paqësori i shpirtit. Guri i Bricjapit ndihmon nervat, në rast shqetësimi dhe stresi. Ai do të duhej t'ju ndihmojë në ruajtjen, respektivisht rivënien në vend të qetësisë së brendshme, në rikthimin e fuqisë, por bën edhe të mundur përballimin e vështirësive të ndryshme.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Aftësia për të parashikuar të ardhmen ekziston te çdo njeri

Studiuesit kanë analizuar 26 studime të mëparshme, duke konkluduar se ekziston aftësia për të parashikuar të ardhmen, mjafton të dish ta lexosh

Parashikimi i fatit apo aftësia për të paralajmëruar diçka që do të ndodhë janë fjalë që na bëjnë menjëherë të mendojmë për histori të lashta me orakuj dhe fallxhorë, por në realitet ato janë koncepte që me kalimin e kohës kanë nxitur kuriozitetin dhe hulumtimin e komunitetit shkencor.
Kështu, një grup studiuesish amerikanë nga Universiteti i Northëestern, ai i Kalifornisë dhe  Universiteti i Padovas, në Itali kanë analizuar rreth 26 studime të mëhershme, të zhvilluara nga viti 1978-2010 dhe kanë dalë në përfundim se qeniet njerëzore, në një farë mënyrë kanë aftësinë që të parashikojnë të ardhmen, të paktën atë më të afërtën.
Por me këtë nuk nënkuptohet besimi në numrat me fat apo lojërat e fatit, sepse aftësia jonë për të parashikuar të ardhmen lidhet më së shumti me aspekte ngushtësisht biologjike të ekzistencës sonë. Julia Mossbridge, drejtuese e studimit, në vend që të përdorë termin parashikim, që lidhet zakonisht me arbitraritetin, e përkufizon fenomenin si ‘aktivitet jonormal paraprak’.
Në shqyrtimin e tyre, studiuesit vunë re se personat e nënshtruar dy ose më shumë stimujve specifik të drejtuar për të qenë të parashikueshëm , prodhonin një aktivitet të ndryshëm biologjik pas stimulit. Gjithashtu, aktiviteti që paraprinte stimulin ishte i vetëdrejtuar dhe ecte në të njëjtën vijë me vijë me aktivitetin biologjik të post-stimulim. Pra për të parashikuar momentin post-stimul, i duhet kushtuar rëndësi aktivitetit biologjik pak përpara tij, dhe duhet të arrihet të bëhet një lidhje mes tyre. Studiuesit morën në shqyrtim aktivitete të ndryshme biologjike si rrahjet e zemrës, zgjerimi i bebeve të syrit, tensioni i gjakut, duke vënë re se në disa raste aktivitetet para dhe pas stimulit shkonin në një drejtim.
Për ta bërë më të kapshme këtë ide, studiuesit sjellin shembullin e një nëpunësi i cili (në orarin e punës) është duke luajtur me një videogame përpara kompjuterit, ndërkohë që ka vënë edhe kufje, kështu që nuk mund ta dëgjojë shefin të hyjë në zyrë. Sipas të dhënave të studimit, nëse i kushtohet vëmendje shenjave të ndryshmit të aktivitetit tonë biologjik (të cilat fillojnë të shfaqen nga 2-10 sekonda përpara stimulit të vërtetë), do të dini të bëni lidhjen mes tyre dhe në rastin konkret, ky nëpunës do të kishte kohën e nevojshme për të fikur videolojën dhe muzikën për të rifilluar punën përpara se shefi të shkonte pranë tij.

Kur është koha më e mirë për të marrë vendime?


Koha më e mirë për të marrë vendime të rëndësishme gjatë ditës  është ora 11.59, sipas një studimi britanik, dhe koha më  e keqe është pas orës 10. Vendimet që merren larg orëve të mëngjesit janë më të mira sepse nxitimi dhe përgjumja e orëve të para të mëngjesit ka mbaruar, por mendohet se edhe uria për të ngrënë gjatë mesditës mund të ketë një ndikim tek vendimet. Kurse në orën 10, truri është ende i lodhur nga puna dhe trupi kërkon të pushojë. Gjithashtu edhe koha e vitit është një faktor që ndikon, mendohet se vendimet më të ndjeshme bëhen në muajin prill, dhe më irritueset në Dhjetor ku njerëzit i ze paniku nga përgatitjet e festave të fundvitit. Sipasd profesor Cary Cooper ajo që duhet të bëjmë është të gjejmë kohë për të menduar përmes pasojave të vendimeve kritike, duke parë anët pozitive dhe negative më një mëndje të kthjellët.

Kush ishin kokat e shtetit që u besonin astrologëve


Nga Reagan, Roosvelt, Napoleoni dhe Hitleri që ishte i fiksuar



  

Politikanët në përgjithësi, kanë një dobësi të veçantë për astrologjinë. Ronald dhe Nancy Reagan janë të famshëm për konsultat e tyre me një astrologe. Po ashtu dhe presidentët francezë, Charles de Gaulle dhe Francois Miterrand. Presidenti, Roosevelt nuk udhëtonte kurrë ditë të premte. Politikanët e vendeve totalitare janë më të ndjeshëm ndaj fenomenit, se ato demokratikë.

Sa më totalitar regjimi aq më të mëdha janë gjasat për kërkimin e shpjegimeve dhe shenjat tek yjet. Thuhet se Napoleoni kishte frikë nga macet e zeza dhe besonte se nëse hante pulë dhe karkaleca deti, do fitonte në betejë. Leonid Brezhnev këshillohej me një astrolog me emrin Dzhuna, gjatë momenteve kyçe të Luftës së Ftohtë dhe u kurua nga një mjek besimtar gjeorgjian, në vitet e fundit të jetës së tij.

Catherine de’Medici konsultohej me vetë Nostradamusin, ndërsa perandori Rudolf II e merrte parashikimin e fatit nga Johannes Kepler, astrologu i famshëm gjerman.

Që nga perandorët romakë, nazistët, e deri tek gjeneralët e Birmanisë, tiranët kanë ndjerë nevojën për të besuar se ka qenë fati, e jo rastësia, ai që u ka dhënë pushtetin dhe i ka mbajtur aty. Duke qenë se fama e tyre është e parapërgatitur, ato synojnë t’i japin formë dhe të parashikojnë të ardhmen.

Për pjesën më të madhe prej nesh, horoskopi ditor është një kalim kohë i padëmshëm dhe pa kuptim, por në duart e një diktatori, ai ushqen lehtësisht paranojën dhe megalomaninë.

Për asnjë despot, s’është aq e vërtetë kjo gjë, sa për Hitlerin, fiksimi i të cilit me okultin i dha formë një regjimi, që në mënyrë të vullnetshme refuzoi racionalizmin në favor të determinizmit mistik. “Ne qëndrojnë në skaj të epokës së arsyes. Një epokë e re, që shpjegon botën me anë të magjisë, po lind”, deklaroi Hitleri.

Në korrik 1933, astrologu më i famshëm i Berlinit, Erik Jan Hannussen, u thirr për t’i lexuar dorën Hitlerit në hotelin “Kiaserhof”. Si shumë mistikë, ai parashikoi pikërisht atë që klienti donte të dëgjonte. “Shoh fitore për ty. Nuk mund të shmanget”, i tha ai. Por kjo s’i shërbeu aspak, pasi hebreu Hanussen, nuk mundi të parashikonte fatin e tij të zi, vrasjen nga SS-të. Gjatë luftës, Inteligjenca britanike u përpoq të shfrytëzonte fiksimin e Hitleri me astrologjinë, duke nxjerrë parashikime të rreme mbi vdekjen e tij të afërt, në gazetat anembanë botës, me shpresën se kjo do destabilizonte atë dhe regjimin e tij. Oficeri i Inteligjencës që drejtoi këtë plan shkruante: “Kjo është gjëja më kurioze që më është dashur të bëj, por gjithashtu më e rëndësishmja”. Ai kishte të drejtë për të dyja. Ashtu si fiksimi i juntës së Birmanisë, fiksimi i Hitlerit me mbinatyroren ishte shenjë e destabilitetit dhe dobësisë, si dhe një dritare në regjimin e tij të çuditshëm dhe tiran.

Gilbert Murray shkroi njëherë: “Terreni më i përshtatshëm për supersticionin është një shoqëri, në të cilën fati i njeriut duket se nuk ka lidhje me meritat dhe përpjekjet e tij”. Kjo ishte e vërtetë për Gjermaninë naziste, dhe është po aq e vërtetë për Birmaninë moderne, ku e mira vuan dhe shtypësit lulëzojnë. Rudyald Kipling njëherë shkroi: “Kjo është Birmania dhe do jetë ndryshe nga çdo vend që keni njohur”. Me mahnitjen e pambarim ndaj supersticionit, diktatorët e Birmanisë duket sikur kthehen në një epokë tjetër. Secili prej klaneve udhëheqëse të juntës ka një astrolog të familjes. Ushtria ka ekspertin zodiak, por është punë e rrezikshme.

Astrologët, të cilët bëjnë parashikime negative zakonisht arrestohen. Besimi i Juntës në Astrologji, përfaqëson pjesërisht çudinë kapriçoze të një regjimi të egër në mënyrë të pazakontë, të izoluar nga pjesa tjetër e botës dhe të ndarë nga realiteti. Dy forma besimi po përplasen sot në Birmani. Nga njëra anë murgjit, ndjekës të një besimi të lashtë dhe në kërkim të lirisë demokratike e reformës ekonomike, dhe nga ana tjetër një makineri ushtarake moderne që ecën sipas një kodi mesjetar profecish, oguresh astrologjie dhe simbolizmi supersticioz.

Astrologët në politikë

Për shumë njerëz, përdorimi i astrologjisë nga politikanët në ditët moderne, doli në dritë, kur presidenti amerikan Ronald Reagan dhe bashkëshortja e tij, Nancy bënë të ditur se i planifikonin aktivitetet e tyre, sipas këshillave të një astrologeje. Por, astrologjia ka qenë prej shekujsh faktor i rëndësishëm, në mendjen e shumë liderëve të mëdhenj botërorë.

Liderët e lashtë

Disa burime historike mendojnë se Aleksandri i Madh përdorte astrologjinë për të udhëhequr fushatat ushtarake e mëdha. Ççezari nuk besonte në astrologji, por pasardhësi i tij, Augustusi po. Ai madje kërkoi gdhendjen e shenjës së tij të horoskopit, tek monedhat, por nuk u përfshi shumë me astrologët, për shkak të frikës nga tallja publike.

Tiberi, pasardhësi i Augustusit, dinte të interpretonte horoskopin dhe kishte si këshilltar një astrolog. Pasardhësi i Tiberit, Klaudius, gjithashtu kishte këshilltar një astrolog.

Monarkia angleze

John Dee ishte një matematikan, astronom, gjeograf dhe astrolog britanik, i shekullit të 16-të. Ai ishte emëruar që të parashikonte horoskopin e mbretëreshës Mary (Mary e Përgjakshme) dhe të burrit të saj të mundshëm, princit Filip të Spanjës.

Sidoqoftë, kur ai krijoi horoskopin për gjysmë motrën e mbretëreshës Mary, princeshën Elizabeth, ai u burgos për pak kohë, në vitin 1555, për shtrigëri. Ai u bë mik me Elizabeth-ën dhe sapo ajo mori fronin, ai u bë astrologu i saj i besuar. Ai zgjodhi dhe datën e kurorëzimit të saj. Shumë njerëz u çuditën, nga besimi që mbretëresha i jepte atij, sapo mori fronin.

Liderët amerikanë

Amerikanët mund të çuditen, kur të zbulojnë se baballarët e kombit, kanë pasur besim të madh në astrologji. Se sa ato besonin tek astrologët, nuk dihet mirë, por ka shumë imazhe astrologjie në ndërtesat qeveritare në Uashington. Në vitet ’80, amerikanët zbuluan faktin se astrologjia shërbente për planifikimin e lëvizjeve të presidentit. Nancy Reagan konsultohej me astrologen, Joan Quigley për këshilla.

Rasputini

Rasputini ka pasur një influencë të madhe në familjen e carit Nikolla II. Ka qenë e shoqja e carit, Aleksandra, e cila kishte besim tek njeriu misterioz, i cili thuhej se kishte aftësi të mbinatyrshme dhe mund të parashikonte të ardhmen.

Influenca e tij mbi carin u rrit në vitin 1912, kur djali, Aleksei gati vdiq pasi u plagos, teksa kalonin pushimet me familjen, pranë Polonisë. E dëshpëruar, Aleksandra thirri Rasputinin, i cili u përgjigj, “Zoti i ka parë lotët e tu si shpresën e fundit dhe përgjigja erdhi. Mos vajto. I vogli nuk do vdesë. Mos i lër doktorët ta bezdisin”. Djali u shërua si për mrekulli dhe që atëherë, Aleksandra do e mbronte Rasputinin dhe do tërbohej ndaj kujtdo, që e sulmonte atë.

10 filmat që thyen tabutë në kinematografi

Nga skena e parë e seksit tek personazhi i parë gej

Rrjeti prestigjioz BBC ka stiluar dhjetë filmat që thyen tabutë në kinematografi. Një ndër ta është edhe filmi me personazhin e parë gei. Homoseksualiteti ishte një fenomen jo i përdorur në filmat europianë dhe hollivudianë që nga vitet 20’,30’,40’ por sugjerohej që ato të jepeshin të koduar. Filmat eksperimentalë nuk kishin ndërmend të ekspozoheshin, por megjithatë, 20-vjeçari Kenneth Anger, një nga producentët më të mirë amerikanë, u dënua për prodhimin e filmit Fireworks në vitin 1947, një film për jetën e një të riu homoseksual. Çështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë. Në fund ata e liruan Kenneth Anger, duke i thënë se filmi ishte art dhe jo pornografi. Ndërsa skena e parë e seksit në një film i përket vitit të largët 1933. Një aktore austriake 18-vjeçare, Hedy Lamarr, e theu këtë tabu në filmin çek “Ecstasy” në vitin 1933. Dy skena në veçanti shkaktuan polemika. Në rastin e parë, kur Lamarr noton nudo në liqen. Dhe rasti i dytë, ajo kryen marrëdhënie seksuale me një mashkull, që besohet të jetë hera e parë e raportit seksual në një film jo-pornografik. Kamera merr plane detaj të fytyrës së saj gjatë skenës kur ajo është e pushtuar nga pasioni. Skena e parë seksuale shfaq për herë të parë orgazmën femërore në ekran. /Përgatiti: Endri Farka/to

1. Fjala e parë fyese
Shumë vetë besojnë gabimisht se thënia e fundit e Rhett Butler në ‘Gone with the Wind’ – I dashur Frankly, mua nuk më plas fare – është fjala e parë fyese e përdorur në një film të Hollivudit. Por ajo nuk është hera e parë sepse 14 vjet përpara këtij filmi, në vitin 1925, Mbreti Vidor në filmin e tij me luftë “Parada e Madhe” shfryhet kundra armiqve duke thënë – Mallkuar qofshin shpirtrat e tyre.
2. Skena e parë e seksit
Një aktore austriake 18-vjeçare, Hedy Lamarr, e theu këtë tabu në filmin çek “Ecstasy” në vitin 1933. Dy skena në veçanti shkaktuan polemika. Në rastin e parë, kur Lamarr noton nudo në liqen. Dhe rasti i dytë, ajo kryen marrëdhënie seksuale me një mashkull, që besohet të jetë hera e parë e raportit seksual në një film jo-pornografik. Kamera merr plane detaj të fytyrës së saj gjatë skenës kur ajo është e pushtuar nga pasioni. Skena e parë seksuale shfaq për herë të parë orgazmën femërore në ekran.
3. Personazhi i parë gej
Homoseksualiteti ishte një fenomen jo i përdorur në filmat europianë dhe hollivudianë që nga vitet 20’,30’,40’ por sugjerohej që ato të jepeshin të koduar. Filmat eksperimentalë nuk kishin ndërmend të ekspozoheshin, por megjithatë, 20-vjeçari Kenneth Anger, një nga producentët më të mirë amerikanë, u dënua për prodhimin e filmit Fireworks në vitin 1947, një film për jetën e një të riu homoseksual. Çështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë. Në fund ata e liruan Kenneth Anger, duke i thënë se filmi ishte art dhe jo pornografi.
4. Puthja e parë ndër-rracore
Kodi i Hollivudit në vitin 1934 ndalonte marrëdhëniet ndër-rracore. Por shumë filma filluan ta sfidonin Kodin gjatë viteve ‘50. Filmi “Killer’s Kiss” i Stanley Kubrick shfaqi puthjen e parë midis një femre të bardhë (Irene Kane) dhe mashkullit me ngjyrë (xhamajkanit Frank Silvera). Silvera kishte lëkurë të zbehtë, dhe nuk po luante rolin e një personazhi me ngjyrë në film, prandaj dyshohet nëse audienca ka qenë në dijeni të prejardhjes së tij afrikane. Më pas në 1957, erdhi filmi ‘Island in the sun’. Ai shfaqte romancën mes një vajze të Karaibeve (Dorothy Dandridge) dhe zyrtarit britanik (John Justin). Pas këtij vjen filmi “The Crimson Kimono” filmi i parë hollivudian që shfaq një puthje të vërtetë ndër-rracore.
5. Shpëlarja e parë e VC-së
Filmi ‘Psycho’ i Alfred Hitchcock nuk kishte asnjë shfaqje nudo gjatë skenës së dushit – por një tjetër dukuri në banjon e Motelit Bates tërhoqi vëmendje të madhe: zhurma e shpëlarjes së vc-së në një film Hollivudi. VC-ja është shfaqur edhe në filma të tjerë më parë, si në filmin e vitit 1928 ‘The Crowd’, por jo me zhurmën e shpëlarjes. Audiencës iu desh të priste 10 vjet pas filmit Psycho që ta shihte këtë skenë.
6. Femra e parë nudo
Filmi “Inspiration” (1915), rreth një artisti që kërkonte modelen perfekte që të ishte muza e tij, mund të ketë qenë shfaqja e pare e një femre nudo në ekran në një film jo-pornografik. Deri në vitet 30’ kjo gjë nuk lejohej, pasi censuroheshin. Filmi ‘Peeping Tom’ i Michael Powell e theu këtë tabu kur, personazhi i Pamela Green shkurtimisht ekspozoi gjoksin e saj. Karriera e Powell u mbyll pak kohë pas polemikave që u krijuan rreth filmit Peeping Tom. Pas ndryshimit të Kodit për moslejimin e personazheve topless, prodhimi i parë që u shfaq ishte “The Pawnbroker” i Sidney Lumet.
7. Vrasja e parë për vdekje
Kodi i Hollivudit në vitin 1934 thoshte se një vdekje nga të shtënat duhet të filmohet në dy pjesë: e shtëna e qitësit, dhe më pas viktima që bie. Filmi i Sergio Leones “A fistful of dollars” theu këtë rregull në skenat e mëparshme. Kamera është e pozicionuar pas personazhit të Cleant Eastwood, kur ai i qëllon një grupi kundërshtarësh të cilët rrëzohen njëri pas tjetrit. Ky ishte efekti i qitësit, i cili rrit identifikimin e dhunës tek audienca.
8. Plaga e parë me gjak
Shumë pak vdekje të shkaktuara nga të shtënat shoqëroheshin me plagë tek viktima. Kjo skenë u realizua nga regjisorët në filmat bardh-e-zi, veçanërisht nga Alfred Hitchcock, në skenat e tmerrshme të vdekjes në filmin ‘Foreign Correspondent’ (1940). Këto skena ishin më të rralla në filmat me ngjyra. ‘Bonnie and Clyde’ (1967) ndryshoi gjithçka kur tregoi viktimën e qëlluar në fytyrë nga dyshja vrasëse. Filmi përfundon me Bonnie-n dhe Clyde-n të mbytur nga plumbat, dhe me rrobat e tyre plot gjak.
9. Mashkulli i parë nudo
Producentët e filmave kanë qenë ngurrues për shfaqjen e lakuriqësisë së meshkujve se sa të femrave. Biles edhe kur regjisorët përfshinë plane të meshkujve pa rroba në vitet 60’ – si në filmin ‘This Sporting Life’ të Lindsay Anderson dhe ‘Seconds’ të John Frankenheimer. Shumë prej këtyre filmave janë censuruar përpara lançimit të tyre. Filmi ‘Women in Love’ i Ken Russell mund të jetë filmi i parë që paraqiti meshkuj nudo, një ndeshje mundjeje ku Oliver Reed dhe Alan Bates ishin nudo.
10. Vdekja e parë reale
Imazhe të vdekjeve aktuale kanë qarkulluar nëpër kronikat e lajmeve përgjatë viteve por një nga dokumentarët kryesorë që tregoi një vrasje ishte dokumentari i vitit 1970 nga Gimme Shelter, një tregim i koncertit të Rolling Stones në Kaliforni. Kulmi i filmit ishte vdekja e Meredith Hunter, afrikano-amerikanit që u përpoq të sulmonte skenën me një pistoletë në dorë. Alan Passarom një anëtar i Hells Angels, me përgjegjësinë e sigurisë, e goditi disa herë me thikë Meredith Hunter në kurriz. Video u përdor në gjyq, dhe e liroi truprojën për shkak të vetë-mbrojtjes. ‘The passenger’ i Michelangelo Antoninit konsideroi si filmi i parë që shfaqi pamjet e një vdekjeje: një burrë i dënuar që ekzekutohet nga skuadra e pushkatimit.

Misteret e pazgjidhura shkencore

Jemi të vetëm në univers? Sa gjatë do të jetojmë? A ekziston Zoti? Këto dhe shumë pyetje të tjera i janë shtuar çështjeve të pazgjidhura të shkencës



Janë pyetjet klasike universale ato që bëjmë të gjithë, por për të cilat askush nuk mund të japë një përgjigje të saktë, sepse presupozojnë një akt besimi të pamundur për t’u regjistruar në një fushë shkencore (A ekziston Zoti?); janë shprehje të një dëshire, që për momentin mund të jenë të realizueshme vetëm në kinematografi, (A mund të udhëtohet në kohë?), ose frikë që buron nga skenarët e parashikimit të Majave (Kur do të jetë fundi i botës?). Jo rastësisht këto shqetësime janë bërë pjesë e një klasifikimi të quajtur “misteret e pazgjidhura”, të listuara nga kanali televiziv anglez “Eden”, në bazë të një sondazhi të ideuar për prezantimin e muajit të shkencës.
“Kush ka lindur e para, veza apo pula?”
Ndër pyetjet e mbetura jashtë klasifikimit janë edhe ato që i kemi dëgjuar të bëhen zakonisht, por që vazhdojnë të mbeten pa përgjigje (Kush ka lindur e para, veza apo pula?) ose janë dyshime të përditshme banale (A fiket vërtet drita e frigoriferit kur mbyllet dera?). Gjithsesi, pjesa më e madhe e çështjeve, që kanë nxitur më shumë kureshtjen janë ato shkencore. Jo më kot, ¾ e 2 mijë të rriturve britanikë, të cilët kanë marrë pjesë në studim, në lidhje për këtë gjë janë shprehur se i tërheq jashtëzakonisht shkenca, ndërsa një përqindje më e vogël thotë se kanë shumë informacione rreth çështjeve shkencore. “Informimi ynë ndaj shkencës lëviz me një shpejtësi marramendëse dhe të mendosh që kanë kaluar mbi 500 vjet, kur shumica e njerëzve besonte se Toka ishte e sheshtë. Muaji i shkencës do të shërbejë pikërisht për të zgjidhur disa prej këtyre dyshimeve universale, edhe pse kemi ende shumë për të mësuar.”, ka shpjeguar menaxheri i përgjithshëm i kanalit televiziv për “Daily Mail”. Kështu, mes 54% të njerëzve, që pyesin “A jemi vetëm në univers?” dhe 46% që shpresojnë në gjetjen e një kure përfundimtare për kancerin, ka edhe 39% që pyesin për ekzistencën e Zotit, ndërsa 27% duan të dinë nëse do ta pushtojmë ndonjëherë hapësirën. Por për të gjithë ata që duan të dinë listën e plotë të çështjeve të pazgjidhura, për të cilat janë dhënë vetëm disa shpjegime të thjeshta shkencore, mund të lexoni klasifikimin e mëposhtëm.
“Top-ten” i mistereve të pazgjidhura shkencore
1 – Jemi të vetmit në univers? – 54%
Sipas shkencëtarëve, universi mund të ketë shumë sisteme planetare, ku mund të zhvillohen forma të ndryshme jete, por ne nuk kemi ende në dispozicion mjetet e duhura teknologjike për të parë miliona vjet dritë larg për t’u lidhur me ta.
2 – A do të gjendet ndonjëherë kura për kancerin? – 46% Statistikat e mbijetesës së formave të ndryshme të kancerit janë përmirësuar. Këtu kanë ndikuar edhe trajtimet e reja kundër sëmundjes dhe shpresohet që në të ardhmen të gjendet një kurë e saktë, që pacientët të jetojnë më gjatë.
3 – A ekziston Zoti? – 39%
Nuk ka ende ndonjë konfirmim empirik dhe shkencor për ekzistencën e Zotit.
4 – Sa e madhe është hapësira? – 33%
Disa astronomë janë të bindur se nuk ka kufij, të tjerë thonë se nga Big Bengu hapësira është zgjeruar me një diametër rreth 150 miliardë vjet dritë.
5 – Si dhe kur ka nisur jeta në Tokë? – 30%
Ka pasur shumë teori nga bakteret që kanë hyrë në marrëdhënie simbiotike, te rrymat e ndryshme që kanë kaluar përmes kores së tokës.
6 – A është e mundur të udhëtohet në kohë? – 29%
Teorikisht mund të udhëtohet falë vrimave depërtuese, por këto janë të paqëndrueshme dhe për të mbajtur hapur një të tillë do të nevojitej gravitet i madh.
7 – A do ta pushtojmë ndonjëherë hapësirën? – 27%
Ndoshta. Disa theksojnë se duhet të marrim në konsideratë idenë e krijimit të kolonive në një pjesë tjetër të sistemit diellor, në rast se Toka do të bëhej e pabanueshme.
8 – Me çfarë mund të zëvendësohet nafta dhe kur? – 27%
Burimet e energjisë alternative tashmë janë në dispozicion, por duhen mbajtur nën kontroll kostot nëse duhet zëvendësuar nafta. Megjithatë janë bërë përparime në nanoteknologji, ku mund të gjejmë edhe një përgjigje rreth asaj që kërkojmë.
9 – Kur do të përfundojë bota? – 24%
Teoritë thonë se një ditë universi do ta përfundojë ciklin e zgjerimit të tij dhe gjithçka do të jetë në kolaps; temperatura do të arrijë në 0ºC dhe “energjia e zezë” do të mbizotërojë mbi forcën e gravitetit.
10 – Me sa vite jetë mund të zgjatet jeta e njeriut? – 20% Eksperimentet e kryera te kaviet i kanë bindur shkencëtarët se njeriu mund të jetojë mbi 100 vjet.

Google+ Followers